Moti i keq përfshin vendin/ Llogaraja hapet pas 5 orësh! Era rrëzon shtyllat elektrike e pemë, mbeten pa energji disa fshatra në Vlorë, Gjirokastër e Elbasan

I gjithë vendi ynë është 'pushtuar' nga moti i keq ditën e sotme, ku nuk kanë munguar stuhitë e shiut e era e fortë. Moti i keq ka shkaktuar problem të konsiderueshme në Vlorë, ku si pasojë janë dëmtuar disa shtylla elektrike duke nxjerrë jashtë përdorimit fidrin në Radhimë. Si pasojë e këtij dëmi kanë mbetur pa energji elektrike zonat Dukat, Tragjas e Llogara. Po ashtu për shkak të stuhisë me shi dhe erë të fortë aksi rrugor në Llogara ishte pakalueshëm për 5 orë si pasojë e rrëzimit të pemëve mbi rrugë. 

Ndërkohë si pasojë e motit të keq, ka patur probleme në portin e Vlorës, ku raportohet se janë krijuar dallgë deri në dy metra. Si pasojë Kapiteneria e Vlorës ka urdhëruar ndalimin e lundrimeve të gjitha mjeteve të peshkimit. Edhe në Sarandë janë pezulluar lundrime për shkak se në det janë krijuar dallgë që shkojnë deri në 6 ballë. Probleme janë shfaqur në Durrës ku janë, porti ka ndërprerë punën.

Probleme me energjinë elektrike ka si pasojë e këputjes së përcjellësve të rrymës ka patur edhe në qarkun e Gjirokastrës ku kanë mbetur 23 fshatra pa energji. Po ashtu në Elbasan 22 fshatra janë pa drita për shkak të defekteve të shkaktuara nga era.

IGJEUM, njofton se për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve në qarqet Durrës, Elbasan, Berat, Korçë, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër ka mundësi për përmbytje lokale kryesisht në fundin e ditës së sotme (e martë, dt.12) dhe pjesën e parë të ditës së nesërme (e mërkurë, dt.13).

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:07
Zhbllokohet rruga, pas 5 orësh hapet Llogaraja, prefekti: Problem dritat!

Rihapet pas pesë orësh rruga në Llogara duke rikthyer qarkullimin normal të automjeteve. Mesditën e sotme ky aks u bllokua si pasojë e rrëzimit të pemëve nga era e fortë, por me ndërhyrjen e strukturave u zhbllokua.  

"Situata vijon që të jetë me erë të fortë dhe reshje shiu, por rruga është e hapur dhe mund të kalojnë të gjitha mjetet në drejtimin nga Dukati në Palasë. Pati probleme me rënien e trungjeve dhe listave. I vetmi problem është energjia elektrike, që edhe për shkak të erës në Llogara e bën të pamundur riparimin.

Me qetësimin e kohës do të ndërhyhet edhe në këtë drejtim" deklaroi prefekti Flamur Mamaj.

Ora 15:01
Pisha 30 metra e lartë shembet ngjitur shkollës 9-vjeçare në Gosë të Kavajës

Për pak sa nuk është kthyer në tragjedi rrëzimi i një pishe në ambientet e brendshme të një shkolle 9-vjeçare në fshatin Gosë të Kavajës.

Gjatë kohës që pema është rrëzuar, fëmijët kanë qenë të gjithë në mësim, por fatmirësisht pema nuk është rrëzuar mbi çatinë e shkollës. 

Pisha ka qenë disa vjeçare, e një lartësie rreth 30 metra e lartë dhe ka rënë midis shkollës fillore dhe rrugës.

Ora 14:12
Erë e fortë e shi intensiv në Durrës/ Ndërpritet puna në port, vonesa të shumta të lundrimeve drejt Italisë dhe anasjelltas


Edhe qyteti Durrësit është përfshirë nga furtuna me erë të fortë e shi intensiv. Gazetari i Report Tv, Artur Korriku bën me dije se për shkak të kushteve të papërshtatshme atmosferike, është ndërprerë edhe punë në Portin e Durrësit.

Ndërkohë sipas Autoritetit Portual në Durrës kanë njoftuar se për shkak të dallgëve në det janë shkaktuar vonesa në lundrimet nga brigjet italiane në drejtim të Portit të Durrësit dhe anasjelltas.

"Kapiteneria e Portit të Durrësit njofton se, për shkak të motit të paqendrueshëm që ka përfshirë Adriatikun Jugor, janë krijuar vonesa në nisjen e trageteve nga Porti i Barit në drejtim të Porti të Durrësit. Konkretisht, trageti i linjës Bari-Durrës (Aurelia) nuk është nisur mbrëmjen e kaluar nga Porti i Barit, deri në qetësimin e kushteve meteorologjike.Ndërkaq, edhe tragetet e parashikuar për t’u nisur mbrëmjen e sotme nga Bari dhe Ankona në drejtim të Portit të Durrësit, kanë pezulluar përkohësisht lundrimet, deri në përmirësimin e situatës së motit. Trageti “Rigel III”, “AF Francesca” që kanë parashikuar të lundrojnë mbrëmjen e sotme nga Porti i Barit, nuk do të nisen në oraret e parashikuara. Po ashtu edhe trageti i linjës Ankona-Durrës, “ AF Marina” , nuk do të lundrojë sot në drejtim të Durrësit. Vonesa do të ketë edhe në lundrimet nga Durrësi në drejtim të Barit/Ankonës. Kapiteneria, Autoriteti Portual Durrës, agjencitë dhe institucionet e tjera detare, janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës së krijuar."

Ora 13:56
Elbasan/ 22 fshatra mbeten pa energji elektrike, OSHEE nis punën për rregullimin e defekteve


Në të gjithë qarkun  e Elbasanit, 22 fshatra kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e erës së fortë dhe shirave të rrëmbyeshëm. Për pasojë rreth 90 mijë banorë janë pa energji elektrike. Ndërkohë OSHEE në këtë qark po punon për rregullimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë elektrike në të gjithë fshatrat e prekur. 
Ndërkohë në aksin Elbasan-Librazhd ka patur rënie të shumta gurësh.

Në Elbasan defekt ka patur fidri në Godolesh duke lënë Qerretin dhe disa fshatra të tjerë pa energji. Në Gramsh pa energji për shkak të problemeve kanë mbetur pa energji fshatrat Kokel, Bratile, Grabove, Bicaj. Në Prrenjas kanë mbetur pa energji fshatrat Laktesh, Radokal, Selce, Slatinë, Verrishte. Në Librazhd kanë mbetur pa energji fshatrat, Funarez, Tregan, Bujares, Kacivel dhe zona sipër Lixhave të Treganit.

Ora 13:40
Furtuna lë pa energji 23 fshatra në qarkun e Gjirokastrës



Moti i keq ka përfshirë edhe qarkun  e Gjirokastrës. Si pasojë e furtunës kanë mbetur pa energji 23 fshatra në të gjithë këtë qark.

Konkretisht në Tepelenë janë 13 fshatra pa energji. Si pasojë e erës së fortë në Tepelenë janë shembur edhe telat përcjellës të rrymës duke lënë pa energji fshatrat Rabie, Xhaxhak dhe Levan. Në Gjirokastër janë 7 fshatra pa energji, ndërsa në Përmet pa energji si pasojë e motit të keq kanë mbetur 3 fshatra.

Ndërkohë që nuk raportohet për rrugë të bllokuara apo përmbytje.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Arrestimi i Evis Berberit, qeveria emëron Gentian Gjylin në krye të ARRSH

Arrestimi i Evis Berberit, qeveria emëron Gentian Gjylin në krye të ARRSH