Misionarja e bamirësisë, portreti familjar i Nënë Terezës

Misionarja e bamirësisë, portreti familjar i Nënë Terezës

Me rastin e 25-vjetorit të kalimit në amshim të Shenjtes Nënë Terezë, Drejtoria e Arkivit në Maqedoninë e Veriut në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), paraqitën ekspozitën e titulluar “Misionarja e bamirësisë”. 

Në këtë aktivitet, të zhvilluar në orën 14:00, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar (MHK), qenë të pranishëm zëvendësdrejtori i Arkivit fqinj, Muzafer Bislimi, kreu i DPA-së, Ardit Bido, drejtuesi i MHK-së, Dorian Koçi, si edhe qytetarë të shumtë të interesuar. Fjala hapësë u mbajt nga Koçi, i cili vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional dhe nënvizoi se kjo ekspozitë ka karakter përplotësues, pasi sjell aspekte të rëndësishme mbi Nënë Terezën dhe mbi aktivitetin e saj. 

Në fjalën e tij, Bislimi iu referua dokumenteve të ekspozuara për herë të parë për publikun, të cilat iu dhuran DPA-së në format CD, në shenjë vlerësimi të ndërveprimit dhe të një premise të mëtejshme bashkëpunimi.

“Paraqiten dëftesa nga koha kur Nënë Tereza ishte gjimnaziste në Shkup. Dokumenti më i rëndësishëm i përket vitit 1931, kur në regjistrimin e popullsisë, familja Bojaxhiu njihet për origjinën shqiptare, gjuhën amtare dhe për përkatësinë në fenë katolike.”- u shpreh Bislimi. 

Në daljen e tij për mediat, Bido e cilësoi si përbashkuese figurën e Nënë Terëzës, duke sjellë në vëmendje edhe tri dorëshkrimet e rralla të saj, të bëra publike dy vjet më parë, pas evidentimit të kryer nga DPA-ja gjatë procesit të përpunimit të fondit të Ramiz Alisë.

“Është një figurë shumëdimesionale. Në këtë ekspozitë, ku kemi kontribuar me disa dokumente dhe foto, rrëfehet një panoramë e jetës së saj. Nënë Tereza ishte individ përbashkues. Është evidentuese e bashkimit tonë kombëtar. Nuk e mohoi, por e përmendte se ishte shqiptare. Pasazhi në shqip në dorëshkrimet e saj është domethenës. Aty shkruan për besëdhënie, që është karakteristikë e identitetit dhe e krenarisë tonë kombëtare. Po ashtu, shkruan për përçimin e dashurisë në botë, duke marrë kështu përmasa universale.”- tha Bido. 

Ekspozita e përgatitur me materiale dokumentare dhe fotografike mbi veprimtarinë jetësore të humanistes shqiptare, shpalos të dhëna me rëndësi arkivore rreth familjes Bojaxhiu, fotografi, dokumente e materiale administrative të qytetit të Shkupit për Nënë Terezën. Mbajtja e kësaj ekspozite përkoi edhe me 6-vjetorin e kanonizimit të Nënë Terezës në kalendarin apostolik. 

Aktiviteti u përmbyll me shfaqjen e një materiali filmik mbi vizitën e parë në Shkup të Nobelistes së Paqes në vitin 1978. Në radhët e vizitorëve u bënë pjesë edhe një grup fëmijësh të kopshtit “Nënë Tereza”.

Për të përftuar më tepër infomacion lidhur me veprimtarinë apo nismat e ndërmarra dhe të jetësuara nga DPA-ja, vizitoni faqen tonë zyrtare www.arkiva.gov.al.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Kosova hap drejt anëtarësimit në KiE, eksperti i sigurisë: Serbia mund të përshkallëzojë situatën, grupet kriminale po përgatiten për sulm në veri

Kosova hap drejt anëtarësimit në KiE, eksperti i sigurisë: Serbia mund të përshkallëzojë situatën, grupet kriminale po përgatiten për sulm në veri