Mungesa e energjisë në tregjet ndërkombëtare, si do të reagojë Qeveria?

Mungesa e energjisë në tregjet ndërkombëtare, si do të reagojë Qeveria?

Foto ilustruese

Kriza energjitike tashmë është shtruar këmbëkryq në gjithë Europën, por edhe më gjerë në nivel botëror. Çmimet e energjisë elektrike kanë arritur nivele të paimagjinueshme më parë, mbi 400 euro për megavator dhe nuk duket ndonjë tendencë për rënien e tyre.

Në mesin e muajit gusht çmimi i energjisë ka arritur në 457 në profilin e ngarkesës mesatare dhe 466 euro në profilin e ngarkesës së lartë në bursën hungareze, të cilës i referohet për blerje KESH. Dhe sigurisht që përfundimi i sezonit të nxehtë dhe ardhja e dimrit pritet të vijojë me këtë trend, sa kohë që edhe konsumi i energjisë për familjarët, por edhe bizneset pritet të rritet.

Sipas bursës hungareze HUPX, energjia për muajin shtator ka çmimin 492 Euro për megavator. Në këto kushte alarmi i ekspertëve të fushës lidhet me pamundësinë për të gjetur energji në tregjet ndërkombëtare në muajt në vazhdim, çka ka bërë që shumë vende europiane të rishikojnë politikat e tyre për prodhimin e enegjisë, politika të cilat vitet e fundit ishin ndikuar ndjeshëm nga masat për mbrojtjen e mjedisit.

Kështu për shembull Franca ka njoftuar në korrik rivendosjen në punë të centralit me qymyr në Saint Avold, si masë sigurie për përballimin e dimrit, Hollanda ka hequr përkohësisht kuotat e karbonit, me qëllim shtimin e prodhimit nga centralet e qymyrit, Austria ka vendosur transformimin e një termocentrali me lëndë djegëse qymyrin, me qëllim shtimin e kapaciteteve prodhuese të energjisë, ndërsa Gjermania dhe Rumania kanë riaktivizuar disa impiante qymyri, që ishin mbyllur më herët.

Nga ana e saj Qeveria Shqiptare ka vendosur të ruajë të pandryshuar çmimin e shitjes së energjisë për familjarët dhe bizneset e vogla. Referuar të dhënave të institucioneve përkatëse, vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2022 konsumi i energjisë në vend ka arritur shifrën e 5.5 milionë megavatorët, prej të cilës rreth 2/3 janë prodhuar nga KESH dhe pjesa tjetër është blerë në bursë. Qeveria ka parashikuar në buxhetin e vitit 2022 një fond prej 20 miliardë lekësh për sigurimin e energjisë elektrike.

Por në kushtet kur energjia pritet, jo thjesht të shtrenjtohet, por edhe më keq akoma, të mos gjendet në treg, a janë të mjaftueshme masat e mbrojtjes së popullatës nga rritja e çmimit dhe vënia në dispozicion e shumave të konsiderueshmë për blerjen e saj. Duket qartë se në këto kushte është e domosdoshme gjetja e mekanizmave shtesë për të siguruar prodhim të energjisë elektrike.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar se projektet e saj madhore për rritjen e prodhimit të energjisë në vend janë HEC Skavica, që do të ndërtohet nga kompania e njohur amerikane, Bechtel, parqet fotovoltaike të Karavastasë dhe Spitallës, që po ndërtohen nga kompania franceze Voltalia dhe projekti për transformimin e TEC Vlores në një terminal LNG. Ndërkohë një garë ndërkombëtare është duke u zhvilluar për ndërtimin e parqeve të erës për prodhimin e energjisë. Por të gjitha këto projekte duket se kërkojnë kohë dhe nuk mund t’i vijnë në ndihmë vendit në dimrin që po afron.

Ndërkohë dy anijet që konsiderohen si TEC-e të lundrueshëm dhe që pritet të instalohen në Triport të Vlorës, kanë një kapacitet 114 megavat dhe nga prodhimi i tyre pritet të ketë një zbutje të konsiderueshme të nevojës për import. Një shoqatë ambjentaliste e ka kundërshtuar fort instalimin e këtyre anijeve në gjirin e Vlorës, por MIE ka siguruar se anijet kanë çertifikatat e sigurisë së Bankës Botërore dhe ato janë tërësisht brenda standardeve europiane.

Edhe pjesa tjetër e projekteve për rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë lidhen me gazin, përmes bashkëpunimit me kompanitë ametrikane Exclerate dhe Exxon Mobil, çka sërish mund të sjellë reagimin e ambjentalistëve, që jo rrallë perdoren nga forcat të ndryshme politike.

Konflikti mes ambjentalistëve dhe industrisë është një konflikt i kahershëm, i përbotshëm dhe me shumë gjasë i përjetshëm, por në kushtet e kësaj krize të rëndë ndërkombëtare, kur e gjithë bota po përpiqet të mbijetojë përballë një dimri që po vjen me shumë pasiguri, duket se Shqipëria nuk mund të dalë nga rreshti dhe as të përpiqet të mbijetojë e vetme. Mungesa e energjisë mund të rezultojë fatale për të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë në vend, ndaj Qeverisë i duhet të jetë e sigurt dhe e vendosur në vendimarrje për të siguruar burime të reja energjie. Sigurisht dhe mbi të gjitha, transparente me publikun.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Jari: 16/08/2022 13:27

    Këtë krizë e zgjidh Like Spiuni dhe Sali Non Grada, dy Ordinerët e Evropës.

    Përgjigju
  • Ala: 16/08/2022 12:48

    Ja do na e gjeje zgjidhjen patronazhisti.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vendosja e fashës 800 kWh do të sjellë kursim të energjisë?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Merr flakë një barake në fshatin Çukë, 57-vjeçari pëson djegie, në gjendje të rëndë në spital

Sarandë/ Merr flakë një barake në fshatin Çukë, 57-vjeçari pëson djegie, në gjendje të rëndë në spital