Nikolla Velço: Rikthim te violonçeli
32 vjet pas vdekjes së M. Shehut

Nikolla Velço: Rikthim te violonçeli<br />32 vjet pas vdekjes së M. Shehut
TIRANE- Nikolla Velço nuk do ta harrojë kurrë fundjavën e tretë të dhjetorit 1981. Ishte 26 vjeç, i diplomuar disa muaj më parë në Institutin e Lartë të Arteve si violonçelist,  dhe të djelën e 20 dhjetorit do të bëhej dhëndërr. Martohej me një bashkëqytetare, nga një familje shumë e mirë, me të cilën ishin lidhur që kur ajo ishte adoleshente.

I gjatë e simpatik, me një portret mjaft të qetë, Niko, siç thirrej prej shokëve, duhet të kishte qenë në ëndrrat e plot vajzave durrsake, pse jo edhe tiranase, sidomos pas një ngjarjeje, që vuri familjen Velço në qendër të vëmendjes në Durrës, qytetin ku ata banonin.
nikolla e anula
(Foto: Nikolla e Anula të sapofejuar)

Vajza e vogël e familjes, Marjeta Velço, ende pa mbushur 15 vjeç, ishte bërë nusja e Bashkim Shehut, pinjollit të fundit të kryeministrit të asokohshëm të Shqipërisë, njeriut që konsiderohej si pasardhësi i natyrshëm i diktatorit Enver Hoxha. Babai shofer dhe nëna rrobaqepëse, familjes Velço dukej sikur i ra një fat i madh nga qielli. Por pesë vjetët nga 1976, kur Marjeta hyri si e fejuar në shtëpinë e nr. 2 të vendit kishin kaluar me shpejtësi marramendëse. Dhe Nikolla, megjithëse student, kishte kuptuar shumë gjëra që nuk shkonin. Më tej do të vuante shumë të tjera, thjesht sepse ishte vëllai i një gruaje “armike”.

Çfarë ndodhi me Nikolla Velçon dhe jetën e tij, pas natës së 17-18 dhjetorit 1981, që ndryshoi jo vetëm fatin e familjes së Mehmet Shehut, por të dhjetra njerëzve, që ishin lidhur në forma të ndryshme me jetën e personit të pushtetshëm, që u gjet i vdekur në shtratin e tij. Për më tepër me plagën e një plumbi, rruga e të cilit deri në gjoksin e ish-kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë moderne vazhdon të jetë mister.

Megjithëse jeton në Francë, me gruan dhe dy fëmijët, ato vite “kur ndiqej si të ishte një kafshë gjahu”, kanë mbetur njëlloj në kujtesën e 58-vjeçarit nga Durrësi, i cili vjen shpesh në qytetin e tij të lindjes.
nikolla student
(Foto: Maturant në shkollën e muzikës, Durrës 1974)

32 vjet pas ngjarjes që i ndryshoi rrjedhën e jetës Nikolla Velço rrëfen historinë e tij, ku nuk mungojnë prindët, vëllai dhe motrat, po ku dëshmohet edhe ferri, që përjetoi gjatë 10 vjetëve të fundit të diktaturës komuniste. Bashkëshortja dhe shoqja e jetës, njeriu më i rëndësishëm i jetës, Anula, fëmijët e tij, por edhe ata të motrës, si dhe shokët, janë pjesë e dëshmisë së tij, por jo pak vend zë pengu i madh i një jofrymori, shumë të rëndësishëm për jetën e Nikollës.

Historia e violonçelit, që ia hoqën nga duart para tre dekadash, e tek i cili u rikthye vetëm ... 3 ditë më parë, falë vullnetit dhe dashurisë, që e karakterizon.
 
DASMA
Dasma e së djelës u parapri nga ajo që për familjen Velço mund të përkufizohet si e “premtja e zezë”.

Kryeministri i vendit, sipas mediave zyrtare kishte kryer vetvrasje. Dy kollonat e gazetës, që u lexuan në edicionin TV të orës 20.00 po ripërtypeshin nga shqiptarët në mënyra të ndryshme. Gjithsesi, niveli i pasigurisë për të ardhmën bëhej edhe më i dukshëm.

Familja e Nikos vendosi të mos e bëjë ceremoninë e dasmës. Te shtëpia e Anulës, të shtunën kishin kryer ritualin, por siç kujton vetë dhëndrri i 20 dhjetorit 1981, të gjithë ishin të turbulluar.
Çfarë po ndodhte?

Motra e vogël, Marjeta, bukuria proverbiale e së cilës po kthehej në makthin e të gjithë familjes, do ti nënshtrohej shumë shpejt një hetuesie intensive. Dy fëmijët e saj të vegjël, Ertgrenin, 2 vjeç e gjysëm dhe Regan, 11 muajshe, njerëzit e Sigurimit i sollën pas disa javësh të sfilituar nga Belshi, vendi ku hetoheshin prindët e tyre, Bashkimi dhe Marjeta.

“Kishim kërkuar që ti rrisnim ne, por na i sollën vetëm atëhere kur fëmijët e vegjël ishin kthyer në dy skelete-tregon Nikolla periudhën e tmerrshme, kur atij dhe Anulës u thonin në sy: Po rrisni gjarpërinjtë!

Anula Velço, nusja e re, e cila në rrethana të vështira humbi ende pa e lindur fëmijën e saj të parë, së bashku me Nikon, dajën e tyre u bënë prindët e rinj për fëmijët e pafajshëm me mbiemrin “e mallkuar”, Shehu.

Bashkëshortët e rinj ishin sistemuar në apartamentin, ku jetonte pjesa tjetër e familjes Velço, prindët dhe vëllai i Nikollës. “Ishte shumë e rëndë-vijon dëshminë e tij Nikolla Velço. Poshtë shtëpisë, pranë repartit të fotografëve në Durrës qëndronte haptas një automjet, antena marrëse e të cilit dukej që larg; përballë pallatit kishte gjithmonë spiunë; ata shtoheshin kur dilje në rrugë dhe bëheshin një bandë, kur ti kishe nevojë të shkoje në Tiranë p.sh...

Në bar-lulishten e gjelbëruar “Gjashtëkëndëshi” në qendër të Durrësit, ku jemi ulur prej një gjysëm ore, Nikolla Velço tregon qetësisht atë që ka ndodhur në fillim të vitit 1982, atëherë kur megjithëse e lejuan të vazhdonte mësimdhënien në shkollën e muzikës “Mujo Ulqinaku” ai i lutej zotit që ti ruante mëndjen.

“Kisha 12 nxënës të vegjël, por nuk kisha qetësinë për tu mësuar violonçelin”, instrumentin e dashur, që mësues të tjerë shumë vite më parë ia kishin kthyer në qëllimin e jetës së tij. Nikolla kujtonte ditën e diplomimit të vet në Institutin e Arteve. Kishte ndodhur vetëm një muaj para vdekjes misterioze të vjehrrit të së motrës, kur përballë pedagogëve dhe bashkëstudentëve interpretoi dy vepra nga Antonin Dvorak dhe Thoma Gaqi.

“Çdo natë shikoja të njejtën ëndërr: kontraktohesha dhe nuk interpretoja dot veprat e diplomës. Kur zgjohesha i mbuluar me djersë, merrja frymë me zor dhe pas disa minutash qetësohesha, për të rifilluar një ditë edhe më të tmerrshme se ajo që kaloi”. Velçon e përzunë nga shkolla 10 muaj më vonë, në tetor të vitit 1982, kur orkestra e qytetit të Durrësit filloi provat për një konkurs kombëtar. Ia morrën violonçelin dhe bashkë me të edhe shpresën, se do ti rikthehej ndonjëherë melodive, që e kishin bashkuar në të njejtin formacion me instrumentistë, ndër më të mirët në vend.

Ka menduar gjithçka në ato muaj të parë të kalvarit, i cili vijoi me transferimin në Ndërmarrjen e Gomës, në Shkozet të Durrësit. Për çdo durrsak që e njeh NI Gomën e viteve 1980, reparti i kalandrave, ku Nikollën e dërguan të punojë ishte një dënim i mjaftueshëm, mes lëndëve helmuese, por fatmirësisht, edhe mes punëtorëve, që do të bëheshin miqtë më të mirë të punëtorit me shkollë të lartë. Në ditën e parë e detyruan të rrëfehej për fajet e familjes, gjë që nuk pranoi ta bënte kurrë dhe mbledhja do të kishte vazhduar pafundësisht, nëse një nga punëtorët nuk do të thërriste nga vendi: “Lëreni rehat. Atë e ka zënë taksirati! Çfarë kërkoni më shumë!”

nikolla ne orkester
(Foto: Pjesëtar në orkestrën e Durrësit)

Niko tregon se me Anulën, të shoqen, vepruan edhe më poshtërsisht. E larguan nga fakulteti i Inxhinjerisë, ku vazhdonte vitin e parë. Për ditë me radhe e kishin vënë nën presion duke i kërkuar një këmbim “në favor të saj”: lëre burrin dhe do të vazhdosh pa probleme shkollën!

Niko nuk ka fjalë për Anula Afezollin, vajzën me tre vëllezër të Sotirit, apo “Tirkës së hollë” siç njihet në Durrës. Anula nuk është thjesht bashkëshortja dhe shoqja më e mirë e Nikollës; Anula, ka trashëguar një prej emrave ilirë të gdhendur në gurët që ndodhen në muzeun e qytetit 3000-vjeçar dhe Nikolla nuk gjen dot fjalë për të dhe për pasurinë më të madhe që ata kanë sot: dy fëmijët e rritur nga dashuria e prindërve në “kohët e kolerës komuniste”.

20-vjeçarja arriti të gjejë punë në ndërmarrjes e Prodhimit të Cigareve, si paketuese dhe të dy vazhduan jetën për njeri tjetrin. Mes njerëzve që u kthenin shpinën, por edhe duke larguar nga vetja për të mos i dëmtuar, ata pak miq, që vazhdonin ti donin sinqerisht.

FALXHORJA
Nikolla dhe Anula kishin njeri tjetrin, por kjo nuk mjaftonte. “Nuk e di, nëse do ta përballoja një internim në fshatra – thotë Nikolla, duke kujtuar mesin e viteve 1980.

Vazhdonte të bluante në kokë, të gjitha sinjalet që kishte përjetuar në kohën kur e motra, Marjeta dhe bashkëshorti i saj, Bashkimi shiheshin si çifti nr 1 i vendit. Vajza e Ramiz Alisë, shoqe klase në Institutin e Arteve ishte e vetmja që dëshmonte largësi ndaj Nikollës, një prej djemve të bukur, që konsiderohej nga të tjerët me fat për lidhjen e re që i kishte krijuar e motra. “Që në fundin e viteve 1970 e kuptova se Mehmet Shehu nuk ishte aq i fuqishëm sa dukej-tregon Nikolla, për ish-krushkun kryeministër. Morra vesh, se edhe Marjeta, megjithëse shumë e re, një ditë kishte debatuar me vjehrrin dhe në qendër të bisedës me tone të larta kishte qenë situata ekonomike e vendit”.
nikolla rikthimi

Marjeta dhe Bashkimi ishin kthyer nga Franca, përmes Greqisë, dhe nusja e vogël e shtëpisë së madhe kishte krahasuar fermerët grekë, me fshatarët tanë që me pagesë ditore prej 30 lekësh duhet të harxhonin vetëm për bukën ... 40 lek. Nikolla kujton veshjet sfiduese të së motrës në sfondin varfanjak të Tiranës komuniste, dhe megjithë qortimet prej vëllai, që duket se ka përdorur edhe në ato vite, pranon: Ajo ishte vetëm 20 vjeç, kishte dy fëmijë dhe kuptonte pak gjëra, ndërsa i shoqi thuajse nuk i fliste për to.

Kapaku i njoftimeve negative do të mbërrinte te Nikolla Velço në shtator 1981, tre muaj para “vetvrasjes” së Mehmet Shehu. Një nga djemtë e funksionarëve të shtetit kishte thënë në publik se “kryeministri nuk është i pazëvëndësueshëm”. Por nëse herë të tjera, Bashkimi, kunati i tij, nuk ishte shqetësuar, kësaj radhe ishte ndryshe. “Mehmet Shehu ishte nën presion dhe shantazhet mbi të punonin si fizarmonikë që fryhej e shfryhej. Familjarët e tij e kishin kuptuar qartë këtë dhe vdekja dukej se sillej në shtëpinë e tyre në ato muaj vjeshte - thotë Nikolla.
Gjendja bëhej edhe më e rëndë, për ata që e dinin se një fallxhore në periferinë e afërt të Tiranës kishte parë në fundin e filxhanit të Marjeta e Bashkim Shehut ... një arkivol.

“Aishja ishte kunata e motrës sime të madhe. Jetonte në kryeqytet me familjen e motrës dhe punonte në një shkollë të fëmijëve me probleme shëndetsore”. Nikolla thotë se disa vjet më vonë, kur gjërat ishin rrokullisur pa kthim, edhe ai me Anulën kanë shkuar te Ishja.

“Lexonte fundin e filxhanit, atëhere kur ajo donte vetë, ndoshta në një moment frymëzimi, apo nuk e di se çfarë – kujton Velço vizitat në shtëpinë e së motrës së madhe, Margaritës, ku jetonte edhe kunata, Aishja, që nuk u martua asnjëherë.

“Edhe atë mbrëmje na u drejtua vetë, gati si me urdhër: Pijeni kafenë, se do t’ju shoh filxhanët – tregon Nikolla. 20 minuta më vonë kemi dalë nga shtëpia e motrës të lehtësuar, dhe kemi jetuar të bindur se do të kishte edhe për ne ditë të mira.
nikolla familja

“Ju keni një çadër të madhe që ju mbron. Këto qenë fjalët e para që Aishja na tha, duke parë me sy nga qielli. Më pas me zë të ulët shtoi: Këta që e gatuan gjithë këtë histori e kanë një fund. Këta do të shëmben! Kjo qe profecia e Aishes, që u ktheu besimin dy të rinjve që kishin lidhur jetën dhe hallet në të njejtën dashuri të madhe.

“U kapëm pas atyre fjalëve, duke kërkuar dritë në fund të tunelit-thotë Nikolla, që dëshmon se ka qenë përsëri në shtëpinë e së motrës në vitin 1996, disa muaj para se Aishja të vdiste nga një smundje e rëndë. “Nuk e mbante mend rastin tonë, (plot njerëz me pushtet apo krejt të zakonshëm kishin shkuar te ajo), por pak a shumë ruante në kujtesë situatën e asaj kohe, kur kishin kaluar gati 15 vjet”.
 
VIOLONCELI
Jeta e Anulës dhe Nikollës ka marrë një kuptim tjetër në vitet 1984 dhe 1985, kur njeri pas tjetrit mbërritën Aleni dhe Arminda, djali dhe vajza, që rikthyen përsëri buzëqeshjen në shtëpinë e Velçove në Durrës.

“Kthehesha nga puna dhe fëmijët në gjoks më jepnin një lumturi të patreguar-tregon Nikolla. Bashkë me Anulën, po mësoheshim me atë që bënim përditë. Herë pas here shkonim të shikonim Marjetën, e cila brenda pak vitesh ndërroi disa vende internimi: Belsh, Shijak, Kryevidh, Cërrik, për tu rikthyer në Durrës vetëm në vitin 1989.

Kur Ertgreni, djali i motrës, u bë 7 vjeç, Niko u përpoq ta regjistrojë në shkollën e muzikës në Durrës, por kjo u bë shkak që Marjetën ta dërgonin në Cërrik, atje ku edhe fëmija trajtohej si armik.

Vitet kalonin dhe Niko tashmë e kishte harruar formimin e tij profesional, e aq më tepër violonçelin, instrumentin ku kishte mbërritur rastësisht në vitin e largët 1963. Ishte në klasën e dytë fillore në shkollën “Maliq Muço” të Durësit, kur një mësuese e re, Vitori Zaho filloi me të mësimet e para të violonçelit jashtë mësimit. Kur mbaroi ciklin 8-vjeçar Nikolla Velço kishte vendosur ti kushtohej gjimnazit, por një tjetër mësuese, mjaft serioze këtë herë, Lida Radoja, e riktheu te violonçeli. Edhe më shumë: e ndërgjegjësoi për rrugën artistike. Bashkë me të, edhe një shok i përhershëm e i pandryshuar në vite, Mon Kuriçi, i lidhën fantazitë e të ardhmes me muzikën.

Nikolla Velço mbërrin në Institutin e Arteve, pas konkurimit, me një vit vonesë, e një vit tjetër e humbet për një motiv absurd. Shkak u bë regjistrimi në një magnetofon i disa këngëve nga Eurosongu i vitit 1976.

“Shiritat filluam ti dëgjonim në Institut në grupe të vogla, deri sa na thirrën fillimisht në dekanat dhe më pas në ... hetuesi. Një muaj radhazi Nikolla, i cili kishte regjistruar këngët e shkëputura nga radiot e huaja duhet të tregonte se kush ia kishte dhënë aparatin regjistrues, ku i kishte gjetur shiritat, cilët ishin dëgjuesit e “këngëve të ndaluara” e mbi të gjitha çfarë thonin profesorët për të gjithë këtë. “Lefter Zhulla dhe Niko u përjashtuan nga Instituti-kujton Moni, i cili ishte pjesë e grupit që kishte “mëkatuar” duke dëgjuar “helmin e huaj”.

Bashkë me Monin, edhe Niko kujton pedagogët e violonçelit në shkollën e lartë: Gjergj Antoniun, përherë i heshtur e i trishtuar; si dhe bashkëshortët Ymer dhe Ludmilla Skënderi, apo “zonja”, siç e quanin studentët.

Të gjitha këto kujtime për Nikollën po zinin koren e harresës, dhe përpjekjet për mbijetesë ia kishin zënë vendin me kohë muzikës dhe artit.

Një pjesë e parashikimit të fallxhores Aishe, do të realizohej 10 vjet pas ngjarjes që shkaktoi tërmetin në familjen Velço, dy ditë para një dasme të parealizuar, mungesa e së cilës i bashkoi edhe më shumë dy protagonistët e saj: Nikolla Velçon dhe Anula Afezollin.

Në vitin 1992 me shpresën e rikthyer, ata do të ndesheshin me absurdet e tranzicionit. “Nga NI Goma, më dërguan të punoj në Shijak, si masovik në pallatin e kulturës, por ky nuk ishte profesioni im-shprehet Nikolla për ditët e para të tij jashtë kafazit, ku e vunë për vite me radhë. “Kur dirigjenti Vullnet Sabahu, së bashku me një koleg gjerman mblodhën orkestrën e qytetit morra edhe një herë në dorë violonçelin. Nuk mund tua shpjegoj përjetimin, ashtu si edhe kur pas një turneu me veprat e Vivaldit në Italinë jugore, më thanë se violonçeli duhet të kthehej në Shqipëri”.

Nikolla Velço, përkundrazi, menjëherë pas turneut, që e ndau nga edhe një herë nga instrumenti i tij po nisej për të kërkuar fatin e ri: këtë herë në Gjermani.

Familja mbërriti më vonë dhe befasia ishte violonçeli: “Anula e kishte blerë instrumentin tim, që kishte qenë në pronësi të Pallatit të Kulturës”-tregon Niko. Në vitin 1994 familja e Nikolla Velços transferohet në Francë. Fillimisht në Lë Mans, e më pas në Nicë dhe në rrethinat.

Aftësitë e Anulës, gjuhët e huaja, puna e përkushtuar, e fëmijët e mbarë, i bënë Velçot të ndjehen mirë në bregdetin francez. Madje, pak kohë më parë, ata kanë marrë një vendim të rëndësishëm: së bashku me djalin, Alenin menaxhojnë një dyqan suveniresh në Principatën e Monakos.

Kjo është arsyeja, që Niko këto ditë gushti ka ardhur vetëm në Durrës. Anula dhe fëmijët nuk e presin të kthehet si herët e tjera, por krejt ndryshe. “Florian Vlashi, i cili vjen shpesh në apartamentin e vet në Nicë, në një nga mbrëmjet e përbashkëta më pyeti për violonçelin që qëndronte në qoshe të dhomës”.

Kam frikë ta prek-ka qenë përgjigja e Nikollës, që njihet me Florianin, që kur ai ende fëmijë frekuentonte shkollën e muzikës në Durrës.

“Përse duhet të kesh frikë. Mjafton ti hapësh një nga një “sirtarët” dhe çdo gjë do të vijë natyrshëm-ka insistuar Floriani në atë mbrëmje miqsh, në verën e dy viteve më parë.

Kaq u desh dhe disa ditë më vonë Anula dhe vajza, Arminda, kanë sjellë në shtëpi një dhuratë të veçantë: disqet me Gjashtë Suitat e Bahut, nën interpretimin e violonçelistit Jean Queras, një nga më të mirët në Francë.

“Mbaj mend se më 28 nëntor të 2011 – tës me këmbënguljen e Anulës e mora edhe një herë në dorë violonçelin e harruar në qoshe të dhomës-kujton Niko. Kishin kaluar gati 31 vjet nga martesa e tyre. Nikolla tregon se ka rifilluar si të ishte nxënës në klasën e parë. “Kisha harruar edhe solfezhin, që e kisha ruajtur në kokë për disa dekada”.

Por tani gjithçka ishte pa kthim. Florian Vlashi i kishte propozuar të luante në orkestër në edicionin e Bienales 2013. Sfida ishte e madhe. Dhimbjet që ndiente kur ushtronte “vibratot” në tastierën e violonçelit e kanë detyruar Nikon të shkojë te mjeku. “Artrozë në gishtat e dorës” ishte diagnoza e specialistit, i cili e kishte inkurajuar violonçelistin rishtar: vazhdoji ushtrimet, pasi janë terapia më e mirë e mundshme!...
 
Tre ditë më parë Nikolla Velço ishte ulur në pultin e violonçelave të orkestrës “Aleksandër Moisiu”, bashkë me mësuesen e tij Lida Radoja dhe shokun e tij të ngushtë Moni Kuriçi. Askush në sallë nuk e dinte, se çfarë ndodhte në shpirtin e instrumentistit Nikolla Velço, që po rikthehej para publikut të Durrësit pas tre dekadave.

Përballë tij mbi leggio, partiturat e Vivaldit, dhe brenda tij përgjegjësia e madhe dhe emocioni i një fillestari me shkollë të lartë. “Po më merrej fryma dhe nuk dija nëse do tia arrija”. Këto ishin fjalët me të cilat Nikolla Velço, bashkënxënës i imi në shkollë dhe shok pune në NI Goma, violonçelist i diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1981, më shpjegoi gjendjen e tij në Koncertin e Katedrales “Shën Luçia” të Durrësit.

Në vendin e shenjtë profecitë e fallxhores u bënë përfundimisht realitet.

Nikolla Velço iu rikthye violonçelit, instrumentit me të cilin tani bashkëbisedon çdo ditë nga 2-3 orë në shtëpinë e tij, në kodrat pranë Nicës. Duke e kthyer kokën pas, gjithnjë e më pak!

Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 09.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Rusia sërish kërkon debat në Këshillin e Sigurimit mbi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë

Rusia sërish kërkon debat në Këshillin e Sigurimit mbi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë