Ndërhyrje nga ajri pas 10 ditësh për shuarjen e zjarreve, prefekti i Vlorës: Nën kontroll vatra e Dukatit, në Karaburun situata problematike nga era e fortë! Helikopteri rinis punën nesër

Ndërhyrja nga ajri me helikopter ditën e sotme ka sjellë një përmirësim të situatës së zjarreve në zonën e Dukatit dhe atë të Karaburunit, dy nga vatrat më të vështira në Vlorë që janë aktive prej më shumë se 10 ditësh, ndërsa nuk ka asnjë reagim për vonesën në ndërhyrje nga ajri dhe dëmet e shkaktuara. Helikopteri i ardhur pas remontit ka punuar gjatë ditës së sotme në të dyja vatrat atë të Dukatit dhe Karaburunit deri në orët e pasdites, ndërsa pritet që të rinis sërish punën nesër. Nuk dihet ende nëse nesër do të shtohet ndonjë helikopter tjetër, ndërsa kërkesa për shtim të tyre i është bërë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Mbrojtjes Civile.

Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj tha për Report Tv se ndërhyrja e helikopterit ditën e sotme bëri që vatra e zjarrit në Dukat të vihet nën kontroll, ku aktualisht po punojnë forcat zjarrfikëse dhe ato ushtarake, ndërsa në zonën e Karaburunit situata është më problematike pasi era është tepër e fortë dhe rrezikon sërish përhapjen e flakëve, pavarësisht ndërhyrjes për orë të tëra të helikopterit.

“Kemi pasur  ndërhyrje nga ajri gjatë paradites dhe deri pasdite dhe ka një përmirësim të situatës sidomos në pjesën e Dukatit, por mbetet problematike pjesa e Karaburunit mbi Pash Aliman pasi era është shumë e madhe aty. Për momentin është një helikopter dhe po përpiqemi më të gjitha forca nga toka që ta përmbyllim këtë proces. Të shpresojmë ta kemi nën kontroll zjarrin në Karaburun, pasi situata ndryshon nga momenti në moment për shkak të erërave të forta, deri nesër me ndërhyjnë përsëri të helikopterit”, tha Mamaj.  

Mamaj tha se puna e helikopterit është me protokolle ku fluturimet dhe orët e fluturimit janë të përcaktuara dhe se për sot puna e tij është mbyllur për të rifilluar sërish nesër.

“Janë kushtet teknike dhe orët e fluturimit që përcaktojnë dhe orët e punës së helikopterit pasi edhe ai vjen pas remontit. Të shpresojmë që gjatë natës të mund ta mbajmë zjarrin në kontroll, por era nuk e lehtëson situatën”, tha prefekti i Vlorës.

I pyetur nëse është e nevojshme ndërhyrje e një helikopteri të dytë, Mamaj tha se kërkesat janë bërë, por tani mbetet në dorë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Mbrojtjes civile.

“Ne kemi bërë kërkesat përkatëse dhe tani është në dorë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Mbrojtjes Civile që do të vendos”, tha ai.

Mamaj foli edhe për ndërhyrjen nga toka të zjarrfikëseve dhe forcave ushtarake duke thënë se në Karaburun për shkak të terrenit dhe dendësisë së shkurreve është e vështirë të gjesh shtigje dhe duhet treguar kujdes që të mos kenë humbje në njerëz.

‘Ka gjatë gjithë kohës forca të ushtrisë, forca zjarrfikëse por duke pasur parasysh që lartësia e shkurreve është mbi 2 metra është e vështirë futja e forcave në afërsi të zjarrit dhe kemi bërë një shpërndarje të kujdesshme të forcave që të mos kemi dëmtime në njerëz. Situata e terrenit ne Karaburun është e vështirë për shkak të relievit dhe bimësisë se dendur dhe nuk mund të gjesh lehtësisht shtigjet për të përballuar situata. Po përpiqemi te tregohemi te kujdesshëm”, tha Mamaj.

Prej më shumë se 10 ditës në Vlorë janë aktivizuar shumë vatra zjarri me përmasa tepër të mëdha, ndërsa sot u bë reagimi i parë nga ajri nga Ministria e Mbrojtjes. Ndërkohë që ministria nuk jep asnjë informacion se përse nuk u ndërhy më parë. 

/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Votimi pro anëtarësimit të Kosovës, 'tërbohet' Daçiç: Ditë e turpshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Votimi pro anëtarësimit të Kosovës, 'tërbohet' Daçiç: Ditë e turpshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës