Ne dhe paragjykimet/Nga Alma Janka

Ne dhe paragjykimet/Nga Alma Janka
“Paragjykimi është një qëndrim I pabazuar, një mënyrë mendimi e ngurtë dhe zakonisht negative ndaj dikujt e diçkaje’’

Të gjithë ne jemi pjesë e një shoqërie në të cilën bashkëjetesa pa paragjykimet është e pamundur, pavarësisht se diku janë më shumë e diku më pak. Mjafton të përmendim këtu paragjykimet me bazë seksin, racën , krahinën, etninë, moshën, klasën shoqërore etj. Paragjykimet e secilit prej nesh janë të ndryshme për individë dhe grupe të ndryshme. Mendoj se një prej shkaqeve kryesore se përse paragjykojmë ësgtë mungesa e një informacioni të plotë apo besimi në informacion të gabuar. Kështu, duke mos njohur sa duhet një individ apo fenomen, anëtarët e një grupi të caktuar mund të arrijnë të ndryshojnë mendimin tonë e si rrjedhim, qëndrimet dhe sjelljet tona. Një gjë e tillë, megjithëse jo në të gjitha rastet do të çonte domosdoshmërisht në diskriminim, nuk do të ishte aspak e mirë apo efektive për të përcaktuar sjelljen, qëndrimet apo mendimet tona kundrejt një individi cilido qoftë ai.

Paragjykimet janë shumë pranë nesh, ose më mirë jetojnë me ne.

Ato nisin që në terminologjinë ‘’femër-mashkull’’, pra kemi të bëjmë me një paragjykim seksor dhe në këtë moment ne ne I kemi trajtuar qëniet njerëzore vetëm në aspektin biologjik e jo në atë shoqëror (social) që është po aq I rëndësishëm. Duke qënë se tek ne që kur lindim formohen skema apo stereotipe (stereotip-imazhi mendor I ekzagjeruar dhe I ngurtë për një grup të veçantë personash ose objektesh), të cilat përforëcohen gjatë vazhdimësisë së jetës, detyrimisht ne bëhemi pjesë e paragjykimeve për persona apo individë të ndryshëm, pasi nuk adaptohemi me të gjithë për vetë faktin se secili prej nesh është një qënie sociale unike dhe si e tillë nuk mund të pajtohet me gjithçka apo këdo.

Për sociologët, shkaqet që çojnë në paragjykime janë të shumta, edhe burimet po ashtu. Për shembull, zakonisht njerëzit pëlqejnë ata me të cilët ngjajnë ose ata , të cilët mendojnë se ngjajnë, duke përmendur këtu jo vetëm ngjashmëritë në ngjyrën e lëkurës apo cilësi të tjera fizike, por edhe për shijet , interest, besimet , qëndrimet apo vlerat. Dhe ne ndeshemi çdo ditë me njerëz të ndryshëm, burra e gra, fëmijë e të rritur, të moshuar, njerëz me aftësi të kufizuara , njerëz që I përkasin shtresave të ndryshme shoqërore, intelektuale e të tjera, dhe ndaj tyre mbajmë një qëndrim të caktuar, për shkak të paragjykimeve. Të gjithëve ne na ka rastisur të banojmë pranë personave të një tjetër race, nga ajo së cilë si përkasim, siç është për shembull komuniteti rom dhe dashur pa dashur I kemi mënjanuar, kemi mbajtur një qëndrim të njëanshëm, vetëm mbi bazën e anëtarësisë së tyre në një grup të caktuar dhe që nuk identifikohen me grupin në të cilin bëjmë pjesë. Sigurisht që kjo nuk është aspak positive, pasi në këtë rast I kemi diskriminuar mbi aspektin e tyre fizik(ngjyrën e lëkurës), mënyrën e jetesës, aftësitë e tyre intelektuale , gjuhën etj.

Duke bërë një gjë të tillë I kemi përjashtuar nga ajo që mund të konsiderohet “rrjedha normale e jetës”, duke mos lejaur dhe duke penguar integrimin e tyre në jetën shoqërore. Rrjedhimisht, kjo çon në një ndarje të thellë dhe në një diferencim të madh marrëdhniesh me ta, në krahasim me grupe të tjera.

Por këta nuk janë të vetmi ndaj të cilëve drejtohen paragjykimet. Mjafton që një individ apo një grup I caktuar njerëzish me sjelljet, qëndrimet, idetë, bindjet, besimet të dalë jashtë kornizave të stereotipeve që kemi krijuar dhe menjëherë bëhet object paragjykimi në mënyrë direkte apo indirekte.

Mund të përmendim këtu shumë prej atyre që vuajnë dënimet nëpër burgje (burra, gra , djem e vajza), përdorues të substancave narkotike, të sëmurët infektivë, homoseksualët, njerëzit e moshës së tretë, njerëz me me të meta fizike e shumë e shumë të tjerë. Ndalova në këta shembuj, për të treguar se si ne, se si e gjithë shoqëria është e prirur t’I gjykojë më shpejt dhe t’I etiketojë më lehtë si ‘’të padenjë’’ dhe ‘’ të papranueshëm” për vetë shoqërinë këta persona që kanë më shumë nevojë për socializimi, për ndihmë dhe aspak nevojë për t’I gjykuar e pëbuzur. Kështu, pa u menduar gjatë, por duke u mjaftuar vetëm në një gjykim sipërfaqësor, ‘’I përjashtojmë’’ nga jeta jonë ose devijojmë qëndrimet tona ndaj tyre. Këtu do të ndalonim në një tjetër burim të paragjykimit, në atë të reciprocitetit të qëndrimeve në komunitetin ose subkulturën ku rritet njeriu . sipas psikologëve dhe sociologëve, individët që lëvizin në zona të ndryshme ose që idnetifikohen me grupe të ndryshme janë prirur t’I ndryshojnë qëndrimet e tyre të paragjykuara për t’u konformuar me normat ose standartet e mjediseve të tyre të reja sociale. Po sipas sociologëve shumë nga paragjykimet që bazohen në kulturë, transmetohen tek fëmijët e vegjël nga prindërit, fqinjët, bashkëmoshatarët, nga shkolla, mjetet e komunikimit apo të informimit etj. Fëmijët dëgjojnë shumë biseda të rriturish , imitojnë sjelljet e tyre dhe I bëjnë të vetat qëndrimet dhe mendimet e të tjerëve.

Le të kujtojme për shembull një pjesë të fmëijërisë sonë. Jetuam në një vend me system dictatorial, ku shumë gjëra ishin të ndaluara dhe për këtë arsye jo pak njerëz u dënuan për motive gjithaq të ndryshme, veçanërisht për agjitacion e propagandë. Qëllonte që në zonat ku jetonim apo pranë tyre, të banonin edhe fëmijë apo të afërm të këtyre personave ‘’të padëshiruar’’ për shoqërinë e atëhershme . Por cili ishte problem në këtë mes? Fakti që ne luanim me fëmijet e tyre dhe si të tillë na ishte ndaluar t’u afroheshim pasi ata ‘’nuk ishin aq të mirë’’ për ne, ndonëse fëmijë. Jo pak fëmijë u rritën me disa ide e qëndrime të gabuara, kjo jo sepse kuptonim aq sa duhet, por sepse dëgjonim prindërit, mësuesit, të cilët për ne ishin ata që nuk gabonin kurrë dhe kështu përpiqeshim t’I imitonim e të ndiqnim shembullin e tyre. Jo vetëm kaq, por edhe kur e kaluam këtë periudhë, për shkak të paragjykimeve që kalonin deri në urrejtje , por edhe faktorëve të tjerë, nuk lejohej që me të tillë njerëz apo të afërm të tyre të lidheshin kryshqi apo miqësi të tjera.

Sociologët theksojnë faktin se njeriu paragjykon duke filtruar informacion të ri në atë ekzistues, pra riinterpreton dhe injoron çdo gjë që nuk përputhet me parakonceptimet e veta. Për shembull, duke qenë se gruaja është parë gjithmonë si një krijesë e dobët, jo agresive, e nënshtruar , familjare, çdo informacion që do të provonte të kundërtën, do të injorohej ose do të anashkalohej duke qenë se në shoqërinë tonë apo tek ne, është krijuar një ‘’skemë e tillë’’. Po kështu, rast I I afro-amerikanëve ose njerëzve me ngjyrë që shihen si më pak inteligjentë se të bardhët, çdo informacion që do të merrnim për to, përfshirë të kundërtën, do të merrej shumë pak në konsideratë, për të mo thënë fare. Cdo gjë do të qëndronte brenda të njëjtave kornizave.

Në shoqërinë shqiptare, në ditët e sotme jo rralë herë na rastis të njohim persona të ndryshëm nga ne, për stilin e të veshurit, mënyrën e të sjelllurit e të folurit dhe sigurisht që për ne krijohet një stereotip I caktuar sipas së cilit ne gjykojmë pozitivisht apo negativisht. Nëse dikush përpiqet të na e

mbushë mendjen për të kundërtën e asaj që mendojmë ne, do të injoronim çdo gjë që nuk përputhet me parakonceptimet tona.

Një tjetër paragjykim është ai krahinor e etnik. Shpesh, dëgjojmë apo themi pa të keq fjalë të tilla si; “malok’’, ‘’lab’’, ‘’fshatar’’, ‘’çeçen’’, etj. Menjëherë, sapo I dallojmë nga dialekti, nuk nuk ngurojmë t’I etiketojmë me të tilla epitete, pamenduar gjatë se I lëndojmë, I fyejmë, I paragjykojmë, madje jo pak herë arrihet deri në konflikte apo debate të ashpra mes individëve apo grupeve të ndryshëm. I paragjykojmë pa menduarse në një të ardhme apo një të nesërme, nëse ende nuk na ka lidhur gjë me ta, mund të na lidhë një miqësi e fortë, mund të bashkëjetojmë kolektivisht dhe individualisht. Të mos shkojmë shumë larg, porn ë atë që luan një rol tejet të rëndësishëm në komunikimin ndërmjet njerëzve, media. Shembuj realë e jo të paktë tregojnë se paragjykimet jetojnë me ne dhe media ndikon shumë në përforëcimin , sikundër edhe zbutjen e paragjykimeve. Të tilla fjalë që përmbajnë ngjyrat e zbehta të paragjykimeve krahinore apo etnike I përdorim shpesh sin ë kafene, në makina, në shkollë, punë, familje etj., dhe dashur pa dashur ne e ushqejmë të rritet edhe më’ këtë fenomen, I cili mund të çojë edhe në konflikte e përçarje në bashkejetesën kombëtare e sociale.

Paragjykimet nuk janë të njëjta, pra secili prej nesh paragjykon ndryshe duke u nisur nga mosha, intelekti, vendi nga vjen apo ku jeton , faktorët ekonomikë apo situativë, raca, seksi, bindjet, idetë etj. Pra, nëse ne paragjykojmë një individ të caktuar për mënyrën e të sjellurit apo diçka tjetër , ai ose ajo që ne kemi pranë, jo domosdoshmërisht do të paragjykonte për të njëjtën gjë. Jo rrallë herë na ndodh që në takime të para, biseda apo njohje të sapolindura, të paragjykojmë jo më për konceptet e sipërpërmendura , por për pamjen fizike, që do të thotë se shohim tiparet fizike, fytyrën apo trupin pa interpretuar cilësitë apo tiparet e personalitetit.

Themi se ky apo ajo nuk ‘’na ngjiti’’si tip, duke u nisur pikërisht nga këto karakteristika të llojit; i/e bukur, simpatik/e, i/e shëndoshë, apo duke nisur nga mënyra e të artikuluarit të fjalëve, zëri, dialekti etj., për të mos përmendur më pas defektet fizike, të cilat do të bënin që personi që kemi përballë të mos merrej fare në konsideratë apo të gjykohej mbi të tjera karakteristika ( personaliteti, intelekti, karakteri etj.). Për disa kjo vjen si pasojë e mungesës së dëshirës apo e predispozitës për të qëndruar pranë kësaj kategorie njerëzish, ndërsa për të tjerë sepse nuk duan të bëjnë figurë të keqe përpara miqve tek të cilët gjejnë veten ose mendojnë se ngjajnë. Sigurisht që nuk do ta përgjithësoja këtë lloj paragjykimi për shoqërinë tonë, por ai ekziston, sidomos tek të rinjtë. Shohim një grup vajzash sportiste, (futbolliste, peshëngritëse, qitëse, atlete etj.,), aspekti fizik I të cilave ndryshon nga ai që kanë vajzat zakonisht, sikundër ndodh të shohim edhe djem që nuk dinë të luajnë për shembull futboll (meqë është kryesisht një lojë mashkullore), apo që ndihmon në punët e shtëpisë, apo që nuk di të shajë e të ngrejë zërin e të tjera si këto, dhe menjëherë priremi të mashkullorizojmë femra dhe të feminizojmë djemtë e burrat, e të mos vemë në peshore cilësitë apo karakteristikat e secilit që pamja e jashtme nuk I tregon .

E për të mos u larguar nga kjo që përmenda më lart, qëndrojmë edhe për pak tek pamja e jashtme për të cilën njerëzit paragjykojnë shumë shpesh dhe që është po aq e rëndësishme kur bëhet fjalë për prezantimet e ndryshme për vende pune, veçanërisht në media (kryesisht ajo vizive). Shumë prej studentëve e studenteve që studiojnë në degën e gazetarisë, priren të ushtrojnë këtë profesion dhe deri këtu s’ka asgjë anormale, por ajo që vlen të diskutohet , është fakti se sa ndikon pamja e

jashtme në përzgjedhjen apo apo pranimin e tyre në poste të ndryshme. Ndodh që shumë vajza të mos pranohen në një detyrë të caktuar sepse nuk konsiderohen të bukura apo nuk I plotësojnë kriteret fizike që shefi, drejtuesi I një institucioni apo redaksie kerkon. Kjo varet edhe nga niveli professional apo intelektual I secilit prej këtyre të fundit. Por ndodh të pranohesh pikërisht , sepse nëj nga cilësitë e tua kryesore është të qenurit ‘’simpatike ‘’.

Në mënyrë absolute nuk dua të them se këto raste ndodhin rëndom, por janë aktuale në shoqërinë tonë. Mjaft të shohim kërkesat e ndryshme për punë , të prezantuara si në median vizive dhe në atë të shkruar dhe do të vërejmë se kemi të bëjmë me diskriminime moshore, të cilat fillojnë që në përzgjedhjen e grave dhe vajzave sipas moshës. Kjo gjë çon në zhgënjim, në dëshpërim të thellë dhe ç’është më e keqja, në ulje të vetëvlerësimit të grave e vajzave, disa prej të cilave mund të jenë të afta profesionalisht por që ‘’kanë fatin e keq”, të selektohen mbi këtë dallim (absolutisht nuk e përgjithësoj fenomenin, por e përmenda për të sqaruar kontekstin).

Kështu edhe në këtë rast, paragjykimet në bazë të seksit apo moshës, bëjnë punën e tyre. Po kështu edhe për djemtë, nëse ne prezantimet e para nuk lënë përshtypje bindëse për arsye nga më të ndryshmet; origjina, prejardhja, aftësia për t’u shprehur, të qenurit I ndrojtur apo jo, bindjet, raca etj., atëherë mundësia për t’u punësuar është më e vogël.

Për të plotësuar mendimin e mësipërm, duke qenë se është diskutuar shumë në biseda kafenesh, panele ekspertësh, auditore apo media të ndryshme që paragjykimet mes burrave dhe grave, djemve apo vajzave janë të dukshme në ekranet televizive, poste drejtuese, nëpër panele të programeve të ndryshme ku dominon pjesëmarrja active e meshkujve, duke paragjykuar se gratë e vajzat nuk janë shumë të afta për të qenë lidere , jo shumë të besueshme në intervista apo debate të ndryshme, jo fort bindëse kur bëhet fjalë për çështje madhore, qoftë edhe politike, e të tjera si këto. Kjo për shkak të stereotipeve të kristalizuara prej kohësh.

Për të folur për paragjykimet duhet shumë kohë pasi hapësirat në të cilat veprojnë ose ndikojnë, prekin të gjitha fushat e jetës, por ajo që do të ishte tepër e rëndësishme përsa I përket kësaj teme, do të ishte se ç’mund të bëhet për reduktimin dhe zbutjen e paragjykimeve dhe diskriminimeve. Efikas do të ishte integrimi më I madh social, arsimor, kulturor e gjithëpërfshirës I individëve dhe grupeve, në mënyrë që secili të mësonte më shumë, të kuptonte më shumë dhe të ekzistonte një bashkëpunim më I ngushtë.

Ndërsa e parë në këndvështrimin sociologjik, tre janë rrugët e gjetura si më frytdhënëse për reduktimin e paragjykimeve dhe diskriminimeve. Së pari, përdorimi I kontaktit mes paragjykuesve e të paragjykuarve (si në shkollë, punë e në të gjitha situatat e jetës). Së dyti, trajtimet konjitive, ku një ndër parimet kryesore është vënia në dukje e vlerave të grupeve të paragjykuara. Duke shpalosur hapur vlerat e një individi mund të çosh në ndryshime në sjellje ndaj etnisë, rracës, seksit etj., së treti, trajtimet educative, të cilat konsistojnë në forma të ndryshme edukimi në shkolla, universitete, njerëz të ndryshëm. Një ndër teknikat kryesore të këtij trajtimi është asimiluesi kulturor , I cili synon të minimizojë paragjykimet sociale nëpërmjet të kuptuarit të sjelljes së tjetrit.

Paragjykimet sociale janë aq të vjetra sa rraca njerëzore e nëse do të vazhdojmë të ecim me të njëjtin ritëm (duke mos u përpjekur t’I minimizojmë), jo vetëm që ato nuk do të reduktohen por do të shtohen akoma më shumë.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Braimllari: Njerëz pranë Metës kërkojnë të mos më bëjnë like dhe share

Braimllari: Njerëz pranë Metës kërkojnë të mos më bëjnë like dhe share