Negociatat, Rama: Macron brutal,por i sinqertë! Steriotipet për shqiptarët, fyese (VIDEO)

TIRANE-Kryeministri Edi Rama nga konferenca për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE u shpreh se  refuzimi për hapjen e negociatave në tetor erdhi si pasojë e luftës së brendshme në union. Megjithatë, ai vlerësoi qëndrimin e drejtpërdrejt të presidentit francez Macron edhe pse, vijoi më tej, Rama 'ishte brutal'.

"Tërmeti i tetorit ishte politik dhe jo fizik dhe tronditi shpirtrat dhe jo tokën. Pas refuzimit për të marrë çeljen e negociatave. E kuptojmë që ky refuzim ishte rezultat i disa luftrave të brendshme të BE-së që u materializua në debate dhe mosmarrëveshje lidhur me ne dhe Maqedoninë. Këto grindje të brendshme kanë të bëjnë edhe me gjëra themelore që përkufizojnë mënyrën si BE-ja dhe KE-ja funksionojnë sot. Një gjë është dëshpëruese, pasi janë thënë të gjitha bëhet shumë shqetësues se edhe pse mbeten grindje të brendshme, arsyet pse ndodhi ky refuzim, nuk ka një mënyrë të drejtpërdrejt dhe shumë prej arsyeve fshihen pas disa përfundimeve steriotipike apo pas një mesazhi të formuluar steriotipik, i cili është fyes për vendin. Cka nënkupton se nuk ka dyshime se Shqipëria nuk është aspak vend që nuk ka probleme.

Negociatat janë bërë për të ndihmuar vendet që të përmirësohen në këto drejtime që janë problemet. Do të doja të thoja që e shoh Francën ndoshta si aktorin më të ndershëm në këtë debat, pasi Macron ka një qëndrim që është shumë i hapur i drejtpërdrejt dhe brutal. Ajo cka po thonë është se Europa sikur është nuk funksionon. Është e vërteta e thënë prej tij dhe nuk është një mënyrë për t'i rënë vërdallë, ashtu si të tjerët preferojnë që të thonë. Lajmi i mirë është që kjo ka hapur një debat të mirë dhe ka sjellë disa ndryshime në metodologji, që në fakt duket se janë të mira, qoftë për vendet dhe komisionin dhe unionin dhe ndoshta do ta bëjnë procesin më të qartë dhe shumë më të drejtë. Sepse dimë që djalli fshihet te detajet, e përvoja na ka treguar se për më të vegjlit dhe më të dobëtit rregullat nuk janë asnjëherë të respektuara, ndërsa për më të mëdhenjtë dhe të pasurit ka gjithmonë një rrugë.

Në të gjithë këtë situatë të paqartë për ne, ajo që ndodhi në konferencën e donatorëve ishte një lehtësim i madh, e jashtëzakonshme. Europa është vendi i vetëm ku shqiptarët duan të jetë. Pavarësisht formaliteteve, hapjes ose jo të negociatave ne do të ecim në të njëjtën rrugë. Shengeni rajonal, jemi tregje të vogla dhe nuk mund të rrimë brenda përmasës së vogël. Kjo e bën integrimin në BE shumë më të plotë dhe më të lehtë, pasi nga ajo që kuptoj nga metodologjia, vendet do të maten jo vetëm me atë që bëjnë së brendshmi por edhe me atë si sillen rreth tyre. Nuk na duhet konsensus, është e hapur dhe e lirë për cilindo që do të jetë pjesë e kësaj nisme. Cdo vend dhe cdo shtet merr vendimet e veta" tha ai.

Rama u ndal edhe te shengeni rajonal, ku shprehu bindjen se herët a vonë edhe Kosova do të bëhet pjesë. "Serbia nuk duhet dhe nuk mund të vendosë asnjë veto asnjë kusht dhe paragjykim si vendet e tjera duan të ecin brenda kësaj nisme. Pra ti thuash jo kësaj, është ti thuash jo historisë dhe të ardhmes. Jam i sigurt se kjo do të na bëjë bashkë të gjithëve, herët më shumë sesa vonë. Nuk është e thënë të biem dakord për gjithcka. Qëndrimi ynë në raport me Kosovën karshi Serbisë nuk ndryshon është i qartë". Pas fjalës, Edi Rama u largua duke bërë edhe një batutë. "Po ju lë në duar të sigurta të kryetarit të bashkisë", referuar Erion Veliajt.

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në konferencë
Faleminderit që keni organizuar këtë takim dhe që na jepni të gjithëve rastin të ndajmë disa mendime sëbashku me Fondacionin “Fridrih Ebert Stiftung”.

Unë mendoj që nuk është ide e keqe që së pari, të theksojmë sa shumë e vlerësojmë atë çfarë ndodhi pak ditë më parë në Bruksel. Sinqerisht, pa asnjë ekzagjerim, fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur mirënjohjen ndaj gjithkujt që mori pjesë në këtë përpjekje të jashtëzakonshme përbashkuese, që bëri bashkë të gjitha vendet europiane dhe përtej tyre.

Sigurisht që kjo nuk do të kishte qenë e mundur pa BE-në, pa Komisionin e mbi të gjitha pa Presidenten e Komisionit, e cila ishte personalisht e angazhuar qysh prej momenteve të para të pas katastrofës së tërmetit. Njëfarësoj më duhet të them se ishte një lehtësim i jashtëzakonshëm për kombin shqiptar, jo vetëm falë fondeve të jashtëzakonshme që u mobilizuan, por përtej kësaj, për shkak dhe falë sinjalit mjaft të fortë të respektit e të kujdesit karshi popullit shqiptar dhe Shqipërisë.

Siç e përmenda edhe atje, tërmeti i nëntorit ishte shkatërrimtar dhe na la plot plagë. Megjithatë erdhi pas një tërmeti tjetër, tërmetit të tetorit, i cili nuk qe fizik, por politik dhe që tronditi shpirtrat, jo tokën e vendit, pas refuzimit për të marrë vendimin për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Sigurisht e kuptojmë plotësisht që ky refuzim ishte rezultat i disa luftërave të brendshëm të BE-së, që u materializua në debate dhe mosmarrëveshje lidhur me ne dhe me Maqedoninë e Veriut dhe për zgjerimin si i tillë, ndërkohë që e dimë shumë mirë që këto dridhje të brendshme kanë të bëjnë jo vetëm me këtë, por me gjera të tjera themelore, të cilat përkufizojnë mënyrën sesi BE-ja dhe Komisioni funksionojnë sot.

Natyrisht është plotësisht legjitime të shohësh dhe të kuptosh se disa prej vendeve themeluese të BE-së si Franca, përshembull, kanë shqetësimet dhe mendimet e tyre ndryshe në lidhje me mënyrën e funksionimit të BE-së. E po kaq është absolutisht e kuptueshme që, edhe pse përpiqemi e përpiqemi për t’u afruar dhe për t’u bërë pjesë e kësaj shtëpie të përbashkët, ata që e kanë shtëpinë, ndërkohë kanë të drejtë të thonë se si mund të funksionojë më mirë kjo shtëpi. Mund të biem dakord, ose jo dakord me këto kërkesa, por ky është realiteti dhe nuk ka arsye që të vëmë në pikëpyetje legjitimitetin e këtyre kërkesave.

Sidoqoftë, një gjë është vërtetë dëshpëruese, sepse, pasi janë thënë të gjitha, bëhet shumë shqetësues fakti që edhe pse këto mbeten grindje të brendshme brenda shtëpisë, kur bëhet fjalë për të dhënë arsyet pse ndodhi ky refuzim, nuk ka një mënyrë të drejtpërdrejtë me të cilën thuhet dhe shumë prej arsyeve fshihen pas disa përfundimeve mjaft stereotipike, apo pas një mesazhi të formuluar stereotipik, i cili në fakt është fyes për vendin, çka nënkupton se nuk ka dyshime që Shqipëria apo çdo vend tjetër në këtë fazë të rrugëtimit të integrimit e të tjerë më parë nuk janë aspak vende që nuk kanë probleme. Nuk ka asnjë dyshim që të gjitha fjalët kyçe të këtyre mesazheve, si krimi i organizuar, korrupsioni, mangësitë në administratën publike e kështu me radhë janë sfida reale dhe probleme reale, të cilat duhet zgjidhur, nuk ka dyshim për këtë. Sepse, nëse këto probleme e sfida nuk do të ishin reale dhe serioze në këtë fazë, atëherë, përse do të na duhet të kërkonim çeljen e  negociatave. Do të kërkonim të bëheshim anëtarë të BE-së menjëherë. E fundja, për çfarë shërbejnë negociatat për anëtarësim. Ato janë bërë për të ndihmuar vendet që të përmirësohen saktësisht në këto drejtime dhe për t’i ofruar çdo vendi një udhërrëfyes sesi, hap pas hapi, proceset demokratike të shtetndërtimit po ndodhin.

Nga ana tjetër është shumë e qartë që procesi është bërë gjithnjë e më tepër i vështirë dhe gjithnjë e më tepër dëshpëruese i padrejtë për vendet që janë në radhë për t’u anëtarësuar. Kjo është arsyeja që përpara çeljes së negociatave, Shqipëria ka bërë shumë më tepër se çdo vend tjetër, i cili ka hapur më parë këto negociata. Kjo nuk vlen vetëm për Shqipërinë, kjo vlen për të gjitha vendet në radhë. Nëse do të shihni procesin si ka shkuar për Poloninë dhe për ata që kanë qenë kandidatë më parë për integrimin dhe po ta shohësh tani, është bërë gjithmonë e më tepër kërkues, gjithmonë e më tepër i padrejtë, gjithmonë e më tepër i vështirë për shkak të kërkesave, të cilat janë bërë gjithmonë e më të detajuara e ndonjëherë edhe kufizuese.

Megjithatë është në rregull, por duhet të vijë një pikë kur i vjen fundi, sepse është si një ushtrim, i cili nuk ka fund. Në çdo moment kur një, dy, tre, katër apo pesë vende kanë problemet e tyre, kanë dinamikat e tyre faktike dhe duan të thonë “jo”, ato e kanë mundësinë që të gjejnë pretekste, duke iu drejtuar gishtin vendeve të cilave u thonë jo, jo për shkak të vetë vendit në vetvete, por për shkak të problemeve që kanë ata. Ne e dimë shumë mirë, jo vetëm pas fakteve, por gjithashtu edhe nga diskutimet që kemi filluar, që kanë problemet e tyre.

Për të mos vazhduar më gjatë me këtë, do të doja të thoja që e shoh Francën ndoshta si aktorin më të ndershëm në këtë debat, sepse Presidenti Macron ka një qëndrim që është shumë i hapur, është shumë i drejtpërdrejtë e shumë brutal do të thoja. Ajo çfarë po thonë është që Europa siç është, nuk po funksionon. Mund ta vini në pikëpyetje, apo mund të bini dakord ose jo me këtë, por është e vërteta e thënë prej tij e prej tyre, ashtu siç e shohin dhe nuk është një mënyrë për t’i rënë vërdallë duke thënë që ne duam shumë ta bëjmë këtë gjë tani, por Shqipëria nuk është gati, sepse ka shumë probleme ende për shkak të kësaj apo asaj gjëje, ashtu siç të tjerët në fakt preferojnë të thonë.

Për ta përmbyllur me lajm të mirë është që kjo ka hapur një debat të mirë dhe ka sjellë disa ndryshime të rëndësishme në metodikën e bisedimeve të anëtarësimit, që në fakt duket se janë të mira, qoftë për vendet, ashtu dhe për Komisionin, si dhe për Unionin dhe ndoshta do ta bëjë procesin shumë më të qartë e shumë më të drejtë. Unë them ndoshta sepse dimë që djalli fshihet tek detajet dhe përvoja na ka treguar se për më të vegjlit e më ë dobëtit, rregullat nuk janë asnjëherë mjaftueshëm të respektuara, ndërkohë që për të mëdhenjtë e për të pasurit ka gjithmonë një rrugë.

Kjo është ajo çfarë do të doja të thoja e kjo është arsyeja se përse në të gjithë këtë situatë të paqartë për ne, ajo çfarë ndodhi në Konferencën e Donatorëve ishte e jashtëzakonshëm e ishte një lehtësim mjaft i madh, sepse për shqiptarët, të qenit në Europë është shumë më tepër sesa thjesht integrimi mekanik në Bashkimin Europian dhe ka të bëjë shumë me shpirtin e tyre, ka të bëjë  me psikologjinë e tyre, nga se u është dashur të jetojnë gjithë jetën, për shekuj të tërë, në një vend historie ku nuk mund të zgjidhnin dhe ku ju është dashur tu përshtaten regjimeve dhe situatave të ndryshme. 

Europa është vendi i vetëm ku shqiptarët duan të jenë e do të jenë përpara se sa dukej e mundur e përpara se sa të ishte jo e pamundur, por jashtë çdo përfytyrimi që ne mund të kishim një zë, së paku, tashmë kemi një zë dhe mund të ecim përpara dhe pavarësisht formaliteteve, hapje apo jo hapje e negociatave, ne do të ecim në të njëjtën rrugë. Sigurisht është shumë më mirë që të na njihen përpjekjet, por nuk e bëjmë këtë sepse na kërkohet nga Berlini, Parisi apo Brukseli, e bëjmë sepse është e vetmja gjë që na duhet të bëjmë për fëmijët tanë.

Në këtë aspekt mendoj që drejtohet dhe përpjekja jonë për integrimin e bashkëpunimin rajonal, për Shengenin Rajonal, që për të gjithë ata që i janë referuar si “Mini-shengen”, e kanë emërtuar shumë keq, sepse nuk është mini, është thjesht në masat reale, çfarëdo përmasash ka rajoni ynë, për t’u siguruar që njerëzit, mallrat, kapitalet e shërbimet të lëvizin lirisht nëpër të gjithë rajonin. E natyrisht për t’u hapur e për të pasur një hapësirë më të madhe për ekonominë tonë, sepse jemi tregje shumë të vogla e nuk mund të përballojmë që të rrimë brenda kësaj përmasës sonë të vogël, pasi nuk funksionon thjesht kaq dhe nuk na jep gjithçka mund të përftojmë nga potenciali në hapësirën ku jetojmë. E jo vetëm kaq, por është krejt e kundërta e asaj çka është kriticizmi kundër tij, që krijon një alternativë ndaj Bashkimit Europian. Jo, e bën integrimin në Bashkimin Europian shumë më të plotë e më të lehtë do të thoja, pasi, me aq sa kuptoj nga metodologjia e re, ka një element rajonal po kështu të përfshirë aty dhe herët a vonë, vendet tona do të maten jo vetëm me atë çka bëjnë së brendshmi, por edhe se si sillen përreth tyre, që është e drejtë.

Ndaj, nëse për momentin nuk kemi shans për t’u integruar në hapësirën e 4 lirive të Europës në Bashkimin Europian, kemi mundësinë të bëjmë këtë me rajonin. Ndërkohë që individualisht na duhet të punojmë për t’u vlerësuar e për t’u shpërblyer kundrejt apo në raport me integrimin e vendit, në pikëpamjen rajonale, ne mund ta bëjmë këtë paralelisht dhe është me dobi për gjithkënd, është me dobi për njerëzit, për punonjësit, për sipërmarrësit, për turistët, për të gjithë. E nuk është aspak e ngjashme me Bashkimin Europian për një pikë, sepse nuk na duhet konsensus për gjithçka. Është shumë e hapur, shumë fleksibël, është e lirë për gjithkënd. Nuk ndërtohet mbi bazën e mekanizmit të konsensusit,  që kushdo që është pjesë e kësaj nisme duhet të bjerë dakord për gjithçka, apo ata që nuk duan të bien dakord për diçka bllokojnë të gjithë të tjerët. Jo, çdo vend, çdo shtet merr vendimet e veta. Nëse do ta bësh lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave me tre vende, mund ta bësh me tre vende. Nëse nuk do ta bësh me të gjitha vendet, mos e bëj me të gjitha vendet, por duhet të jesh pjesë e nismës për të pranuar parimet dhe për t’i lënë të tjerët të bëjnë atë çka duan të bëjnë.

Kjo është arsyeja pse them se liria e lëvizjes së njerëzve është e mundur vetëm duke i pasur të gjithë si pjesë e kësaj nisme, në të kundërt nuk funksionon, sepse në momentin që një vend largohet i vetëm nga kjo nismë e pa asnjë marrëveshje në parim me vendet e tjera, sigurisht që në Ballkan ka gjithmonë një mundësi të thuhet që po bëjnë këtë, si të thuash, vend të madh apo atë vend të madh. Nëse, përshembull, themi dhe e kemi thënë më përpara e nuk ka funksionuar, që do të hapim kufirin me Kosovën e do të kemi lirinë e lëvizjes së njerëzve, nuk është ndoshta Beogradi që do të hidhet, por është Uashingtoni, Brukseli që thonë jo, në asnjë mënyrë. Në momentin që ne ishim drejtë kësaj rruge në tetor, patëm disa sinjale nga Brukseli, për të qenë të kujdesshëm që të mos konsideronim asnjë lëvizje të një forme tjetër, nëse rezultati do të ishte negativ, pra, saktësisht, për të mos marrë në konsideratë këtë, hapjen e kufirit. Pse?

Sepse nuk mund ta bësh nëse nuk ke dakordësinë e të tjerëve për të lëvizur në bazë të të njëjtit parim. Nëse Kosova është pjesë e kësaj nisme, nuk është e detyruar të bëjë të njëjtën gjë me Shqipërinë dhe Serbinë, është shumë e thjeshtë dhe kjo është ajo për të cilën kemi rënë dakord me Serbinë, që Serbia nuk duhet dhe nuk mund të vendosë asnjë veto, asnjë kusht, asnjë paragjykim për mënyrën sesi vendet e tjera, shtetet e tjera duan të ecin brenda kësaj nisme. Pra, t’i thuash jo kësaj, është t’i thuash jo historisë, të ardhmes dhe jam i sigurt që kjo do të na bëjë bashkë të gjithëve. Jam i sigurt që herët më shumë sesa vonë do të jemi të gjithë bashkë pjesë e saj, sepse nuk mund të vazhdojmë të rrimë, të refuzojmë e të kundërshtojmë gjëra që janë kaq të dukshme, kaq të qarta e që nuk kanë asnjë problem.

Natyrisht nuk është e thënë të biem dakord për gjithçka, është shumë e thjeshtë. E them këtë, mbështetur në këto mosmarrëveshjet e mëdha. Nuk kemi arsye pse. Qëndrimi ynë në raport me Kosovën është shumë i qartë karshi Serbisë, nuk ndryshon, por duke bërë atë që po përpiqemi të bëjmë, besojmë që krijojmë më shumë mundësi për një dialog më këmbëngulës e më të qëndrueshëm e jo më pak.

Ju falënderoj edhe një herë dhe ndjesë që ndoshta fola pak gjatë, por Ballkani është një histori e gjatë. 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon

VIDEO/Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon