TIRANË - Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, GJKKO ka vendosur në masën e arrestit në burg për Sh.C., oficer i policisë gjyqësore në Komisariatin e Dibrës, pasi dyshohet se ka marrë një ryshfet prej 3000 euro për të favorizuar një të pandehur në një çështje penale.
Po me kërkesë të SPAK, është ekzekutuar dhe masa detyrim paraqitje për A.P., gjithashtu oficer i policisë gjyqësore, akuzohet për mosveprime që kanë penguar zbulimin dhe ndjekjen e veprimeve korruptive. Ndërsa për F.K., i cili akuzohet për korrupsion aktiv në lidhje me këto veprime, nuk është ekzekutuar ende masa e detyrimit për t'u paraqitur.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin nr. 178 të vitit 2022 për veprat penale:
Nga analiza e veprimeve hetimore të kryera deri tani rezulton se:
a. Shtetasi nën hetim Sh.C., në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore në Komisariatin e Policisë Dibër i ka kërkuar dhe i ka marrë shtetasit nën hetim F.K., shumën prej 3000 mijë euro për të favorizuar pozitën procedurale të shtetasit A.Sh. në çështjen penale kundër tij, [konkretisht procedimi penal nr. 9/2020 i Prokurorisë Dibër].
b. Shtetasi nën hetim A.P., në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, i ngarkuar me hetimin e çështjes penale në ngarkim të shtetasit A.Sh., me veprimet dhe mosveprimet e tij nuk ka pëmbushur në mënyrë të rregullt detyrën ligjore (psh; duke qenë në dijeni të komunikimeve me përmbajtje korruptive, ai nuk ka kryer në kohën e duhur ndonjë veprim për referimin e tyre në prokurorinë përkatëse, por ka vepruar pothuaj dy vite më vonë, vetëm kur viktima e veprës penale e shprehu këtë fakt në Gjykatë, pasi është njohur me aktet, nuk i ka referuar komunikime me interes dhe nuk është kryer identifikimi i personave të dyshuar për kryerjen e akteve korruptive edhe pse komunikimet e bëni të qartë këtë fakt)
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 156 datë 27.12.2024, ka vendosur:
• Caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues “arrest me burg” ndaj shtetasit nën hetim Sh.C., i biri i Miftarit dhe i Zyrakes, i datëlindjes 28.03.1960, lindur dhe banues në Dibër, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale, si i dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
• Caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit nën hetim A.P., i biri i Kadriut dhe i Vjollcës, i datëlindjes 11.05.1980, lindur dhe banues në Dibër, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
• Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit nën hetim F.K., i biri i Qazimit dhe i Sadetes, i datëlindjes 21.02.1962, lindur në Dibër, fshati Staravec dhe banues në Tiranë në adresën: Rruga “Selaudin Zorba”, banesë private, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë ”, parashikuar nga neni 319 i Kodit Penal. (kjo masë ende nuk është ekzekutuar).
Masat e tjera janë ekzekutuar më 28.12.2024, nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilën, gjejmë rastin ta falenderojmë për bashkëpunimin.
Lajmi ne perditesim...