Nestor Thereska: Po kam përfituar
nga Berisha, shefat po pasurohen

Nestor Thereska: Po kam përfituar<br />nga Berisha, shefat po pasurohen
TIRANE - Nestor Thereska, profesori i njohur i nefrologjisë në Qendrën e Universitare Spitalore “Nënë Tereza” në një rrëfim të veçantë për “Shqiptarja.com” flet për rrugën e gjatë në krye të shërbimit të veshkave, pse‘dështoi’ transplanti e miqësinë me ish-kryeministrin Berisha. Ai nuk ngurron as të deklarojë se disa mjekë e shefa shërbimesh po pasurohen me ketë profesion. Ai madje këmbëngul që mjekët duhet të zgjedhin të punojnë ose në privat ose në shtet, ndërsa është i bindur se rikthimi i autopsisë për çdo rast vdekjeje në spital, do të zhdukte dyshimet e shumta që ngrihen herë pas here nga familjarët, mbi punën e mjekëve.
 
Profesor, ju jeni një ndër personalitet me kontribut të madh në QSUT, si ka qenë për ju kjo eksperiencë?
Unë kam filluar punë më 1968 dhe ishte kënaqësi e madhe të fillonim punë me Ylli Popën. Po atë vit filloi të aplikohej në spitalet tona, veshka artificiale, që sot njihet si dializa. Ishte mjaft primitive dhe donte pasion, kohë e përkushtim. Te dializa punova rreth 20 vjet. Procedurat ishin të vështira dhe shumica ishin manuale, aparatura të vjetra gjermmano-lindore. Por gjithmonë kam pasur përkrahjen e Ylli Popës, dhe sot ndihem me fat që i jam futur sëmundjeve të brendshme dhe nuk shkova te zemra.

Pse ju kishit dëshirë të shkonit tek kardiologjia?
Atëherë ishin në modë sëmundjet e zemrës, ishin më trendy, më spektakolare. Krenaria e mjekëve të rinj të spitalit ishin sëmundjet e zemrës. Më kujtohet, në kardiologji Theodhon Meksi, Sali Berisha, Anesti Kondili, që ishin edhe treshja kalorsiake, ndërsa unë duhet të ngulesha çdo ditë para aparatit të dializës.   Punoja me lëndët redaiokative dhe në ato vite punoja me një mjek të shquar, Sejfulla Doçi, që vdiq nga një mbidozim i lëndëve radioaktive.
Më 1979, me Mentor Petrelën, Zabit Brokaj, Sali Berisha, dhe një grup mjekësh të klinikës speciale shkuam për specializim në Francë. Një ndihmë të madhe na ka dhënë mjeku i njohur francez, Pol Milies, që ishte kryetari i shoqatës Shqipëri-Francë.

A ishte i madh ndryshimi mes shëndetësisë që latë në Tiranë me atë që gjetët në Paris?
Aty e pamë se sa i madh ish ndryshimi me atë që kishim lënë në Shqipëri. Jo vetëm në aparatura, në psikologji, jo vetëm në ecjen në fushën e sëmundjeve të veshkave, por edhe ndryshimin e madh social. Por ne ishim të detyruar të ruanim kriteret e pranueshme për shoqërinë shqiptare.

A e menduat ndonjëherë të mos ktheheshit më në Shqipëri?
Të them të drejtën jo, pasi unë isha i martuar. Kisha një djalë. Shpesh gënjenim për situatën tonë. Gënjenim për sipërfaqen e banimit, për ushqimin që hanim...Nuk i tregonim askujt të vërtetën pasi kishim frikë se mos shkonin në ambasadë dhe tregonin, apo padashje ia thonin dikujt që sduhet ta dinte dhe ne pastaj do të kishim represione të jashtëzakonshme.

Si e kalonit kohën e lirë në Francë?
Unë kam qenë shumë pasionant për librin, saqë Ylli Popa më ngjiti emrin i “çmenduri i librit”. Kur kam ardhur nga Franca, kam sjellë një maune plot e përplot me libra, revista dhe fotokopje. Të gjitha ishin vetëm për sëmundjet e veshkave.

Po libra artistikë sollët me vete?
I lexonim fshehtas, ndaj edhe hapur nuk mund ti sillnim, por arrinimin ti fusnim. I shkëmbenim me doktor Mentorin, me doktor Isufin, me doktor Berishën. Shkëmbenim edhe muzikën. Madje ishim një grup, Petrela, Berisha dhe unë që ishim të parët që merrnim kasetat e reja, i blenim në Paris, por i fusnim edhe në Shqipëri. Ne ishim grupi që kishim filluar të krijonim emrin tonë, edhe në Tiranë.

Ju keni qenë edhe mjek i Enver Hoxhës....?
Sapo erdha nga Franca më kërkuan vizitën e parë për Enver Hoxhën, jo direkt sigurisht. Më thirrën doktor Popa dhe dr.Hoxha në një shtëpi dhe më thanë që kemi një të sëmurë x, por më thanë parametrat e Enverit. Unë e dija së bëhej fjalë për të, dhe kur kërkova që ta shikoj më thanë nuk është këtu, por më kërkuan se çfarë duhet të bëjnë. Unë, i porositur ehe nga dr. Ylli Popa që të kisha kujdes në këto lloj konsultash, u kërkova që të më linin pak kohë që të lexoja disa gjëra. U thashë së më duhen tre-katër libra më të mira. Dhe mi sollën direk.

Për cilin vit bëhet fjalë?  
Ishte shkurt i 80-të dhe atij i kishte filluar një azotemi e lehtë...U thashë që duhet të kemi kujdes që të blejmë të gjitha aparatet e nevojshme, pasi mund të lindë nevoja ta fusim në dializë. Dhe u pregatitëm për këtë me specialistë, aparate, por nuk u fut asnjëherë në dializë.

Por ndrëkohë çfarë ndodhte me shërbimin e dializës në QSUT?
Pas viteve 80-të patëm një zhvillim galopant të nefrologjisë, bashkë me Sulejman Kodrën bëmë disa eksperiente të rëndësishme.  Në ato vite nuk më shkonte në mendje kurrë që një ditë mund të realizohej transplanti edhe këtu tek ne, në QSUT. Mendoja se do të duheshin breza të tërë për ta arritur këtë, madje mendoja se kjo ishte utopi dhe nuk rrija fare në këto operacione. Më 1985 hapëm repartin e dializës kronike, me urdhër të qeverisë u hap vetëm për 12 pacientë. Deri më 1999, kur erdhën kosovarët, nuk u fut asnjë njeri tjetër. Këta 12 pacientë kishin miq në sferat e larta që mund të futeshin...

Si e gjeti sistemin shëndetësor demokracia?  
Demokracia na gjeti me shumë probleme, me shumë të sëmurë. Kur erdhën kosovarët u gjendën në një situatë të vështirë, pasi në Kosovë kush kishte nevojë për dializë mund ta përfitonte lehtësisht, dhe bënë një protestë që e detyroi KE-në të sillte aparaturat dhe deri më 2005 në dializë mund të futeshin 45-50 persona. Nga 2005 u bë një revolucion për të sëmurët me dializë, u hap një në Shkodër, një në Elbasan dhe një në Gjirokastër. Kukësi ka nevojë për një qendër modeste dhe po ashtu edhe Korça.

Shpeshherë flitet se aparaturat në QSUT nuk janë të standardeve Evropiane, është kështu?
Në shërbimin tonë janë të standardeve më të larta. Me këto aparatura, me këto filtra, vetëm se i rinovojnë më shpesh, punon edhe Franca, Greqia dhe Italia.

Transplanti nisi si një projekt ambicioz, por në QSUT “dështoi”... Pse u la në mes transplanti i veshkës?
Ajo ishte një ëndërr që e realizuam, falë projektit të Interreg me Italinë, por nuk duhet fjetur mbi dafina. Transplantin e parë e bëmë me sukses të plotë me ndihmën e italianëve, i dyti u bë pa italianët. Por njëri nga pjesëtarët e ekipit shqiptar të specializuar për transplantin pati një problem shëndetësor dhe kjo bëri që ekipi të mos ishte i plotë. Por tashmë ky shërbim ofrohet tek dy spitalet private.

Po salla e operacionit e ndërtuar për transplantin e veshkës a është më në funksion?
PO. Aty operojnë ata të urologjisë. Tani jemi gati të fillojmë sërish transplantin dhe na duhen vetëm disa pjesë këmbimi shumë të veçanta për aparatin. Me një fond që i ka ardhur ministrisë së Shëndetësisë nga qeveria në fillim të këtij viti, rreth 1 milionë usd, ne kemi kërkuar ta ndajmë mes spitaleve private dhe atij shtetëror.

Ju njiheni që herët me Sali Berishën, ju ka ndihmuar miqësia me të në punën tuaja në spital?
Ç’është e drejta, më 2009-ën, kur duheshin disa fonde ekstra për sallën e operimit të Urologjisë, kemi vajtur me një ekip te doktor Berisha. Na tha bisedoni me Boden dhe na i dha. Na ka rënë në sy që fondet, ose rimbursimi për të sëmurët me veshka që bëjnë dializë ka qenë goxha i madh, saqë ndonjëherë kishim frikë se mos krijohej xhelozi nga shërbimet e tjera, dhe e treta në të gjitha vendet e botës, repartet e dializës vuajnë, pasi ajo është e kushtueshme. Një i sëmurë i kushton shtetit rreth 15 mijë euro në vit, dhe për shtetin tonë kaq të varfër është një barrë e konsiderueshme, dhe nuk kemi pasur ndonjë kritikë të madhe për shtimin e numrit të sëmurëve.

Vazhdoni ta ruani miqësinë?
Miqësinë shoqërore familjare e ruajmë, kam respekt, është i zgjuar, ka një kulturë të madhe.

Aktualisht ka ndryshuar situata politika, PS ka premtuar shëndetësi falas, a është mundur? Cila është rruga nga duhet të ecë shëndetësia shqiptare?
Unë nuk kam shumë eksperiencë në fushën e organizimit të mjekësisë, por mendoj se pa një kontribut shëndetësor, sipas pasurisë, i varfëri të paguajë më pak dhe i pasuri pak më shumë shëndetësia nuk mund të përmirësohet. “Atje ku s’ka nuk merr as zoti thonë”. Uuk jam që të mos paguajë ai që bredh botën duke bërë pushime. Unë jam për një mbështetje të vogël të shtresave të varfëra, dhe të gjitha shtresat e tjera përreth, me konsulta, të ekzistojë si kontribut, minimal. Nuk mund të bëhet shërbim i veçuar. Ai që ka, e zgjedh vetë spitalin se ku do të shkojë, në Shqipëri, Itali apo Greqi, kurse ai i varfëri çfarë të bëjë? Ai duhet të vijë në spital dhe t’i bëjë të gjitha ekzaminimet.

Vitet e fundit, mjekët janë vënë në shenjestër. Çfarë ka ndodhur? Mjekët kanë devijuar nga misioni human, apo e teprojnë pacientët? E vërtetë. Në ca gjëra kanë të drejtë. Unë bëj pjesë në atë grup njerëzish që nuk kam asnjë aktivitet privat dhe do të merrem me aktivitet privat vetëm atë ditë që të ngelem pa punë. Një pjesë e profesorëve dhe shefave po abuzojnë. Vjen në orën 10 apo 11 dhe të lë, se ikën te klinika private. Petrela, së bashku me një ekip të ministrisë së Shëndetësisë, nisën një iniciativë disa vite më parë: O në privat, O në shtetëror, por nuk gjeti mbështetje nga shumë kolegë tonët të cilët rudhën buzët. Por humanizmi ka rënë, njerëzit po rendin më shumë pas materiales. Unë i përkas ende grupit të idealistëve. Por ka mjekë dhe pedaagogë të fakultetit të mjekësisë që marrin shumë lekë dhe vihet re se nuk jetojnë vetëm me rrogën, pasi bien në sy.

Profesor, shqiptarët kanë një tendencë të vizitohen nga mjekë të huaj, a janë me të vërtetë aq të mirë mjekët e huaj që punojnë në spitalet tona?  
Është shumë e vërtetë dhe kjo mani ka ekzistuar gjithmonë. Shqiptarët kanë pasur kompleksin e madh ndaj të huajve. Vinte një sharlatan dhe neve i qepeshim të gjithë. Kjo gjë ekziston edhe tani, ndonëse është pakësuar. Unë mund të të them me garanci se në spitalet shtetërore tonat ka mjek të klasit të parë, sidomos një gejneratë e re që po vjen nga Evropa, nga 35-45 vjeç dhe mund të them pa mëdyshje se janë të klasës së parë. Unë mund të të them se i i njoh të gjithë të spitaleve private në vendin tonë shumë prej tyre u kam thënë sillni më të mirët se do të turpëroheni shumë shpejt. Por akoma tek popullata jonë është kjo mania e mjekëve të huaj.

Vdekjet në spital kanë ngritur shumë hije dyshimi mbi mjekët, a duhet të bëhen autopsitë pas çdo rasti vdjekjeje në spital?
Drama për ne mjekët e viteve të para 90-ës, ishte kur shkonim në autopsi. Të gjithë dridheshim. Po nuk u vu përsëri autopsia, ne akoma do të abuzojmë shumë. Autopsia duhet të jetë e detyrueshme për çdo rast në spital, por duhet gjetur një e mesme që të mos shkelet as e drejta e zgjedhjes së familjarit, por as të krijohet mundësia që nesër familjari të ngrejë dyshime. Në 22 vjet kam punuar në monizëm dhe për çdo vdekje është bërë autopsi.

Sa pacientë mund të keni vizituar gjatë gjithë punës tuaj?
Mbi 300 mijë pacientë.

A ndiheni i shpërblyer nga kjo punë?
Jashtë mase.

Moralisht dhe ekonomikisht?
Nga të gjitha anët, ndërsa politikisht unë nuk kam dashur asnjëherë poste. Të vetmen gjë që pranova, i detyruar nga shokët jo se doja vetë, ishte zëvendësrektor për shkencën. Edhe si gjysëm i detyruar kam pranuar edhe postin e nënkryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më 1996. Ajo bëri bujë në atë kohë, por jo me dëshirën time. Dëshira ime është vetëm detyra shkencore, pasi ata më japin kënaqësi.

Konkurset e pranimit te mjekësia ka pasur gjithmonë akuza për manipulim, a duhet të ndryshohet skema?
Patjetër, sidomos me krijimin e universitetit mjekësor, ku shumica e kopetencave i kalojnë reektorit, skema duhet të ndryshojë. Specializimet i ka dekanati, i ka shërbimi. Duhet që fjalën e fundit ta thotë shërbimi, pasi ai do të punojë aty.

Po ideja që të ketë menaxher dhe jo mjekë në krye të spitaleve?
Le të marrim eksperiencën e këtyre 5 viteve të fundit. Dështoi komplet. Ata nuk kuptonin se cilat ishin prioritete dhe cilat mund të prisnin. Çdo drejtor që vinte i duhej me muaj që të kuptonte se çfarë është dializa. Unë i thoja, që i sëmuri mund të vdesë nga mungesa e një filtri, ndërsa ata më thoshin “pse s’bëhet dot pas dy javësh”? Duhet kombinim. Menaxhues ka pavijoni, ndërsa spitali duhet të jetë kombinim se ka edhe mjekësi brenda edhe administrim. Duhet të jenë menaxhues mjekësor.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

'Kumbulla iku nga Roma se donte Europianin', agjenti i Marashit: Uli pagën, fiton formën me dy ndeshje

'Kumbulla iku nga Roma se donte Europianin', agjenti i Marashit: Uli pagën, fiton formën me dy ndeshje