Modelja shqiptare Xhesika Berberi u rindërton shtëpinë dy familjeve nga Ndroqi dhe Picalla, Veliaj: Mirënjohës ndaj atyre që kthejnë kokën pas dhe kontribuojnë për vendin në ditë fatkeqësie (VIDEO)

Dhjetë muaj më parë, nënë Metja, e cila jeton së bashku me djalin e saj Oltin, humbi shtëpinë në tërmetin tragjik të 26 nëntorit dhe për ca kohë, u detyrua të jetojë në çadër.

Sot, kjo familje nga Petrela, mori çelësat e shtëpisë së re, e rindërtuar falë nismës së suksesshme të dy modeleve të njohura shqiptare, Xhesika Berberi dhe Adrola Dushi, të cilat përmes një faqeje online mblodhën fondet e nevojshme për t’iu ardhur në ndihmë të prekurve nga kjo fatkeqësi natyrore.

Edhe shtëpia e Nuri Çekirrit nga Ndroqi u rindërtua nga e njëjta nismë dhe u përurua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe modelja shqiptare Xhesika Berberi.

“Olti i ka shërbyer shtetit shqiptar si ushtar 7 vjet, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, por i vetëm nuk ia dilte dot. Metja, nëna e tij, e ka kaluar jetën me shumë sakrifica. Ndaj, besoj se bashkimi bën fuqinë. Shteti bën sa mundet, por edhe shteti ka limite. Kur shteti nuk i bën të gjitha gjërat vetë, kërkon ndihmë nga shoqëria, nga njerëzit e famshëm, nga ata që kanë mundësi, nga njerëz që frymëzojnë të tjerët. Falë Xhesikës, Adrola Dushit dhe gjithë artistëve të tjerë, që kanë reputacion, në vend që ta përdorin reputacionin për më shumë vanitet, për Instagram e Facebook, vendosën që këtë reputacion ta shfrytëzojnë për t’i bërë shtëpinë edhe Nuriut. Ndaj, e kam zemrën plot me mirënjohje për ta. Ne do ta bëjmë punën tonë, jemi në një fazë ku kemi 1 mijë shtëpi të porositura, por çdo njeri që na heq një pjesë të barrës, na jep një dorë”, tha Veliaj.

Mes emocioneve dhe lotëve të gëzimit, modelja shqiptare, Xhesika Berberi tregoi se si vendosi që të mbledhë fondet për rindërtimin e shtëpisë.

Ajo siguroi se nisma nuk do ndalet me kaq, por shumë shpejt do të nisin punën edhe për një banesë tjetër, për të lumturuar një tjetër familje në nevojë.

“Ideja për të kontribuar në këtë ditë të vështirë për shqiptarët, lindi thjesht nga zemra. Më dhembi zemra kur e pashë se si në një mëngjes, kur një tërmet ra e u shkatërruan shumë shtëpi, shumë njerëz humbën jetën dhe e ndjeva të domosdoshme të jepja kontributin tim. Mendova të hapja një faqe në Go Fund. Nuk mund të lë pa falenderuar Adrola Dushin, e cila dha një mbështetje shumë të madhe këtu. Gjithashtu, edhe të gjithë njerëzit që kanë dhuruar sepse kjo ishte gjëja më e bukur. Nga të gjithë ne u mblodhën këto fonde dhe u bë e mundur ndërtimi i dy shtëpive. Është gjëja që më ka bërë më krenare deri tani, kam vendosur që të ndihmoj dhe një familje tjetër dhe do ndërtoj edhe një shtëpi tjetër”, tha ajo.

Nënë Metja u shpreh e lumtur që, më në fund, ajo mund të hyjë në shtëpinë e re, ndërsa falenderoi të gjithë ata që iu gjendën pranë, që në momentet e para pas tërmetit.

“Më duket e pabesueshme! Shumë faleminderit nga të gjithë! Kanë ardhur me minuta tek shtëpia kur ra tërmeti, deri në momentin e fundit që u bë shtëpia dhe na dhatë çelësin, shumë faleminderit nga Xhesika dhe të gjithë! Zoti jua shpërbleftë,” u shpreh ajo.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha sesa i përket rindërtimit të shtëpive individuale vetëm në rrethinat e Tiranës do ringrihen 1000 të reja.

“Po punojmë në 1000 shtëpi në të gjithë territorin e Tiranës fshat. Qeveria e Edi Ramës na ka dhënë grantin edhe patjetër që disa gjëra do t’i zgjidhim me miq e shoqëri, po disa gjëra të tjera duhet t’i zgjidhim me shtet. Xhesika me familjen e vet bëri një, pastaj bëri edhe këtë të dytën; kur pa këtë të dytën sot, mori përsipër edhe një të tretë, por, ama, në një moment duhet të futet dora e shtetit dhe të thotë: Tani, 1000 që kanë mbetur, do i mbyllim. Kështu që, më vjen mirë që kemi filluar në Petrelë, në Baldushk, në të gjithë luginën e Erzenit. Gjithashtu, po punojmë edhe në Zall-Bastar, Shën Gjergj e në të gjitha cepat. Është shumë e rëndësishme që të dalim më të fortë në këtë histori”, tha ai.

Mandej, ai shtoi se nëse të gjithë ne si shoqëri, në vend të përçarjes dhe shpifjes, vendosim të kontribuojmë dhe të bashkëpunojmë, edhe vendi bëhet më i mirë.

“Është bukur kur zbulon se dikush në anën tjetër të oqeanit, që gjithashtu ka zemër, gjithashtu mobilizon njohjet e veta, nuk zgjedh të shajë dhe të kritikojë, se asnjë nuk është perfekt, por thotë: Unë nuk i bëj dot të 3 mijë shtëpitë, po unë do bëj 2 a 3 sot, dhe një që mora përsipër nesër. Nëse si shoqëri funksionojmë në këtë mënyrë, ku secili ndihmon sa mundet, atëherë edhe vendi bëhet më i mirë. Kombi, shteti, Shqipëria janë nocione abstrakte, është shumatorja e njerëzve që e bëjnë vendin dhe nëse shumatorja është pozitive, pra secili bën më të mirën, nuk përçan, nuk shpif, nuk shan, por kontribuon, ndihmon, bashkëpunon, solidarizohet, atëherë edhe vendi bëhet më i mirë”, tha Veliaj.

Thirrjes së kryebashkiakut Veliaj për të ndihmuar në rindërtimin e banesave të reja iu përgjigjën edhe mjaft biznese dhe figura të njohura.

Xhesika Berberi

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Andon: 20/09/2020 17:36

    1000 oligarkë shqiptarë që thithin gjakun e njerëzve të varfër për shumë vite nuk mund të jenë 1 Xhessica Berberi! Bojkotimi i produkteve dhe shërbimeve të këtyre njerëzve mund të jetë një mësim i mirë në 'Humaniteti'

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Ministri Mete në Këshillin Ekonomik Kombëtar: Javën e ardhshme miratojmë detajet e Garancisë për sektorin fason

Ministri Mete në Këshillin Ekonomik Kombëtar: Javën e ardhshme miratojmë detajet e Garancisë për sektorin fason