Ndryshimi i ligjit në 2002,Nishani
propozon pasuesin e Fullanit

Presidenti i Republikës Bujar Nishani do të ketë detyrimin e propozimit të emrit të guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë, i cili do të zëvendësojë Ardian Fullanin në momentin që ky i fundit do të shkarkohet nga Kuvendi.
 
Kjo pasi sipas një ndryshimi të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, bërë më 25 korrik 2002, është kreu i shtetit Bujar Nishani ai që ka të drejtën e propozimit të emrit të ri të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe jo kryeministri Edi Rama.

Sipas ligjit të vjetër Presidenti i Republikës emëron guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, mbështetur në propozimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave, por se me ndryshimin e bërë kryeministri ‘zhvishet’ nga kjo e drejtë e cila i kalon kreut të shtetit.

Kjo e drejtë ligjore mund të shihet dhe si pjesë e vijimit të konfliktit ndërmjet mazhorancës dhe Presidencës, por që do të varet nga emri që Presidenti Bujar Nishani mund të propozojë në Kuvend për caktimin e pasardhësit të Fullanit.

Megjithatë vetë kreu i shtetit duket se do të zhvillojë bisedimet për gjetjen e një emri konsensual para propozimit në parlament, për të shmangur dhe një përplasje të re. Kjo pasi mazhoranca e re tashmë ka 84 vota të sigurta, duke kushtëzuar kështu dhe gjetjen e një zgjidhjeje të ëprshtatshme mes palëve.
 
Edhe vetë kryeministri Rama në një dalje për mediat ditën e djeshme bëri të ditur se emri i guvernatorit të ri do të jetë një emër i pakontestueshëm dhe se nuk do të jetë nga politika por nga financa, duke hedhur poshtë kështu zërat e emrave që kanë qarkulluar këto ditë në media.

Kjo shpjegon edhe takimet e kryeministrit Rama me Presidentin Nishani dhe me anëtarët e Këshillit Mbikqyrës apo edhe me guvernatoren në detyrë Elisabeta Gjoni.

Si ishte ligji

Neni 44, pika 2
Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë: a) Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi Popullor; b) tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave; c) një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.

Presidenti i Republikës emëron guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, mbështetur në propozimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zgjedh dhe emëron zëvendësguvernatorët, mbështetur në propozimin e bërë nga guvernatori.

Ndryshimi i ligjit në vitin 2002

Në nenin 44 pika 2 pas shkronjës “c” fjalia “Presidenti i Republikës emëron guvernatorin e
Bankës së Shqipërisë, mbështetur në propozimin e kryetarit të Këshillit të Ministrave” hiqet dhe me “Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës”.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)