Mirënjohje për Shoqatën Ryder në Durrës, një çerek shekulli në mbështetje të sëmurëve terminalë (FOTO)

Mirënjohje për Shoqatën Ryder në Durrës, një çerek shekulli në mbështetje të sëmurëve terminalë (FOTO)

Të sëmurët terminalë dhe familjarët e tyre në Durrës kanë gjetur prej 25 vitesh mbështetje profesionale dhe njerëzore në grupin e asistencës së Shoqatës Ryder Albania.

Në apartamentin modest që shoqata ka marrë me qira në një nga pallatet pranë mauzoleut të dëshmorëve trokasin çdo ditë dhjetra familjarë të cilët kërkojnë ndihmë te grupi i specializuar, që vazhdon të mbështetet nga Fondacioni Sue Ryder Care (SRC) i Britanisë së Madhe.

Sue Ryder është emri i një zonje fisnike, që e krijoi dhe mbështeti shoqatën, tashmë mjaft të njohur.

Sot paradite prefekti i qarkut Durrës-Krujë Roland Nasto nderoi me Certifikatë Mirënjohje Shoqatën Ryder Albania me motivacionin “Për kontributin human e te pandërprerë, të suksesshëm, konkret, efektiv dhe të shumëanshëm në realizimin e qëllimit dhe objektivave në të gjitha fushat e veprimtarisë së saj në mbështetje të pacientëve të sëmurë dhe të familjeve të tyre në qarkun tonë”.

Gjatë një interviste, drejtuesi i shoqatës Ryder në Durrës, dr. Kristaq Huta tha se që nga viti 1996 kur ndihma për të sëmurët rëndë nisi vetëm me dy specialistë, në regjistrat e kësaj shoqate janë shënuar mbi 3,000 pacientë gjithsej.

“Janë të sëmurë pa shpresë për mbijetesë, por më të pashpresë ndihen familjarët e tyre, të cilët nuk u vijnë dot në ndihmë të afërmve jo vetëm për paaftësi profesionale, por shpesh herë edhe për arsye ekonomike”.

Personeli i Shoqatës Ryder ofron kujdes Paliativ për dhjetra të sëmurë terminalë, jo vetëm me kancer, të cilët banojnë në Durrës, Krujë dhe Kavajë.

Dr Huta ka punuar më shumë se dy vjet për hartimin e ligjit mbi kujdesin paliativ, pasi siç thotë “njeriu duhet të jetojë me dinjitet, por edhe të vdesë me dinjitet”.

Por ai shpreh trishtim, lidhur me zbatimin e Ligjit Paliativ, që u miratua nga Parlamenti shqiptar në vitin 2014.

“Mbështetja e partnerit të huaj tashmë kushtëzohet nga kujdesi që duhet të ketë pushteti qendror dhe ai vendor për të sëmurët terminalë, por fatkeqësisht kjo ndodh në shumë pak raste – tha mjeku me përvojë.

Për mënyrën se si mund të arrihet ky bashkëpunim, doktori sjell rastin e Korçës, bashkia e të cilës mbështet financiarisht me anë të pagesës së qerasë, energjisë dhe ujit për selinë ku punon grupi i asistencës Ryder .

Megjithëse i pakët, ky sponsorizim është një shembull që duhet ndjekur edhe nga bashkitë e tjera, përfshirë edhe Durrësin.

“Ne kemi gjithnjë e më shumë raste të sëmurësh terminalë, dhe i japim ndihmë të gjithëve -tha dr Huta, duke pranuar se cilësia e shërbimit ka nisur të bjerë.

Numri i punonjësve në SHRA Durrës është përgjysmuar, si pasojë e mungesës së fondeve, çka ndikon në shërbimin ndaj të sëmurëve.

Numri i donatorëve të huaj po bie -thotë dr Huta, dhe nga të paktët që na mbështesin janë shqiptarët me banim në Londër.

Arben Gjalpi, koordinator i Dhomës së tregtisë britaniko-shqiptare thotë se veprimtaritë sportive në Londër synojnë të mbledhin fonde që lehtësojnë veprimtarinë e Ryder Albania.

Sipas të njejtit burim, në turneun që organizohet çdo vit marrin pjesë 16 skuadra jo vetëm nga Anglia, me nga 8 futbollistë amatorë. Ndërsa skuadra të tjera mes të cilave edhe ekipi shqiptar kanë në përbërje punonjës të bankave apo të profesioneve të tjera.

Pacientët terminalë, shumica me kancer

Dr. Huta thotë se shumica e të sëmurëve terminalë që asistohen nga Ryder në Durrës dhe rrethinat e tij janë të sëmurë me kancer, të cilët pasi janë kuruar për periudha të gjata nuk kanë më asnjë shpresë shërimi-shton Huta.  

Ne synojmë që këta të sëmurë për aq kohë sa jetojnë të kenë një kujdes mjeksor dhe të bëjnë një jetë dinjitoze-nënvizon ai.

Kujdesi paliativ, lehtësues, njihet shumë pak te ne dhe mungesa e një spitali shtetëror për të sëmurët terminalë e ka bërë shërbimin tonë shumë të kërkuar-thotë dr. Kristaqi.

Gjithcka ofrohet falas dhe në grupin prej 6 vetësh që punojnë këtu cdo ditë, bëjnë pjesë dy mjekë, tre infermierë dhe një punonjëse sociale.

Në vitin 1996 kemi asistuar vetëm 8 të sëmurë, ndërsa vitet e fundit mesatarisht 240 pacientë ndiqen në banesë nga specialistët tanë-thotë dr. Kristaqi. Në zonat larg qytetit ne bashkëpunojmë me mjekët e familjes, të cilët i janë nënshtruar disa trajnimeve për të sëmurët terminalë.

Jeta e tyre zgjat disa muaj, por ajo bëhet më e lehtë kur pranë ndodhen mjekë dhe infermierë të specializuar”-përfundon dr. Kristaq Huta.  

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë, Zhupa: Milva Ekonomi ka munguar në 2 mbledhje pas akuzave tona për konflikt interesi, e pres si dëshmitare

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë, Zhupa: Milva Ekonomi ka munguar në 2 mbledhje pas akuzave tona për konflikt interesi, e pres si dëshmitare