Misteri i vilës 700 mijë € të Gjin Gjonit, e mohoi në 2014 në prokurori, në 2020 deklaron shtëpi në 'Rolling Hills'! Disa kontradikta që sfidojnë SPAK dhe një kusht i gjermanëve

Misteri i vilës 700 mijë € të Gjin Gjonit, e mohoi në 2014 në prokurori, në 2020 deklaron shtëpi në 'Rolling Hills'! Disa kontradikta që sfidojnë SPAK dhe një kusht i gjermanëve

Gjin Gjoni dhe vila

TIRANË-Në vitin 2014, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kallëzoi në prokurori ish-gjyqtarin e Apelit Gjin Gjonin dhe bashkëshorten e tij Elona Çaushi, për fshehjen e burimeve të pasurisë së tij familjare me vlerë rreth 2.4 milionë euro si dhe për falsifikim dokumentesh. Në dosjen e siguruar nga Shqiptarja.com, ILDKP pretendonte se Gjin Gjoni, përpos pasurive të tjera, kishte blerë edhe një vilë me vlerë 700 mijë euro në Farkë, në vitin 2012, me burim të dyshimtë. Në maj të 2014, dosja e bujshme i kaloi Prokurorisë së Elbasanit, e cila regjistroi procedimin penal me nr: 1098 për dy vepra penale: “falsifikim të dokumenteve” dhe “fshehje të pasurisë”. Gjin Gjoni e bllokoi prokurorinë me disa lëvizje procedurale dhe arriti ta mbyllte çështjen.

Megjithatë, në kuadër procedimit penal, Prokuroria e Elbasanit pyeti Gjin Gjonin dhe Elona Çaushin rreth pretendimeve të ILDKP për pasurinë e tyre. Sipas dosjes, Gjin Gjoni deklaroi para prokurorit se, së bashku me bashkëshorten kanë realizuar kontratën për blerjen e vilës në Farkë, por më pas e ka anuluar kontratën, pasi nuk ka pasur para për të paguar këstet dhe se nuk i ka pëlqyer çmimi. Pra, Gjin Gjoni, tha se nuk kishte vilë.

Gjin Gjoni ka pohuar në prokurori ndër të tjera se “Për sa i përket pikës 7 të kallëzimit penal që ILDKPKI pretendon se është deklarim i rremë nuk qëndron, pasi nga ana ime dhe bashkëshortes sime rezulton se është deklaruar kontrata e sipërmarrjes dhe e porosisë me nr. 1416 Rep dhe nr. 167 datë 24.04.2012 sipas deklarimeve të realizuara në deklaratën e pasurisë së vitit 2013... Kontrata me vlerë 700 000 euro është zgjidhur duke u anuluar me kontratën e dytë të lidhur pas saj. Zgjidhja e kontratës është bërë për shkak të mospëlqimit të çmimit”.

Në vitin 2017, bashkëshortja e Gjin Gjonit, Elona Çaushi, në një intervistë për gazetaren Mira Kazhani, përforcoi versionin e Gjinit për heqjen dorë nga vila, vetëm se jo për shkak të çmimit, por sepse i pëlqente zhurma e qytetit!

“Tek vila e kemi thënë dhe stërthënë, kemi dëgjuar nga të tjerë variante të ndryshme, nga të tjerë dhe e kam të vështirë të bëj dallimin, çfarë është thënë, ku është thënë dhe ku është e vërteta. E vërteta është kjo që po u them unë , që ajo ishte një kontratë porosie, do të thotë e marr nuk e marr, janë bërë disa transaksione, por në fund vendosa se më pëlqen zhurma e qytetit, nuk më pëlqen ajo qetësia absolute e vilave atje, apo tek vila e Kodrës së Diellit. Më pëlqen në apartament, afër qytetit, janë gjërat më të kapshme më praktike, kjo është”, tha Elona Çaushi.

Në korrik të vitit 2020, Gjin Gjoni dha dorëheqjen nga drejtësia, fillimisht me pretendimin se Vetingu është politik dhe më pas me pretendimin se Partia Demokratike e kishte propozuar për ta bërë deputet. Gjin Gjoni e dha dorëheqjen në përfundim të lejes dyvjeçare prindërore që mori nga ish-KLD-ja në vitin 2018, ku ishte anëtar edhe vetë, ndërsa Ilir Meta ishte kryetar.

Në tetor të vitit 2020, Gjin Gjoni regjistroi në QKR studion e avokatisë “G&G LAW FIRM”. Në dokumentet e regjistrimit, ish-gjyqtari deklaron edhe adresën e banimit, që është pikërisht; 'Rolling Hills', Vila nr. 69, Farkë, Tiranë. Nuk marrim përsipër të themi nëse është apo nuk është e njëjta vilë, por ka dyshime të forta se Gjin Gjoni mund të ketë gënjyer prokurorinë në 2014, për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale.

Njëri nga bashkëshortët deklaroi në 2014 se kontrata për blerjen e vilës është anuluar për mungesë parash, ndërsa tjetri deklaron se kontrata për vilën është anuluar pasi nuk i pëlqen qetësia! Gjashtë vjet më vonë, deklarojnë se banojnë pikërisht në një vilë, në Farkë.

Ndërkaq, edhe sikur Gjin Gjoni ta ketë anuluar vërtetë kontratën për blerjen e vilës, është i dyshimtë fakti që në deklaratën e pasurisë në vitin 2013, ish gjyqtari nuk e deklaron vlerën e kontratës, por vetëm pagesën e këstit 81 mijë euro. Në prokurori ka thënë se “është e vërtetë që në pikën 2.2 të saj thuhet se kësti i parë prej 90 000 euro dhe shuma prej 1 498 euro për sistemin e vaditjes duhej të paguheshin në momentin e nënshkrimit të kësaj kontrate, por në realitet në marrëveshje midis palëve kjo shumë nuk është paguar”.

Të gjitha këto kontradikta dhe paradokse janë një sfidë për SPAK. Gjin Gjoni ka qenë anëtarë i Këshillit të Lartë Drejtësisë, deri në vitin 2018, kur KLD-ja u zëvendësua me KLGJ. Kompetencat lëndore të SPAK përcaktohen në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penal, ku përfshihen anëtarët e KLGJ dhe ish anëtarët e KLD-së.

Nga ana tjetër, ndëshkimi i gjyqtarët dhe prokurorëve, të cilët janë shkarkuar nga Vetingu për pasuri të paligjshme apo që ia kanë mbathur nga drejtësia nga frika e Vetingut, janë një nga kushtet për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Përpos kësaj, Gjin Gjoni është simbol i drejtësisë që po shemb procesi i Vettingut. Në 2 nëntor 2017, Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar i dërgoi një raport sekret Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për figurën e Gjin Gjonit. Konkluzioni i raportit nuk ka surpriza. Në raport thuhet se Gjin Gjoni ka pasur lidhje me njerëz të krimit të organizuar si dhe është përfshirë në afera korruptove, duke favorizuar njerëz të krimit në procese gjyqësore, në këmbim të përfitimeve të paligjshme.

Dhe pasuria e tij nuk mund të ishte ndryshe veçse marramendëse. Gjin Gjoni hyri në drejtësi pa asnjë pasuri të paluajtshme dhe doli me një pasuri me vlerë miliona euro. Ai pretendon se ishte me fat që u martua me një grua të pasur, por dyshimet janë të forta se në fakt Elona Çaushi mund të jetë një kamuflazh i pasurive të Gjin Gjonit. 

Lirimi nga burgu në vitin 2011 i bosit të drogës, turkut Abdulselam Turgut, i cili akuzohej nga drejtësia gjermane se kishte trafikuar një sasi prej 1 tonësh heroinë, është thjeshtë një lustrim për modelin e gjyqtarit që përfaqësonte Gjin Gjoni.

Ndërkaq, skandali ‘Duty Free’, ku Gjin Gjoni me njerëzit e tij në gjykata dhe administratë, arriti të mbante ambientet në Rinas, për t’u menaxhuar nga kompania e bashkëshortes ADFD, tashmë është ndërkombëtarizuar.

Kompania amerikane International Cruise Duty Free, cila kishte fituar tenderin dhe lidhur një kontratë me TIA-n për menaxhimin e dyqaneve, por që nuk u lejua nga Gjin Gjoni, tashmë kërkon 20 milionë euro në arbitrazhin ndërkombëtar. Çështja prej dy vitesh reflektohet si histori skandali në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve të huaja në Shqipëri.

Dokumenti që vërteton se Gjin Gjoni deklaron se banon në një vilë në Farkë 

Deklarimi i Gjin Gjonit për vilën në vitin 2013

Raporti i DSIK për Gjin Gjonin

Pjesë nga deklarimi i Gjin Gjonit ne prokurori

K.T./LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • qente e ndyre: 16/08/2021 15:51

    Keto maskarenj, bij te djallit, vetem nje gje mund ti pastroje. Zjarri dhe shpata.

    Përgjigju
  • Barcelona e Xhin Xhoni_t.......: 15/08/2021 14:23

    Mjafton që BKH dhe SPAK të interesohen në mënyrë operative në Barcelonë-Spanjë, ku Gjin Gjoni njihet nga disa Avokatë e Biznesmenë me emrin Xhin Xhoni, dhe aty pastron shuma dhjetra Miljonshe të Sali Berishës, ku merr përqindje dhe mbahet për i pasur se gruaja është biznesmene e zonja.

    Përgjigju
  • Scutari: 15/08/2021 05:09

    Gjini është dhuratë në paketën e plotë të politikës berishiane!!

    Përgjigju
  • Arbeni: 15/08/2021 04:38

    Mos lini gjin gjon ne kembe, ,arrestojini dhe merrjani te gjitha shtepi ..Makina e konto bankare. ...

    Përgjigju
  • plot: 14/08/2021 22:34

    Gjini ka qene i forte ne kohe te skenderbeut e jo tash.

    Përgjigju
  • Kot: 14/08/2021 19:35

    Gjini eshte i paprekshem si ben dot gje spaku

    Përgjigju
    • Mergimtari: 15/08/2021 04:19

      Kur shteti eshte rumpalle dhe Saliu ben ligjin,Gjinit nuk i hyn ferre ne kembe.Korbi-korbit nuk ja nxierr syte.Edhe keta qe jane sot ne pushtet,qe jane me pasuri te medha nuk kane ndermend te ndeshkojne te koruptuarit,te cdo krahu.Paraja nuk ka ngyre.

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Interi beson te Inzaghi, rinovon deri në vitin 2027

Interi beson te Inzaghi, rinovon deri në vitin 2027