TIRANËMbi 2 orë dhunë dhe luftë guerile rrugëve të Tiranës pas një proteste me pjesëmarrje dhe fjalime të vakëta i rezervoi kryeqytetit Partia Demokratike këtë të premte. Në mënyrë të paprecedentë molotovëve nuk i shpëtuan as besimtarët në Xhaminë e Namazgjasë në Tiranë. Një pjesë e tyre ndërpreu lutjen, ndërsa të tjerë mbeten të bllokuar brenda në xhami. Në fund Berisha i quajti mbështetësit e tij si “kryengritës të armatosur”, teksa kërcënoi socialistët se nuk do të gjenin asnjë gjurmë të selive të tyre.

***

Ishte parashikuar të niste në orën 18:00, por Sali Berisha u nis 34 minuta me vonesë nga Selia e PD drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Kur kreu i PD po mbërrinte para zyrës së Ramës e prinin vetëm një grusht militantësh, që Report Tv i solli me pamje ekskluzive me dron. 

Mbrapa Berishës, “Deja Vu” e protestave të kaluara. Grupi i kamufluar me pankarta dhe i veshur me të zeza. Për t’u fshehur më mirë mbanin çadra, edhe pse shi nuk kishte. Bashkë me grupin e zjarrit të armatosur me molotovë edhe ish gjyqtari sheik, tashmë deputet, Gjin Gjoni. 

Si një përpjekje për të balancuar suksesin e vizitës së Ramës në Shtetet e Bashkuara dhe takimin e tij me Trump, Berisha kishte urdhëruar më shumë flamuj amerikanë në protestë. Në fakt në të njëjtën orë kur Berisha mbante mitingun para zyrës së tij, Rama dhe delegacioni që e shoqëroi ishte në fluturim, duke u kthyer nga vizita e vlerësuar me sukses të veçantë.

Shkëlzen Berisha, si në protestat e kaluara, në shoqërinë e deputetit Arjan Ndoja. Protestës nuk i mungoi edhe i përjashtuari Ervin Salianji. Berisha gjatë gjithë fjalës së tij mitingun e paralelizoi me 20 shkurtin 1991 kur dhjetëra mijëra shqiptarë rrëzuan bustin e diktatorit Enver Hoxha. 3 dekada e gjysmë më vonë Berisha kërkon të rrëzojë qeverinë me një grusht protestuesisht, siç shihet edhe në pamjet me dron që solli Report Tv

Kurrë më parë tha Berisha vendi nuk është vjedhur kaq shumë sa sot, militantëve i premtoi se të gjithë do të ndëshkohen.

“As ju, as Edi Rama, as Lubia, vrimë miu nuk do të gjeni”, tha ai. 

Këtë herë sinjal nuk ishte valëvitja e flamurit, por ‘fjalëkalimi’ i dhunës ishte shprehja “do shpëtojmë Shqipërinë”, dhe breshëria e fishekzjarrëve dhe molotovë drejt policisë, teksa Berisha shikonte ende nga podiumi. 

Këtë herë 2 autobotë me ujë ishin përgatitur paraprakisht dhe ujin e hodhën menjëherë, së bashku me gazin lotsjellës. Edhe Berishës iu desh maska kundërgaz. Kreu i PD, ndryshe nga dy protestat e kaluara, kur ka zgjedhur të ktheje në zyrë, zgjodhi të marshonte vetë nëpër Tiranë, me Flamur Nokën dhe Gazment Bardhin. 

Rrugës për nga parlament, nuk munguan aktet vandale, ndërsa pyetjes së gazetarëve nëse do t’i respektojë apo jo besimtarët në këtë kohë agjërimi Berisha iu përgjigj: Zoti i bekoftë dhe ua pranoftë.

Por në fakt besimtarët nuk u kursyen. Të udhëhequr nga Berisha, rreth orës 20 protestuesit u mblodhën para godinës së seancave plenare. Direkt molotovë dhe menjëherë kundërpërgjigje nga policia me ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës.

Në ditën e tretë të Ramazanit molotovëve nuk i ka shpëtuar as xhamia e Namazgjasë. Disa prej besimtarëve u detyruan të dalin të alarmuar nga vendi i faljes. 

“Të bëjnë ca duan, por jo të paktën këtu te xhamia. Kanë dalë të gjithë, e ndaluan namazin edhe dolën”, tha besimtarja.

"Bëjmë thirrje policisë dhe popullit të mos përzihen në xhami, ne vazhdojmë punën e Namazit. Myslimanëve u urojmë qetësi. Ishim në Namaz, po mundohemi të qetësojmë njerëzit dhe të dalin në qetësi", tha një imam për Report Tv. 

Molotovët nuk munguan edhe në rrugë të tjera të Tiranës, si ky rasti te ura e lanës. Objektivi gjithmonë efektivët e policisë‘Lufta’ vijoi disa minuta, ndërsa ujit nuk i shpëtoi edhe vetë Berisha. 

Berisha vetë kthehet në seli, ndërsa stafetën ia la të miturve të instruktuar të hedhin molotov drejt autobotëve. Lufta rrugëve të Tiranës vijoi edhe për një orë tjetër, ndërsa si gjithmonë dhunën e mbylli sërish Berisha. Nga Selia kërcënoi Partinë Socialiste.

“I jap fjalën e nderit se në rast se guxon të sulmojë këtë seli, selitëve të tij gjurmë nuk do t’i gjejë”, tha Berisha. 

Në tentativë për të justifikuar dhunën edhe në xhami e pranoi se protestuesit e tij janë “kryengritës të armatosur”. 

“Me qëllim që territori i xhamisë të mos përfshihet nga asnjë lloj përballje, forcat e kryengritësve të armatosur devijuan në krah të kundërt”, tha Berisha. 

Për protestën e dhunshme deri më tani janë shoqëruar 41 militantë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:03
Protesta e dhunshme e PD/ Bardhi: 41 të shoqëruar, mes tyre edhe të mitur! Nuk kanë kryer shkelje të ligjit

 

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi deklaroi se 41 protestues janë shoqëruar nga policia, mes tyre të mitur.

Bardhi hodhi poshtë akuzat se të miturit po përdoren në protestat e dhunshme të PD dhe shtoi se ata nuk kanë kryer shkelje.

"I shoqëruar është edhe një invalid i kategorisë së tretë. Asnjë shoqërim apo arrestim i bërë nga policia nuk është legjitimuar nga gjykata. Sa i takon reagimit skandaloz të Edi Ramës, një njeri i kapur në hajdutëri nuk mund të quhet kryeministër, do kuptoni që ka mllef, urrejtje, që i drejtojnë gishtin si hajduti më i madh në Republikën e Shqipërisë. Është në hall, e ka shkaktuar vetë duke gllabëruar pasuritë e shqiptarëve. 41 në të gjitha komisariatet e Tiranës. Ka një numër të konsiderueshëm të miturish që janë arrestuar, në një pjesë të komisariateve janë liruar. Asnjë prej të miturve të shoqëruar, nuk ka kryer asnjë shkelje të ligjit, kanë qenë të shoqëruar në protestë nga prindër, shokë dhe duke u kthyer në banesë, janë rrëmbyer nga police pa uniformë. Çfarë mund të presësh nga një regjim, që ka legjitimuar vjedhjen", tha Bardhi.

Ora 22:31
41 të shoqëruar gjatë protestës së dhunshme të Berishës, disa deputetë të PD-së i hipin makinave luksoze dhe nisen drejt komisariateve në mbështetje të tyre

1771623162_xtsyuop.JPG

Disa deputetë të Partisë Demokratike, mes të cilëve Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj, janë nisur drejt komisariateve të Policisë, ku janë shoqëruar militantët e ndaluar gjatë protestës së dhunshme të PD-së.

Kujtojmë se Policia ka shoqëruar deri më tani 41 militantë, që dyshohet se kryen akte dhune duke sulmuar me gurë, fishekzjarrë e molotovë efektivët dhe godinat e institucioneve.

Nga pamjet e siguruara nga Report TV, shihet teksa zyrtarët e lartë të PD-së i hipin makinave luksoze dhe nisen drejt komisariateve.

Ora 22:24
Militantët hodhën molotovë tek xhamia, Berisha mallkon policët: Ju vraftë zoti, ju ndërpretë lutjen

 

Aktet e dhunës të ushtruara nga militantët, Berisha ‘nuk i sheh’ dhe sipas tij, shkak për ndërprerjen e lutjes së besimtarëve myslimanë, është bërë Edi Rama. Berisha thotë se hedhja e gazit lotsjellës në xhami, ka bërë që besimtarët të ndërpresin lutjen.

"Kanë hedhur bomba tymuese dhe gazi në kate të ndryshme të xhamisë, kur besimtarët po faleshin. E mbushën Xhaminë me gaz lotsjellës. Zoti i vraftë. Për këtë krim të shëmtuar janë pasardhës të etërve të tyre barbarë", tha Berisha.

Deklarata ka ngjallur reagime të shumta, pasi përdorimi i gjuhës së tillë, sidomos në një kontekst fetar, është cilësuar si i papërshtatshëm për një figurë politike. Kritika ka pasur edhe për përfshirjen e çështjeve të besimit në retorikën politike të momentit.

Ora 22:11
Meta reagon nga qelia për protestën: Plumbat e gomës, dhuna kriminale dhe rrëmbimet mafioze të protestuesve nuk na ndalin

1771317789_1000039315.jpg

Ilir Meta

Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar nga qelia për protestën e zhvilluar nga PD.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Meta shprehet se shqiptarët janë të vendosur për të shembur regjimin e kalbur të Edi Ramës.

Sipas tij, plumbat e gomës, dhuna kriminale dhe rrëmbimet mafioze të protestuesve nuk e ndalin dot uraganin e Lirisë.

“20 Shkurti i rrëzimit të diktaturave konfirmoi vendosmërinë e shqiptarëve për të shembur regjimin e kalbur të Edi Ramës. As plumbat e gomës, as dhuna kriminale dhe as rrëmbimet mafioze të protestuesve nuk e ndalin dot uraganin e Lirisë. Mirënjohje për guximin, qëndresën dhe vendosmërinë për t’i rikthyer Shqipërisë me çdo çmim Lirinë. FITORE!”, thotë Meta.

Ora 21:57
Po shoqëronin militantët e Berishës, Noka dhe Këlliçi dhunojnë e shajnë policët në kryeqytet: Ik ore shk*rdhatë! Mos t'u shohim vërdallë se... (VIDEO)

Deputetët satelitë të Sali Berishës, Flamur Noka dhe Belind Këlliçi dhunuan e shanë efektivët civilë të Policisë së Shtetit që ndodheshin pranë xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, ku po bënin shoqërimin e militantëve të dhunshëm, që hodhën molotovë, fishekzjarre dhe gurë drejt bluve dhe institucioneve shtetërore gjatë protestës.

Përveç shtyrjes fizike të policëve civilë, Noka dhe Këlliçi ofenduan rëndë blutë. "Ik ore shk*rdhatë", u dëgjua Këlliçi të ofendonte një polic.

“Për çfarë jeni këtu?  Qentë i gjallë që keni shpërndarë, mos ti shohim vërdallë se po i pamë...”, dëgjohet Noka t’iu thotë efektivëve.

Më tej, sipas deputetëve ata kanë rrethuar perimetrin e selisë së PD dhe po terrorizojë e po shoqërojnë në komisariat edhe mbështetësit. Bardhi tha se deri më tani janë rreth 40 persona të shoqëruar, mes tyre dhe kryetarë të degëve të PD. 

“Punonjës pa uniformë që kanë rrethuar selinë. Kanë marrë me dhjetëra kryetarë të degëve të PD. Deri tani janë mbi 40 presona të ndaluar”, tha Bardhi për mediat. 

 

Ora 21:51
Berisha flet për protestë paqësore, por i quan militantët e vet ‘kryengritës të armatosur’! Vepër që dënohet me burgim të përjetshëm (VIDEO)

 

Sali Berisha prej kohësh deklaron se protestat e tij janë paqësore, ndonëse aktet e dhunës së militantëve të tij shihen hapur, me molotovët që hidhen në drejtim të institucioneve dhe efektivëve. Por, Berisha i ‘harroi’ aktet e dhunës dhe e pranoi që protestuesit e tij janë jo vetëm të dhunshëm, por i quajti edhe  ‘kryengritës të armatosur’.

“Përshkallëzimi i sotëm tejkalon çdolloj krimi. Sot besimtarët myslimanë, pas iftarit, janë kthyer në xhami për të falur namazin. Me qëllim që territori i xhamisë të mos përfshihet nga as njëlloj përballje, forcat e kryengritësve të armatosur, devijuan në krah të kundërt. Kjo nuk mjaftoi. Banditë me uniformë, i kemi filmuar. Kanë hedhur bombola gazi dhe tymuese në krah të ndryshëm të xhamisë në një kohë kur besimtarët po faleshin. E mbushën xhaminë me gaz lotsjellës. Zoti i vraftë për këtë krim të shëmtuar. Janë pasardhës të denjë të etërve të tyre barbarë. U bëj thirrje besimtarëve myslimanë, të dënojnë këtë akt të shëmtuar dhe garantoj se protesta jonë paqësore nuk do të dalët, por do të bëj gjithçka që në territorin në afërsi të përjashtoj çdo veprim me kundërshtarin vetëm që ata të mos prishin namazin. Sot i kanë nxjerrë me gaz nga xhamia”, tha Berisha.

Sipas Kodit Penal, marrja pjesë apo udhëheqja e një kryengritje të armatosur dënohet me burgim të përjetshëm. 

Ora 21:49
Policia shpërndan protestuesit e dhunshëm, gazi lotsjellës bie edhe në oborrin e selisë së PD

Gazi lotsjellës i hedhur nga Policia për të shpërndarë protestuesit e dhunshëm të Sali Berishës, ka rënë edhe në oborrin e selisë së PD-së, konkretisht në ambientet e jashtme të lokalit që ndodhet aty pranë.

Lidhur me këtë zhvillim, PD ka reaguar ashpër, duke e cilësuar si sulm ndaj selisë së partisë, me urdhër të vetë kryeministrit Edi Rama.

Ora 21:46
Protesta e dhunshme e Berishës/ Deputeti Luçiano Boçi përfundon në QSUT me dëmtime në lëkurë, në spital edhe një militant

Hedhja e molotovëve nga militantët e PD

Nga protesta e dhunshme e PD, është lënduar edhe deputeti  i kësaj force politike, Luçiano Boçi.

Report Tv mëson se Boçi ka dëmtime në lëkurë dhe është dërguar në QSUT.

Ndërkaq, edhe një militant është shtruar në spital pasi ka qenë i intoksikuar. Gjendja e tij paraqitet e stabilizuar.

Ora 21:45
Molotovë, fishekzjarre dhe gurë drejt policisë, 25 të shoqëruar

1771620479_ËhatsAppImage20260220at19.48.41.jpeg

Të paktën 25 persona janë shoqëruar nga policia mbrëmjen e sotme pasi dyshohet si ishin ata disa prej militantëve të Sali Berishës që vandalizuan Tiranën dhe sulmuan blutë me molotovë, fishekzjarre dhe gurë.

Ora 21:44
Protesta e PD/ Berisha: Sulmuan selinë e partisë, akt i pashembullt nga Rama! E paralajmëroj se po e bëri përsëri, të vetes nuk do ia gjejë më gjurmët

 

Fjala e Sali Berishës nga selia e Partisë Demokratike shënoi dhe fundin e protestës së sotme. Si dhe herët e tjera, Berisha ia vuri fajin Policisë së Shtetit duke thënë se është sulmuar selia e partisë.

“Mirënjohjen më të pakufishme ju qytetarëve, burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që sot më 20 shkurt përsëritët në një formë apo në një tjetër 20 shkurtin e vitit ‘91. Natyrisht në qoftë se shtatorja e satanit ndodhej në piedestalin në sheshin Skënderbej, busti i pasardhësit të tij, busti i gjallë nuk ndodhej as në Shqipëri. Kjo nuk ju pengoi për të dëshmuar vendosmërinë më të madhe. Kjo nuk pengoi ju për tu bërë ballë dhëmbë për dhëmbë, me falanga krimi që përdorën mjetet e paligjshëm kundër kryengritësve paqësore. Projekti tyre, plani i tyre ogurzi për të krijuar gjakderdhje, përsëri sot u shpalos duke qëlluar në ballë kandidaten për deputete Senada Mehmetin. Ju patë të tjerë, u qëlluan pas koke me bombolat e gazit. Ju patë sesi u përdorën bombat tymuese me acid nitrit helmues, bombat shurdhuese vetëm për të akuzuar opozitën. U përdorën ato mjete që përdoren në pozicione luftarake me palë armike. Sot përshkallëzimi i Edi Ramës, kundër opozitës, ka qenë i paprecedentë. Sot kriminelë me unif9ormë kanë hedhur bomba tymuese dhe bombola gazi në territorin e PD. Sot Rama ka ndërmarrë një akt të pashembullt, ka sulmuar selinë e PD si një hakmarrje ndaj kryengritësve paqësore. I jap fjalën e nderit se në rast se guxon të sulmojë këtë seli, selitë e tij gjurmë nuk do t’iu gjejë. I them Ramës, është mundimi i madh për ne të përmbajmë qytetarët dhe sulmet e tre ndaj sulmeve të krimit. Urrejtjen atërore që ke mos e shpreh duke gjuajtur bombat tymi dhe bombola gazi në selinë e PD. Ne jemi kryengritës paqësore, por ne nuk të tolerojmë sulmin ndaj selisë. Hiq dorë nga sulmi në selinë e PD. Jemi të gatshëm nga mëngjesi në mesnatë të përgjigjemi siç e meriton”, tha Berisha.

Ora 21:23
Hodhën molotovë drejt Xhamisë, dhëndri Malltezi dhe Noka ‘inspektojnë’ dëmet që shkaktuan militantët (VIDEO)

 

Militantët e Sali Berishës nuk kursyen as xhaminë e Namazgjasë duke hedhur molotovë ndaj saj ndërsa besimtarët po luteshin. Por, pas këtyre akteve të dhunshme, dhëndri Jamarbër Malltezi dhe besniku tjetër i Berishës, Flamur Noka u shfaqën në xhami për të ‘inspektuar dëmet’.

Akte të tilla dhune janë kryer nga militantët e Berishës edhe në sheshin para Parlamentit dhe në bulevardin para Kryeministrisë.

Ora 21:21
Militantët molotov drejt Xhamisë së Namazgjasë, Bardhi akuza policisë: Hodhët gaz lotsjellës, u penguan besimtarët të kryenin ritet pas iftarit

1770639674_bardhi.jpg

Gazment Bardhi

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi akuzon policinë se ka hedhur gaz lotsjellës brenda Xhamisë së Namazgjasë, teksa militantët hodhën molotov.

Bardhi, teksa ka ndarë një reagim në rrjetet sociale, thotë se ky akt i policisë është i rëndë dhe i papranueshëm.

Sipas Bardhit, ky është cenim i hapur i lirisë së besimit dhe një përpjekje brutale për të penguar besimtarët myslimanë të kryejnë ritet e tyre pas iftarit.

“Hedhja e gazit lotsjellës brenda xhamisë, në një moment kur nuk ka asnjë protestues, përbën një akt të rëndë dhe të papranueshëm. Është një cenim i hapur i lirisë së besimit dhe një përpjekje brutale për të penguar besimtarët myslimanë të kryejnë ritet e tyre pas iftarit.

E dënoj me forcën më të madhe këtë veprim, që i ngjan praktikave të një regjimi represiv dhe bie ndesh me çdo standard demokratik. Sot, 35 vite nga rrëzimi i bustit të diktatorit, është e papranueshme që në këtë vend të përdoren metodat diktatoriale të regjimit komunist. Bustin e rrëzuam 3 dekada më parë, prandaj frikën dhe dhunën nuk do t’i lejojmë të ngrihen sërish”, shkruan Bardhi.

Ora 21:19
Dhuna në protestën e opozitës, një prej protestuesve i bie bombola e gazit lotsjellës në kokë (VIDEO)

 

Një prej protestuesve në protestën e Berishës është goditur në kokë nga një bombol gazi lotsjellës. Efektivët kanë hedhur gaz për të shpërndarë qytetarët që po kryenin akte dhune drejt policisë në rrugën e Elbasanit. Protestuesi është rrëzuar në tokë dhe më pas është ndihmuar nga persona të tjerë për tu ngritur dhe larguar.

Ora 21:17
Molotovët e militantëve të Berishës, kaos te xhamia! Imami për Report Tv: Një pjesë e besimtarëve mbetën brenda

Situatë problematike te xhamia e Namazgjasë, drejt së cilës u hodhën molotovë. Një imam tha për Report Tv se një pjesë e besimtarëve kishin mbetur brenda në xhami, ndërsa në zonë është hedhur edhe shumë gaz lotsjellës.

“Ne nuk merremi me protesta, mundohemi t’i nxjerrim vëllezërit myslimanë pa bërë dëm. Jemi në muajin e Ramazanit, ishalla e kalojmë me sukses. Bëjmë thirrje policisë dhe popullit të mos përzihen në xhami, ne vazhdojmë punën e Namazit. Myslimanëve u urojmë qetësi. Ishim në Namaz, po mundohemi të qetësojmë njerëzit dhe të dalin në qetësi. Një pjesë janë brenda, një pjesë është jashtë, nuk po dinë ku të dalin, po mundohemi t’i orientojmë”, tha imami për Report Tv.

Ora 21:07
PAMJE ME DRON/ Mbi 2 orë protestë, militantët e Berishës shpërthejnë fishekzjarre drejt policisë afër xhamisë së Namazgjasë

Ndërsa dukej se dhunës dhe vandalizmit të militantëve të Sali Berishës po i vinte fundi në protestën e mbrëmjes së sotme, një numër i lartë fishekzjarresh u shpërthyen drejt policisë, pranë xhamisë së Namazgjasë, në Tiranë. Protesta ka nisur që prej orës 18:30.

Ora 21:06
Militantët e Berishës molotovë drejt Xhamisë, besimtarja për Report Tv: Ndaluam namazin dhe dolëm

 

Militantët e Sali Berishën kanë hedhur edhe molotovë në drejtim të xhamisë së Namazgjasë. Një besimtare tha për Report Tv se ndalën namazin.

“Të bëjnë ca duan, por jo të paktën këtu te xhamia. Kanë dalë të gjithë, e ndaluan namazin edhe dolën”, tha besimtarja.

Ora 21:03
Protesta e dhunshme e Berishës, policia shoqëron disa militantë të PD

 

Shoqërimi i disa militantëve nga policia

Policia ka shoqëruar disa militantë të PD, në protestën e dhunshme të Sali Berishës. Dy të tjerë u shoqëruan më parë në polici, pasi kishin çanta me molotovë.

Ora 20:59
Protesta e PD/ Militantët e Berishës nuk kursejnë as xhaminë, MOMENTI ku hedhin molotov pranë besimtarëve (VIDEO)

 

Militantët e Berishës kanë hedhur molotvë fare pranë Xhamisë së Manazgjasë, një akt ky i paprecedentë. Molotovët janë hedhur në hyrje të parkimit të xhamisë ndërkohë që brenda po faleshin besimtarë. Ndërkohë aty pranë ishte dhe operatori i Report Tv, i cili menjëherë është futur brenda në garazh për t’i shpëtuar dëmtimeve.

Ora 20:52
Plas sërish molotovi pranë Xhamisë së Namazgjasë, militantët e Berishës e kthejnë sheshin në 'arenë lufte'

1771617601_xftguuii.JPG

Militantët e Sali Berishës kanë hedhur sërish molotov, shumë pranë Xhamisë së Namazgjasë.

Report TV ka siguruar pamjet nga shpërthimi i molotovit, ku duket se sheshi para Parlamentit duket si i kthyer në një ‘arenë lufte’.

Ora 20:47
I shtrirë në tokë duke marrë ndihmë nga të pranishmit, një person i dëmtuar në protestën e PD! (VIDEO)

 

Një person duket se ka mbetur i dëmtuar në protestën e organizuar nga Sali Berisha, në ambientet para Parlamentit.

Report TV ka siguruar pamjet, ku personi në fjalë duket i shtrirë në tokë, duke marrë ndihmën e parë nga të pranishmit.

Ndërkohë ende nuk dihet nëse ai është dëmtuar nga zjarri i molotovëve që hodhën militantët e Berishës, apo nga gazi lotsjellës i hedhur nga Policia.

Ora 20:44
Me çanta mbushur me molotovë, policia shoqëron 2 persona në polici

Dy persona janë shoqëruar nga policia teksa me vete kanë pasur dhe çanta me shishe molotovë brenda.

Ora 20:40
Të mitur e militantë hedhin gurë e molotovë në Rrugën e Elbasanit, policia i shpërndan me gaz lotsjellës

 

Policia ka hedhur masivisht gaz lotsjellës në Rrugën e Elbasanit me qëllim shpërndarjen e protestuesve që vijojnë të hedhin molotovë e sende të forta në drejtim të policisë. Siç shihet dhe nga pamjet, ka dhe të mitur që po hedhin gurë në drejtim të efektivëve.

Ora 20:36
Protesta e PD, momenti kur besimtarët largohen me vrap nga xhamia (VIDEO)

 

Besimtarët u larguan me vrap nga xhamia e Namazgjasë, pranë Kuvendit, aty ku militantët e Berishës u përballën me forcat e policisë dhe hodhën molotovë. Në ajër kishte ende prani të gazit lotsjellës të përdorur nga policia për të shpërndarë protestuesit.

Ora 20:30
Berisha shfaqet me maskë kundra gaz dhe krijon skenarë, protestuesja: Më qëlluan me plumb gome nga tarraca e Kryeministrisë

 

Sali Berisha pretendon se kandidatja për deputete e Partisë Demokratike për Shkodrën në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Senada Mehmeti, është qëlluar në ballë me plumb gome gjatë protestës, nga Kryeministria

“Kandidaten tone për deputete ne Shkodrës, protestuesen me paqësore këta po tejkalojnë çdo vijë të kuqe dhe i deklaroj që do marrin ndëshkim shembullor”, tha Berisha.

Ndërkohë që vetë Mehmeti u shpreh se ajo po qëndronte paqësisht në momentin që ndodhi ngjarja. Sipas saj, persona të cilët qëndronin në tarracën e Kryeministrisë e kanë qëlluar me plumb gome.

 “Kam qenë pa filluar mbarimi protestës gjatë kohës së Berisha po mbante fjalimin e tij, isha nëj dëgjuese.  Mendoj se ka ardhur nga tarraca e Kryeministrisë, nga andej ka ardhur goditja. Edhe uën pas mjekimit do vazhdoj protestën asgjë nuk na ndal ne”, tha ajo.

Ora 20:18
Besimtarët duke u falur, militantët e Berishës zhvendosen pranë tyre! Policia hedh gaz lotsjellës te dera e Xhamisë së Namazgjasë

 

Policia ka hedhur gaz lotsjellës te dera e Xhamisë së Namazgjasë, pasi militantët e Berishës, të cilët po kryejnë akte të dhunshme pranë Kuvendit, janë zhvendosur atje.

Kjo ngjarja ka ndodhur teksa besimtarët janë duke falur në Xhami Namazin e Teravisë, i cili në muajin e Ramazanit zgjat 1 orë e 15 minuta.

Ora 20:16
Protesta e Partisë Demokratike/ Militantët mbrojnë me trup Berishën nga hedhja e ujit

Deputetët e PD, e militantët po mbrojnë me trup Sali Berishën nga uji që po hidhet nga autobotët. Uji është hedhur për shkak të molotovëve të hedhur në rrugën e Elbasanit. Shumë çadra janë hapur për të mbrojtur Berishën, i cili nuk arriti që të mbante dhe një fjalë tjetër për mediat.

Ora 20:15
Militantët e Berishës i hedhin molotov autobotit të ujit te Ura e Lanës, mjeti përfshihet nga flakët

 

Militantët e Sali Berishës i kanë hedhur molotov autobotit të ujit që ndodhej te Ura e Lanës, për të bërë të mundur shpërndarjen e protestuesve të dhunshëm.

Automjeti është përfshirë nga flakët, por fatmirësisht është bërë e mundur shuarja e zjarrit në kohë.

Ora 20:12
Muaji i shenjtë i Ramazanit! Militantët e Berishës hedhin molotovë, besimtaret falen në Xhaminë e Namazgjasë (VIDEO)

Ndërsa militantët e Sali Berishës po hidhnin molotovë te Kuvendi, besimtaret nuk e ndërprenë për asnjë moment faljen tek xhamia e Namazgjasë, pak metra larg godinës së parlamentit. Protestuesit po vijonin me aktet e dhunës, ndërsa në sfond dëgjohej edhe hoxha i cili drejtonte lutjen në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Ora 20:04
Pas kryeministrisë, radhën e ka parlamenti! Militantët hedhin molotovë, policia i përgjigjet me gaz lotsjellës e ujë

 

Pas akteve të dhunës të ushtruara përpara kryeministrisë, tashmë radhën e ka godina e Parlamentit. Militantët e Berishës kanë hedhur molotov në pjesën e përparme të parlamentit ndërsa policia i është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë. Molotovët janë hedhur shumë pranë kordonit të policisë, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Ora 20:03
Vijojnë aktet e dhunës, militantët e Berishës u vënë zjarrin koshave të mbeturinave para Parlamentit

 

Militantët e Sali Berishës i kanë vënë zjarrin koshave që ndodhen para godinës së Parlamentit.

Vënia e zjarrit është në vijim të akteve të dhunës nga militantët e PD-së, ku më herët u hodh molotov para godinës së Kryeministrisë.

Ora 20:00
Sulmi i 'grupit të zjarrit' ndaj Kryeministrisë, në bulevard shihen edhe fishekzjarrë e molotovë të pashpërthyera

 

Fishekzjarre dhe molotovë të paplasur në bulevard

Militantë të PD hodhën fishekzjarrë dhe molotovë drejt godinës së Kryeministrisë, pas mbarimit të fjalimit të kryedemokratit Sali Berisha.

Por pamjet e Report Tv tregojnë se ka pasur dhe fishekzjarrë e molotovë të pashpërthyera, që kanë mbetur në bulevard.

Ora 19:57
Besimtarët myslimanë falin Namazin, Berisha u çon militantët pranë Xhamisë së Namazgjasë! Teksa Hoxha drejton lutjen, plas molotovi

Teksa besimtarët myslimanë po falnin Namazin në Xhaminë e Namazgjasë, kryedemokrati Sali Berisha ka udhëzuar zhvendosjen e protestuesve nga sheshi para godinës së Kryeministrisë, te sheshi para Kuvendit, shumë pranë Xhamisë.

Ndërkohë në momentin që Hoxha po drejtontelutjen, protestuesit kanë hedhur molotov duke e kthyer zonën në një 'arenë lufte'. Në këto momente po falej vakti i Teravisë, që në Ramazan zgjat 1 orë e 15 minuta.

 

Ora 19:55
Berisha 'tur' në Tiranë: Rama do të ndajë fatin me Erion Veliajn, nuk ka gjë në botë që i shpëton, është i pashpresë

 

Sali Berisha ndryshe nga herët e tjera, ka hecur në këmbë nga kryeministria drejt godinës së Parlamentit. Për mediat, Berisha tha se Rama do të ndajë të njëjtin fat me Erion Veliajn.

“Planin ndiqeni dhe raportojeni qytetarëve. E patë sesi Tirana ishte si Shqipëria e derdhur, njëlloj si në 20 shkurt të vitit ’91. Rama është i pashpresë, është i përfunduar. Dy janë ata që hedhin ujë dhe gaz: Ilirjan Proda dhe Sokol Bizhga. Dy kriminelë të klasit të lartë që do të ndëshkohen me gjithë forcën e ligjit. Se skenarët ndryshojnë. E pastruam bashkinë nga Veliaj, do pastrojmë Kryeministrinë nga hajduti Rama. Do ndajnë fatin me njëri-tjetrin. Nuk ka gjë në botë që i shpëton. Dhe azil politik që po përpiqen të gjejnë, s’do ta gjejnë. Vrimë miu s’do të gjejnë. Ministria e Infrastrukturës është në Kryeministri. Nëse ka njerëz të lidhur si mishi me thoin, është Rama me Lubinë”, tha Berisha.

Ora 19:39
Hodhën molotovë dhe fishekzjarre drejt Kryeministrisë, militantët e Berishës i drejtohen godinës së Kuvendit

 

Militantët e PD, pas hedhjes së molotovëve drejt godinës së Kryeministrisë, po shkojnë drejt ambienteve të Kuvendit. Ky skenar është parë edhe në protestat e mëparshme.

Ndërkaq, autoboti hodhi ujë për shpërndarjen e protestuesve, ku aty ishte edhe kreu i PD, Sali Berisha.

Ora 19:36
Shpërthejnë fishekzjarrët dhe molotovët, Sali Berisha dhe deputetët vendosin maskën kundërgaz (VIDEO)

 

Pa mbaruar fjalën, militantët e Berishës filluan të lëshonin fishekzjarrët dhe të hidhnin molotovët drejt kryeministrisë. Berisha nuk priti më të tundte flamurin në podium, por zbriti menjëherë dhe vendosi vendosi masën kundërgaz ashtu si dhe deputetët e tjerë të PD.

Ora 19:33
Berisha: Edi Rama si satani Enver Hoxha, sot është kalbësirë politike e damkosur

 

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalimin e mbajtur në protestë, ka krahasuar kryeministrin Edi Rama me diktatorin e Shqipërisë Enver Hoxha.

“Satani i shqiptarëve e Enver Hoxha, siç dihet vdiq në vitin 1985 por e vërteta është se ai diktatura e tij, vazhduan, sundimi në fuqiplotë gjer në ditën që ne shembëm shtatoren e tij kultin makabër të Enver Hoxhës që kishte pushtuar shpirtrat e shqiptarëve. Njëlloj si sot, Rama është një kufomë politike, kalbësirë politike i damkosur, i diskredituar, i tmerruar. Njësoj si shtatorja e Enver Hoxhës, do të mbetet në atë zyrë për sa kohë nuk do ta tërheqim prej saj siç tërhoqëm Hoxhën 35 vite më parë. Diktatura hoxhiste ishte një diktaturë e pashembull në Evropë. Ajo përveç lojës së luftës së klasave me të cilën ekzekutoi mijëra e mijëra shqiptarë për liri, dinjitet, për besimin tek zoti tek shqiptaria, internoi e persekutoi me qindra mijëra. Përdori tiraninë e mjerimin, izolimin indoktrinimin ekstrem. Sot regjimi  i Edi Ramës përsëri ngrihet mbi 3 shtylla turpi, të cilat rrënojnë çdo ditë qenien tonë. Nga Enver Hoxha me varfërinë, mjerimin e urinë kronike, i bëri shqiptarët një popull fantazmë, Rama me politikat e tij, vjedhje e farsën elektorale, me krimin dhe ligjin mburojë, po e shndërron Shqipërinë në dheun e joshqiptarëve, po shkreton kombin dhe vendin. Ngjashmëritë janë tmerrësisht të hidhura. E vërteta është se kurrë ky komb nuk është vjedhur si sot nga qeveritarët e Ramës. Miliarda euro porti i Durrësit në të cilën ai e ndërton Dubain e 1001 netëve të tij. Nëse Enver Hoxha përdori kundër shqiptarëve policinë e Sigurimit të Shtetit, Rama përdor falangat e krimit. Dhe prapra diellit të shkojnë, do t’i gjejmë dhe do t’i ndëshkojmë me forcën e ligjit. Shqipëria e lirë, do shpallë vjedhjen e qytetarë krim të rëndë”, tha Berisha.

Ora 19:33
'Do shpëtojmë Shqipërinë', sinjali i Berishës për grupin e molotovit

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se PD është opozita e vërtetë, pasi është ngritur sipas tij, si feniksi nga hiri. 

Më pas Berisha në fjalën e tij, duke thënë se 'do shpëtojmë Shqipërinë', duket se u ka dhënë një mesazh grupit të molotovit, të cilët kanë nisur menjëherë hedhjen e tyre në drejtim të Kryeministrisë.

“Kanë filluar të ikin minjtë, drejtora, etj. Braktisin Shqipërinë me shpresë se do të shpëtojnë. As ju, as Lubia dhe as Edi Rama vrimë miu nuk do të gjeni.

Miq, në 1991, pak muaj pas themelimit dhe me të drejtë të gjithë ata që na shikonin shtonin pyetjen kur shihnin shtatoren e diktatorit aty, thoshin janë apo nuk janë opozitë këta. Por një ditë, ne ju faktuam atyre që ishim opozitë dhe u përballëm me diktatorën më të egër dhe e shembëm atë. Sot mendjet dhe sytë e shqiptarëve janë të drejtuara vetëm te ne. Nëse 35 vite më parë me të drejtë pyesnin janë apo nuk janë opozitë këta, sot pasi u ngritëm si feniksi nga hiri, nuk e bën më njeri këtë pyetje. Jemi opozita e vërtetë dhe do shpëtojmë Shqipërisë”, tha Berisha.

Ora 19:31
Kryeministria sulmohet me molotovë e fishekzjarre gjatë fjalimit të Berishës (PAMJE ME DRON)

 

Gjatë fjalimit standard të Sali Berishës, militantët e tij hodhën molotovë dhe fishekzjarre drejt Kryeministrisë, duke rrezikuar seriozisht jo vetëm jetën e qindra efektivëve të policisë, por edhe të vetë demokratëve të pranishëm në protestë.

Ora 19:29
Rama në SHBA, militantët e Berishës shtojnë numrin e flamujve amerikanë në protestë (FOTO+VIDEO)

 

Pavarësisht se kryeministri Edi Rama ishte dje në Uashington teksa mori pjesë në mbledhjen e parë konstituuese të Bordit të Paqes, përsëri duket se demokratët nuk e pranojnë dot faktin që narrativa e tyre për marrëdhënie të prishura Rama-SHBA, nuk ekziston. Numri i flamujve amerikanë në protestën e sotme është rritur më shumë se ato në herët e kaluara.

 

Ora 19:21
I riu në protestën e Berishës: Nga shkolla fillore, në univerisitet me Ramën kryeministër, vetëm në dasëm më mungon

 

Mes folësve në protestën e Partisë Demokratike, ishte dhe i riu Alessandro Xhufi, i cili u shpreh i zhgënjyer me qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, dhe qëndrimin e gjatë të këtij të fundit në pushtet.

“Kur unë fillova shkollën fillore, Edi Rama ishte kryeministër, kur vazhdova gjimnazin, ky prap ishte ishte kryeministër, dhe tani që jam në universitet, ky prap është kryeministër. Tani vetëm në dasëm ta kam se është bëra qeshara kjo punë. Një fëmijë rritet, një brez plaket, një vend vdes, ama pushteti nuk ndryshon në këtë vend. PD-ja ka qenë për herë të fundit në pushtet kur unë isha në pushtet, dhe këta ju thonë fajin e ka PD-ja, fajin e ka Saliu. O popull, o njerëz, po këta jo vetëm që ju vjedhin, por ju shajnë, ju dhunojnë dhe çdo ditë ju poshtërojnë”,- tha Xhufi.

Ora 19:21
Protesta/ Berisha me një grusht militantësh: Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës frymëzim, Rama i ka ditët të numëruara

 

Në protestën në të cilën mblodhi vetëm një grusht militantësh, Sali Berisha u ndal edhe tek 35-vjetori i rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha. Berisha tha se ajo ditë është frymëzim për ta, ndonëse në shesh ka mbledhur vetëm një grusht militantësh, duke shtuar se kryeministri Edi Rama i ka ditët e numëruara.

“20 shkurti është dita kur qindra mijëra të rinj nisen drejt sheshi skënderbej të rrethuar nga të katërt anët me autoblindë, mitraloza, snajper në një betejë e cila shënon kulmin e guximit të qytetarëve shqiptarë. Në një betejë paqësore që ka dhëndrit dhe do shndrisë gjithmonë në historinë e revolucionit demokratik, në të cilën përmbysën shtatoren, kultin e Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pas luftës, përmbysën regjimin i cili në 46 vite persekutoi, burgosi, ekzekutoi, varfëroi, më shumë shqiptare se çdo pushtues tjetër që ata kishin njohur në tërë historinë e tyre. Ata kurrë s’do ta mendonin se 35 vite me vonë do ndodheshin para një regjimi, shumë të ngjashëm në shumë aspekte, nuk mund të besonin se 35 vite më vonë pushtetet e vendit do ishin në duart e një krimineli. Pushtetet e vendit do ishin në duart e një tradhtari që do nxijë gjithmonë historinë kombëtare për aktet e tij të tradhtisë ndaj kombit dhe vendit. E vërteta është se ne sot nderojmë këtë datë me ndjenjën e mirënjohjes, por edhe me frymëzim më të madh, me zotimin para shqiptarëve se Rama do t’i këtë kohërat e numëruara”, tha Berisha.

Ora 19:02
'Të korruptuarit bëjnë ligje për të mbrojtur njëri-tjetrin', Tabaku thirrje për forcat opozitare: T'i lëmë ndasitë, të bashkohemi

 

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku

Deputetja e PD, Jorida Tabaku thotë se sot në Shqipëri, të korruptuarit bëjnë ligje për të mbrojtur njëri-tjetrin.

Ajo u shpreh se forcat opozitare duhet të bashkohen dhe t'i lënë ndasitë.

Sipas Tabakut, keqqeverisja e Edi Ramës ka larguar shqiptarët nga vendi.

"Në 20 shkurt u rrëzua monumenti i një njeriu që kishte menduar se ishte i përjetshëm. 35 vite më pas, jemi në shesh, jemi përballë një autokrati të rilindur. Sistemi i dikurshëm i dhunës është zëvendësuar me dhunën e korrupsionit, me diktaturën e korrupsionit. Pasojat e dhunës dhe korrupsionit janë dramatike. Sot Shqipëria është republikë ku të korruptuarit bëjnë ligje për të mbrojtur njëri-tjetrin. Kjo është ajo që Edi Rama ka ndërtuar. Një sistem dhe regjim që po largon shqiptarët. Për herë të parë në 35 vite, Shqipëria sot nuk prodhon më, ky sistem ka vrarë meritokracinë. Në sistemet autokratike, ekonomia është e para që falimenton. Kjo është beteja jonë, kjo nuk është betejë partiake, por për thelbin e Republikës, për Shqipërinë e qytetarëve, jo të klientëve, për drejtësinë e barabartë. Në këtë përvjetor duhet të jemi më të fortë se kurrë. Brenda forcave opozitare ka pasur gjëra që na kanë ndarë, debate e qasje të ndryshme, por sot duhet ta shohim njëri-tjetrin duke thënë se ato që na ndajnë nuk janë më të mëdha se ato që na bashkojnë. Nuk ka rrugë tjetër për të ndalur shpopullimin, nuk ka rrugë tjetër për të shpëtuar Shqipërinë. Sot na duhet guxim, besim e bashkim. Vetëm bashkë e kthejmë lirinë. Autokratët bien, por Shqipëria është e përjetshme", theksoi ajo.

Ora 18:59
I distancuar nga Berisha dhe i rrethuar nga një grup të rinjsh, Salianji i bashkohet protestës së PD

 

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji i është bashkuar protestës së organizuar nga Partia Demokratike para godinës së Kryeministrisë.

Nga pamjet e siguruara nga Report TV, Salianji shihet tejet i distancuar nga kryedemokrati Sali Berisha dhe nga kupola drejtuese e PD-së dhe nën shoqërinë e disa të rinjve.

Kujtojmë se Salianji ka marrë pjesë në të gjitha protestat Kombatare të thirrura nga PD, pavarësisht se linja e tij politike nuk përputhet me atë të Berishës.

Ora 18:58
Zhvendoset grupi i Adriatik Lapajt, i lirojnë bulevardin Partisë Demokratike

 

Grupi i Adriatik Lapajt, të cilët qëndrojnë poshtë kryeministrisë 24 orë që prej 8 dhjetorit, janë spostuar në krahun tjetër të bulevardit duke i liruar vendin Partisë Demokratike.

Ora 18:57
Përballë Berishës, Ermal Hasimja u bën qytetarëve: Të mbrojmë SPAK dhe GJKKO

 

Ermal Hasimja, i cili prej disa javësh po kryen e rolin e "shkesit" politik, duke tentuar të bashkojë në llogore të vetme të gjitha partitë opozitare, foli në protestën mbrëmjes së sotme të Partisë Demokratike.

Ndërkohë që Sali Berishën e kishte përballë, Hasimja u bëri thirrje qytetarëve, që ndër shumë arsye të tjera, të protestojnë edhe për mbrojtjen e prokurorëve të SPAK dhe gjyqtarëve të GJKKO, të cilët po godasin korrupsion në nivele të larta, si dhe atë të kryer nga ish-zyrtarë të lartë të shtetit, përfshirë vetë krydemokratin.

"Njerëz të lirë të këtij vendi, njerëz të ndershëm dhe sidomos ju intelektualë, asnjë ndryshim nuk ka ardhur ndonjëherë nga kafeneja dhe divanate e rehatshme të shtëpive. Nëse mendoni se politika është e pisët, keni të drejtë, atë e mendoj unë, është sepse të ndershmit largohen dhe u hapin rrugë të pandershmëve. Vendi më i sigurt për një anije është porti, por anijet nuk janë bërë për të qëndruar në port. Nëse nuk ju pëlqejnë partitë që janë, krijoni partitë tuaja. Bashkohuni me ne që të kërkojmë kushtin minimal të demokracisë, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Bashkohuni me ne për të mbrojtur ata gjykatës dhe prokurorë të ndershëm që i nxorën bojën këtij sistemi të kalbur",- tha Hasimja.

Ora 18:53
Shkëlzen Berisha del në protestën e të atit, shfaqet krah Arjan Ndojës (VIDEO)

Shkëlzen Berisha është shfaqur sërish në protestën e Partisë Demokratike. Ai iu bashkua militantëve të të atit në sheshin para bulevardit, ndërsa siç shihet edhe në këtë video që sjell Report Tv, ai qëndron krah deputetit dhe ish-prokurorit Arjan Ndoja. Ky i fundit, i shkarkuar nga drejtësia për lidhje me krimin. 

Ora 18:48
‘Grupi i zjarrit’ në aksion, mes tyre dhe Gjin Gjoni! Me çadra për të fshehur fytyrat! Shoqërojnë Berishën nga pas me çanta me molotov (VIDEO)

Nuk mund të mungonte as në këtë protestë ‘grupi i zjarrit’ “i rekrutuar” nga Partia Demokratike. Të rinj të maskuar me kapuça e duke përdorur çadrat për tu mos ekspozuar përpara kamerave, janë shoqëruesit e Berishës gjatë mbërritjes së tij përpara kryeministrisë. Pjesë e tyre është dhe deputeti Gjin Gjoni. Në krahë gjithashtu kanë dhe çantat ku siç ka rezultuar dhe më parë, janë të mbushura me shishe molotov që hidhen drejt godinave të shtetit e akoma më keq drejt efektivëve të policisë.

Ora 18:38
VIDEO/ Protesta e Berishës fillon me këngë e valle...

 

Ndonëse ora 18:00 kishte kaluar, sheshi përpara kryeministrisë ishte thuajse bosh.

Në mungesë të protestuesve dhe të organizatorëve, në podium u ngjit dikush me daulle dhe performoi deri në mbledhjen e militantëve të Sali Berishës.

Ora 18:35
Pamjet me dron nga Report Tv/ Nga protesta në protestë, numri i militantëve të Berishës sa vjen dhe ulet

Report Tv sjell pamjet me dron nga protesta e 3-të e organizuar nga Partia Demokratike. Siç shihet, militantët e Berishës nga protesta në protestë sa vijnë dhe pakësohen në numër. Në pamje dallohet se numri i tyre është më i ulët se në protestën e 10 shkurtit. Ashtu si dhe herët e kaluara, protestat nuk kanë prodhuar asgjë tjetër përveç dhunës.

Ora 18:33
Protesta e PD/ Sali Berisha niset drejt kryeministrisë, militantët dhe besnikët i shkojnë nga pas

 

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë nga selia blu për tu drejtuar nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” për të çelur protestën e 3-të për këtë vit. Berisha shoqërohet nga besnikët e tij, Flamur Noka e Luçiano Boçi dhe nga militantët.

Ora 18:10
VIDEOLAJM/ Demokratët 'harrojnë' Berishën, shfaqen në selinë e PD me bluze të stampuara me imazhin e kryetarit të Bashkisë Kavajë

Disa demokratë janë shfaqur në selinë e PD-së para protestës me bluza në të cilat është stampuar imazhi i kryetarit të Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja.

Duket se Qosja i përfaqëson më shumë këta demokratë, edhe se vetë lideri i PD-së, Sali Berisha, i cili edhe ka thirrur këtë protestë.

Kujtojmë se Qosja u mbështet në garën për Bashkinë e Kavajës, ku edhe fitoi, nga ish-deputeti Ervin Salianji.