Nga masat kundër COVID, tek dialogu me Serbinë, çfarë u bisedua mes Kurtit dhe presidentin Macron në lidhjen telefonike

Nga masat kundër COVID, tek dialogu me Serbinë, çfarë u bisedua mes Kurtit dhe presidentin Macron në lidhjen telefonike

Albin Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme një bisedë telefonike me presidentin francez, Emmanuel Macron, ndërkohë që ka folur për situatën me COVID dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas zyrës së shtypit të kryeministrit në detyrë, ai ka nënvizuar se efektiviteti i dialogut varet nga pjesëmarrja e Evropës.

“Evropa nuk mund të zëvendësohet nga ndonjë kontinent tjetër dhe as Franca nga ndonjë shtet tjetër. Evropa është edhe mjedisi edhe perspektiva e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Kurti.

Në lidhje me pandeminë e COVID-19, ai e falënderoi Presidentin dhe qeverinë franceze për mbështetjen që i kanë dhënë Franca dhe Bashkimi Evropian Kosovës, ku ndihma evropiane e caktuar për Kosovën filloi me 5 milionë euro dhe do të kapë vlerën e përgjithshme prej 68 milionë eurosh.

Kurti informoi presidentin Macron për masat e marra nga qeveria dhe rezultatet, duke thënë se beteja kundër virusit COVID-19 mbetet prioritet i drejtpërdrejtë i qeverisë në detyrë.

Ai falënderoi gjithashtu presidentin Macron për deklaratën e përbashkët franko-gjermane në lidhje me mocionin e mosbesimit në kushtet e tanishme.

Kryeministri nënvizoi se zbrazëtira e krijuar nga ky mocion nuk mund të mbushet, as kriza politike nuk mund të tejkalohet, veçse nëpërmjet zgjedhjeve të reja, e vetmja mënyrë legjitime dhe legale për vënien në jetë të një qeverie të re.

“Çdo përpjekje tjetër për të prodhuar ndryshe ndonjë qeveri në gjendjen aktuale të gjërave do të kalojë përmes udhëve antikushtetuese. Zgjedhjet e reja politike janë të mundshme vetëm pas zgjidhjes së krizës shëndetësore”, ka thënë Kurti.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, nga ana e tij, Presidenti francez shprehu aprovimin për trajtimin e krizës shëndetësore prej qeverisë kosovare.

“Më pas, presidenti francez dhe kryeministri folën për dialogun dhe angazhimin përkatës, për një përgatitje të vërtetë e për një pjesëmarrje të vërtetë të palëve në këtë dialog.

Në këtë perspektivë, presidenti Macron shprehu mbështetjen e tij për rifillimin e qarkullimit të mallrave mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.

Ai premtoi rritjen e rolit të Francës dhe lehtësimin e dialogut. Ky do të jetë edhe synimi i samitit të Parisit për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, samit i organizuar nën drejtimin e Francës dhe Gjermanisë, me Bashkimin Evropian sapo të krijohen kushtet e duhura.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sulmet e Metës ndaj Dumanit, Wisner: Shqetësuese, s'kanë vend këtu! Shqiptarët duan drejtësi dhe kjo është boll e qartë për këdo

Sulmet e Metës ndaj Dumanit, Wisner: Shqetësuese, s'kanë vend këtu! Shqiptarët duan drejtësi dhe kjo është boll e qartë për këdo