Neofuturisti Daniel Schinasi
vjen në Tiranë

Neofuturisti Daniel Schinasi<br />vjen në Tiranë
TIRANE- Një prej artistëve më të njohur, Daniel Schinasi, themelues i neofuturizmit ka ardhur dje në Tiranë për një takim me studentët e arteve, të cilët do të kenë mundësi të ndjekin leksione prej tij në dy ditë. Daniel Schinasi, themelues i neofuturizmit vjen në Tiranë me nismën e Institutit Italian të Kulturës. Vizita është planifikuar në datat 19 maj dhe sot më 20 maj, me synimin e një aktiviteti të dyfishtë. Schinasi do të mbajë dy masterklasë me studentët e Universitetit të Arteve dhe do të jetë pjesëmarrës edhe me imazhin e tij nëpërmjet shfaqjes së dokumentarit kushtuar atij, që titullohet “Le juif italien d’Alexandrie” (Hebreu italian i Aleksandrisë). Dokumentari përpiqet të mbledhë në 36 minuta karrierën e dendur artistike të piktorit të famshëm, i cili ka lindur në Aleksandri, Egjipt, në vitin 1933 nga një familje sefardite me origjinë livorneze.

Aktualisht ai e ndan jetën e tij mes rivierës franceze dhe fshatit toskan. Ngjarjet në dokumentarin “Le juif italien d’Alexandrie” fillojnë nga pranvera e vitit 2009, kur komuna e Cascina-s, në provincën e Pizës, i ngarkon Schinasi-t të krijojë një seri pikturash për të festuar 400-vjetorin e shpikjes së teleskopit të Galileos. Artisti lë Nizza-n, duke u nisur drejt Casino di Terra për të filluar punën. Ndërsa punon, artisti i rrëfehet kamerës, siç pasqyrohet në kanavacë. Bisedon me miqtë, me gruan, me veten e tij. Kujtimet e një jete shfaqen gradualisht dhe ndërkohë shikuesi zbulon se ka shumë gjëra që ai i tërheq nga e kaluara e tij dhe i hedh në punë”.

Kështu përshkruhet dokumentari për karrierën e piktorit neofuturist Daniel Schinasi. Ndërsa njohja me stilin e pikturës së tij do të jetë një moment i veçantë. Sipas rrëfimit të autorit format dhe ngjyrat lindin dhe zhvillohen nga vetë kujtimet, mërgimi i dhimbshëm nga vendlindja Egjipti ende djeg shpirtin e tij dhe e vë atë në lëvizje. Ai na jep çelësin të zbulojmë sesi ai ka ndërtuar stilin që sot e dallon nga të tjerët, dhe kuptojmë sesi për të kryer një vepër të tillë, është e nevojshme të sfidosh, ose të humbasësh përgjithmonë. Në këtë rast, piktori Daniel Schinasi ka ditur të rezistojë. 

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Autogoli - Gazetari i RAI pranon gabimin: Publikon përgjigjet e Agaçit tre ditë pas emisionit ku pretendonte se ai nuk ishte përgjigjur

Autogoli - Gazetari i RAI pranon gabimin: Publikon përgjigjet e Agaçit tre ditë pas emisionit ku pretendonte se ai nuk ishte përgjigjur