Ndjesa që duhet të kërkojmë ne, “kritikuesit” e opozitës!

Ndjesa që duhet të kërkojmë ne, “kritikuesit” e opozitës!

Kur në sheshet e Greqisë së lashtë, të Athinës fqinje, dialogohej me patos për të vërtetën, drejtësinë dhe dijen, kur embrionin e demokracisë së lindur jo shumë larg tokave dhe njerëzve tanë bota mbarë u stërmundua në vite ta ruajë, ta mbjellë, ta rrisë, të kujdeset për të, nuk paramendohej që era e viteve, në vend që ta mbështeste këtë embrion natyrshëm fillimisht tek ne, si fqinjët më të afërt, do ta çonte aq larg. Si për shembull, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi, Kanada, Britaninë e Madhe, Vendet e ulëta... vende që për Demokracinë bëjnë gjithçka.

Duke marrë parasysh dobësitë e natyrës njerëzore, Platoni në testamentin e tij politiko-filozofik “Republika” na tregon për Sokratin dhe përpjekjet e tij përmes logjikës, dialogjeve publike me kundërshtarë e të ngjashëm për të ndërtuar në bazë të arsyes dhe të drejtës Shtetin, i pamposhtur edhe përballë një ciniku, grindaveci dhe mbështetësi të tezës të “së drejtës të më të fortit”, siç ishte Trasimaku, të cilin logjika e Sokratit e bëri të heshtë përgjithmonë. Pra, bota demokratike ngrihet mbi këto baza të logjikës, të vërtetës dhe të drejtës, duke lënë mënjanë, duke shmangur e përjashtuar gjuhën e të fortëve dhe më të fortit.

Në 30 vite demokraci, në forma të ndryshme, ky debat është bërë përherë edhe në diskursin publik shqiptar me dëshirën për të ngritur dhe ne një shtet të drejtë, të vërtetë e të dijes; vetëm se një pjesë e këtij diskursi nuk e ka braktisur asnjëherë metodën trasimakiane të së drejtës të më të fortit përballë fakteve dhe logjikës. Se cilës i përket kjo pjesë besoj se është lehtësisht e lexueshme dhe njihen, dallohen se kush janë sot trasimakët shqiptarë përballë kujt dëshiron të ndërtojë shtetin e të drejtës, e të logjikës.

Mjafton të shohim reagimet që në ditët e para të kritikave ndaj atyre që sot, ndodhen në opozitë. Jo vetëm që nuk pranohen si një formë për të parë branda vetes dhe për të reaguar në përmirësim, por kundërpërgjigjen me gjuhën dhe forcën e të fortit si në interlokuim, ashtu dhe në veprime, pa u lodhur, tërhequr apo moderuar në 30 vite plot. Kjo metodë  e ashpër, e padrejtë dhe e pavërtetë imitohet më pas nga të ngjashmit dhe të afërmit e të njëjtës përbërje në politikë, media e socialmedia.

Meqë asgjë nuk ndyshon në gjithë këto vite debat, ndoshta, ne, kritikuesit e asaj dhe atyre që sot janë në opozitë (dje në pushtet) duhet të kërkojmë ndjesë për mungesën e forcës së mjaftueshme të logjikës për të bërë që sadopak këta “kundërshtarë” të fjalës, të së vërtetës dhe fakteve, të gjejnë mundësinë, formën dhe forcën të ndryshojnë. Nëse kjo do të ndodhë një ditë, nëse në vend të ofendimeve, shpifjeve, forcës, kundërshtarët mes njëri-tjetrit flasin dhe logjikojnë, atëherë mund të themi se Demokracia më në fund po vendos rrënjë të forta edhe në vendin tonë. Deri atëherë, ndjesë për atë që nuk po mundim të bëjmë.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mato: 06/02/2023 03:50

    Dhe ndaj ju kritiket e opozites jeni te zene me opoziten....se ky eshte misioni medias ne nje shoqeri demokratike...te kritikoje...opoziten!?!?!? Bir Selman i nenes bir!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Përfiton nga amnistia penale, lirohet nga burgu ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj: Uroj, askush të mos e provojë qelinë

Përfiton nga amnistia penale, lirohet nga burgu ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj: Uroj, askush të mos e provojë qelinë