Tetorin e këtij viti pritet të regjistrohet çdo metër tokë që mbillet, çfarë kultivohet, sipërfaqja e fermave bujqësore, makineritë që përdoren e deri tek të punësuarit në këtë sektor.

Në Komisionin e Ekonomisë sekretari i përgjithshëm i INSTAT tha se ka nisur puna përgatitore për censin e fermave bujqësore apo blegtorale, por vonesat në miratimin e ligjit, vështirësojnë mundësinë e realizimit të tij në kohë.

“Gjatë këtij viti INSTAT ka marrë masat për të bërë të gjitha organizimet metodologjike të nevojshme, si finalizimi i pyetësori, me bazë edhe tek censi i popullsisë dhe banesave por edhe të dhëna administrative. Në muajin maj ishte planifikuar edhe funksionimi i Komisionit të Censit në nivel bashkie, si struktura kyçe për koordinimin lokale. Një pjesë e aktiviteteve nuk janë 100% të realiziuar për shkak se janë në vazhdimësi. Censi është një proces shumë dinamik, dhe duke marrë parasysh të gjitha vonesat e deritanishme patjetër ka hapa që na krijojnë vështirësi, megjithatë ka ende hapësirë për të realizuar aktivitetin me cilësinë e nevojshme”, tha Alban Çela sekretar i INSTAT.

Debate në komision pati për buxhetin që do të shpenzohet për censin e bujqësisë, pasi INSTAT thotë se nuk ka fonde të miratuara.

Censi i bujqësisë ka pasur një zë të caktuar në buxhetin e këtij viti që këtë pjesën që thoni se s’dimë buxhet, mos e thoni sepse e kemi miratuar”, tha Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit të Ekonomisë.

Projektligji për ‘Censin e Bujqësisë’ u miratua më 3 qershor në qeveri, dhe pritet të marrë vulën përfundimtare në parlament, në mënyrë që ti hapet rruga INSTAT për përgatitjen e pyetësorëve dhe të strukturave për të nisur numërimi.

Censi pritet të kushtojë 8.9 milionë euro dhe brenda 4 javësh INSTAT synon të regjistrojë tokën bujqësore që mbillet, fermat bujqësore e deri tek tufat e bagëtive.

Fotografimi i fundit që i është bërë sektorit bujqësor dhe blegtoral ka qenë në vitin 2012, dhe brenda kësaj periudhe sipërfaqja e tokës së mbjellë është tkurrur me 18.7 mijë hektarë, ndërsa stallat e bagëtive janë rrudhur me 960 mijë krerë më pak.