Vendimi/ Qeveria, 3 mld lekë garanci sovrane për bizneset që tregtojnë produktet e shportës, të rriten rezervat ushqimore! Shteti, garant për 60% të vlerës

TIRANË-3 miliardë lekë do të jetë fondi në dispozicion për të gjitha bizneset përfaqësues të zinxhirit të furnizimit me mallrat e shportës, që do të duan të përfitojnë nga kjo kredi me garantues shtetin, me qëllim mbulimin e kapitalit qarkullues për lëndët dhe ushqimet bazë.

Qeveria ka miratuar vendimin në mbledhjen e sotme. Garancia sovrane për importuesit e produkteve të shportës do të bëhet me qëllimin që bizneset të rrisin rezervat, në mënyrë që të mos ketë mungesë të produktit si pasojë e luftës në Ukrainë, që do të sillte për rrjedhojë edhe një rritje stratosferike të çmimeve.  

Bankat me të cilat qeveria do të bëjë marrëveshje janë Banka Kombëtare Tregtare, Banka Credins, Banka Raiffeisen, Banka OTP Albania. Shteti do dal garant për 60% te vlerës së kredisë që do marrin bizneset.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë mund të kërkojë këshillim/asistencë nga Banka e Shqipërisë gjatë implementimit të marrëveshjeve të garancisë. Ky bashkëpunim mund të rregullohet edhe nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, me urdhër të posaçëm, mund të ngarkojë ndjekjen dhe administrimin e të dhënave të kësaj skeme garancie, duke përfshirë mbajtjen, përllogaritjen, rakordimin dhe raportimin e të dhënave nga punonjës të Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Garancia sovrane për bizneset që tregojnë produktet e shportës u paralajmërua edhe nga kryeministri Edi Rama, ku saktësoi se nëse mallrat nuk do u shiten, stokun do ua blejë qeveria.

Vendimi i plotë i Qeverisë

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3 e 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 8, të aktit normativ nr.7, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e linjës së garancisë shtetërore në vlerën 3 000 000 000 (tre miliardë) lekë, në favor të bankave tregtare, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilat do të jenë pjesë e skemës së garancisë, që do të mundësojë huadhënien për subjektet, që tregtojnë me shumicë, produkte ushqimore bazë, për të siguruar financimin e nevojshëm për të mbajtur rezerva për një periudhë 3-mujore ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit, me qëllim përballimin e situatës së veçantë, të krijuar në treg.

2. Linja e garancisë shtetërore do të lëshohet në favor të bankave tregtare, si më poshtë vijon:

– Banka Kombëtare Tregtare, sh.a.;

– Banka Credins, sh.a.;

– Banka Raiffeisen sh.a., Albania;

– Banka OTP Albania, sh.a.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë mundëson përcaktimin e shumave të garancisë shtetërore, që lëshohet në favor të secilës bankë tregtare, nëpërmjet marrëveshjeve të veçanta të garancisë, që do të lidhen me secilën prej bankave.

3. Marrëveshjet e garancisë janë sipas kushteve dhe kritereve të marrëveshjes tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

4. Ministri i Financave dhe Ekonomisë mundëson, nëse rezulton e nevojshme, rialokimin e shumës së garancisë nga huadhënësi që nuk e ka ezauruar shumën e garancisë në favor të tij te huadhënësi, që e ka ezauruar atë plotësisht, duke ndryshuar për këtë qëllim edhe marrëveshjet e lidhura/nënshkruara të garancisë

5. Autorizohet ministri i Financave dhe Ekonomisë për nënshkrimin e marrëveshjeve të garancisë me secilën nga bankat tregtare, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.

6. Marrëveshja e mirëkuptimit, e cila nënshkruhet nga huamarrësi, përmban kushtet dhe kriteret sipas marrëveshjes tip të integruar si aneks në marrëveshjen tip të përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi.

7. Ministria e Financave dhe Ekonomisë mund të kërkojë këshillim/asistencë nga Banka e Shqipërisë gjatë implementimit të marrëveshjeve të garancisë. Ky bashkëpunim mund të rregullohet edhe nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi.

8. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, me urdhër të posaçëm, mund të ngarkojë ndjekjen dhe administrimin e të dhënave të kësaj skeme garancie, duke përfshirë mbajtjen, përllogaritjen, rakordimin dhe raportimin e të dhënave nga punonjës të Agjencisë së Trajtimit të Kredive.

9. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K.T./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Tjetër JO për negociatat nga BE, mendoni se Rama ka të drejtë me gjuhën e ashpër ndaj liderëve të Brukselit?



×

Lajmi i fundit

John

Bllokohen 3 alpinistë në majën e Brijasit në Valbonë! Një prej tyre ka thyer këmbën