Mirëserdhe në shtëpi! Ndjesitë dhe rrugëtimi i Alvinit pas ikjes nga kampi ferr. Historia e kthyer në lot gëzimi

Mirëserdhe në shtëpi! Ndjesitë dhe rrugëtimi i Alvinit pas ikjes nga kampi ferr. Historia e kthyer në lot gëzimi

Kampioni më në fund është mirë, në krahët e babait, motrave të tij, gjyshit dhe të njerëzve të zemrës. Alvin Berisha, 11-vjeçari shqiptar u kthye në historinë që përcolli lot gëzimi, pas lajmit të mrekullueshëm se më në fund, pas 5 vitesh, ai shpëtoi nga kampi ferr në Siri, Al Hawl, një qytet më vete me rreth 70 mijë persona, shumica gra luftëtarësh të ISIS dhe fëmijë.

Rrugëtimin e tij jashtë kampit burg, e ka përshkruar emisioni italian investigues "Le Iene", i pari që bëri publik historinë e trishtë të Alvinit të rrëmbyer nga nëna e tij në vitin 2014 që e çoi nga Italia në Siri, pasi u kthye në radikale islame. Tashmë misioni i "Le Iene", u përmbush. Gazetari ka ndjekur rrugëtimin e Alvinit pasi është nxjerrë nga kampi burg nën pushtetin kurd, derisa ka mbërritur në Itali ku jetojnë prej vitesh babai dhe motrat e tij.

Kryqi i Kuq ndërkombëtar, në bashkëpunim me Gjysmë Hënën e Kuqe siriane arritën që pas shumë përpjekjesh ta nxjerrin Alvinin nga kampi, duke e çuar në një vend të sigurt. Në Damask, kujdestarja e kampit ka arritur t'i marrë disa përgjigje Alvinit, që vështirë të mos përlotin. Aty  i vogli tregon se si u lumturua kur një muaj më parë arriti të takonte babain e tij brenda kampit Al Hawal, se sa i mungon nëna dhe motrat. Thotë se ka miq me të cilët luan, dhe tregon se si e theu këmbën brenda atij kampi.

"Jam në kamp dhe vetëm pres të kalojë koha...Pres dhe vetëm pres. Jam i lumtur që takova babain në kamp por nuk kam mundur dot të flas më me të. Më mungon mami, edhe motrat. Kur mami më mori, dhe nuk e di përse, motrat ishin në shkollë", tregon Alvini, teksa për herë të parë fytyra e tij ka nisur të qeshë. Është ende larg familjes, por ka filluar të kuptojë se ditët e ferrit mund të marrin fund shpejt. A do t'i pëlqente të kthehej në Itali - e pyet kujdestarja e kampit? Po, përgjigjet ai.

Vetëm disa ditë më pas, ëndrra e tij u plotësua. Ai ishte i lirë. Në Damask Alvini është akomoduar në një hotel.

Ushqehet, lan duart në lavaman dhe shihet teksa e mbyll çezmën për të mos harxhuar ujin.

Vështirë të harrojë kaq shpejt rutinën 'detyruese' brenda kampit ferr, ku mbizotëron ligji i më të fortit.

Fle i qeshur...

Më tej, Alvini u shoqërua për në Bejrut, pranë ambasadës italiane, ku e priti edhe ambasadori italian si dhe autoritetet shqiptare, në prezencë edhe të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Alvini ka ende shtetësi shqiptare, dhe ndërhyrja e autoriteteve shqiptare ishte e domosdoshme për pjesën e dokumentacioneve.

Përlotëse është mbërritja në Itali. Sapo zbret nga avioni, janë motrat e tij që e përqafojnë pa mundur të mbajnë dot lotët. Në krahët e tyre kanë vëllain e vogël që i ka munguar për shumë vite. Kampioni, realizon përqafimin e dytë me babain e tij, që këtë radhë, ndryshe nga takimi në kampin Al Hawal, është përgjithmonë!

Në shtëpinë e tij është edhe gazetari i Le Iene. në familjen Berisha në Itali, veç babait, Afrimit, dhe motrave, ka ardhur edhe gjyshi nga Shqipëria.

"Ja kampioni", shprehet gazetari Luigi Pelezza i Le iene.

Je mirë tani? - e pyet Alvinin në shqip, teksa merr përgjigje po në shqip nga i vogli. "Po".

Historia e Alvinit nis në vitin2014 kur nëna e tij shqiptare e mori nga Italia duke e rrëmbyer dhe e çoi në Siri. Një muaj më parë, falë letrës që Alvini i shkoi babait, dërguar përmes Kryqit të Kuq, dhe bashkëpunimit të disa kurdëve që kontrollojnë kampin, Le Iene shkoi në kampin e grave të luftëtarëve të ISIS. Një vend i madh sa një qytet ku të gjesh një njeri është e vështirë, por pas orëve të tëra, stafi i emisionit dhe Afrim Berisha gjejnë "kampionin" - siç ai e thërret Alvinin.

Një takim ngjethës...por që zgjati vetëm një orë. Babai nuk e mori dot jashtë kampit burg. Një dhimbje e papërshkrueshme për babain që duhej të linte djalin në kampin, ferrin brenda të cilit e pa me sytë e tij. Nëna e Alvinit ishte ndarë nga jeta në një luftim ndërsa Alvini prej kohësh ishte i vetëm, dhe me këmbën e dëmtuar, të vrarë në kamp. Falë angazhimit të kryeministrit të Italisë Conte, që u përforcua edhe në një takim që pati me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama së fundi në shtetin fqinj, Alvini mundi që në një operacion të vështirë shpëtimi, të lë kampin dhe të rinisë jetën si të gjithë moshatarët  e tij: I lirë dhe krah familjes.

(Shikoni këtu VIDEO-n origjinale të emisionit)

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale