Ndërron jetë në Zvicër ikona
e muzikës shqiptare Vaçe Zela

Ndërron jetë në Zvicër ikona<br />e muzikës shqiptare Vaçe Zela
ZVICËR- Ndërron jetë në moshën 75-vjeçare ikona e muzikës shqiptare, Vaçe Zela. Zemra e ikonës së muzikës shqiptare Vaçe Zela është ndalur sot rreth orës 02:00 në shtëpinë e saj në Basel të Zvicrës.
 
Këngëtarja, e cila kishte vite që jetonte në Zvicër, ishte prej kohësh në gjendje jo të mirë shëndetësore. Familjarë dhe Ministria e Kulturës konfirmuan për "Shqiptarja.com" se trupi i artistes pritet të mbërrijë nesër në Shqipëri. Kjo ka qenë dhe dëshira e fundit e këngëtares, e cila e kishte peng faktin që nuk ndodhej në Shqipëri vitet e fundit. 

Artistë të njohur të artit, ata që kanë bashkëpunuar me Vaçe Zelën i përcollën përmes "A1 Report" mesazhet e ngushëllimit familjes por dhe shqiptarëve, të cilët sot humbën zërin e artë të muzikës shqiptare.  Ata kanë kujtuar për "A1 Report" momentet e jetës së artistes së madhe, e cila me zërin e saj ngriti në piedestal muzikën e lehtë shqiptare.

Vëllai i këngëtares, Hysni Zela tregoi për "A1 Report" se do të përmbushej amaneti i Vaçes për t'u prehur në atdhe.

“Gjë më të rëndë nuk kemi përjetuar. Do të vijë këtu mo bir patjetër! Në atdhe mo shpirt. Këtu i kemi të gjithë eshtrat, të prindërve e të tjerë. Natyrisht... Është dhimbje e madhe shumë. Po ngushëllohemi me artistët, miqtë e Vaçes dhe të mitë,"- tha Hysni Zela, në një bisedë telefonike me gazetarin Andi Kapxhiu për tv "A1 Report".

Këngëtarja tjetër e madhe, Nexhmie Pagarusha, duke mos mundur të mbajë lotët tregoi se kishte humbur njeriun e shenjtë. Kompozitorët e njohur Agim Krajka, Robert Radoja thanë se është humbje e madhe "por njerëzit që bëjnë epoka kthehen në legjenda".

Ndërsa për shkrimtarin e madh Dritëro Agolli, Vaçja nuk vdes. "Ajo do të kthehet në flutur ndërsa këngët e saj do të këndohen në çdo fushë, mal, auditor apo në gëzime familjare".

Për "A1 Report" kanë folur edhe Myfarete Laze dhe Bashkim Alibali, të cilët e kanë cilësuar Vaçen si Minën shqiptare.

Edhe krerët më të lartë të shtetit, Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, kreu i opozitës Lulëzim Basha kanë përcjellë mesazhin e ngushëllimit. Ndërkohë Kuvendi mbajti një minutë heshtjeje.

"Talent dhe zë i jashtëzakonshëm. Vaçja e madhe është ende kulm i papërsëritshëm i muzikës tonë shqiptare. Ishte njeriu që i dha emrin e saj një epoke”- tha kryetari i Kuvendit Ilir Meta.

HYSNI ZELA: AMANETI I VAÇES, TË PREHET NË SHQIPËRI. NESËR PRITET TRUPI
 Vëllai i këngëtares së madhe Hysni Zela, po ashtu këngëtar, është shfaqur shumë i pikëlluar në komunikim telefonik me “A1 Report”.

Hysni Zela bëri të ditur se këngëtarja ka mbyllur sytë në orën 2.00 të mëngjesit të sotëm.

“Gjë më të rëndë nuk kemi përjetuar. Jashtëzakonisht e rëndë. Ah mor bir, ç’të të them më tepër. Ne ngushëllohemi vetë dhe i falenderojmë gjithë artistët dhe njerëzit. Edhe ju që flisni ju përgëzoj të gjithëve për këtë. Ju faleminderit shumë”, ka thënë mes psherëtimave të dhimbjes artisti Zela, duke shtuar se nuk gjen dot fjalë të shprehet.

“Jam shumë i emocionuar”, ka vijuar ai, ndërsa ka bërë të ditur se pesë muajt e fundit Vaçja ka qenë e sëmurë dhe e shtruar në spital.

"Ka qenë shtruar në spital e ka ndenjur pesë muaj në spital. Tani ka dy javë që ishte nxjerrë nga spitali e i dukej sikur ishte prapë në spital”, ka bërë të ditur vëllai i këngëtares.

"Gjithmonë ka qenë njeri tepër i veçantë, e ndjeshme. E ndjente largimin larg vendit të vet, donte gjithmonë të vinte, por sëmundja që kishte nuk e lejonte të vinte, as mjekët. Atje ka rregulla, e dini mirë ju”.  

I pyetur se kur do të mbërrijë në Shqipëri trupi i pajetë i këngëtares, Hysni Zela bëri të ditur se pritet të vijë nesër.

“Folëm me vajzën dhe na tha se duhen shumë dokumente për ta prurë. Fjala është për nesër. Nëse jo do të vijë nga Zvicra në Prishtinë e më pas me makinë nga Prishtina në Tiranë”, shpjegoi Zela.

Ai shtoi se nuk mund të kishte vend tjetër për tu prehur artistja Vaçe Zela.

“Do të vijë këtu mo bir patjetër! Në atdhe mo shpirt. Këtu i kemi të gjithë eshtrat, të prindërve e të tjerë. Natyrisht... Është dhimbje e madhe shumë. Po ngushëllohemi me artistët, miqtë e Vaçes dhe të mitë. Ju falenderoj e të keni gëzime në familje”, e mbylli bisedën artisti Hysni Zela, vëllai i të madhes Vaçe Zela.


(Video A1 Report: Hysni Zela, vëllai i Vaçe Zelës)

09:40 AGOLLI PER A1 REPORT: VAÇE ZELA NUK VDES, KTHEHET NE NJE FLUTUR
Shkrimtari i madh Dritëro Agolli në një intervistë telefonike për "A1 Report" tha se Vaçe Zela nuk do të vdesë, por do të kthehet në një flutur.  Agolli kujton momentet kur bashkëpunonte me Vaçe Zelën, artisten e madhe shqiptare, e cila mund të krahasohet me artistët e nivelit botëror.

“Vaçe Zela e ka ngritur lart edhe këngën e muzikës sonë. Vaçe Zela krahasohet me artistet më të mëdha të botës. Edhe këtë e them me bindje të madhe. Po të kishte mundësi ajo edhe sot do të zhvillonte karrierë në Europë. Është lavdia e këngës sonë në Shqipëri. Mburremi me këngën e saj dhe gjithmonë do t’i këndojmë edhe duke ecur në një fushë apo në një mal, në auditor dhe në dhomë me të dashurit tonë. Ajo është një fenomen që do të jetojë tërë jetën.  Kam bashkëpunuar dhe kam bërë tekste bashkë me kompozitorët, si Nikolla Zoraqi dhe kam vënë re një kërkesë të madhe të saj për të bërë një tekst kënge. Ajo nuk të linte të qetë gjersa t'i pëlqente vargu. Nëse s'i pëlqente vargu e muzika e linte dhe thoshte: 'nuk mund ta këndoj këtë këngë'. Talenti i saj nuk binte në kompromis.Aty ku të prehet, të mbushet me lule varri i saj. Ajo nuk do të vdesë, do kthehet në një flutur dhe do fluturojë ngado,“  tha Agolli për "A1 Report" në bisedën telefonike me Andi Kapxhiun.

PAGARUSHA: E KAM PASUR TE SHENJTE NE JETEN TIME
Këngëtarja e madhe nga Prishtina,  Nexhmie Pagarusha është shprehur në linjë telefonike për “A1 Report” se ndjehet shumë e tronditur dhe nuk mund të flasë për humbjen e Vaçe Zelës.

“Jam shumë e tronditur, nuk po mundem të flas. Nuk di ç’të them me fjalë se çka qenë ajo në shpirtin tim, në jetën time. Si këngëtare, për mua ka qenë diçka krejt tjetër. Nuk di ç’të them. Nuk mund të flas më”, shprehet këngëtarja Pagarusha, e cila vijon se e ka pasur më të shenjtën në jetën e vet.

“E kam pasur më të shenjtën në jetën time atë. Kam pasur shumë takime me të, megjithëse largësia na ka ndërprerë.  Ngushëllime gjithë Shqipërisë, gjithë shqiptarëve”, ka thënë mes lotëve Pagarusha.

“Kam pasur kontakte me të. Fola me telefon kur ka qenë 4 muaj në spital. Më thanë është më mirë, e tani mora lajmin tjetër. Më lini se nuk mundem të flas më”, e ka mbyllur bisedën e emocionuar këngëtarja Pagarusha.

(Video A1 Report: Nexhmie Pagarusha)

ROBERT RADOJA: NJEREZIT QE BEJNE EPOKE KTHEHEN NE LEGJENDA 
Kompozitori Robert Radoja: Është  humbje e madhe ndarja nga jeta e legjendës dhe e asaj që dha shembullin e papërsëritshëm. Është e para që e ngriti në piedestal muzikën tonë të re.  Është ndarje e madhe por njerëzit që bajnë epoka kthehen në legjenda. Sa herë që kishin datëlindjen i telefonoja. Edhe sot në mëngjes fola me Irmën, vajzën e Vaçes, për ta konfimuar nëse është e vertetë. Më tha po. Nesër sipas amanetit të saj do ta sjellin këtu sepse kërkoi që përjetësisht të prehet në Shqipëri.”- thotë Radoja për A1 Report. Edhe kompozitori Edmond Zhulali e vlerësoi si mit  i papërsëritshëm

KUMBARO: 'VALSI I LUMTURISE', SOT REKUIEM I PAZEVENDESUESHEM
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro është shprehur se që sot e tutje, "Valsi i lumturisë" kthehet "në requiem të pazevendësueshëm për thesarin e kombit, që quhet thjesht Vaçe!"

AGIM KRAJKA:  AJO KISHTE LINDUR ARTISTE
Për kompozitorin Agim Krajka,  Vaçe Zela është e pazëvendësueshme.

“Vaçe Zela të emociononte, ishte një artiste në çdo qelizë të trupit të saj. Është humbje tmerrësisht e madhe, pavarësisht se ka vite që nuk i jep këtij populli se në dorën e Zotit jemi të gjithë, ishte sëmurë. Por ndryshe është të jesh gjallë, ndryshe të mos jetosh më. Ajo ishte e pazëvendësueshme, veçanërisht për gjeneratën tonë. Vaçe Zela kishte gjithçka i takonte këtij populli për ta pasur në kulturën e tij. Nuk  e them dot sa humbje e madhe është”, shprehet kompozitori Krajka.
 
Për Krajkën, i cili ka punuar me Vaçen, ajo “Ishte një vajzë jashtëzakonisht korrekte”.

“Vepronte një ligj tjetër në atë kohë. Vaçe Zela të befasonte, jo se ishin këngët e mia apo kolegëve të mi. Ajo kishte lindur artiste.
Është një rast tmerrësisht i veçantë. Në disa 10 vjeçarë, rrallë ka pasur këngëtare sic Vaçe Zela për këngën shqiptare”.
Edhe pse prej vitesh, Krajka nuk ka pasur lidhje me Zelën, për shkak të largimit të tij për 17 vjet në SHBA, ai thekson se i duket sikur e ka takuar dje atë.
“Lidhje nuk kam pasur se në vitet 90 u largova kur u sëmur. Ika në SHBA për 17 vjet, por më duket sikur jam takuar dje me të. Nuk e zvogëlon apo zmadhon gjë Vaçe Zelën.
Vaçja lindi këtu, u formua, ishte një popull që e ushqeu dhe u bë Vaçe Zela”, përfundon kompozitori Krajka.

— Edi Rama (@ediramaal) February 6, 2014
 SALI BERISHA: U NDA NGA JETA ZËRI I SHEKULLIT TË KËNGËS TONË
“Dhimbje dhe zi për botën tonë kulturore dhe mbarë kombin tonë! Sot u nda nga jeta, këngëtarja e madhe, zëri i shekullit të këngës sonë, Vaçe Zela. Me zërin melodioz e të papërsëritshëm, me këngët dhe interpretimet e saj, Vaçe Zela dhuroi gëzim, kënaqësi dhe krenari në zemrat dhe votrat tona”, u shpreh në mesazhin e vet të ngushëllimit, ish kryeministri Sali Berisha.

“Vaçe Zela jeton e do të jetojë në gjuhën më të bukur, më magjepsëse, në këngën e saj, këngën e kombit tonë! Ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortit, vajzës dhe të gjithë familjes. Mirënjohje të pakufishme këngëtares sonë të pavdekshme Vaçe Zela!”, përfundon fjala e Sali Berishës.
 
LULËZIM BASHA: VAÇE ZELA, PËRJETË MES NESH
 Kryetari i Partisë Demokratike dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, ka shprehur gjithashtu konsideratën e tij për artisten Vaçe Zela.

“Mësova me hidhërim të thellë për ndarjen nga jeta të artistes së shquar ‘Nderit të Kombit’ Vaçe Zelës. Për të gjithë ne që u rritëm me zërin e saj unik, sa më shume që koha kalon aq më e dashur dhe e veçantë është figura e saj.

Vaçe Zela do të mbetet përjetë mes nesh. Ngushëllimet e mia për familjen, të afërmit dhe miqtë e kësaj ikone të muzikës shqiptare. U prehtë në paqe”, vëren Lulëzim Basha, në mesazhin e tij të ngushëllimit.
 
MYFARETE LAZE DHE BASHKIM ALIBALI: VACJA ISHTE MINA SHQIPTARE
Këngëtarët Myfarete Laze dhe Bashkim Alibali duke shprehur ngushëllimet për familjen e këngëtares kujtuan se Vaçe Zela ishte Mina shqiptare të cilës të gjithë donin t’i ngjanin.

“Vaçe Zela ishte Mina shqiptare. Të gjithë donim t’i ngjasonim. “- kujton Myfarete Laze.

Ndërsa Bashkim Alibali kujton momentet kur Vaçe Zela e kishte ndihmuar për të dalë për herë të  parë në skenë.
“Hera e parë kur kam dalë në skenë kisha shumë frikë e më ngushëlloi duke më thënë se spektatori s’do të dijë nëse t’i dridhesh apo jo, do të dëgjojë këngën, prandaj mos ki frikë”

AMBASADA E SHBA: ME KENGET E SAJ, VACE ZELA U KTHYE NE LEGJENDE
Ambasada e SHBA-ve ka thënë se: "Me këngët e saj Vaçe Zela u kthye në legjendë të muzikës". 
”Shqipëria humbi një nga këngëtaret e saj më të mëdha. Vaçe Zela ishte një artiste e madhe dhe kushdo që e ka dëgjuar atë të këndojë, mund të dëshmojë për bukurinë e zërit dhe talentin e saj të pafund. Me këngët që interpretoi, ajo u kthye në një legjendë të muzikës shqiptare – jo vetëm për brezin e saj, po për të gjithë shqiptarët e çdo moshe. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për familjen dhe të dashurit e saj. U prehte në paqe!”- thuhet në mesazhin e ngushëllimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

OSMAN MULA: VAÇJA TALENT I LINDUR
“Është e vërtetë që kur mora vesh lajmin, u drithërova e mbeta pa fjalë. Ato këngë që ka kënduar, i ka luajtur Zotin. Janë këngë që e kanë çuar publikun në këmbë që në strofën e parë”, shprehet kompozitori Osman Mula, duke e cilësuar Vaçe Zelën “Një zë natyral, talent i lindur”.
 
“Zaptoi skenat shqiptare. Edhe kur shkonte jashtë shtetit me Ansamblin e Orkestrën e Radios, Vaçja ishte protagoniste kryesore e shfaqjes.
Kam punuar shumë si regjisor i Festivalit. Jemi njohur në Festivalin e 11-të me këngën e Tish Daisë, “Natën vonë”. Isha çun i ri, student. E pashë me Ansamblin e këngës, thashë:  sa buklur, ç’është kjo! Që në hapat e parë ne e kemi vizatuar Vaçen si Perëndi. Në korridoret e radios ishte prezente në prova. Nuk rrinte në korridore duke folur, rrinte më vete, e kishte përcaktuar ç’do të bënte.
Padiskutim që ajo kaloi në festivale si një pikë reference. Në ato vite kishte shumë artistë të mëdhenj: Gaqo Çkako, Tonin Tërshana, Liljana Kondakçi etj. Vaçja ishte kurorë e festivalit", vijo Mula.

Sipas tij, Vaçja, "Ishte e mençur, e thjeshtë, e respektonte shoqërinë, e donte humorin, ishte vajzë me gusto".

"Duke qenë regjisor, kam qenë afër me të edhe në korridoret kur vinte të bënte prova. Kam filmuar edhe shumë nga shfaqjet e Ansamblit e koncertet e Majit.
Ishte një grua shumë e zgjuar, me një temperament shumë të qetë gjatë jetës.  Edhe pse hapi i saj ishte i avashtë,  ishte shumë kavaliere si natyrë. I dhimbte shpirti për çdo gjë, nuk donte të dëgjonte keq. Kur një këngë nuk i pëlqente, prononcohej si nën zë, donte që çdo gjë të shkonte mirë.
 
Ka dhe këngëtarë që nuk janë të zotë. Ajo kishte tërë aftësitë të ishte grua model në skenë, me zgjuarsi. Drejtonte mirë vargun, me mbështetje vokale.
Ajo e kishte çdo gjë të falur nga Zoti, nuk kishte nevojë të nxitohej në jetë. Bënte jetë të qetë, të rregullt, e dinte çfarë donte. Ishte përherë personazhi kryesor i dramës”, përfundon Mula.
 
KOZMA DUSHI: JETONTE ME KËNGËN
 “Jo më gjatë u largua dje një violinist i madh, Ibrahim Madhi”, shprehet këngëtari Kozma Dushi, i hidhëruar për humbjen e Vaçe Zelës.

“Kam qenë në 16 festivale me të. Ishte këngëtare e madhe me zemër të madhe, shumë e thjeshtë në jetë. Ruaj konsideratën më të lartë për atë njeri që nuk do t’i vijë për shumë vite brezit tonë. Është e papërsëritshme”, vlerëson Kozma Dushi.

“Këngën e trajtonte shumë bukur, punonte jashtëzakonisht mirë me këngën në anën teknike dhe mënyra si e përcillte në sallë e emociononte spektatorin.
Jetonte më këngën e mi të gjitha zbërthente poezinë e këngës, përse fliste kënga”, vijon këngëtari.

NGUSHËLLIME EDHE NGA GJYKATA E LARTË
Edhe Gjykata e Lartë ka dërguar mesazh ngushëllimi për humbjen e znj.Vaçe Zela.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori dhe Trupa Gjyqësore e kësaj gjykate, i shprehin ngushëllimet më të thella e më të sinqerta familjes dhe të afërmve të artistes së madhe të skenës Shqiptare ndër vite, të së ndjerës Vaçe Zela.

“Ndarja nga jeta e zërit më të bukur të repertorit të këngës shqiptare, është një humbje e pazëvendësueshme për artin dhe të gjithë shqiptarët. 
Me këtë rast, shprehim vlerësimin më të lartë  për figurën, punën dhe kontributin e Ikonës së muzikës së lehte Vaçe Zela në lartësimin e muzikës shqiptare ndër vite”, shkruhet në mesazh.
 
KUSH ISHTE "ZERI I ARTE" I SHQIPERISE  
E vlerësuar si "Zëri i Artë i Shqipërisë", "Ikona e Shenjtë e Këngës Shqiptare", "Mbretëresha e Këngës Shqiptare", "Ylli Polar që vërtitet i vetëm në Galaktikën e Këngës së Lehtë Shqiptare", "Gjigandja e Skenës Shqiptare" etj., ajo është kthyer tashmë në legjendë. U zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë, si një këngëtare me zë të jashtëzakonshëm.
 
Me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm, për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara edhe sot nga publiku.

Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Sidoqoftë Vaçe Zela mbetet "Zëri i Jashtëzakonshëm" që mbushte me energji skenat shqiptare duke u bërë idhulli i shumë brezave. Vaçe Zela i dhuroi publikut shqiptar si edhe Historisë së Muzikës Shqiptare zërin e saj të artë.

Një kulm që nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa artistike. Vaçe Zela ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës në Radio dhe më vonë në Radiotelevizion që prej organizimit të parë të tyre, duke fituar plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur deri më sot.

FITUESJA E FESTIVALIT TE PARE
Vaçe Zela është fituesja e çmimit të parë e Festivalit të Parë.

Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Prej disa vitesh jetonte në Zvicër.

Ajo ishte e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin "Nderi i Kombit" nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.” Për nder të këngëtares, viti 2009 është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.

DISA PREJ KENGEVE TE INTERPRETUARA PREJ VACE ZELES
1. Çelu si mimoza
2. Ëndrra ime
3. Fëmija i parë
4. Gjyshja
5. Këngët e popullit tim
6. Lemza
7. Liria e shqiptarit
8. Mesnatë
9. Në shtëpinë tonë
10. O diell i ri
11. Për Arbërinë
12. Rritim jetën tonë
13. Serenatë për nusen
14. Sot jam 20 vjeç
15. Valsi i lumturisë

Redaksia Online
(b.g/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

BE sanksione radikalëve izraelitë për aktet e dhunës kundër palestinezëve! Të sanksionuarit s’do hyjnë në BE dhe do t’u bllokohen llogaritë

BE sanksione radikalëve izraelitë për aktet e dhunës kundër palestinezëve! Të sanksionuarit s’do hyjnë në BE dhe do t’u bllokohen llogaritë