Nga Shqipëria qeliza të brishta për një Europë ndryshe

Nga Shqipëria qeliza të brishta për një Europë ndryshe

Tridhjetë mjekët dhe infermierët shqiptarë që u nisën në ndihmë të Italisë së gjunjëzuar nga koronavirusi nuk janë puna më e madhe e bërë deri më sot, por ama janë qeliza e brishtë, ende jo perfekte, e një Europe që duhet të rindërtohet ndryshe. Nuk është edhe aq e rastësishme që një sinjal i tillë për Europën e moçme e të mençur, të stërvitur mes qindra betejash e peripecive vjen nga periferia e periferive: Nga Shqipëria e vogël, që më pëlqen ta quaj të Skënderbeut që luftoi për ta mbrojtur nga avancimi i Turqve, dhe të Nënë Terezës, që me dorën dhe zemrën e saj mjekoi shpirtin e të varfërve të botës. Edhe nga një realitet joperfekt si i yni, mund të lindin qeliza të vlefshme civilizimi.

Sa e admirojmë saktësinë e gjermanëve, liberalizmin e holandezëve, kreativitetin e francezëve, shtetbërjen e austriakëve, rendin social të suedezëve, por në perfeksionimin e të gjithë cilësive dhe vlerave, në krijimin e pasurive dhe të mirëqënies, me sjelljen ndaj emigrantëve dhe koronavirusit, këto shtete të jashtëzakonshme, këto djepe kulture, demokracie dhe modernizmi, po tregojnë se kanë ngurtësuar zemrat. Kanë mprehur mendjen, bëjnë mirë llogaritë, por kanë ftohur motorin e jetës.

Pepe Mujica, ish Presidenti i mrekullueshëm i Uruguajit, ky vend latinoamerikan pak a shumë i vogël sa Shqipëria, nuk ka besim se koronavirusi do të bëjë që bota të vërë mend. Ai habitet se si miliarderë të moshuar (disa prej tyre edhe në Europë), vazhdojnë të kenë si qëllim të jetës akoma pasurimin e tyre. Mujica (Muhika), thotë se derisa kjo uri për kaq shumë do të vazhdojë, derisa këta persona do të vazhdojnë të mos heqin dorë nga grumbullimi dhe përqëndrimi i kapitaleve në këto pak duar, as koronavirusi nuk do të jetë një mësim për botën mbarë.

Leksioni i vogël nga Shqipëria, nëse dikush do të dëshirojë ta lexojë, vjen nga një popull me mundësitë më të pakëta në mjeksi, si në njerëz, ashtu dhe në mjete, por që këtë herë veproi me zemër, më shumë se me llogari dhe me mendje. Nuk dimë ende në është koha dhe vendi i duhur, që këto qeliza mirënjohjeje dhe zemërgjerësie që u nisën nga Shqipëria jo perfekte, të bëjnë të lindë një ide për një Europë më të mirë. Për një Europë ndryshe.

 

 

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Tajvani detekton avionë luftarakë të Kinës

Tajvani detekton avionë luftarakë të Kinës