Euro 2024/ Goli dhe rekordi i Bajramit s'mjaftojnë, Italia përmbys 2-1 Shqipërinë! Dortmundi vishet kuqezi

Euro 2024/ Goli dhe rekordi i Bajramit s'mjaftojnë, Italia përmbys 2-1 Shqipërinë! Dortmundi vishet kuqezi

Nedim Bajrami, autori i golit të Shqipërisë, në sekondën 23 në ndeshjen me Italinë, Euro 2024

Rezultati final/ Itali 2-1 Shqipëri

DORTMUND - Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi 2-1 me Italinë në ndeshjen e parë të Grupit B në Europianin 2024. Në "Iduna Park" kampionët në fuqi të Evropës përmbysën kuqezinjtë, që kaluan në epërsi pas vetëm 23 sekondave lojë me supergolin e Nedim Bajramit.

Fantazisti shqiptar hyn në librin e rekordeve duke shënuar golin më të shpejtë në 17 Evropianet e zhvilluara nga UEFA. Pas pësimit të golit, Italia e Spallettit kontrolloi lojën dhe barazoi me Bastonin në minutën e 11-të.

Një krosim i Pellegrinit u shfrytëzua nga mbrojtësi i Interit që vendosi ekuilibrat. Kuqezinjtë u shokuan dhe pas vetëm pesë minutave lojë e pësuan nga Barella.

Sërish një lojtar i Interit shënoi për Italinë me një të djathtë nga jashtë zone, duke ia ndalur sferën në rrjetë Strakoshës. Tanët reaguan vetëm në pjesën e dytë dhe me Manaj patën një mundësi të artë, por Donnarumma devijoi. Në përballjet kundër Italisë, Shqipëria ka gjashtë humbje.

Tanimë Shqipëria pret ndeshjen e dytë të grupit, të mërkurën në 15:00 kundër Kroacisë në Hamburg. Për Grupin B të Euro 2024, këtë të shtunë Spanja mundi 3-0 Kroacinë dhe së bashku me Italinë ndodhen në kuotën e tri pikëve. Shqipëria dhe Kroacia me zero pikë.

Po këtë të shtunë Zvicra mundi 3-1 Hungarinë. Euro 2024 vijon të dielën me tre ndeshje. Në 15:00 Polonia luan me Holandën, ndërsa në 18:00 Sllovenia përballet me Danimarkën. Gjithçka mbyllet në 21:00 me sfidën Serbi - Angli.

Komentet e rëndësishme:

90+4' Mbyllet 2-1 ndeshja.

90' Katër minuta shtesë.

89' Manaj humbet rastin e artë, devijon Donnarumma.

87' Bajrami i lë vendin Muçit.

77' Spalletti bën dy lëvizje te Italia. Dalin Chiesa dhe Pellegrini, për Cambiason dhe Cristanten.

76' Broja i lë vendin Manajt.

68' Sylvinho bën dy lëvizje. Seferi dhe Asani lënë fushën, në lojë Hoxha dhe Laçi.

46' Nis pjesa e dytë.

45+3' Mbyllet 2-1 pjesa e parë.

33' Frattesi godet shtyllën për Italinë.

16' Barella përmbys ndeshjen me një goditje nga jashtë zone, Italia shënon golin e dytë.

11' Bastoni barazon rezultatin me kokë. Mbrojtësi përfiton nga krosimi i Pellegrinit.

1' Nedim Bajrami kalon në avantazh kuqezinjtë pas vetëm 23 sekondash. Mesfushori është futur në historinë e Kampionateve Evropiane. Ky është goli më i shpejtë i shënuar në 17 turnetë e Evropianit.

1' Nis ndeshja në Dortmund.

Formacionet zyrtare:

Itali (4-3-3): Donnarumma; Di Lorenzo, Calafiori, Bastoni, Dimarco; Jorginho, Barella; Chiesa, Frattesi, Pellegrini; Scamacca Trajner: Spalletti.

Shqipëri (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Bajrami; Asani, Seferi, Broja Trajner: Sylvinho.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:58
Humbja me Italinë në Euro 2024, Sylvinho: I kënaqur me paraqitjen, por jo me rezultatin! Falenderoj tifozerinë kuqezi


Humbja 2-1 me Italinë u komentua edhe nga trajneri i Kombëtares, Sylvinho. Braziliani tha se është i kënaqur me paraqitjen, por jo me rezultatin, duke vlerësuar tifozët kuqezi në Dortmund që ishin të zjarrtë në ndeshjen e parë të Euro 2024.

"Zhgënjim për rezultatin apo i kënaqur me lojën?

I zhgënjyer me rezultatin, por i kënaqur me atë që dhamë në fushë.

Çfarë kishte pozitive dhe çfarë nuk bëmë mirë?

Nuk bëmë mirë në 20-25 minuta e para, pasi ishin shumë të vështira për ne. Më pëlqeu që luajtëm ndaj Italisë kampione të Europës, në një atmosferë fantastike dhe ishim në lojë deri në fund për të marrë barazimin.

Çfarë do të bëni ndryshe ndaj Kroacisë dhe çfarë do të bënit ndryshe në këtë takim?

Dua të falënderoj të gjithë ata që ishin sot në stadium. Ishin shumë shqiptarë. Nuk duhet të harrojmë që kemi bërë një rrugëtim fantastik, me shumë sakrifica, për të qenë në këtë Europian. Sigurisht që punojmë 12 orë në ditë për ekipin dhe jemi këtu për të fituar ndeshjet, por sigurisht u kam thënë futbollistëve të shijojnë më maksimum këtë shans për të luajtur në Europian", tha trajneri kuqezi.

Ora 23:50
Berat Gjimshiti i sinqertë: Italia e kishte të lehtë sot, duhet të bënim faulla


Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti foli pas ndeshjes Itali 2-1 Shqipëri.

 “Performanca nuk ishte aq e mirë siç e kemi përgatitur. Ka gjëra për të përmirësuar. I kemi lënë shumë hapësira Italisë. Kanë mbërritur shumë lehtë në zonën e 16-shes.

Duhet analizuar dhe duhet përmirësuar shumë lehtë, sepse nuk ka kohë. Për 4 ditë do të luajmë me Kroacinë. Momenti më i vështirë është kur shënojmë gol. Gjëja më pozitive e kësaj nate është që kemi qendruar në lojë deri në minutën e 94-t. Kishim edhe një rast në fund për të barazuar.

Pas pjesës së parë i thashë të gjithëve që kishin munguar faullat sot. Duhet t’i ndërprisnim ritmin kundërshtarit. Duhen edhe këto, jo vetëm loja e bukur. E gjithë skuadra zbriti shumë poshtë.

Duhet të ngjitemi pak më lartë dhe të bëjmë presion, sepse ishte shumë e lehtë për ata sot. Tifozeria më e bukur në botë. Nuk ka shumë fjalë. Dua t’i falenderoj të gjithë shqiptarët në botë. Ishte një atmosferë fantastike. Është një nxitje për ne që të japim maksimumin dhe pse jo të befasojmë", tha Gjimshiti.

Ora 23:43
Imazhet që u bllokuan nga UEFA, tifozi i Kombëtares u fut në fushë dhe ndërpreu ndeshjen Itali - Shqipëri


Itali 2-1 Shqipëri, ndeshja e fundit e së shtunës në Euro 2024 ka pasur një moment të paparashikuar, më saktë vizita e një “pushtuesi” të zbritur nga tribuna. Tifozi i Kombëtares me flamurin kuqezi ndali ndeshjen pasi kaloi gardhin e sigurisë dhe u fut në fushë, duke bërë që UEFA të hiqte vëmendjen nga ai në transmetimin e ndeshjes. Ishte çështje sekondash që tifozi të neutralizohej nga siguria.

Ora 23:35
'Pas golit u tërhoqëm shumë', Kristjan Asllani: Më vjen keq për tifozët, t'u dhuronim një barazim

1718487347_1711400307kristjanasllanin.JPG
Kristjan Asllani, mesfushori i Kombëtares foli pas humbjes 2-1 kundër Italisë në Euro 2024.

“Kemi pasur atë rastin e fundit dhe nuk barazuam dot. E gjetëm golin shpejt me një gol të bukur të Bajramit. Për mendimin tim u ulëm shumë mbrapa. Italia e mbajti topin shumë mirë, sepse janë ata kampionët. Kemi qendruar në lojë deri në fund. Por nuk gjë, do të shohim përpara, kemi ndeshjen tjetër. Më vjen keq vetëm për tifozët.

Ata sulmonin me shumë vetë, ishte shumë e vështirë për mua dhe Ramadanin. Po vraponim jo mirë, sa majtas, sa djathtas. Jemi lodhur shumë. Por të jemi grup dhe të mendojmë për ndeshjet e tjera. Mund të them që më vjen shumë keq që nuk i dhamë një rezultat pozitiv tifozëve. I falenderoj me zemër të gjithë. Shpresoj të jenë edhe në dy ndeshjet e tjera”, tha Asllani.

Ora 23:27
Humbja me Italinë, gazetari Koçi nga Dortmundi: Një fitore, shpresë për të kaluar grupin e EURO 2024

Tifozët kuqezi kanë lënë stadiumin pas humbjes së kombëtares me Italinë. Gazetari i Report Tv, Ernest Koçi nga Dortmundi përcjell atmosferën, ndërsa tifozët largohen të zhgënjyer.

Gazetari thotë se mjafton një fitore e kombëtares, pra 3 pikë, që mund të shpresonim për një mundësi që kombëtarja të kalonte grupin.

“Do mjaftonte një fitore për të pretenduar dhe kaluar grupin. Nga grupi mund të kalojë edhe vendi i tretë. Ka qenë gjithçka shumë e shpejtë, pas këndimit të himnit ka shpërthyer stadiumi, ishte u veshur kuqezi dhe pak dalloheshin tifozët italianë, por atë që e bëri më të bukur ishin sekondat e para që solli goli i Bajramit. Ka patur respekt edhe për himnin e Italisë, ndërsa më pas me barazimin e golit stadiumi ra në qetësi. Mjafton një 3 pikësh në një prej ndeshjeve për të shpresuar”, tha gazetari i Report Tv, Ernest Koçi nga Dortmund.

Shqipëria ka edhe dy përballje të tjera, me Kroacinë dhe Spanjën.

Ora 23:26
Luciano Spalletti: Shqipëria na ngacmoi në pjesën e dytë, duhet të shënonim golin e qetësisë


Trajneri i Italisë, Luciano Spalletti foli pas suksesit 2-1 për mikrofonat e RAI, duke vlerësuar tre pikët që ekipi i tij mori ndaj Shqipërisë.

“Kemi parë gjëra shumë të mira, por duhet të çojnë diku. Si qëllim në vetvete nuk kanë asnjë dobi. Ishte mundësia që shkonim t’i dëmtonim disa herë, nuk kemi shkuar në drejtimin që të mbarojmë aksionin sa më shpejt. Shpesh u kthyem mbrapa, kur në fakt duhej të shihnim nëse mund të krijonim një hapësirë ​​për veten tonë për të përfunduar aksionin.

Nuk mund të bëjmë pa Barellën? Është një ekip kombëtar që mund të bëjë pa çdokënd, ne kemi 26 lojtarë të fortë. Është mënyra e gabuar për të folur.

Këshillat ndaj Fratessit? Në pjesën e dytë ata bënë diçka më shumë, ne duhej të krijonim më shumë hapësirë ​​dhe në vend të kësaj shpesh në rikthim, ne futeshim në vijën e tyre mbrojtëse. Ndonjëherë ne duhet të jemi të qetë duke i bërë gjërat”, tha Spalletti pas ndeshjes.

Ora 23:20
Nedim Bajrami: E dinim forcën e tyre, japim maksimumin me Kroacinë

1718479169_GQIwg1BWgAAW3IL.jpg
Nedim Bajrami, autori i golit në humbjen 2-1 të Kombëtares kundër Italisë foli pas ndeshjes së Euro 2024.

“E kemi ditur të gjithë që Italia është shumë e fortë. Kemi bërë të gjithë maksimumin, do të luftojmë për çdo pikë dhe për çdo top. Për ne është arritje e madhe që luajmë në Europian, do të vazhdojmë kështu.

Kemi disa ditë kohë për të përgatitur ndeshjen me Kroacinë, duhet të korrigjojmë ato që nuk bëmë mirë. Asllani i dha një top shumë të mirë, Manaj pati një shans shumë të mirë. Duhet të vazhdojmë kështu dhe të kërkojmë golin”, u shpreh Bajrami.

Ora 23:18
Humbja me Italinë, tifozët e Kombëtares lënë stadiumin të zhgënjyer

 
Humbja 2-1 me Italinë në Euro 2024 ka zhgënjyer tifozët e Kombëtares. Pas ndeshjes ata janë larguar të zhgënjyer nga stadiumi në Dortmund, teksa për më shumë se 90 minuta mbështetën ekipin.

Vlen për t'u theksuar se prej dy ditësh kuqezinjtë "pushtuan" Dortmundin dhe afro 50 mijë shqiptarë ishin këtë mbrëmje në stadium.

 

Ora 21:26
Goli kundër Italisë pas 23 sekondave, Nedim Bajrami futet në historinë e Kampionateve Evropiane! Rekord i tillë nuk ishte arritur kurrë (FOTOT)

Nedim Bajrami është futur në historinë e Kampionateve Evropiane. Mesfushori i Kombëtares ka arritur të shënojë gol vetëm pas 23 sekondave lojë kundër Italisë. Ky është goli më i shpejtë i shënuar në 17 turnetë e Evropianit.

Fantazisti mori topin nga një gjuajtje e dobët e Federico Dimarco para se të gjuante topin pas shpinës së kapitenit italian Gianluigi Donnarumma. Goli i tij kapërceu rekordin e mëparshëm, të mbajtur nga rusi Dmitri Kirichenko kundër Greqisë në 2004

Goli i tij për Rusinë kundër fituesve të turneut erdhi vetëm 65 sekonda pas nisjes së lojës, duke kaluar pas portierit grek Antonios Nikopolidis.

Golat më të shpejtë në historinë e kampionateve evropiane

00:23 – Nedim Bajrami ( Shqipëria vs Italia më 15 Qershor 2024 )
01:05 – Dmitri Kirichenko ( Rusia vs Greqia më 20 qershor 2004 )
01:22 – Emil Forsberg ( Suedia vs Polonia më 23 qershor 2021 ) Yusuf
: Poulsen (Danimarka vs Belgjikë më 17 qershor 2021)
01:40 – Robert Lewandowski (Polonia vs Portugalia më 30 qershor 2016)
01:57 – Luke Shaw (Anglia vs Italia më 11 korrik 2021 )
01:58 – Robbie Brady (Republika e Irlandës vs Franca më 26 qershor 2016)
02:08 – Sergei Aleinikov (BRSS vs Anglia më 18 qershor 1988)
02:14 – Alan Shearer (Angli vs Gjermani më 26 qershor 1996)
02:14 – Petr Jirácek (Republika Çeke kundër Greqisë 12 qershor 2012)

Ora 20:31
VIDEO/ Si asnjëherë më parë, stadiumi i Dortmundit vishet kuqezi! Tifozët e Kombëtares 'të çmendur' në Euro 2024


"Të çmendur" dhe të zhurmshëm. Stadiumi i Dortmundit sot jehon kuqezi para Itali - Shqipëri, ndeshja e Grupit B të Euro 2024. Në pamje duket qartë se tifozët shqiptarë dominojnë para atyre italianë. Me këngë patriotike atmosfera në stadium është e zjarrtë.

Ora 20:24
Ylber Ramadani para ndeshjes: Hera e parë që bëj video në stadium, atmosferë mahnitëse


Ylber Ramadani mendon se kuqezinjtë duhet të bëjnë maksimumin sot ndaj Italisë për të marrë një rezultat në fushën e lojës. Ai foli për UEFA-n pak minuta para sfidës, duke treguar emocionet për atmosferën elektrizuese në stadium.

“Është atmosferë mahnitëse. Është hera e parë që bëj video në stadiume, është hera e parë dhe po bëj video dhe shpresoj që në fund të kemi një rezultat të mirë për ta. Padyshim do të jetë e vështirë, por e dimë dhe do të shkojmë të japim gjithçka në fushë, Nuk ka rëndësi se kush luan. Jemi një ekip i mirë dhe duhet ta tregojmë edhe në fushë”, tha mesfushori i kuqezinjve pak minuta para ndeshjes.

Ora 19:53
FORMACIONET ZYRTARE/ Sylvinho hedh në fushë 'luftëtarët', Strakosha dhe Ajeti nga minuta e parë


Trajneri i Kombëtares, Sylvinho ka publikuar formacionin zyrtar që do luajë në ndeshjen Itali - Shqipëri këtë të shtunë në 21:00 në Dortmund, sfidë që vlen për Grupin B të Euro 2024.

Në portë do të jetë Strakosha, ndërsa në mbrojtje janë zgjedhur Hysaj, Gjimshiti, Ajeti dhe Mitaj. Në mesfushë do të luajnë Asllani, Ramadani dhe Bajrami, ndërsa Seferi dhe Asani do të mbështesin Brojën në krye të sulmit. Edhe Luciano Spalletti është përgjigjur me skemën 4-3-3.

Formacionet zyrtare:

Italia (4-3-3): Donnarumma; Di Lorenzo, Calafiori, Bastoni, Dimarco; Jorginho, Barella; Chiesa, Frattesi, Pellegrini; Scamacca Trajner: Spalletti.

Shqipëri (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Bajrami; Asani, Seferi, Broja Trajner: Sylvinho.

Ora 19:30
VIDEO/ 'O sa mirë me qenë shqiptar', tifozët e Kombëtares futen në 'Iduna Park'

Sot në orën 21:00 në Dortmund luhet Itali - Shqipëri, ndeshja e vlefshme për Grupin B të finaleve të Euro 2024. Gjithë vëmendja është në "Iduna Park", me impiantin që pritet të ketë afro 50 mijë shqiptarë.

Tanimë tifozët e Kombëtares kanë nisur të "pushtojnë" stadiumin e Dortmundit dhe janë vendosur në vendet e tyre duke kënduar këngë patriotike.

Ora 16:35
Sakrificat për të ndjekur kombëtaren, 36 orë rrugë me makinë deri në Dortmund

Me plis e flamurin kuqezi, tifozët shqiptarë kanë ‘pushtuar’ Dortumundin për të ndjekur ndeshjen Itali-Shqipëri. Rreth 50 mijë shqiptarë ishin në stadiumin e Dortmundit, ndërsa të gjithë mund t’i gjeje lehtësisht nëpër rrugët e qytetit Gjerman.

Gazetari i Report Tv, Ernest Koçi sjell atmosferën nga Dortmundi, ndërsa tifozët për Report Tv bënë edhe parashikimet për rezultatin e ndeshjes Itali-Shqipëri. 

Një prej tifozëve ka udhëtuar nga Berati për 36 orë. Krah tij është dhe një tifoz që tregon se e ka ndjekur kombëtaren në çdo ndeshje që në 1984.

“Nga Berati, kemi 36 orë që udhëtojmë me makinë. Shumë shqiptarë. Fitojmë ne, Asani një gol. 1 me 0, fitojmë ne.

2 me 1 ka mbaruar për ne shoku. Broja, Asani gol, hajde gëzuar. Nga Lushnja, ja ku e kemi flamurin.

2 me 1. Sa kemi ardhur, kemi nja një orë.

2 me 1 për Shqipërinë. Kam ardhur nga Parma në Itali, jam gjak shqiptari”, thonë tifozët për Report Tv.

S.DH/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ja vlen: 16/06/2024 10:06

    Ja vlen bileta per te pare golin me te shpejte rekord ne historine e europianeve ne futboll , do mbahet mend gjate

    Përgjigju
    • A. N.: 16/06/2024 12:12

      Edhe ate nuk e pame sepse u futem me vonese

  • asolingo: 16/06/2024 06:23

    Komplet taktike e gabuar e trainerit,po te vesh re me kunder sa here(99%)kishin topin ne mesfushe apo ne mbrojtje pasa do ishte vetem te mbrojtesi ose portieri,lojtaret nuk leviznin siç duhet per te kerkuar topin...

    Përgjigju
  • aliu: 16/06/2024 03:57

    ERDHA NGA BARI I ITALISE PER TE PARE NDESHJEN ,,POR U ZGJENJEVA,,,AS NUK BARAZUAM,,,,KESHTU ESHTE KUR TRAJNERIN E KEMI TE HUAJ,,,,AI NUK DI ASGJE PER SHQIPERINE,,,E PARA DUHEN PERZENE KOSOVARET NGA EKIPI YNE,,,DHE MUNDESISHT MALOKET,,NUK JANE PER FUTBOLL KETA,,,ME KETA MUND TE BESH STAN PER BAGETI,,POR JO EKIP FUTBOLLI....

    Përgjigju
  • Iris: 16/06/2024 02:46

    Rezultat qe pritej,por mund t'a kishim pesuar me keq,po te merret parasysh se kush eshte Italia ne futboll edhe pse nuk e ka me futbollin e viteve 90' e me perpara.S.d.q treguam ate qe na karakterizon perhere,nje fillim i vrullshem dhe nje shuarje e ngadalshme,jemi me shume /sprinter/ te distancave te shkurtra se sa vrapues te atyre te gjatave,po te perdorim kete krahasim atletik per lojen ne futboll.Gjithashtu tregon qe kemi pasion,por jo kembe.Jemi te lindur per arte marciale.Mjafton te shikosh medaljet e sukseset e sportisteve tane ne sporte te tjera,pa mbeshtje nga shteti e tifozet,pa stadiume e akademi speciale dhe sukseset jane varg,kurse ne futboll,sukseset nderkombetare mund t'i numerosh me gishtat e dores.

    Përgjigju
  • Emigrante: 16/06/2024 01:25

    Ndeshje e shemtuar e skuadres sone . Te pakten mos ta dhuronin. Nuk ju a bem hic te veshtire Italianve fitoren

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Bie nga kati i dytë i banesës, ndërron jetë fëmija 8-vjeç në Bathore

Tiranë/ Bie nga kati i dytë i banesës, ndërron jetë fëmija 8-vjeç në Bathore