Në “Kopshtin e mbyllur” të Orion Shimës, aty ku bashkëjetojnë bukuria femërore dhe natyra

Orion Shima kapërcen kufirin, e me “Hortus conclusus” i jep një tjetër formë gjendjes së tij artistike … Në ekspozitën e çelur këto ditë në galerinë Fakultetit të Arteve Pamore duket se peneli i artistit merr spunto nga poetika mesjetare me konceptin e “Kopshtit të mbyllur”. Kjo hapësirë në dukje e izoluar, vjen e pashkëputur nga periudha e fëmijërisë, ku artisti gjen jo vetëm esencën e ekzistencës, por edhe atë të purifikimit shpirtëror.

“Gjithë spuntoja e kësaj ekspozite nis nga historia e artit, temat hera- herës unë i marrë nga historia e artit, që për herë të parë i gjejmë si termë në periudhën e mesjetës e më pas unë i sjell në formë aktuale, duke i sjell në harmoni. Jo domosdoshmërisht janë figura konkrete, por kam bërë bashkë atë që ka qenë konkrete me një zonë imagjinare. Tek e fundit unë mendoj se natyra dhe femra janë dy bukuri që duhet që të bashkëjetojnë me njëra-tjetrit”, shprehet piktori Orion Shima.

Një proces i domosdoshëm për krijimtarinë e tij, e që e lejon piktorin të mbështillet nga ky “mur” ngjyrash e formash nudiste femërore, duke u tërhequr në një lloj meditimi artistik.

“’Hortus conclusus’ duket pak pretencioze si term latin por, në historinë e artit ka valencën e vet, është një citim nga “Kënga e këngëve”, libri më erotik që ndodhet në bibël në mënyrë të rastësishme. Fjalë për fjalë është “Kopsht i mbyllur”, metafora që dhëndri i drejtohet nuses në ditën e parë”, shpjegon kuratori i ekspozitës Parid Teferiçi.

Një meditim që konkludon me piktura sa artistike edhe shpirtërore, që pëshpëritin ciklet paraprake,  e krijojnë përshtypjen se tentojnë një lloj“daljeje” të pazakontë nga Edeni, por të dëshiruar.

“Edeni i zanafillës është pikërisht parajsa e humbur me të cilën është ndërtuar gjithë qytetërimi ynë, përzënia nga parajsa e pafajshme e gjenezës dhe mbërritja në aktualitetin ku jemi. Nuk kemi të bëjmë me ndonjë eden të mirëfilltë apo paraqitje të temës klasike të dëbimit nga parajsa. Por kemi një trajtim të personazheve brenda natyrës, ku ndryshe nga ciklet e mëparshme natyra nuk është vetëm sfond apo skenë, por ndërfutet dhe tek siluetat e personazheve për të paraqitur gjendjen e tyre të trazuar shpirtërore. Jemi në cakun e fundit të adoleshencës edhe të pafajësisë”, shpjegon Teferiçi.

Figurat e Shimës, gati dialoguese me natyrën nuk e bërtasin kapërcimin nga “pafajësia” në adoleshencë, e as trazirat shpirtërore, gati sikur duan të thonë, se burimi i rinisë nuk mund të shuhet dhe rritja është një proces i natyrshëm…

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Turneu i Madridit, Rafael Nadal: S'jam gati, do luaj vetëm për dashurinë e tifozëve

Turneu i Madridit, Rafael Nadal: S'jam gati, do luaj vetëm për dashurinë e tifozëve