Ngërçi në Gjykatën Kushtetuese, juristi për Report TV: Do vijojë e kyçur deri në 2021 (VIDEO)

Gjykata Kushtetuese do të vijojë të qëndrojë e mbyllur të paktën deri në fillim të vitit 2021. Është ky opinion i juristit Ledio Braho dhënë për Report TV  lidhur me ngërçin e krijuar në ngritjen e këtij institucioni që prej më shumë se 2 vitesh qëndron e mbyllur.

Juristi e bazon opinionin e tij edhe në vendimin më të fundit të ndërmarrë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ku nuk u kualifikua asnjë nga 9 kandidatët në garën për të plotësuar 2 vendet vakante që mbajnë peng ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

“Ka më shumë se dy vite e mbyllur, do vazhdojë të jetë e mbyllur pas vendimit të KED të paktën deri në fillim të vitit 2021. Sepse duhet të kemi parasysh që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale duhet të ketë të paktën 6 gjyqtarë në detyrë. Sot që flasim janë 4 edhe nëse plotësohet vakanca për një gjyqtar, që është vakanca e tretë për të cilën kanë shpallur kandidaturën të paktën 10 persona, sërish nuk mund të jetë funksionale për shkak të dy vakancave që u mbyllën dje pa kandidatë. Pra gjykata kushtetuese do vazhdojë të jetë jo funksionale dhe nuk do mund të gjykojë dot çështje që presin më shumë se dy vite për t'u gjykuar nga kjo gjykatë”, u shpreh juristi Ledio Braho.

Sa i takon ngërçit të krijuar në disa prej organeve të drejtësisë, juristi Ledio Braho propozon se tashmë ka ardhur koha për disa ndryshime kushtetuese që sipas tij mund të japin zgjidhje.

“Zbatimi i reformës në drejtësi, konceptimi i reformës në drejtësi që ka sjellë këtë situatë por dhe parashikimet kushtetuese. Mendoj se ka ardhur momenti që të bëhen ndryshime kushtetuese për organet e drejtësisë por absolutisht që nuk mund të bëhen nga ky parlament për shkaqet që tashmë janë botërisht të njohura, për shkak se nuk ka një opozitë reale në parlament dhe çdo ndryshim kushtetues do të ishte i njëanshëm”, tha Braho.

Deri tani në gjykatë kushtetuese janë katër gjyqtarë nga 6 që duhet të jenë minimalisht mes tyre Vitore Tusha në cilësinë e kryetares në detyrë me mandat të mbaruar, Marsida Xhaferrlari, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji. Procesi për ngritjen e kësaj gjykate është i lidhur ngushtësisht me çeljen e negociatave të Shqipërisë për integrimin në BE.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Ministria e Jashtme dorëzon në GJND deklaratën mbi ndryshimet klimatike

Ministria e Jashtme dorëzon në GJND deklaratën mbi ndryshimet klimatike