Miratohet nga AMF platforma BKT smart invest, aplikacioni për investime ndërkombëtare

BKT Smart Invest, Aplikacioni për Investime Ndërkombëtare ka marrë miratimin nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Smart Invest është platforma e parë bankare në Shqipëri, që u lejon klientëve tanë të investojnë në një gamë të gjerë produktesh financiare investuese nga e gjithë bota. Kjo platformë tashmë është në dispozicion të të gjithë klientëve të BKT nëpërmjet Degës Internet dhe BKT Smart.

Drejtori i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit të BKT, Z. Seyhan Pencablıgil ka deklaruar se “është një revolucion për Tregun e Financave Shqiptare”. “Ashtu si udhëtimi pa viza në Shengen, tashmë edhe investimi nuk ka më kufij. Deri më tani, alternativat e investimeve ishin mjaft të kufizuara për Shqipërinë; depozitat me afat ose obligacionet qeveritare kanë qenë alternativa kryesore të investimeve financiare. Investime në të bërit biznes ose investime në pasuri të paluajtshme kanë qenë mundësi të tjera afatgjata. Tashmë, ka mijëra alternativa të sigurta të investimeve pa kufij. Klientët tanë mund të investojnë në aksione nga SH.B.A. dhe Europa të kompanive të mirënjohura në botë si Apple, Coca Cola, Daimler (Mercedes); të blejnë / shesin të mira materiale si nafta e papërpunuar, bakri, gruri; të hapin një pozicion në metalet e çmuara si ari, argjendi dhe platini”.

“Sidoqoftë, ne u sugjerojmë fuqishëm klientëve tanë të provojnë llogaritë e para demostrative që do t'i ndihmojnë ata të kuptojnë më mirë produktet dhe të shmangin risqet e panevojshme. Unë besoj se platforma jonë revolucionare e investimeve do të zhvillojë njohuritë financiare në Shqipëri dhe klientët do të mësojnë më shumë rreth tendencave financiare globale dhe ekonomisë botërore. Produkti ynë do të kontribuojë në rritjen e profilit të investitorit dhe kulturës së investimit në Shqipëri.” 

Drejtori Ekzekutiv i AMF, Z. Ervin Mete njoftoi se “AMF është angazhuar në përafrimin e kuadrit ligjor e rregullator me legjislacionin e BE-së, gjë që ka krijuar edhe mundësi të reja të ndërlidhjes me tregjet financiare ndërkombëtare”. 

“Ligjet e reja kanë rritur standardet dhe kërkesat për transparencë dhe përshtatshmëri, si elementë thelbësorë të nxitjes së besimit dhe pjesëmarrjes së investitorëve në tregjet e kapitalit. Kjo është platforma e parë e shërbimeve të investimeve online, që i jep akses të drejtpërdrejtë investitorëve shqiptarë, duke i ofruar mundësinë e investimit në aksione të kompanive ndërkombëtare dhe në një sërë instrumentesh të tjera Financiare”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së.

Çfarë është BKT SMART Invest?
BKT Smart Invest është një platformë në internet (e disponueshme në kompjuter nëpërmjet Degës Internet dhe celular nëpërmjet BKT Smart) që lejon klientët e BKT të bëjnë investime ndërkombëtare pa kufij. Klientët mund të zgjedhin midis alternativave të ndryshme të produkteve financiare dhe ata mund të përdorin levën financiare në varësi të instrumentit financiar. 

Është e mundur investimi në aksione në kompani ndërkombëtare në shtete të ndryshme si Apple, Alphabet (Google), Volkswagen, Alibaba, Shell, Pfizer Biontech etj. Mund të tregtohen edhe derivatet (CFD- Kontratat për Diferencë). Kjo i lejon investitorët profesionistë të marrin pozicion më të gjerë se shuma fillestare e investimeve kapitale.
Mjetet e investimit në indekset e aksioneve nga “Nasdaq” në “Hong Kong 50” janë në dispozicion.

Mund të tregtohet çdo e mirë materiale duke filluar nga energjia dhe duke përfshirë naftën e papërpunuar Brent dhe WTI, metalet e çmuara duke përfshirë arin, argjendin, platinin etj., mallrat bujqësorë duke përfshirë grurë, misër, kafe, sheqer, pambuk etj., metale përfshirë bakrin, çelikun e mbështjellë me nxehtësi etj,. Madje, mund të tregtohen edhe kontratat mbi kuotat e emetimeve të karbonit. Tregtia e të mirave materiale mund të ndihmojë klientët tanë të mbrohen nga rreziqet e shkaktuara nga luhatjet ekstreme të çmimeve. Fondet e ndërsjellta nga vende të ndryshme dhe përbërje të ndryshme mund të blihen dhe shiten përmes Platformës BKT Smart Invest. ETF (Fondet e Tregtuara në Bursë), të cilat në një farë mënyre janë shporta e shumë letrave me vlerë mund të tregtohen në bursa. Tregu i Këmbimeve Valutore me levë financiare, u ofron mundësinë për këmbime midis valutave të huaj përgjatë 24 orëve.
 

B.K./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet