NATO-ja kritikon Putinin për retorikën e rrezikshme bërthamore

NATO-ja kritikon Putinin për retorikën e rrezikshme bërthamore

NATO-ja kritikoi të dielën Presidentin Vladimir Putin lidhur me atë që e quajti retorikë “të rrezikshme dhe të papëgjegjshme” bërthamore, një ditë pasi udhëheqësi rus tha se ka në plan të vendos armë taktike bërthamore në Bjellorusi. Të shtunën Presidenti Putin e krahasoi manovrën e tij me vendosjen e armëve amerikane në Evropë, ndërsa këmbënguli se Rusia nuk do të shkelte premtimet e saj për mospërhapjen e armëve bërthamore. Edhe pse jo i papritur, plani është një nga sinjalet më të qarta bërthamore të Moskës që nga fillimi i agresionit të Kremlinit ndaj Ukrainës 13 muaj më parë. Kievi reagoi duke kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ndërsa Uashingtoni, superfuqia tjetër bërthamore në botë, hodhi poshtë shqetësimet rreth njoftimit të Presidentit Putin, NATO-ja tha se premtimi i presidentit rus për mospërhapjen e armëve bërthamore dhe krahasimi me vendosjen e armëve amerikane jashtë vendit ishin shumë të gabuara.

“Refernca ndaj armëve bërthamore të aleancës është tërësisht e gabuar. Vendet e NATO-s veprojnë në përputhje të plotë me angazhimet e tyre ndërkombëtare”, tha një zëdhënës i aleancës përmes një emaili dërguar të dielën agjencisë së lajmeve Reuters. “Rusia ka shkelur vazhdimisht angazhimet e saj për kontrollin e armëve”, tha zëdhënësi i paidentifikuar.

John Kirby, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, tha të dielën se Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë asnjë sinjal se Presidenti rus Vladimir Putin po bënte përgatitje për përdorimin e armëve bërthamore.

Duke folur për rrjetin kanadez të transmetimeve “CBC” ai tha se, “nuk kemi parë asnjë shenjë që mund të na sinjalizonte se Putini po përgatitet të përdorë në ndonjë mënyrë armë taktike bërthamore në Ukrainë. Po ashtu, mund t’u them se nuk kemi parë asgjë që do të na bënte të ndryshonim qëndrimin tonë strategjik bërthamor”.

Mes të tjerash zoti Kirby foli dhe për raportet mes Rusisë dhe Kinës. “Lidhur me zhurmën se bëhet fjalë për marrëdhënie pa kufizime, mendoj se qartësish ka kufizime mbi atë që Presidenti Xi ka dëshmuar se është i gatshëm të bëjë në kuadër të forcimit të marrëdhënieve me zotin Putin”.

Këshilltari i Presidentit Volodymyr Zelenskiy për sigurinë, Oleksiy Danilov, tha se plani i Rusisë do të destabilizonte gjithashtu Bjellorusinë, e cila tha ai, ishte marrë "peng" nga Moska.

Ekspertët thonë se plani rus ka kuptim domethënës, pasi deri më sot Rusia kishte trumbetuar se ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, nuk kishte vendosur armë bërthamore jashtë kufijve të saj. Kjo është hera e parë që nga mesi i viteve 1990 që Rusia ndërmerr një hap të tillë.

Mykhailo Podolyak, një tjetër këshilltar i lartë i Presidentit Zelenskiy, e përqeshi planin e Presidentit Putin përmes një shkrimi në rrjetin Twitter.

“Ai pranon se ka frikë të humbasë dhe gjithçka që mund të bëjë është të ndjellë frikë përmes taktikave”, shkruante zoti Podolyak. Uashingtoni dhe NATO-ja janë shprehur se njoftimi i Presidentit Putin nuk do të ndikonte tek qendrimi i tyre bërthamor.

“Nuk kemi vënë re ndonjë ndryshim të veprimtarisë bërthamore të Rusisë që mund të çonte në ndryshimin e qëndrimit tonë”, tha një zëdhënës i NATO-s.

Armët bërthamore taktike përdoren për arritjen e objektivave specifike në fushën e betejës, ndryshe me ato që kanë fuqi të zhdukin qytete të tëra. Nuk është e qartë se sa armë të tilla ka Rusia, duke patur parasysh fshehtësinë që ka mbuluar këtë vend që nga koha e Luftës së Ftohtë.

Ministria e Jashtme e Ukrainës bëri thirrje për një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së pas njoftimit të Presidentit Putin dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të "marrë masa vendimtare" për të parandaluar përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia.

“Rusia konfirmoi edhe një herë paaftësinë e saj kronike për të qenë një kujdestar i përgjegjshëm i armëve bërthamore, si një mjet frenimi dhe parandalimi i luftës, jo si një mjet kërcënimi dhe frikësimi” thuhet në deklaratë.

Bashkimi Evropian e dënoi të dielën planin rus. Shefi i politikës së jashtme të bllokut Josep Borrell i bëri thirrje Bjellorusisë që të mos bëhej strehë e armëve bërthamore ruse ndërsa e kërcënoi atë vend me sanksione të mëtejshme.

Analistët e Institutit për Studimin e Luftës, me qendër në Uashington, thanë se rreziku i përshkallëzimit të luftës bërthamore "mbetet jashtëzakonisht i ulët".

Ligjvënësi republikan Michael McCaul, kryetar i Komisiot të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se e konsideronte planin e Rusisë shqetësues dhe të hartuar për të frikësuar Perëndimin.

“Mendoj se Putini po shfaq forcën usharake, në thelb një përpjekje për të ndjellë frikë. Armët bërthamore taktike përbëjnë shqetësim”, tha të dielën zoti McCaul për rrjetin televiziv Fox News./VOA

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

I riu nga Kosova arrestohet në Tiranë, dyshohet se kreu marrëdhënie seksuale me një të mitur! I shpërndau videon në rrjete sociale

I riu nga Kosova arrestohet në Tiranë, dyshohet se kreu marrëdhënie seksuale me një të mitur! I shpërndau videon në rrjete sociale