Nga lajmet për divorc, tek rikthimi në Tiranë pas 5 vitesh: Rrëfehet Anjeza Shahini

Nga lajmet për divorc, tek rikthimi në Tiranë pas 5 vitesh: Rrëfehet Anjeza Shahini

Mira Kazhani dhe Anjeza Shahini

Kur ajo u kthye në Instagram pas një detoksi 3-vjeçar, i shkruajta dhe e ftova në Podcast kurdo që ajo do të ishte në Tiranë, të piqeshim për një bisedë. Për ironi të fatit pak ditë më vonë pashë një lajm që qarkulloi rreth jetës së saj private. Kështu u bënë dy arsye të forta dhe ndoshta një podcast edhe më interesant me Anjeza Shahinin.

Mira Kazhani: Anjeza, nga t`ia fillojmë?

Anjeza Shahini: Nga të duash ti. Mirë se të gjeta!

Mira Kazhani: Çfarë ndjesie ke kur vjen në Tiranë?

Anjeza Shahini: Këtë herë e kam pasur shumë të fortë ndjesinë se u bënë gati 5 vjet që nuk e kam shkelur Tiranën, duke pasur parasysh kohën e Covidit, shtatzëninë, Torin, shumë gjëra. Nuk e kisha menduar kurrë që do të rrija kaq gjatë pa ardhur dhe kur kam ardhur kam pasur shumë emocion. Gjatë gjithë rrugës që kam ardhur, edhe këtu, shikoja gjithçka.

Mira Kazhani: Çfarë të bëri më shumë përshtypje?

Anjeza Shahini: Ka ndryshime shumë.

Mira Kazhani: Çfarë ndodhi që ike nga Instagrami? Rikthimi yt në Instagram më kujtoi dhe mua për ty. Ne jemi edhe ajo ç`ka postojmë në Instagram, për fat të mirë apo të keq.

Anjeza Shahini: Po, të shoh me sy, më bie mendja për ty (qesh). Unë në fakt u shkëputa nga Instagrami në periudhën që sapo nisi Covidi, në ato fillimet e veta të kohës së Covidit pa e menduar se çfarë do të ndodhte në gjatësi. Mendova do marr një kohë për vete, sepse në atë periudhë Tori, vajza ime, nuk mund të shkonte dot në çerdhe siç e kishim planifikuar. Shumë mendime që unë kisha pasur, që do të bëja në atë kohë, duhet të rimendoheshin dhe kështu, e para gjë, prioriteti im ishte Tori. Thashë do marr një kohë të shkurtër të merrem me të, pastaj nuk kam mendje për momentin të jem… sepse Instagrami është bërë punë më vete tani. Punë 8-orarëshe.

Mira Kazhani: Edhe 24 për atë punë. 24 në 24 për disa njerëz.

Anjeza Shahini: Nuk e kisha atë fleksibilitet për momentin, pastaj më shijoi. Më shijoi ndenjtja larg Instagramit për çudi dhe rrjeteve sociale.

Mira Kazhani: Cilat gjëra konkretisht të shijonin që ishe larg Facebook-ut, Instagramit, larg rrjeteve sociale?

Anjeza Shahini: Besoj se po të isha këtu në Shqipëri do të ishte ndryshe situata, sepse jeta ime ishte me televizionin, me publikun. Çdo marrëdhënie ishte me publikun. Çdo gjë që unë bëja gjatë ditës. Ndërsa atje nuk është e njëjtë. Jeta ime është ndryshe. Është një jetë normale. Unë kam një shoqëri që s`ka lidhje fare me publikun, me televizionin. Kam një jetë krejt normale. Ato gjërat e bukura të vogla që ti bën, jo domosdoshmërisht kanë atë bumin e Instagramit.

Mira Kazhani: Për disa sot bum është edhe një picë që duhet ta postojnë apo çfarë po veshin, ku po shkojnë.

Anjeza Shahini: Më shijoi të mos e ndaja me të gjithë. Më shijoi ajo kohë që ta merrja për veten, për familjen time, për Torin. Të shijoj disa udhëtime të bukura pa i postuar dhe kuptova shumë gjëra. Kuptova që në atë periudhë mund të marrësh pak kohë për veten, të reflektosh, pa menduar që po ha këtë, ta nxjerr në Instagram. E kam pas bërë gjithmonë edhe unë në Instagram, Facebook.

Mira Kazhani: Të gjithë e kemi bërë diçka…

Anjeza Shahini: E bëjmë të gjithë akoma, edhe tani. Më shijon edhe ajo pjesë. Më pëlqen. Po e doja një kohë për veten time.

Mira Kazhani: Vendose të rikthehesh. Të mori malli pastaj?

Anjeza Shahini: E kisha pasur në plan që do vija një moment, as nuk diskutohet fare. Pastaj i dhashë edhe pak kohë vetes pas shkëputjes. Tori vajti në kopsht. Familja filloi të merrte një rregull jetese normale dhe unë fillova të merresha pak më shumë me muzikën, siç e kisha planifikuar më përpara. Bëra ato testimet e mia të vogla në lidhje me ato gjëra që doja të bëja dhe pastaj u ndjeva gati që ta ndaj këtë gjë me publikun. Gjithmonë duke marrë parasysh përgjegjësinë që unë kam përpara publikut. Dua t`iu jap atë që është gjë e mirë, jo në provë.

Mira Kazhani: Kur u riktheve në Instagram, e gjete edhe veten peshk për disa portale në Shqipëri. U përhap një lajm. Kishin studiuar fotot e Instagramit tënd. U futa dhe unë i pashë pastaj. Nuk do të kishte shkuar kurrë mendja se ai Instagram është një lloj parathënie për një ndryshim në jetën tënde familjare. Dikush -nuk e di kush e nxori i pari, se asnjëherë nuk merret vesh – aludoi se ti mund të ishe divorcuar.

Mira Kazhani: Ti e përgënjeshtrove menjëherë lajmin.

Mira Kazhani: Të erdhi hidhur? U mërzite?

Anjeza Shahini: Po sigurisht. Ishte një lajm budalla (qesh) në gjithë kuptimin e vet se si u krijua dhe pastaj si u shpërnda. Burimi ishte djallëzues. Nuk më pëlqeu në formën sesi nisi. Një njeri që shkon dhe të gërmon nëpër foto për mendimin tim është një mendje djallëzore. Nuk është më një mendje intervistuesi apo gazetarie.

Mira Kazhani: Ti mendove që pas këtij lajmi është një gazetar që po kërkon thjesht klikime apo mund të ishte edhe dikush që kishte një inat me ty.

Anjeza Shahini: Absolutisht po.

Mira Kazhani: Të shkon mendja tek një njeri?

Mira Kazhani: Kush do donte të të mërziste ty kaq shumë?

Anjeza Shahini: Nuk e di. Me siguri ka dashur të më mërzisë, sepse një gazetar, nëqoftëse e mban veten për gazetar, bën investigimin e duhur, nuk bëhet investigimi në Instagram.

Mira Kazhani: Çfarë tha Paul, bashkëshorti yt?

Anjeza Shahini: Paul qeshi dhe tha: A të shkoj tani në pub?

Mira Kazhani: Çfarë i the ti? Shko.

Anjeza Shahini: Jo, harroje (qesh).

Anjeza Shahini: Jo, nuk jam xheloze fare. Nuk e kemi fare këtë pjesë.

Anjeza Shahini: Jo, nuk e njohim as posesivitetin, as xhelozinë. Thjesht unë jam shumë e kujdesshme përsa i përket shëndetit dhe jam kështu: Nuk dua të shkosh të pish birrë, e gjëra të tilla.

Mira Kazhani: Paul-it nuk i pëlqejnë shumë fotot? Kështu shkruaje dikur në një postim tëndin në Instagram, në 2018-ën. E shikon? Kam bërë një kërkim.

Anjeza Shahini: Po, po. Ajo është pjesa e interesit dhe është shumë e bukur.

Mira Kazhani: Kjo ishte përpara podcast-it.

Anjeza Shahini: Është shumë e bukur. Është për të marrë vesh. Dhe unë prandaj e rregullova Instagramin përpara se ta hapja. Ta sistemoja pak. Se më dukej kështu si portofoli im, por jo si një formë informuese për thashetheme në fakt.

Mira Kazhani: Duhet të jemi të kujdesshëm mesa duket që të postojmë të gjithë gjërat që të mos ketë keqkuptime.

Anjeza Shahini: Unë thjesht nuk mendova që ishte e drejtë. Doja të kisha një profil ku unë të flisja për muzikën time, pasi është më e rëndësishmja. Për këtë arsye më njohin njerëzit. Jo për familjen time.

Mira Kazhani: Është gjithmonë interesante që një njeri publik dhe madje kjo është ajo që publiku do më shumë, të kuptojë për jetën e tij personale, për udhëtimet, për sëmundjet ndonjëherë. Edhe kur janë me grip bëhen interesantë. Të gjithë tentojnë të ndajnë diçka nga jeta e tyre e vërtetë, sepse i bën më të dashur, për hir të së vërtetës.

Anjeza Shahini: Artisti ka momentet e veta që duhet t`i tregojë dhe të flasë për gjithçka që ka mundësi. Ja, si për shembull një intervistë e tillë nëse lexohet dhe interpretohet ashtu siç duhet, merret dhe mund të flasim edhe për tema shumë më të thella sesa aq. Ka artistë nëpër botë që flasin edhe për gjëra më të rënda dhe jam dakord për këtë gjë.

Mira Kazhani: E gjejnë të drejtën artistët e cënuar në imazh, në Angli. Se mediat angleze janë të rrezikshme gjithashtu. Kanë një model shumë agresiv. I futin hundët aty ku nuk u takon në jetën e tjetrit. Po nga ana tjetër si është sistemi i gjykatave. E gjejnë të drejtën? Zgjat shumë si proces? Apo kur vjen puna tek e drejta e autorësisë dhe tek imazhi, ata janë të ndjeshëm.

Anjeza Shahini: Ka një histori të gjatë media angleze në lidhje me këtë, sidomos pas viteve `90-`97. Që nga episodet që ndodhën dhe me familjen mbretërore…

Mira Kazhani: Që me Lady Diana-n…

Anjeza Shahini: Po. Kështu që, që atëherë ka pasur ligje të reja në lidhje me këtë pjesë, me futjen e hundës. Nuk është më aq e thjeshtë edhe për gazetarët të shkojnë edhe të futin hundët tashmë. Dhe nëse e bëjnë, duhet të bëjnë investigimin e duhur, duhet të kenë lajmin e faktuar, nëse do ta japin, do ta shkruajnë në gazetë.

Mira Kazhani: Hamendësime nuk shkruajnë dot.

Anjeza Shahini: Nuk shkruan dot.

Mira Kazhani: Çfarë ndodh nëse i shkruan?

Anjeza Shahini: Nëse i shkruan duhet thënë që është hamendësim dhe jo në titull jepet si lajm dhe pastaj në brendësi është hamendësim.

Mira Kazhani: A të shqetëson ty lajmi që qëndron në Google?

Anjeza Shahini: Po, ajo ishte pjesa që më shqetësoi më tepër.

Mira Kazhani: Di shqip Viktoria?

Mira Kazhani: Ok, një gjë e mirë të paktën. Nuk e lexon ajo. Unë personalisht e kam mbyllur atë portë. Nuk e klikoj më emrin tim në Google.

Mira Kazhani: Se sinqerisht nuk ngjajmë fare. As 5%. Po s`e kemi këtë të drejtën për t`u harruar në Google. Ndoshta do të shpiket në të ardhmen dhe është mirë të shpiket për lajmet fake.

Anjeza Shahini: Kjo është pjesa që për mendimin tim kohët e reja e kanë sjellë për fatin e keq. Shumë gjëra që ka në Google nuk do të kisha dashur që të kishin qenë aty.

Mira Kazhani: Ke ndonjë lajm tjetër në Google që s`të pëlqen për vete?

Mira Kazhani: Do ma thoje për shembull.

Anjeza Shahini: Nuk është se kam lajme që nuk më pëlqejnë, por ka lajme që në sipërfaqe vjen çdo gjë në lidhje me familjen time. “E martuar, me diplomatin…” Janë lajme që janë interesante, por mendoj që kam bërë pak më tepër sesa aq në jetë.

Mira Kazhani: U bënë 10 vite me Paul?

Anjeza Shahini: Me Paul janë bërë më shumë. Po martesë ka që në vitin 2015.

Mira Kazhani: Kur kalon koha, si është marrëdhënia me dikë?

Anjeza Shahini: Unë mendoj që merr faza të ndryshme. Sigurisht që shkon në një fazë kur ti je më e qetë. Nëqoftëse më parë kisha ato fluturat në bark dhe kisha merak çfarë do më thoshte në mesazh, tani këto gjëra nuk ekzistojnë. Po janë ato gjërat e tjera që për mendimin tim historia bëhet më e bukur. Gati-gati e sheh veten një. E sheh veten të pandarë. Kjo për mua është një dashuri edhe më e bukur.

Mira Kazhani: Me Paul do ishte rimartuar edhe në një jetë tjetër ti?

Anjeza Shahini: Po, por me një dasmë më të madhe kësaj radhe (qesh).

Mira Kazhani: Unë në një jetë tjetër do isha martuar me Brad Pitt, që ta dish (qesh).

Anjeza Shahini: Po ja ku jemi. Është akoma beqar më duket (qesh).

Mira Kazhani: Është, është… por në një jetë tjetër. Në këtë jetë jam me këmbë në tokë unë. Jam këtu në Tiranë, duke intervistuar Anjeza Shahinin.

Anjeza Shahini: Jetës nuk i dihet.

Mira Kazhani: Jetës i dihet dhe nuk i dihet (qesh).

Ti more një vendim të fortë, që në përgjithësi e marrin vajzat. Në emër të dashurisë dhe të familjes janë në gjendje të sakrifikojnë edhe karrierën e tyre. Ti ishe në kulmin tënd kur gjete Paul dhe re në dashuri me të. Ikët të dy bashkë në Angli. Ikja jote nga Shqipëria dhe në njëfarë forme mbyllja e derës së muzikës apo të Instagramit më vonë, në emër të familjes, është një gjë shumë humane dhe e mrekullueshme. Po nga ana tjetër, nuk është edhe e lehtë të jesh një talent si ti, me zërin tënd, që kur hapje ti gojën, sikur ishte një gjë që të bënte përshtypje… e ke patur të veçantë gjithmonë këtë. Pyetja që më vjen natyrshëm është: A nuk mund të jetojnë të dyja bashkë, edhe karriera, edhe familja?

Anjeza Shahini: Sigurisht që po. Unë jam një mbështetëse shumë e fortë e kësaj pjese. Paul është një nga ata që është edhe shumë më i fortë se unë tek kjo pjesë. Shumë njerëz ndoshta edhe e kanë keqkuptuar. Kanë menduar që tashmë është martuar dhe ndoshta Paul nuk është shumë Pro, sepse ai nuk është pjesë e kësaj bote. Po përkundrazi, ai është edhe më shumë sesa unë.

Mira Kazhani: Është diplomat. E kupton mirë botën.

Anjeza Shahini: Madje ai më shtyn më shumë sesa unë dua ndonjëherë. E para vajtja nga një vend në një vend tjetër nuk është aq e lehtë sa ne e mendojmë. Gjithkush ka eksperiencën e vet. Nuk mund të jetë njësoj sigurisht. Po është një sfidë më vete. Unë atje jam Ani. Nuk jam as Anjeza. Jam Ani. Jam një njeri i thjeshtë. Nuk jam njeri i famshëm.

Mira Kazhani: Si e përjetove në fillim, që u bëre nga Anjeza, në një njeri të zakonshëm si gjithë të tjerët?

Anjeza Shahini: Kam qenë pak ashtu gjithmonë. Edhe kur kam pasur atë dritën mbi vete, e kam dashur kur kam qenë në skenë, kur kam qenë në program dhe sa dilja, doja atë jetën time normale. Edhe vazhdoj të jem e tillë. Mua më pëlqen ajo pjesë.

Mira Kazhani: Anonimati të pëlqen?

Anjeza Shahini: Më pëlqen.

Anjeza Shahini: Po, ndihem rehat. Të vishem me tuta, të dal edhe të jem rehat pa tualet.

Mira Kazhani: Ke një projekt me muzikën tani. Duket si një nga arsyet për të cilat je kthyer në Instagram, për të folur edhe për projektin tënd. Si quhet?

Anjeza Shahini: “Ani and The Cranes”.

Mira Kazhani: Çfarë është The Cranes?

Anjeza Shahini: Unë gjatë kohës që isha off Instagram krijova një band që quhej Common Cranes, me disa miq shumë të mirë që kam krijuar atje ku jam, muzikantë. Bëmë disa evente të vogla për t`i testuar ato këngët tona që krijuam bashkë. U pritën shumë mirë nga zona ku ishim dhe pa atë ambicien e fortë për të qenë kushedi ku, e kam shijuar shumë atë pjesë, pjesën e krijimtarisë. Një gjë që unë nuk kam guxuar më parë ta bëj.

Mira Kazhani: E bën vetë tekstin?

Anjeza Shahini: Edhe muzikën, edhe shumë gjëra të tjera që bëj pjesë dhe që vë unë firmën e këngës. Kam qenë shumë e frikësuar më parë.

Mira Kazhani: Ku do të shkosh me këtë? Çfarë do të bësh? Ku do të arrish? Cili është qëllimi yt?

Anjeza Shahini: Unë dua të bëj këngë. Ky është qëllimi. Unë dua të bëj këngë. T`i këndoj ato. T`i ndaj me njerëzit që dua.

Mira Kazhani: Ku do t`i këndosh?

Anjeza Shahini: Tashmë në jetën online.

Mira Kazhani: Do t`i hedhësh në YouTube?

Anjeza Shahini: Po, gjithçka është aty. Do të shpërndahen. Pastaj, se çfarë do të ndodhë…

Mira Kazhani: Ndonjë ambicie, për të arritur diku? Për të kapur një shtëpi diskografike të mirë?

Anjeza Shahini: Tashmë koha ka ndryshuar. Nuk është e thënë që duhet të kesh një shtëpi diskografike. Një shtëpi diskografike duhet të ketë shumë para, për të arritur që të marrë një artist dhe ta tejkalojë indipendencën. Domethënë një artist sot mund të jetë indipendent dhe të jetë shumë më mirë, sesa ta marrë një record label. Ka kaluar në këtë fazë. Artistë shumë të mëdhenj nëpër botë po mundohen të dalin nga record labels, sepse duan të jenë indipendent. Ka kaluar në këtë formë. Megjithatë, nëse do të ishte diçka që do të më interesonte dhe do të ishte pro muzikës që unë bëj, absolutisht po. Pavarësisht se mosha bën të vetën. Unë kam shkuar në Angli nuse. Nuk kam shkuar vajzë. (qesh)

Mira Kazhani: Tina Turner 50 vjeçe e pati kulminacionin e vet.

Mira Kazhani: Histori tjetër. Ishte vajzë Amerike (qesh) Çfarë gjërash të kanë bërë përshtypje ty në Angli. Ku jeton, në Londër apo qytet tjetër?

Anjeza Shahini: Unë jetoj në Chester. Nuk jetoj në Londër. Edhe kjo është një gjë tjetër… Se është normale, Anglia njihet nga kryeqyteti i vet Londra. Nuk jetoj më në Londër. Kam qenë në Londër në fillim, afër Londrës dhe tashmë jetoj në Chester, një qytet në veri-perëndim të Anglisë. Që në momentin që vendosëm të kishim fëmijë unë doja të shkoja në Chester, sepse aty është familja e Paul dhe nuk doja që vajza ime të ishte vetëm.

Mira Kazhani: Me gjyshër…

Mira Kazhani: Çfarë ke bërë gjatë këtyre viteve? Ke bërë një punë?

Anjeza Shahini: Po, kam studion time nga ku trajnoj artistë të tjerë, por jo vetëm artistë, njerëz të të gjitha fushave, vokalisht. Është një kënaqësi shumë e madhe që kam marrë. Gati-gati këtu e kam ndjerë suksesin më të fortë, se çdo gjë e bëj vetë. E kam krijuar vetë nga fillimi. Se nuk është e lehtë që të nisësh gjithçka nga fillimi vetëm, me një emër që nuk e njeh askush.

Mira Kazhani: Si i gjete klientët e parë? Si erdhën nxënësit e parë?

Anjeza Shahini: Është formë biznesi. Ashtu siç çdokush tjetër krijon website-in tënd, krijon marketingun tënd. Bën marketing lokal. Bën marketing online. Të gjithë gjërat që duhet t`i bësh.

Mira Kazhani: Si e bëre ti për shembull?

Anjeza Shahini: Fillimisht unë nuk kam treguar që isha këngëtare nga Shqipëria, fare. Unë kam thënë jam një këngëtare, Ani. Kam dhënë background-in tim studimor.

Mira Kazhani: Pse nuk e the që ishe nga Shqipëria?

Anjeza Shahini: Nuk doja që të vinin për famën time apo që kjo qenka e famshme. Po doja të vinin, të shikonin për atë që unë dija të bëja si fillim. Pastaj u shpërnda lajmi.

Mira Kazhani: Të ndihmuan ty miqtë edhe rrethi i Paul?

Anjeza Shahini: Jo fare. S`ka pasur lidhje fare. E kam bërë gjithçka vetë.

Mira Kazhani: Si janë anglezët?

Anjeza Shahini: Anglezët që njoh unë, sepse janë shumë… janë njerëz shumë të qetë. Janë njerëz që duan gjithçka ta marrin me një të qeshur. I marrin gjërat pozitive. Nuk kanë nerv të fortë. Në kuptimin: Jam me nerva për këtë gjë. Nuk e shoh këtë asnjëherë.

Mira Kazhani: Janë francezët ashtu me nerva përgjithësisht.

Anjeza Shahini: Duhet t`ia nxjerrësh me zorr që të bëhen pak me nerva. I them unë: “Come on”.

Mira Kazhani: Janë ata njerëz që ndihmojnë, mbështesin, të hapur?

Anjeza Shahini: Anglezët janë shumë për komunitetin. Anglia është një ndër vendet që krijon bamirësi më shumë se kushdo. Unë në fillim thosha, si i jepni lekët kaq kollaj për çdo gjë? Jepnin lekë kudo që shkonin. Bëjnë bamirësi. Bëjnë organizata pa fund në komunitet. Çdo gjë e falin.

Mira Kazhani: Edhe vullnetarizëm bëjnë shumë.

Anjeza Shahini: Vullnetarizëm pafund. E kanë pak si në kohën e komunizmit them unë, por në formë të mirë, në pjesën e mirë.

Mira Kazhani: Po e vërtetë. Edhe kur vdiq mbretëresha pak si në kohën e komunizmit na u duk.

Anjeza Shahini: E kanë pak atë konservatorizmin e tyre, duan ta ruajnë.

Mira Kazhani: Nuk është gjë e keqe kjo. Është gjë e mirë. Një lloj ndjenje komunitare në atë formë.

Anjeza Shahini: Po patjetër.

Mira Kazhani: Me Viktorian je një mami shumë e vëmendshme, shumë e fokusuar.

Anjeza Shahini: Ajo është drita ime. Nuk bëhet fjalë fare.

Mira Kazhani: Do t`i bësh ndonjë motër apo vëlla? Keni plane?

Anjeza Shahini: Jam mirë për momentin.

Mira Kazhani: Rutina jote e ditës, cila është? Ti çohesh në mëngjes dhe…

Anjeza Shahini: Pika e parë çoj vajzën në kopsht, si çdo mama besoj.

Mira Kazhani: Sa vjeç është?

Anjeza Shahini: Katër. Pastaj, dita është e ndryshme. Duke qenë se e filloj punën në mesditë, mbasdite vazhdon më tepër, deri në atë moment, kam të drejtë të lëviz gjëra. Qoftë të merrem me shtëpinë. Qoftë të bëj ndonjë takim në studio, ku kam bërë shumë regjistrime kohët e fundit.

Mira Kazhani: Se s`dua ta humb këtë. Nëse thuhet, sa paguan një nxënës për leksionet me ty?

Anjeza Shahini: Është sekret (qesh). Për Shqipërinë është sekret.

Mira Kazhani: Ti i ke parë podcastet dhe nuk e di nëse të ka qëlluar të ndjekësh Primo Shllakun. Është një profesor, shkrimtar, regjisor, njeri i mençur. Një shqiptar i mire. Ai më ka thënë një gjë që më ka pëlqyer shumë. Në vitet e para të `90 ka emigruar në Greqi, se ishim të gjithë të varfër dhe ka dhënë mësim frëngjisht. Kur e pyeta sesi shkonte shkolla dhe a e vlerësonin ata, tha: Nuk e di a më vlerësonin ata, por unë çmimin ua vija të kripur.

Anjeza Shahini: Shumë e bukur! Unë nuk e kam bërë aq të kripur, sepse unë dua të shpërndaj sa më shumë, si mision, këndimin. Se këndimi është shumë mirë për mendjen. E bëj këtë për këdo. Edhe ai që nuk di të këndojë, edhe ai që është pa asnjëherë eksperiencë të kënduari dhe jashtë notave…

Mira Kazhani: Ka që vijnë tek ti edhe jashtë notave, thjesht për pasion? Apo vijnë të gjithë për t`u bërë këngëtarë?

Anjeza Shahini: Absolutisht. Për sa kohë ata e dinë dhe unë u tregoj gjithçka se ku janë.

Mira Kazhani: Pse mund të mësojë njeriu të këndojë?

Anjeza Shahini: Mëson të këndojë. Po gjithmonë është veshi që është i rëndësishëm. Kur nuk është veshi, që quhesh “death tone”, aty pastaj duhet thënë hapur. Dhë nëse dikush është i gatshëm ta marrë gjithsesi dhe të këndojë, nuk do të thotë absolutisht asgjë. Mund të këndojë për qejf. Se është një gjë që ne shqiptarët e bëjmë shumë bukur. Në Angli nëse nuk janë këngëtarë, kanë frikë të këndojnë përpara dikujt, përpara familjes. Të jenë me njerëz e të këndojnë. Nuk këndojnë.

Mira Kazhani: Nuk këndojnë ata nëpër festa familjare, nëpër dasma?

Anjeza Shahini: Jo. Kanë shumë siklet ta bëjnë këtë gjë. Kanë shumë turp. Ndërsa ne shqiptarët u them – se këtu vjen puna ku unë promovoj Shqipërinë gjithmonë, për kulturën që kemi. Se e kam këtë mundësi, sepse unë kam jetuar dhe jam rritur në këtë vend dhe atë kulturë mundohem ta jap me aq sa mundem.

Mira Kazhani: Çfarë iu thua konkretisht?

Anjeza Shahini: Ne shqiptarët këndojmë në shtëpi, u them.

Mira Kazhani: Po nuk qeshim shumë si ju ama.

Anjeza Shahini: Kemi formën tonë në të qeshur. Po ne këndojmë. Ne zgjohemi në mëngjes, këndojmë. Bëjmë darka, dreka, këndojmë të gjithë. Kjo na ka dhënë neve një formë vetëbesimi në mënyrën sesi flasim me njëri-tjetrin, në mënyrën sesi flasim në media. Nuk jemi aq të turpshëm, sepse këndimi ta jep këtë pjesë.

Mira Kazhani: Është e vërtetë. Më kujtove gjyshin tim të ndjerë që e kam dashur shumë. Sa herë që shkonim për ta vizituar, e gjenim duke dëgjuar me zë shumë të lartë Merita Halilin. Vonë e kam marrë vesh që kur ka qenë i ri, kish kënduar. Unë nuk kam ndonjë talent, por nuk është se jam krejt pa vesh.

Anjeza Shahini: Pikërisht, sepse ne kemi dëgjuar prindërit tanë të këndojnë. Jemi mësuar. Unë kam pasur njerëz që kanë ardhur, që nuk kanë dëgjuar muzikë në gjithë jetën e tyre. Jam habitur. Jam shokuar. Nuk e kanë dëgjuar në shtëpi. Kjo është një gjë që unë mundohem të shpërndaj sa më shumë. Po të kisha mundësi, ta bëja si mision, do ta bëja edhe më shumë.

Mira Kazhani: A ke një peng nga Shqipëria ti Anjeza Shahini?

Anjeza Shahini: Peng. Po të mos kesh pak pengje, është si të thuash, e kam bërë çdo gjë në rregull. Sigurisht që ka gjëra që nuk janë bërë ashtu siç… Po për momentin që janë bërë kanë qenë ok. Për rrethanat që janë… Nuk do të thoja që do mbaja peng, për asgjë.

Mira Kazhani: Cila ka qenë faza jote më e bukur në Shqipëri? Që kur e kujton të prek edhe të mbush shpirtin…

Anjeza Shahini: Kur familja ishte plot dhe ishim të gjithë në shtëpi.

Mira Kazhani: Të mungon babi? Se e kam dalluar nga Instagrami.

Mira Kazhani: Mami jeton këtu?

Anjeza Shahini: Mami jeton këtu. Edhe mamaja më mungon. Ia bëra suprizë ardhjen edhe u ndjeva pak keq në fakt që ia bëra të tillë, se e preka shumë. Po për fat të mirë, kemi pasur fatin që të vijë tek ne, të shijojë mbesat.

Mira Kazhani: E ka marrë vizën kollaj, nuk ka pasur probleme?

Anjeza Shahini: Kollaj nuk do thoja. Është e vështirë. Edhe për Paul që i di shumë mirë fazat sesi shkojnë, janë të vështira. Janë shumë burokracira dhe ne bëhemi me nerva këtu. Këtu bëhemi me nerva ne. Burokracinë nuk e dua fare.

Mira Kazhani: Nuk ka qenë moment i lehtë për shqiptarët në Angli vitin e fundit, për shkak të emigracionit, po edhe për shkak të qëndrimit të asaj ministres. Më pas debati që u hap në media. Si e ke ndjekur ti këtë debat dhe çfarë të është dashur t`u shpjegosh apo të diskutosh me miqtë e tu anglezë.

Anjeza Shahini: Në bisedat e përditshme në fakt nuk flitet për politikë. Nuk flasim për politikë shumë. Po sigurisht që kjo pjesë bëri bujën e vet.

Mira Kazhani: Kam lexuar komente aq negative në Twitter, në anglisht.

Anjeza Shahini: Po, ka kaq shumë.

Anjeza Shahini: Po ashtu është ndjerë. Gjithmonë është ajo sipërfaqja që gjithmonë del ajo njolla e kuqe. Po shumica e njerëzve që unë shoh përditë kanë një kuriozitet të madh për shqiptarët. Kur u thua: “Jam nga Shqipëria”, “Uau, më thuaj pak…”. Kur iu thua: “Jam italiane”, thonë “Uu nice”. Kanë kuriozitet. Janë mësuar të shikojnë të tjerë, ndërsa kanë kuriozitet për Shqipërinë. Sidomos kjo pjesa e veri-perëndimit se nuk është aq e mbushur me emigrantë.

Mira Kazhani: Nuk është e rrahur nga emigracioni.

Anjeza Shahini: Ndërsa Londra ndoshta është njëçik më e vështirë. Ndoshta ka më pak anglezë. Por janë kuriozë për shqiptarët. Dhe kur kjo ndodhi ishin gati-gati edhe ata të mërzitur. Çfarë ka ndodhur? Megjithatë, kur unë kam vajtur në Angli në fillim, në vitet e para, ka pasur një emër shumë të mirë për shqiptarët. Të paktën unë kështu e kam ndjerë, sepse kemi bërë disa gjëra shumë të mira. ka shqiptarë në Angli që kanë bërë disa gjëra shumë të mira. Këto gjëra e kanë promovuar Shqipërinë. Kjo pjesa e fluksit, të ardhjes, si gjithmonë… Kanë një gjë anglezët, për drejtësinë janë shumë të fortë. Nuk duan gjëra që janë jolegale. Jo shumica ëë. Mundohen çdo gjë të jetë e drejtë, “fair” i thonë. Kanë ndjeshmëri ndaj kësaj pjese dhe në momentin që sheh kaq shumë gjëra që vijnë tek ty dhe njerëz që vijnë në mënyrë kaq fortë, në mënyrë jolegale dhe që nuk vijnë nga vendet e luftës, aty pastaj e pashë kishte një kuriozitet pse po ndodh, çfarë ka në Shqipëri? Ishte një përgjigje që unë as vetë nuk dija ta jepja. Nuk e di, i thashë, sepse Shqipëria unë e shikoj po ecën dhe është zhvilluar kaq bukur. Po sigurisht pastaj bëhet pikëpyetja, që me siguri ka diçka që mungon përderisa shumë njerëz marrin çantën në dorë për të arritur në këtë pikë që ne kemi qenë para 20 vjetësh.

Mira Kazhani: Po nuk është vetëm lufta arsye për të emigruar. Varfëria është arsye për të emigruar. Nëse dikush shikon një mundësi më të mirë…

Anjeza Shahini: Kjo është një gjë që nuk e kanë kuptuar akoma shumë vende perëndimore.

Mira Kazhani: Sepse ato e kanë… I kanë të gjitha. Nuk i duhet as shkolla madje.

Anjeza Shahini: Ia shpjegoj gjithmonë, çdo ditë. Se ju s`e kuptoni u them, por kështu… me shpatë në dorë gjithmonë (qesh)

Mira Kazhani: Anjeza shumë faleminderit! Nuk të thërras dot Ani.

Anjeza Shahini: Jo, absolutisht. Unë prandaj edhe e kam mbajtur emrin Anjeza Shahini, sepse do të mbetem gjithmonë Anjeza Shahini këtu. Ani and The Cranes është një projekt i imi. Nëse njerëzit do të më ndjekin në këtë projekt, i falënderoj dhe kaq!

Mira Kazhani: Më vjen mirë që vajza kaq të talentuara, artiste kështu si ti, kanë gjetur forcën për të vlerësuar të bukurën tek e thjeshta e jetës.

Anjeza Shahini: Të falënderoj!

Mira Kazhani: Kurajë! Komplimente!

A.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Pashkët ortodokse, Balla në Kapshticë kërkon marrjen e masave për lëvizjen në pikat kufitare

Pashkët ortodokse, Balla në Kapshticë kërkon marrjen e masave për lëvizjen në pikat kufitare