Nga ish- studenti që kryesoi jurinë tek artistët, mesazhet e natës finale në Festivalin e XI-të në Bunk’art 1

Udhëtimi në Festivalin e 11-të në ambientet e Bunk’ART 1, përmbushi ciklin përmes 3 mbrëmjeve artistike, ku kryefjalë qenë kënga dhe liria e të bërit art. Bujar Kapexhiu pas 47 vitesh rimori rolin e prezantuesit, e bashkë me Marsela Çibukajn përshkuan me ndjeshmëri të lartë njerëzore e artistike ngjarjen më të bujshme të vitit ’72. Ata qenë të rinj me ëndrra, që patën dëgjuar se diku në botë i këndohej dashurisë dhe paqes, me gjuhën e shpirtit dhe shpresuan se këtë frymë do ta sillnin edhe në Shqipëri.

Një frymë që populli ynë e përqafoi shpejt, siç përqafohet e bukura që në shikim të parë, por që sistemi e mbyti lirinë ende foshnjë, duke ndërprerë çdo kontakt me botën e jashtme. Kompozitori Josif Minga ishte vetëm 19 vjeç kur diktatura i mësoi përmes Festivalit të Këngës, se krijimtaria e lirë ishte e gabuar, dhe se ritmi, poezia ngjyrat, veshja skenografia, nëse nuk kalonin aprovimin e diktatorit, quheshin kontrabandë.

"Për fat të keq u pagua shumë keq, edhe pse ishte pjesa më intelektuale e shoqërisë. Dolën emra të rinj, që i dhanë një gjurmë të reja, por fatkeqësisht pati edhe shume viktima. Këto iniciativa janë shembullore, sepse rietikojnë të ardhmen", shprehet kompozitori Minga.

Krijuesit duhet ta kuptonin, se nëse nuk do të kishin në fokus të artit të tyre edhe sistemin e udhëheqësit e kohës, atëherë të  krijoje do të qe gati e pamundur. Publicisti dhe diplomati Shaban Murati, pjesëmarrës, si poet në Festivalin e 11-të e tregon kështu eksperiencën e tij.

“Duhet nderuar të gjithë poetët e atij festivali”, thotë Murati.

Festivali i 11-të në Bunk’Art1 tregoi se plagët e të shkuarës nuk mëkohen duke hapur të tjera, por duke thirrur kujtesën, të vërtetat historitë përmes dashurisë, e në festival retrospektivë misioni i ngarkohet gjuhës universale të artit. E kaluara nuk mund të ndryshohet, por nëse nuk perceptohet siç duhet, gabimet përsëriten. Kënga “Udhët janë të bukura”, që asokohe kishte bindur të madh e të vogël si fituesja, nuk mund të shpallej si e tillë, ritmet qenë moderne, edhe poezia e Agim Shehut jo më pak guximtare, e dukja e Lindita Sota Theodhorit s’kalonte pa u vënë re. Në Festivalin retrospektivë, bashkëpunimin e tregon kompozitori Agim Krajka.

“Unë kisha parasysh vetëm një gjë kur krijoja, e doja shumë muzikën popullore shqiptare. I doja shumë trevat e Shqipërisë, shkoja udhëtoja edhe shihja se kudo kishte diçka interesante. Po të kishe talent edhe të investoje. Unë e pagova shumë shtrenjtë, dhjetë vjet rresht pata një izolim total për “Kafe florën”, thotë Krajka.

Siç, ideatori Carlo Bollino thotë, një udhëtim i tillë në kohë, shërben edhe si katharsis, ndaj s’mund të mungonte në mbrëmjen finalen edhe një prej anëtarëve të jurisë së studentëve, që nën presionin e politikave, patën ndikimin e tyre në përmbysjen e rezultatit

 “Shumë gjëra të asaj kohe i kemi harruar, ca duam t’i harrojmë edhe ca është mirë që edhe t’i harrojmë. Di që kam qenë anëtar i jurisë në Festivalin XI. Asnjëherë se kam marrë vesh se perse u ndodha atje, se s’kam qenë shumë i lidhur me muzikën e Tiranës. Isha në atë kohë në fund të vitit të pestë, elektronikë, edhe papritur e pakujtuar, vjen dikush edhe na thotë: Do të vini në jurinë e Festivalit të XI? Shkuam atje edhe e gjetëm veten anëtar të një jurie, që nuk kuptonim asgjë. Pak nga pak nisëm, që të pëlqenim ato këngë. Pjesa më e madhe ishim për këngën e Agim Krajkës”, thotë Mati.

Mbrëmjes finale të Festivalit të tretë në Bunk’art, nuk mund t’i mungonte kënga “Natën vonë”, një nga perlat e pakoha të artistes Vaçe Zela. Një këngë që natyrshëm e pavetëdije, shikon nga e ardhmja edhe për meritën e mjeshtrit të kompozimit Tish Daija. Të rinjtë si Kejsi Tola, Çibukaj, Vitmar Basha e Bledi Polena e shndërrojnë natën e tretë në një magji skenike, në strehëzën e memories, ku kujtohet për të shëruar. 

Bunkart 1 kthehet në një laborator ku e kaluara, gjeneron shpresën, me Justina Aliajn tek rrëfen ngjarjen që e privoi nga arti për 18 vjet, e njëherazi sfidon kohën duke kënduar në frëngjisht.

Poeti Sadik Bejko, është aty prezent si një tjetër dëshmitar i asaj që ndodhi, fjala e tij është kambana që zgjon të shkuarën. Luan Zhegu edhe Kozma Dushi, si të ftuar special të mbrëmjes finale tregojnë se ata nuk e ndalën dot këngën.

Ritmet e këngës fituese “Kur vjen pranvera”, tani mund të bien lirisht, me largpamësin drejt Perëndimit të Fatos Arapit, dhe zërin potent të Tonin Tërshanës, që rron në këngët e tij...

 

v.d./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A ka ndikuar COVID-19 në ekonominë familjare?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Zgjatet leja e qëndrimit të punëtorëve sezonalë në Greqi me 90 ditë