Nis ndërtimi i aksit rrugor Mullet-Qeha, Veliaj: 870 shtëpi do të fillojnë të ndërtohen nga qershori (FOTO)

Pas përfundimit të projektit për rehabilitimin e fshatit “Qeha” në Petrelë dhe sistemimit të rrugëve të brendshme, Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e aksit të ri rrugor nga rrethrrotullimi në Mullet, deri tek Ura në Qeha. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet për rrugën e re, e cila tashmë u shërben kalimtarëve dhe automjeteve, por do të afrojë më shumë banorët dhe produktet bujqësore të zonës me tregjet në Tiranë.

“Teksa Tirana ka qenë në karantinë, kantieret kanë vijuar punën. Një prej tyre është edhe ky kantier, për ndërtimin e rrugës që lidh Mulletin me Qehanë, një nga investimet më të bukura që kemi bërë në fshat. Me projektin e rehabilitimin të fshatrave kemi bërë qendrën e Qehasë, por nga qendra e fshatit deri në rrethrrotullimin e Mulletit, ku bashkohet me autostradën, ishte si toka e askujt”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se përmirësimi i infrastrukturës edhe në zonat rurale do të krijojë valvula të reja ‘shkarkimi’, ku qytetarët mund të kalojnë fundjavën, ndërsa do të sjellë më shumë zhvillim për ekonomitë e zonës.

“Jam i sigurt se edhe këtu, po të kishte zell për të krijuar pengesa, do të gjendej një arsye. Por, qartazi emancipimi në fshat është model edhe për qytetin,ku ndonjëherë na mungon emancipimi. Vrapojmë o burra pas partive, o burra pas teserave, o burra pas idealit të partisë dhe nuk kuptojmë se ideali nr. 1është ideali i familjeve tona. Nëse këto investime përmirësojnë jetën tonë, nëse në këtë fshat vihet më kollaj me makinë, nëse në teatër shkohet pa batanije, nëse te Piramida shkohet për të mësuar kodim, nëse te lodrat shkohet për të zgjeruar mushkëritë me ajër të pastër, sidomos në kohë pandemie kur kemi nevojë për ajër të pastër, janë për të mirën e të gjithëve, përfitojnë si të majtë, si të djathtë”, theksoi Veliaj.

Veliaj kërkoi më shumë bashkëpunim për të përmirësuar cilësinë e jetës së familjeve të Tiranës. Ai  dha një lajm të mirë edhe për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, banesat e të cilave janë shkatërruar tërësisht ose kanë pësuar dëme të pjesshme. Sipas tij, në qershor nis puna për ndërtimin e 870 shtëpive të reja, ndërsa do fillojë dhe lëvrimi i dëmshpërblimeve për dëmet më të lehta.

 “Bashkia e Tiranës sapo ka përfunduar garën për ndërtimin e 870 shtëpive, të cilat do të fillojnë të ndërtohen nga muaji qershor. Të sigurohemi që ky vit, banorët e fshatit që janë për rindërtim shtëpie, të kenë shtëpinë me çelësa në dorë, ndërkohë të tjerët me dëme DS1, DS2, DS3, pra niveli i parë, i dytë, ose i tretë, do marrin paratë në dorë, që të kenë mundësi të kontraktojnë këdo, ose t’i bëjnë vetë rregullimin e shtëpisë”, deklaroi Veliaj.

Rruga e re fillon në dalje të fshatit Mullet dhe takohet me rrugën që lidh fshatin Fikas-Mangull me fshatin Qeha.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ulsi Manja: Politikë riintegruese për të dënuarit e të paraburgosurit

Ulsi Manja: Politikë riintegruese për të dënuarit e të paraburgosurit