Minxhozi: Pse na prishën verën, kur s’kishin ndërmend të bënin namin në vjeshtë?!

Minxhozi: Pse na prishën verën, kur s’kishin ndërmend të bënin namin në vjeshtë?!

Ilir Meta dhe Sali Berisha

Ka shumë ironi dhe batuta në rrjetin social shqiptar, në lidhje me pritshmëritë që u krijuan gjatë sezonit veror nga Ilir Meta e Sali Berisha, për atë që do të ndodhte në shtator. Të gjithë e mbajmë mend çfarë ndodhi në gusht: konferenca shtypi të përditshme të të dyve të kordinuara ose spontane, dalje publike për çdo aksident banal apo të rëndë rrugor, për çdo kazan plehrash të mbushur a të harruar nga qeveria e pushteti vendor në një cep plazhi, për çdo sherr shezlonash diku në vijën bregdetare, për çdo ikje dritash në Jug apo Shëngjin. Meta dhe Berisha na komunikuan gjatë atij muaji se kjo do të ishte sot e tutje “normalja e re” që ata kishin instaluar në jetën publike të vendit, me qëllim që Edi Ramës “t’i digjej toka nën këmbë”.

Iku gushti e bashkë me të edhe vapa, por revolucioni që do mbushte rrugët është shtyrë për një datë të pacaktuar. Protesta modeste e landfillit të Sharrës nuk pati as përmasat e një prove gjenerale, pasi konfirmoi veç të tjerash edhe makthin më të keq që ka opozita e sotme: pas ndarjes më dysh të PD, edhe raporti Berisha-Meta ka shumë ndryshk brenda!

Dyshja e mësipërme po dështon në këtë fillim-vjeshte aty ku edhe Lulzim Basha, mishërimi i çdo gjëja të keqe që i ka ndodhur opozitës pas vitit 2013, nuk kishte dështuar: tek krijimi i frymës opozitare. Gjatë një viti e gjysëm, kur Bashës ju bë gjyqi publik në të gjitha sallat, stadiumet, baret e lokalet e Shqipërisë, kemi dëgjuar nga Sali Berisha në Foltore (dhe Ilir Meta në Presidencë), se Basha është një dështak që s’ka ditur të zgjojë indin e fjetur të protestës tek shqiptarët. Ju faturua jo pa të drejtë ish-kryetarit të PD se nuk diti të bëhet mjaftueshëm tërheqës për votuesit, se nuk diti të ruajë votat dhe më në fund, se u fut borderonë e Edi Ramës, duke shitur opozitën.

Që Basha i ka pjesën dërrmuese të këtyre defekteve, kjo është një e vërtetë e provuar. Ka qenë dhe mbetet një humbës që nuk diti të kapë trenin që i ndaloi tek këmbët. Prandaj edhe kur Sali Berisha zbriti në fushë për shkak të fletërrufesë amerikane (e jo të shpëtimit të partisë!), pakkush nxitoi të bënte apologjinë e Lulzim Bashës.

Sot ky moment është tejkaluar dhe shqiptarët që votojnë opozitën kanë hyrë kokë e këmbë në realitetin e ri të krijuar nga “dyshja e ëndrrave” Berisha-Meta. Një çift që mendohet nga një pjesë jo e vogël e popullit opozitar si e vetmja zgjidhje për të rrëzuar Ramën dhe rikthyer në pushtet ata që dikur qeverisnin.

Shtatori nuk është prova më e mirë e realizimit të kësaj dëshire. Pak javë pas nisjes së sezonit politik, asgjë nga ato që dëgjuam gjatë verës nuk ka ndodhur. Natyrisht disa javë janë një segment i vogël kohor, por nëse moti i mirë duket që në mëngjes…

Berisha dhe Meta duhej të ishin këto orë në krye të turmave në muret e Kryeministrisë. Këtë na premtuan të paktën gjatë verës së nxehtë kur lajmet dëgjoheshin kryesisht nëpër makina, në udhëtim e sipër drejt plazhit të radhës. Premtuan shumëçka, por duket se disa kalkulime i kanë bërë keq, edhe në raport me “Bashën e shitur”!

I bënë llogaritë në raport me ish-kryetarin, por jo në raport me veten, me dobësinë, konsumin dhe listën e gjatë të kostove e problemeve që kanë ata vetë si politikanë. Thanë që Basha e hëngri lëndinën e vet, pa parë se e kishin mbaruar tagjinë e tyre shumë kohë para tij. Reklamojnë të drejtën e një kënge të fundit të mjelmës, por nuk pranojnë idenë e thjeshtë se rikthimi i tyre në politikën aktive partiake është e keqja më e madhe që i bëhet procesit të rinovimit të elitës drejtuese për të cilën ka nevojë kaq shumë ky vend.

Në këtë mënyrë, produkti më i rëndësishëm i stuhisë Berisha-Meta deri tani është një verë e zhurmshme me konferenca shtypi e premtime për një stinë protestash të fuqishme. Asgjë tjetër. Na prishën verën, pa arritur dot (deri tani) t’ja prishin gjumin e vjeshtës qeverisë.

Në të kundërt, para protestave, duket se të dy, edhe Berisha edhe Meta duhet të mendojnë për disa situata të sikletshme që lidhen me dosjen I.M apo hetimin e klubit Partizani. Ashtu si qeveria, edhe dyshja e mësipërme duhet ta mbajë një sy te drejtësia, pasi prej aty mund të dalin surpriza të pakëndshme. Një gjë është e sigurt deri tani: më shumë se kërcënimet e Berishës dhe Metës, qeveria duhet të shohë pas shpine atë që mund t’i ndodhë nga “gjenerali dimër”, me çmimet e çmendura të energjisë dhe produkteve të konsumit. Dyqani i lagjes është problemi më i madh i Ramës drejt zgjedhjeve lokale, jo selia e PD apo e Partisë së Lirisë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Berisha me zë Gazi!

Berisha me zë Gazi!