Në studion e Sefedin Stafës, piktori i filozofisë së ngjyrave dhe dritës (VIDEO)

Këto peizazhe, portrete, trazime të natyrës, të punuara me bojëra vaji, shpërfaqin idenë e një harmonie të thellë mes subjektit, objektit dhe shpirtit. Ndërsa hyn në studion e piktorit  Sefedin Stafa, vizitori mund të prek të gjitha raportet e harmonisë. Shpërthejnë ngjyrat dhe ashtu të derdhura në telajo me ato flukse drite të prekin në emocione.

Ndjeshmëria ishte e para, pikërisht ajo që dhjetë vjet më parë e ka detyruar piktorin që të ndjek ritmin e zemrës e të kthehet kundër rrymës në kohë të vështira në atdhe. Sefedin Stafa, autori i disa veprave të strehuara në galeritë e Greqisë, Gjermanisë, Italisë, Zvicrës apo në Kanada e gjetkë  punon pa e hequr penelin nga dora dhe nuk ndihet kurrë i lodhur. Në të kundërt, rruga e tij e artit nuk do të ishte kaq e gjatë.

“Rruga ime ka filluar shumë herët. Unë kam filluar që 8 vjeç të punojë me bojëra vaji. E kam filluar pikturën me një profesor Tahir Tahiraj në Burrel, që tani nuk jeton më, dhe me kalimin e viteve kam pasur profesor për gati pesë vjet Fatmir Haxhiun, një piktor skrupuloz, një piktor batalist që i mungon artit tonë. Dhe tek profesor Fatmiri ishte tamam një shkollë, jo një lice, por ishte një Akademi. Më vonë pastaj, gjatë studimeve në Akademinë e Arteve kam pasur fatin që të kem profesor Sali Shijakun, Guri Madhin, Hektor Dulen, piktorë dhe skulptorë tepër të talentuar. Janë ata që kanë vënë gurët e artit shqiptar. Ne në atë kohë, pavarësisht se ishte art i realizmit socialist, por e vërteta është se nuk mund të ekspozohej në atë kohë, nëse nuk kishte vlerë artistike, kishte kompozime. Sot kanë filluar të bëjnë një pikturë pak të lehtë, është futur një lloj filozofie brenda, por është një pikturë që nuk të mban. Ne me brezin tim dhe disa piktorë të plenerit dalim e pikturojmë në natyrë, dhe janë pasuruar veprat me këto elementë, dhe nga ana tjetër nxjerrin në pah vlerat e bukura të natyrës në vendin tonë.

Më tej, Sefedin Stafa tregon se shkolla shqiptare ku ka studiuar ishte një stimul shumë i madh.

“Sot mua më duket se janë të dobët pedagogët në Universitetin e Arteve”. Unë mendoj se janë të papërgatitur edhe nga ana teorike dhe unë nuk e di sesi do të dalë ky brez nga shkolla.” -thotë piktori Stafa.

Ai rrëfen se çdo artist e nis rrugën e tij duke punuar dhe pastaj e gjen rrugën e vet. Ndërsa vetë është piktor realist, Stafa  ka një mesazh për të rinjtë që synojnë artin modern. “Të rinjtë të bëjnë arte moderne, por edhe të edukohen me pikturën. Dhe arti ka qëllim që artisti të shohë të bukurën. Nuk mund ta bëjë e shëmtuara artin. E shëmtuara është e shëmtuar.

I pyetur se pse zgjodhi të ruante stilin klasik në sfidat e artit të sotëm modern, Sefedin Stafa thotë se:

“E vërteta është që në Greqi unë kam punuar artin klasik, por me spikatje edhe të një lloj impresionizmi, edhe me elementët e hiperealizmit brenda për të bërë artin tim. Mjetet që përdor unë, janë ato që bëjnë pikturën. Kështu që edhe në Greqi pjesën dërmuese të pikturave e kam pasur të stilit tim, por bëja edhe piktura moderne, sepse m’i kërkonin, por aty nuk isha unë. Madje, unë për të ruajtur atë që ishte emri im, stili im, erdha këtu. Gruan e vajzën i kam lënë atje, djali ka ardhur këtu. Pra, unë u ktheva për të ruajtur emrin, tim.”

Duke ruajtur një marrëdhënie të fortë të harmonisë së dritës me tokën, Sefedin Stafa krijon raporte të dritës me kontrastin e hijes dhe koloritin që preferon. “Kolori është shpirt, -thotë Sefedin Stafa, -është çështje ndjesie.”

Ndërsa i kujtojmë pikturat që ka bërë me motive afrikane, Stafa sjell shembullin e organizimeve të ekspozitave në Greqi, ku njëra prej tyre ishte me piktura nga Afrika. Sigurisht piktori u tërhoq edhe nga ngjyra dhe bukuria fizike e afrikanëve dhe ka bërë dhjetëra punë me portretet dhe imazhet afrikane. Ai thotë se në atë ekspozitë u shit pjesa dërrmuese dhe u dërguan të ardhurat në ndihmë të fëmijëve. Ky organizim i grekëve, e kujton piktorin të sugjerojë bërjen e ankandeve të veprave të artit për qëllime bamirëse.

“Në Shqipëri, na mungon menaxhimi i veprave të artit. Na mungon kritika për artin. Autorët janë lënë jashtë vëmendjes së shtetit dhe është për të ardhur keq që për dramën, muzikën pikturën mund të studiosh në klasë të dhjetë dhe asgjë më shumë. Ç’do të thotë kjo. Duke mos u edukuar me kulturën, ne shkatërrojmë kulturën e një kombi.”, thotë Stafa.

Piktori ngre zërin për pikturën monumentale, kulturë që është në zhdukje. Duke kujtuar muralen e Muzeut Kombëtar që po dëmtohet, Sefedin Stafa thotë se ka ndalur procesi i bërjes së pikturave monumentale.

“Për gjykimin tim duhet që të punohet në këtë drejtim, sepse nëse shihet jashtë vendit edhe zyrat e kryeministrave janë me piktura murale të vjetra. Na mungon dëshira për të bërë gjërat e duhura.”

Sefedin Stafa është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, i specializuar në pikturën monumentale në vitin 1978. Edhe pse ka lënë gjurmë të thella me krijimtarinë individuale, sërish piktori Stafa nuk e sheh dot atë të shkëputur nga krijimtaria kombëtare. Ai ngre zërin dhe shpreson shumë që ta dëgjojnë:

Sefedin Stafa, është përpjekur për gjallërimin e jetës artistike. Gati dhjetë vjet më parë çeli Galerinë “Colosseu” në Durrës, një kontribut që u vlerësua edhe nga shkrimtari i madh, Ismail Kadare, por duke mos pasur asnjë mbështetje dhe vëmendje nga institucionet, së fundi kjo galeri u mbyll. Mbyllja e galerive, por edhe lënia pas dore e Galerisë Kombëtare të Arteve, e shqetëson artistin.

“Nuk mund të lihen artistët në rrugë. Galeria Kombëtare e Arteve është shtëpia jonë, ndërsa tani ne nuk e dimë as çfarë bëhet atje”, thotë Stafa.

Këndvështrimi i artistit të befason. Sefedin Stafa nuk e koncepton pikturën e tij vetëm si art për syrin, ai thellohet në esencën e lidhjeve të forta që ka me natyrën. Pas kësaj piktura e Sefedin Stafës kthehet në një univers shumështresor përsiatjesh.

Ai ka pasur disa ekspozita individuale në në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, dhe më pas në Athinë, në Greqi.

Ai është shpërblyer disa herë me çmime. Shumë prej veprave të Sefedin Stafës gjenden sot në disa galeri dhe koleksione private në Greqi, në Gjermani, Itali, Zvicër, por edhe në shtetet e bashkuara të Amerikën e në Kanada. 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Gjendet i pajetë emigranti nga vendet e Lindjes

Korçë/ Gjendet i pajetë emigranti nga vendet e Lindjes