Nesër me urban në Tiranë, gjobiten pasagjerët pa maskë! 'Digjet' marsi, shpërndarja e aboneve nis në gusht (VIDEO)

Ditën e hënë, 6 korrik, pas 4 muajsh të mbyllura do të nisë transporti publik në Tiranë. Nga e hëna ora 5 e mëngjesit rikthehen autobusët urban, ndërsa qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm për të përdorur maskën pasi në të kundërt kontrollet e policisë bashkiake do t'i penalizojnë. Bashkia e Tiranës njoftoi ditën e djeshme se u ra dakord me shoqatat e transportit publik për nisjen e këtij shërbimi pas marrëveshjes së arritur mes tyre me ndryshimin e protokollit të sigurisë, ku mosrespektimi i distancës dhe mosmbajtja e maskës do të jetë përgjegjësi personale e do të gjobiten pasagjerët dhe jo më fatorinot e shoferët.

Po çfarë do të ndodh me abonetë? Report Tv mëson se abonetë e muajit mars janë 'djegur' edhe pse nuk u arritën të përdoreshin nga qytetarët për shkak të mbylljes së këtij shërbimi nga pandemia. Gjithashtu edhe gjatë muajit korrik qytetarët do të mund të lëvizin vetëm duke paguar biletën e autobusit, pasi nuk do të ketë abone. Burime për Report Tv bëjnë me dije se shpërndarja e aboneve do të nis në muajin gusht. Në lidhje me abonetë gazetari Arsen Rusta pyeti edhe një tregtar që i shet ato, duke thënë se për muajin korrik nuk do të ketë abone dhe se nuk janë lajmëruar se kur mund të fillojë shpërndarja.

"Këtë muaj nuk ka abone dhe nuk na ka lajmëruar njëri se kur mund të ketë", tha një tregtar që shet abone pranë një stacioni autobusi.

Nga një vëzhgim i Report Tv në linjat urbane periferike të Tiranës si Tiranë-Ndroq, Tiranë-Kamëz, qytetarët shprehen se këto linja kanë nisur prej thuajse një jave punën, ndërsa linjat e vetme që ende nuk pranonin të nisnin këtë shërbim kanë qenë vetëm linjat urbane brenda Tiranës.

Maska është e domosdoshme për të përdorur transportin publik dhe një harresë apo mospërdorim i saj do të gjobitë pasagjerin. Vetë qytetarët shprehen se i mbajnë maskat dhe nga një vëzhgim i Report Tv jo vetëm shoferi dhe fatorino janë më maskë sipas protokollit të sigurisë, por dhe qytetarët brenda i mbajnë maskat.

"Maska është e domosdoshme dhe sigurisht që do e mbajë. Unë nuk jam OBSH, por po bëhet nami në gjithë botën maska duhet mbajtur. Po pres linjën e Ndroqit, ka një javë që ka nisur shërbimin", tha një qytetar.

Kondicioneri është i ndaluar të ndizet në autobus, ndërsa ajrimi duhet të jetë i vazhdueshëm përmes dritareve. Kjo u konfirmua edhe nga drejtuesi i një linje autobusi, i cili i pyetur nga Report Tv u shpreh se 'nuk lejohet të ndizet kondicioneri', ndërsa nëse nuk mban maskën dhe thyen rregullat ai tha se gjoba varion 'nga 100 mijë lekë të reja dhe lartë".

Protokolli i sigurisë që do të zbatohet

Çdo përdorues i transportit publik qytetas/rrethqytetas është i detyruar të përdorë maska gjatë udhëtimit me autobus, si dhe këshillohen të mbajnë një distancë sigurie.

Në stacionet e qëndrimit udhëtarët janë të detyruar të përdorin maska gjatë pritjes së autobusit ndërsa personeli i transportit publik qytetas/rrethqytetas (shoferë, faturino, kontrollorë) do të jenë të detyruar të përdorin maska.

Për të maksimalizuar sigurinë ndaj COVID-19, edhe punonjësit e shërbimit të operatorëve si: kontrollor, dispecer, si dhe stafe të tjera plotësuese do të jenë të pajisur me maskë mbrojtëse në momentin që janë prezent në mjet gjatë kryerjes së shërbimit.

Ndërkaq, sikurse është rënë dakord mes Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe Shoqatës së Shoqërive të Transportit Publik, mjetet e operimit do të dezinfektohen në mënyrë periodike në ambientet e operatorit transportues nga stafi i tij dhe mjetet e operimit në transportin qytetës/rrethqytetas për personelin e shërbimit (shoferë, faturino, kontrollorë) do të pajisen me dizinfektantë me bazë alkooli.

Gjatë udhëtimit duhet të bëhet e mundur ajrimi i ambienteve të brendshme të mjetit, përgjatë gjithë kohës së udhëtimit, nëpërmjet sistemeve të ajrimit të vendosura në pjesën e sipërme të mjetit ose duke mbajtur hapur pjesët strukturore të dritareve që e kanë këtë mundësi në rastet kur mjeti është i pajisur me dritare ose me sisteme ajrimi.

Në çdo mjet do të vendosen postera për respektimin e rregullave të higjienës, të rekomanduara nga OBSH-ja, të vendosura në vende të dukshme për udhëtarët.

Për zbatimin me rigorozitet të masave të sigurisë, çdo udhëtar dhe punonjës i transportit publik mban përgjegjësi personale për mosrespektimin e këtij protokolli, si dhe janë objekt kontrolli nga organet kompetente dhe masat e parashikuara në protokollin e sigurisë do të kontrollohen nga organet kompetente.

Protokolli i sigurisë në transportin publik

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vjedhje: 05/07/2020 18:31

    Pse mos perdoret aboneja e paguar e marsit per korrikun? Njerezit nuk i gjejne leket ne rruge...

    Përgjigju
  • liku: 05/07/2020 15:35

    Po jashte kapacitetit kur mbushet autobuzi kush duhet te gjobitet policia bashkiake qe nuk mban rregull

    Përgjigju
  • marsi dhe korriku: 05/07/2020 13:42

    vidheni kete popull. aboneja e marsit e paguar dhe e pa sherbyer. pse mos vleje per korrikun apo mban ky popull. ne be edhe siguracinet e mars prill u shtyne sepse makinat sleviznin. ketu aboneja qe eshte per familjet e varfra vetmja mundesi levizje vidhet. I bie qe nje familje me 4 vete me mire te marrr taksine se urbanin.

    Përgjigju
  • Loran: 05/07/2020 13:16

    Si mund te hapesh trasportin urban kur ktu tani ka filluar pandemia

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Të dielën takohen në ring, Florian Marku 'kërcënon' rivalin: Duhet të më hedhë 'KO', nuk jam këtu rastësisht

Të dielën takohen në ring, Florian Marku 'kërcënon' rivalin: Duhet të më hedhë 'KO', nuk jam këtu rastësisht