Mohoi gjenocidin në Srebrenicë, shkarkohet ministri i Drejtësisë në Mal të Zi

Parlamenti i Malit të Zi miratoi të enjten mbrëma një rezolutë që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës si dhe shkarkoi ministrin e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vladimir Leposaviç për shkak të deklaratave të tij ku mohonte gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Pro shkarkimit të ministrit serba votuan 43 deputetë ndërsa 27 ishin kundër.

Më 26 mars, Leposaviç deklaroi para Parlamentit të Malit të Zi se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka pasur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”. Ky qëndrim nxiti kritika brenda Malit të Zi si dhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Propozimi për shkarkimin e tij u bë nga kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç ndërsa u mbështet edhe nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviç.

Rezoluta e miratuar nga Parlamenti i Malit të Zi që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës u votua nga 55 deputetë, 19 ishin kundër dhe 7 abstenuan. Rezoluta dënon deklaratat, veprimet dhe politikat që mohojnë ose vënë në dyshim gjenocidin në Srebrenicë si dhe shpall 11 korrikun si Ditën e Përkujtimit për viktimat e Srebrenicës.

Në bazë të kësaj rezolute, Mali i Zi konfirmon vendosmërinë për të parandaluar gjenocidin dhe krime të tjera të rënda në të ardhmen.

Anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Zhelko Komshiç dhe Shefik Xhaferoviç e mirëpritën vendimin e Malit të Zi për të miratuar një rezolutë, e cila ndalon mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.

“Unë e konsideroj atë një akt civilizimi, veçanërisht për shkak të faktit që e ndalon mohimin e gjenocidit”, tha Komshiç.

Për Xhaferoviç miratimi i rezolutës “paraqet një hap civilizues përpara dhe një kontribut të pamatshëm në rivendosjen e besimit dhe forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid. Kjo ngjarje shënon vrasjet masive më të rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore, meqë aty më 1995 forcat e serbëve të Bosnjës vranë rreth 8.000 burra dhe djem myslimanë.

S.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Turizmi/A jeni të kënaqur me shërbimet dhe çmimet që gjeni në zonat turistike?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Plagosja e dyfishtë në Tiranë, momenti kur policia shoqëron disa persona