Piedestali i Gruas në Kongresin e PS! Rama batuta: Kush ju cenon jepini dajak! Një bashkëkryetare në çdo organizatë

TIRANE- Kongresi i Partisë Socialiste gjatë ditës së parë të punimeve ngriti në piedestal gruan dhe rolin e saj në shoqëri e institucione, ndërsa u theksua se ajo quhet të jetë e pranishëm edhe më shumë në jetën politike dhe drejtuese të vendit. Me sloganin e nismës 'Edhe Një' ishte Lindita Nikolla ajo që drejtoi punimet gatë ditës së parë, ku theksoi se numri i grave dhe vajzave në PS është rritur me 10 %. Gjithashtu dënimi i dhunës ndaj grave por dhe fjalorit të ulët që përdoren ndaj tyre, duke iu referuara rastit të sulmit të Monika Kryemadhit ndaj ministres Etilda Gjonaj, u dënua ashpër nga deputetet socialiste që prekën podiumin e kongresit. Futja e teksteve feministe në shkolla ishte një ide që u hodh nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini dhe që u vlerësua shumë edhe nga kryeministri Rama, duke u shprehur se kjo duhet të vendoset në çdo sistem institucional. Rama tha se do të mbështes fuqimisht nismën 'një grua bashkëkryetare në çdo organizatë socialiste të realizohet, ndërsa u kërkoi grave që nëse kjo gjë iu cenohet atëherë t'u japin dajak çdo mashkulli që ngatërron vendin e tij'. 

( Kliko këtu ) VIDEO, fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama

Rama nuk kurseu as batuat me bashkëshorten e tij se ajo është opozita e tij më e fortë dhe se e mban atë me këmbë në tokë.

'Rrofsh moj grua që më kurseve në sy të shoqeve' tha Rama, ndërsa e konsideroi Lindën se arrin të mbajë të bashkuar familjen pavarësisht 'tërmeteve' që ai shpesh shkakton. Rama ka vlerësuar dhe shkëmbyer batuta dhe me të ëmën, Anetën, duke thënë se 'Linda ka plotësuar shumë mirë standardet e saj, dhe se ajo ka kritere më të forta se BE' apo Gramoz Ruçin duke thënë 'se atë e ka si Zahon'.

Në kongres mbajti një fjalë të gjatë edhe Linda Rama, fokusi i të cilës ishin fëmijët dhe një ofertë e re që duhet të ketë për gjeneratën e re. Mungesës së një teatri të ri për fëmijët, klasave sportive nëpër shkolla dhe festivaleve për to, Linda tha se kryeministri, që është edhe bashkëshorti i saj, nuk i ka dhënë një argument bindës për këtë çështje.

Kongresi i PS-së do të zgjasë për 3 ditë rresht dhe zgjedhja e strukturave të reja do të jetë fokusi i tyre në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Nga ky Kongres do të dalin dhe anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare. Në ditën e dytë të sesionit të punimeve do të votohet dhe për ndryshimin e statutit, e gjithashtu do të bëhet publike dhe axhenda e partisë deri në vitin 2020. Ndërsa në 1 Mars kryefjala e Kongresit do të jenë të rinjtë.

AXHENDA E DISKUTIMEVE NE KONGRESIN E PS 
Rindërtimi pas tërmetit të 26 nëntorit 2019
Pakti për Universitetin dhe politikat arsimore
Drejtësia dhe sundimi i ligjit
Energjia dhe Infrastruktura
Shqipëria që duam dhe turizmi
E drejta e pronës, mbrojtja e territorit
Integrimi Europian dhe Rajonal

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:41
Kryebashkiakja e Roskovecit tregon episodin: Më vuri duart në fyt, sa s'më mbyti! Rama: Ja kush hëngri dajak! (VIDEO)

Në kongresin e PS-së, kryebashkiakja e Roskovecit Majlinda Bufi tregoi një episod që një kryetar i organizatës socialiste në një fshat i vendosi duart në fyt, por përse? Ja si e tregon ngjarjen kryebashkiakja. "Nuk është turp të këmbëngulësh dhe ti biesh derës së një zyrtari që ka në dorë zgjidhje dhe kur ke bindjen në argumentet e tua edhe mund ta thyesh derën.

Kur diskutonim për herë të parë për një bashkë-kryetare në një fshat jo të afërt, kryetari aktual i saj gati sa nuk më mbyti dhe më vuri duart në fyt, se nuk e pranonte dot këtë fakt, se vajza në krah të tij duhet të kishte vite që të ishte aty, por ku ta gjejmë ne kur kjo ka qenë monopol vetëm i gjysmë gjinisë tjetër?" tha ajo.

Nisur nga rasti, kryeministri Rama u kërkoi grave socialiste që mos tolerojnë burra si ai që 'Majlinda Bufi mbasi i vuri duart në fyt, hëngri dajak ai, jo ajo'.

Fjalimi programatik dhe detyrat dolën nga parafolësja por 3 gjëra dua të them. E para atë çështjen e sapohapur të vendosjes së një gruaje apo një vajze bashkëkryetare në çdo organizatë socialiste. Mos e lëshoni dhe mos toleroni burra si ai që Majlinda Bufi mbasi i vuri duart në fyt, hëngri dajak ai, jo ajo. Atyre burrave bëjani si ia bëri Majlinda atij burrit, sepse është themelore që organizatat socialiste të ndryshojnë”, tha Rama.

Ora 19:25
'Ju përulem me respekt e dashuri', Rama: Një bashkëkryetare në çdo organizatë socialiste! Tekste feministe në shkolla (VIDEO)

Në mbyllje të ditës së parë të Kongresit të Partisë Socialiste, mbajti fjalën e tij kryeministri Edi Rama, i cli përtej batutave dhe vlerësimit për  Lindën (bashkëshorten e tij) dhe sulmeve ndaj Bashës, foli për rritjen dhe fuqizimin e rolit të grave në shoqëri dhe strukturat e Partisë Socialiste.

Rama tha se vendosja e një gruaje si bashkëkryetare në çdo organizatë socialiste është gjëja më e mirë që secila grua në atë sallë duhet të luftonte dhe të mos toleronte askënd që do e cenonte, në të kundërt tha Rama me nota humori 'jepini dajak'.

Gjithashtu Rama u shpreh i frymëzuar nga ajo që ministrja e Arsimit Besa Shahini tha për futjen e teksteve feministe nëpër shkolla, por fillimisht duhet të implementohet dhe në çdo strukturë të PS-së. Duke shprehur vlerësimet, mirënjohjen edhe dashurinë për të gjitha femrat, Rama tha me humor që të mos i drejtohen më me 'zotëri' po le ta gjenin vetë nëse do i drejtoheshin me termin shoku Rama apo një diçka tjetër.

'E para, atë çështjen e sapohapur të vendosjes së një gruaje, apo një vajze bashkëkryetare në çdo organizatë socialiste mos e lëshoni dhe mos toleroni që burra si ai që Majlinda Bufi, pasi i vuri duart në fyt hëngri dajak ai, jo ajo, por atë pjesë nuk e thotë Majlinda, se ishte pjesa që duhej thënë, që, ne gratë jemi tolerante, atyre burrave bëjani si ia bëri Majlinda atij burrit sepse është themelore që organizatat socialiste të ndryshojnë. E më besoni jeni arma e fundit që imagjinata ime ka pjellë pas shumë e shumë reformash, sistemesh, kthehu kështu, kthehu ashtu, një anëtar-një votë, dy vota-tre anëtarë, dil këndej, ndalo andej, vër kritere, nxirr rregullore, s’lejohen familjarët, nuk lejohet bashkëshorti, nuk lejohet krushku, nuk lejohet halla, të gjitha nuk kanë funksionuar. Arma e fundit është forca, këmbëngulja dhe vendosmëria e grave socialiste që këtyre burrave t’u thonë, “vendin tuaj e keni, por është vetëm gjysma e vendit që keni, jo më shumë se kaq” dhe duke e filluar nga koka e çdo organizate, duke kaluar pastaj poshtë për të pasur mendësinë që nesër Partia Socialiste të jetë shumë më e mirë seç është sot, shumë më e fortë seç është sot dhe shumë më pranë njerëzve seç është sot.

E dyta që dua të them, jam absolutisht i frymëzuar nga ajo që tha Besa për futjen e teksteve të detyruara feministe nëpër shkolla, por, nga e thëna në të bërë nuk është në mes një det i tërë, deti është më kollaj, nga e thëna në të bërë, në mes janë burrat, më të vështirë se deti. E për këtë arsye, besoj që, ajo nismë nuk është një nismë që mjafton si nismë institucionale dhe nuk mund të implementohet me sukses nëse ju të gjitha nuk jeni pas kësaj nisme në të gjitha nivelet ku përfaqësoni vullnetin e Partisë Socialiste. Është kaq e thjeshtë!

E fundit që kam, ka vetëm një gjë që nuk shkon në Kongreset tona, në Konferencat tona, në takimet tona, por sidomos në një Kongres grash që duartrokasin për feminizmin nuk shkon të më thoni më, zoti Rama! Aman ma hiqni këtë “zoti Rama”, se më duket tmerr. Tani, është dhe ky një zhvillim i jetës tonë, sepse njëherë e një kohë unë i thoja Gramozit zoti Gramoz dhe ai më thoshte shoku Edi, tani unë i them shoku Gramoz ai më thotë zoti Edi. Është aftësia e Gramozit për të plotësuar boshllëqet që lë unë, kuptohet, se, në fakt, ai është shoku dhe shoku më i mirë që unë kam në Partinë Socialiste, por hiqeni këtë “zoti Rama”, hiqeni këtë “zonja dhe zotërinj”! Si mund të jetë një forum grash socialiste “zonja dhe zotërinj”? Çfarë zonja dhe zotërinj?! Si do i thoni gjejeni vetë. Ajo, “shoqet” e Besës më pëlqeu. Kështu që, të dashura shoqe, në sy të gruas ju përulem me shumë respekt dhe ju shpreh të gjithë dashurinë time', tha Rama.

Ora 19:08
'Rrofsh moj grua që më kurseve në sy të shoqeve', Rama batuta me Lindën dhe nënën: Je antisizmike që përballon tërmetet e mia, Aneta me kritere më të forta se BE (VIDEO)

Kryeministri Rama në fjalën e tij në Kongresin e Partisë Socialiste nuk i kurseu batutat për fjalimin e bashkëshortes së tij Linda Rama duke u shprehur se ajo është opozita e tij më e fortë. Rama tha se Linda u tregua e moderuar në fjalën e saj, ndërsa pret që kusurin ta marrë në Surrel, aty ku bëhen mbledhjet parlamentare familjare-katunare. Rama falenderoj Lindën që e kurseu në sy të shoqeve dhe se arrin të mbajë të bashkuar familjen pavarësisht 'tërmeteve' që ai shpesh shkakton. Rama ka vlerësuar dhe shkëmbyer batuta dhe me të ëmën duke thënë se Linda ka plotësuar shumë mirë standardet e saj, dhe se ajo ka kritere më të forta se BE.

'Tani, çfarë t’i bëj unë fjalimit. E dëgjuat zërin e opozitës time më të fortë. Mua më takon ta falënderoj Lindën sepse sidoqoftë ishte shumë më e moderuar këtu se mbrëmë në shtëpi, ku zhvillohet debati i parlamentit tonë familjaro – katunar. Rrofsh moj grua që më kurseve në sytë e gjithë këtyre shoqeve dhe jam shumë i qartë që sonte kusurin do e marr në Surrel, me pasion, për gjithçka që nuk u tha këtu.

Ju qeshni, por e vërteta është që po të mos e kisha në shtëpi, çdo natë këtë opozitën që dëgjuat përpara meje, por që e dëgjuat në variantin më rozë, me atë opozitë që kemi në rrugë ne, do më dukej vetja më i madhi i krejtve  në botë. Dhe shyqyr Zahon e kemi si Gramozin, nuk ndërhyn në debatet e brendshme të parlamentit tonë se kur vijën ata dy të mëdhenjtë, them me vete “ku je o Lul se vetëm ti ma bën jetën të lehtë”.

Tani, përtej shakasë që në këtë rast është pothuajse e gjithë e vërteta, unë dua ta falënderoj këtu përpara jush Lindën, jo thjeshtë për faktin shumë të rëndësishëm që më ndihmon të rri me këmbë në tokë, por për faktin që ajo është themeli i patundshëm i shtëpisë tonë.

Kemi një shtëpi që falë Lindës, është antisizmike dhe përballon edhe tërmetet e mia me shumë qëndrueshmëri dhe falë saj, fëmijëve nuk u mungon asnjë moment ajo mbrojtja shpirtërore, mbështetja morale, kujdesi prindëror që fatkeqësisht unë e kam kaq të pamundur që tua jap sa duhet e si duhet. Por, falë kësaj, Aneta, e dini kush është Aneta, që më shikon aq rrallë ka gjetur një vajzë që sikur ta kishte bërë vetë, nuk do e bënte dot kaq brenda standardeve dhe kritereve të saj. Se Aneta është më e vështirë se Bashkimi Europian për standarde, për kritere, për prioritete dhe falë Lindës, unë për hir të së vërtetës, nuk kam qenë kurrë vetëm, realisht', tha Rama.

 

Ora 19:08
Rama sulmon ashpër Bashën: Je kundërshtari më i ulët ndër vite (VIDEO)

Gjatë kongresit Rama ka sulmuar edhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha si kundërshtarin më të ulët që ka pasur ndër vite.

'Sa më lart të ngjitesh, aq më e fortë është era dhe aq më vetëm je. E me thënë të drejtën, më vjen shumë keq që aq padrejtësisht Lindës i është dashur edhe të përballojë baltën e mëhallës të opozitave tona, por ky është çmimi i lartë që duhet të paguhet fatkeqësisht kur vendos të merresh me politikë në këtë vend. E aq më tepër, kur të bie hisja, siç më ka rënë mua, siç na ka rënë ne të gjithëve, që të kesh përballë llojin më të ulët të konkurrentëve që ne kemi pasur për vite e vite të tëra', tha Rama.

Ora 18:44
Social-demokratët kroatë mbështesin PS-në: Forcë  reformatore për vendin, Shqipëria e meriton integrimin

1582911931_thumbnail61c8231607f14027b509e12c07edb236.jpg

Presidentit i Partisë Social-Demokrate kroate, Davor Bernardić, i ftuar në punimet e Kongresit të Partisë Socialiste, vlerësoi punën e bërë deri më tani nga mazhoranca socialiste në reformimin e vendit duke e bërë një vend të denjë për të qenë anëtar në Bashkimin Europian. Gjatë takimit që zhvilloi me Sekretarin e Përgjithshëm të PS, Taulant Balla, Bernardić tha se Kroacia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE dhe u shpreh optimist për hapjen  e negociatave.

'Nën lidershipin e partisë suaj dhe të mikut tone, Edi Rama, vendi juaj po transformohet në një vend të zhvilluar dhe europian social-demokrat. Ne ju shohim si reformatorët e vërtetë të vendit tuaj. Jemi këtu për t’ju dhënë mbështetjen tonë në integrimin e vendit tuaj drejt Bashkimit Europian.  Ne shpresojmë se shumë shpejt do të kemi një datë për hapjen e negociatave më Shqipërinë, sepse Shqipëria meriton të jetë një vend anëtar i Bashkimit Europian. Ne si parti social-demokrate në Kroaci e mbështesim integrimin e Shqipërisë', tha Bernardić.

Gjatë takimit, numri dy i PS, vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy partive dhe në mënyrë të veçantë mbështetjen që social-demokratët kroatë kanë dhënë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Të pranishëm në takim ishin dhe Teuta Vodo, Sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, si dhe Ervin Bushati, bashkëkryetar i PS Tiranë.

Ora 18:18
Linda Rama në Kongres: Fëmijët e këtij vendi meritojnë një ofertë të re, mbrojini nga interneti, pse nuk kemi një teatër të ri? (VIDEO)

Nën duartrokitjet e delegatëve të Partisë Socialiste, podiumit të Kongresit iu drejtua edhe bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama. Fokusi kryesor i fjalës së gruas së kryeministrit, ishin fëmijët dhe një ofertë e re që duhet të ketë për gjeneratën e re. Qendrat komunitare, çerdhet, kopshtet, shkollat dhe mjediset argëtuese zunë vendin kryesor në fjalën e saj.

Ajo ngriti pyetjen se përse nuk kemi ende një teatër të ri për fëmijët, kur harxhohen fonde për mega show si festivali në RTSH? Një tjetër pyetje, që ngriti Linda Rama ishte se përse sot nuk kemi një sistem funksional të klasave sportive për fëmijët në shkolla? Sipas saj, kryeministri, që është edhe bashkëshorti i saj, nuk i ka dhënë një argument bindës për këtë cështje.

"Në gjithë këto vite të gjata, është hera e parë që jam dhe për më tëpër, që flas në një forum të Partisë Socialiste. Përveç pjesmarrjes në takimet e mëdha të nisjes a mbylljes të fushatave elektorale, ku i jam gjendur Edit në krah, kam ruajtur me fanatizëm bindjen se koha, rruga, betejat, me të gjitha çfarë kanë brenda në vorbullën e jetës suaj në këtë front, në opozitë apo në qeveri, i përkasin vetëm dhe vetëm familjes së madhe politike.

Ndërsa familjes së vogël, asaj të gruas a të burrit, nënës a babait, prindërve e fëmijëve, i përket vetëm mbështetja, e padukshme por e patundshme, pa kushte, pa u lodhur dhe as dorëzuar. Mbështetje për njeriun e saj, që një pjesë të konsiderueshme të jetës së përditshme e ka të lidhur me familjen e madhe politike, por edhe për kauzën të cilës ai i është përkushtuar, në dobi të Shqipërisë, ku kemi lindur dhe ku kanë lindur, e nesër do të lindin fëmijë, fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë.

Por, befasisht e ndjeva te natyrshme edhe ftesën e papritur që m’u bë për të ardhur këtu, e për të marrë fjalën në këtë ditë të grave, me gratë dhe për gratë, me moton e bukur Edhe Një! Them befasisht, sepse vijimësisht të natyrshme kam ndjerë të kundërtën, refuzimin për t’u shfaqur si protagoniste qoftë edhe një moment, nën çatinë e madhe të Partisë Socialiste, po edhe nën dritat e skenës publike përgjithësisht. E gjithë pse-ja e pranimit të kësaj ftese, pikërisht sot dhe pikërisht ketu, mbase do të dalë në rreshtat e fjalës sime, por lejomëni t’ju them se në sekond, ky m’u duk momenti e vendi i duhur për të folur publikisht. Prandaj, faleminderit kujt i shkoi mendja për të ma bërë këtë ftesë dhe faleminderit të gjithave ju, që me mikpritjen tuaj kaq miqësore, ma konfirmoni se bëra shumë mirë që e pranova pa asnjë mëdyshje.

Faleminderit Lindita, për prezantimin që aq bujarisht më bëre dhe uroj që të jem nje vlerë e shtuar në këtë aktivitet domethënës. Fjala ime që përzien brenda nënën, studiuesen, aktivisten civile dhe shoqen e jetës së kryetarit tuaj aq të dashur për shumë prej jush, nuk pretendon të jetë asgjë më shumë se sa shprehje e deshirës së mirë për të ndarë publikisht me ju, disa mendime modeste.

Në vjeshtën e vitit 2005, Partia Socialiste zhvillonte zgjedhjet për kryetarin e saj të ri. Në atë kohë, së bashku me kolegë të mi, sapo kishim filluar të merreshim me zbatimin e një modeli të ri të shkollës si qendër komunitare, diku në një Komunë në jug të vendit. Kryetari i asaj komune ishte delegat në atë kongres zgjedhor. Ishte ai kongresi i trazuar që në fund zgjodhi Edin kryetar, pak muaj pasi Partia Socialiste kishte kaluar në opozitë. Në përfundim të Kongresit, Kryetari i Komunës erdhi në zyrën tonë për të diskutuar për aktivitetet që planifikonim të kryenim në shkollën e komunës së tij.

Në një moment dikush e pyeti: Po hë, si vajti kongresi? Nuk zgjodhëm ne delegatët,- tha. Zgjodhën fëmijët tanë. Na mbytën me mesazhe që të zgjidhnim të gjatin! Është modern ai dhe e ka të lehtë me ta, - e mbylli kryetari me një buzëqeshje që sa ç’tregonte dyshim tek i gjati, aq edhe lehtësim apo besim, që ishte bërë siç kishin dashur fëmijët e tij!

E pra, Edi erdhi në krye të Partisë Socialiste si një thirrje e fëmijve të atyre që mes plot ndryshimeve të vështira, pengesave të mëdha, sakrificave të pazakonshme, rënieve e ngritjeve, i dhanë jo pak Shqipërisë së trazuar të 15 viteve të para pas daljes në rrugën e lirise e të demokracisë. E fëmijëve ishte në fakt edhe thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, që mblodhi popullin e tërë në hapjen e asaj rruge 30 vjet më parë. E fëmijëve mbetet sot e gjithë ditën arsyeja themelore pse politika duhet të ekzistojë, pse partitë duhet të ndeshen në betejën e vizioneve dhe ideve për të nesërmen, pse vetë Partia Socialiste duhet të vazhdojë të kërkojë me shumë nga vetja dhe pse, ju, gratë e vajzat e kësaj familjeje të madhe, duhet të këmbëngulni në përpjekjen tuaj për të qenë gjysma më e mirë e kësaj familjeje të madhe.

Ka ndodhur një ndryshim i madh, real dhe i paimagjinueshëm deri jo shumë vite më parë, që personalisht më bën të ndjehem mirë, shumë mire, kur flas jashtë vendit për përfaqësimin gjinor në Shqipëri. Kjo me siguri është pjesë e qenësishme e arsyes që më bëri të vij këtu sot, tek ju, gratë që i përkisni partisë që ka meritën e padiskutueshme për këtë ndryshim dhe që keni barrën e padiskutueshme ta thelloni atë. Ta bëni atë një ndryshim që shtrihet poshtë, pasi ka ndodhur lart. Sepse, që ta themi deri në fund, kur një burrë del në dritën e skenës publike, ai është një më shumë në gjininë e të shumtëve. Ndërsa një grua në skenën publike, e mbart si hijen e vet detyrimin për t’u bërë një zë dhe forcë tërheqëse më shumë e gjinisë së saj.

Eshtë vërtetë krenari, ta shohësh sot Shqipërinë mes 5 vendeve të para në botë për pjesëmarrjen e grave në qeveri dhe po ashtu, të shohësh se në tabelën globale të aksesit të gruas në sferën publike, Shqipëria ka pozicionin më të mirë krahasuar me çdo tabelë tjetër.

Në këndvështrimin tim modest, kjo ngjitje me vlerë historike e gruas në lartësinë e vëmendjes së partive politike, falë Partisë Socialiste, është një vlerësim i admirueshëm jo thjesht i meritës individuale dhe as i kontributit thjesht individual. Është një vlerësim sa i drejtë, aq edhe kurajoz, sa politik, aq edhe humanist, për përpjekjen dhe kontributin afatgjatë, të nënave, mësueseve, aktivisteve civile në betejën e vazhdueshme të tyre për zhvillim dhe emancipim. Kjo përpjekje që vijon, në format e veta të panumërta, në të gjitha qelizat e organizimit shoqëror, familjet e këtij vendi, meriton plotësisht që rrjeti i fuqizuar sot, i grave dhe vajzave në politikë, të gjejë forma e mënyra për t’i vënë ambiciet individuale dhe aksesin në skenën publike, në dispozicion të familjeve të zakonshme, ku nënat e bijat zhvillojnë betejat e tyre emancipuese në kushte ende tejet të vështira.

Përpara një auditori të tillë është i fortë tundimi për të prekur çdo temë të mundshme që lidhet me të përditshmen tonë, por dua të qendroj tek më e rëndësishmja brenda meje, që është ajo thirrja e fëmijëve, e cila kalon si jehonë, në tërë zinxhirin që lidh vitet dhe përcillet vit pas viti, në grupmoshat e kalamajve tanë. Për mua ata, fëmijët tanë janë shembëlltyra e Europës që kemi brenda nesh. Detyrimi ynë që t’i trajtojmë ata si të tillë, jo vetëm kur flasim me ta apo për ta, po edhe kur flasim me njëri-tjetrin dhe për publikun, them se qëndron mbi të gjitha detyrimet e tjera... Me këtë të fundit kam parasysh dëmin e pallogaritshëm që i bëhet kësaj Europe të brishtë nga egërsia, vulgariteti, varfëria e mjedisit tonë publik të komunikimit.

Europiani i vogël që lind e rritet në familjet tona, ka nevojë për një përkujdesje të jashtëzakonshme, që të zhvillohet mëndjehapur e tolerant dhe të dijë te identifikojë të përbashkëtat e të çmojë të veçantat, mes modeleve, kulturave e qyteterimeve.
Dhe na takon të gjithave të pyesim, po mbase juve ju takon edhe më shumë se kaq, që jo vetëm të pyesni po edhe të ushtroni presion për të marrë pergjigjet e duhura në terrenin e jetësimit të politikave publike:

“A bëhet vërtetë gjithçka duhet që gjenerata më e re, ajo e fëmijëve tanë, të jetë nesër mishërimi i përkatësisë europiane të Shqipërisë?

A është kuptuar vërtetë me gjithsej, se sfidat e femijeve tane nuk do jene te njejta me ato qe perballojme ne dhe per rrjedhoje tejkalimi i modelit tone eshte domosdoshmeri, por njëkohësisht një kërcënim i madh vjen me të?

Dhe pastaj, a mjafton të paturit e vetëdijes së ndryshimit dhe vullneti për të përqafuar realitetin e ri, për t’ia dalë tejkalimit pa rënë pre e kërcënimit të humbjes së vlerave e të normave, që brez pas brezi erdhën deri tek ne si guidë morale e jetës sonë?”

Le të marrim për një çast ndryshimin epokal që ka sjellë në jetën e fëmijve interneti dhe platformat e tij.

Aktualisht, numri i përdoruesve të internetit në Shqipëri e ka kaluar mesataren botërore dhe po rritet vijimësisht. Këtë na e thonë numrat, por numrat nuk na thonë se cila është jeta në internet e fëmijve dhe siguria e tyre në të. Mosha e fëmijëve që fillojnë të përdorin internetin vjen duke u ulur. Këtë thonë numrat, por ne nuk dimë se si mendja e një fëmije të vogël e interpreton dhe e absorbon ushqimin e ekranit pa asnjë standard të garantuar sigurie në duart e tij.

Prindërit janë ende rojet e pazëvendësueshëm të fëmijëve nga kërcënimet e frikshme të internetit, por 30% e tyre nuk janë vetë përdorues të internetit dhe shumë të tjerë, të mbingarkuar me problemet e një jete aspak të lehtë për ta, preferojnë t’ia lënë internetit të bëjë rojen e fëmijëve.

Një fëmijë përdorues i internetit në Shqipëri shpenzon mesatarisht 2.9 orë online në ditët e javes dhe 3.3 orë në një ditë pushimi. Shumica e fëmijve e aksesojnë internetin nga ekranet e telefonave dhe kjo është kaq e lehtë dhe kaq atraktive sa rrezikon që e vetmja mëhallë që do të njohin të jetë mëhalla digjitale, të vetmit shokë të jenë miqtë imagjinarë digjitalë, heronjtë më domethënës të jenë ata që nuk ekzistojnë dhe gjuha e tyre numër një e komunikimit të jetë zhargoni i shkurtimeve dhe i shenjave në ekran.

Kam përshtypjen se në këto kushte, oferta tradicionale, e cila edhe ajo ka mangësitë e veta të mëdha, nuk mjafton. Shkolla, kopshte, çerdhe, kënde lodrash, janë bërë shumë, po jo vetëm duhen shumë akoma, po edhe sikur të mbaronte nevoja për to, mendoj se prapëseprapë jemi të zbuluar në raport me sfidën në fjalë.

Prandaj të dashura mikesha socialiste, ju lutem angazhohuni me fuqinë e përfaqësimit tuaj, në qeveri, kuvend, këshilla bashkiakë apo hapësira të tjera ndërvepruese, ku zëri juaj dëgjohet, për një ofertë të re për fëmijët e këtij vendi.

Është e qartë pse duhet të kemi një Teatër të ri të Operës dhe Baletit, një Teatër të ri Kombëtar apo të tjera salla teatri si ArtTurbina, në të tjera zona të vendit, të gjitha këto me standarde europiane. Po a mundet të jemi të qeta ne, nënat e këtij vendi, kur i vetmi teatër femijësh, është ende Teatri i Kukullave, një hije e ftohtë e atij që ishte kur Tirana ishte thuajse një e pesta e asaj që është sot?! Ose pse, si ka mundësi qe falë fondeve publike, të mbijetojë si një megashow televiziv në kohën e konkurrencës së lirë, Festivali i Këngës në Radiotelevizion, ndërkohë që fëmijët nuk kanë asnjë festival muzike?!

I bukur shumë është stadiumi i ri kombëtar dhe bukur janë bërë stadiumet e tjerë, që me siguri janë më pak se sa ata që i duhen Shqipërisë që merret me futboll. Po a ma thotë dot njeri, sepse nga i gjati që kam në shtëpi nuk e kam marrë dot një përgjigje bindëse, pse nuk e kemi dot në këtë vend një sistem funksional klasash sportive për fëmijët në shkolla?!

Më në fund dëgjova se do të bëhet edhe Kopshti Zoologjik sipas standardeve europiane dhe shpresoj qe këtë herë të bëhet vërtetë, por pse mua nuk më duket e pamundur që të kemi kopshte të bukur kafshësh të buta edhe në zona të tjera të vendit, ku fëmijët të mund të kalojnë kohë e të mësojnë për to.

Bukur është punuar për të zgjeruar rrjetin e shkollave qendra komunitare, por a nuk duhet t’iu ofrojmë fëmijëve hapësira të reja takimesh, mes shkollave, përmes konkurseve që stimulojnë talentet e tyre?!

Ndarja e re territoriale, shprehur si ide dhe nevojë qysh në vitin 2002 dhe e finalizuar si ligj, më shumë se sa një dekadë më vonë, në thelb ka synuar krijimin e hapësirave për modele të avancuara të zhvillimit dhe të shërbimit, përtej gardheve dhe sinoreve të vjetra. Vizioni për këto hapësira të reja duhet të mundësojë që nevojat e fëmijëve për argëtim të mos mbyllen brenda ofertës minimaliste të lodrave nëpër lagje apo mureve të qendrave tregtare; edhe këto të fundit fare të pakta.

Vetëm një vizion i tillë do të mundë që lista e atraksioneve turistike të shkojë përtej trashëgimisë kulturore, trashëgimisë historike, detit dhe malit, ku fëmijët janë zgjatim i të rriturve, po jo arsyeja e parë pse të rriturit tërhiqen nga këto atraksione dhe vetëm ky vizion do t’i jepte argëtimit dhe zhvillimit artistik të fëmijve një adresë të qartë institucionale.


Në nëtorin e 105-të të pavarsisë, Zaho kishte mbushur 3 vjeç. Në kopshtin e tij po përgatiteshin për të festuar ditën e flamurit. Në mbrëmje, më vjen një mesazh nga mësuese Elda, që ishte dhe administratore e kopshtit së bashku me bashkëshortin e saj, qytetar amerikan. Zaho më ka surprizuar dhe më ka prekur sot,- më tha.

Të nesërmen në mëngjes po më priste dhe me tregoi: Dje po pyesnim fëmijët se përse e duam Shqipërinë dhe kur radha i erdhi Zahos, ai u përgjigj shumë thjeshtë: E duam, sepse është shtëpia jonë. M’u kujtua vetja ime,- vijoi. Ika në Amerikë e vogël dhe pas shumë viteve u ktheva me Davidin, të fejuarin tim pasi babai ishte sëmurë dhe ishte shtruar në spital. Ishte fillimi i viteve 2000. Dilnim në rrugë, kishte mbeturina dhe gropa, më vinte turp nga i fejuari dhe i thosha “më vjen keq”. Hipja në autobus, njerëz që shtyheshin, thosha “më vjen keq”. Shkoja në spital, ku asgjë nuk funksiononte siç duhej, pëshpërisja “më vjen keq”. Hynim në shtëpi, iknin dritat; dhe mua përsëri më vinte keq. Nuk e di sa herë e kam përsëritur togfjalëshin “më vjen keq” ato ditë. Ditën që u larguam, në momentin që do të fillonte fluturimi për të kaluar oqeanin, ai nxorri një letër dhe më tha: Ke thënë kaq shumë herë “më vjen keq” këto ditë. Të lutem shkruaj 10 arsyet se pse e do vendin tënd. Në mbi 10 orët e fluturimit tim, me vështirësi i bëra dhjetë arsye, por asnjëra nuk ishte një arsye sa për 10.

Ndaj, u preka. Kishte qenë aq e thjeshtë dhe aq domethënëse: Po, e dua Shqipërinë, se ajo është shtëpia jonë.

Me një falënderim të madh që më dhatë mundësinë të ndaj me ju dhe përmes jush, me të gjithë familjen tuaj të madhe të socialistëve, këtë fjalë timen dhe po ashtu, duke ju falënderuar për vëmendjen që me dhatë bujarisht, lejomëni ta mbyll duke ju thënë:

O e bëni ju, gratë socialiste të kësaj kohe kaq të favorshme për gruan në politikë, atë që politika duhet të bëjë për një ofertë të re për fëmijët që lindin e rriten në këtë vend, o s’e bën dot askush tjetër!

O e bën Partia Socialiste sot këtë vend, shtëpi të fëmijëve të të gjithë shqiptarëve, pa dallim krahine e kategorie sociale, o askush tjetër s’ka për ta bërë dot për kushedi se sa kohë akoma!

Uroj ta bëni dhe të merrni bekimin e historisë së të vetmes Europë qe ne kemi brenda nesh, historisë së fëmijëve tanë!

U bëftë më e mira për ju, familjet tuaja, fëmijët e këtij vendi, që është shtëpia e tyre
" tha ajo.

Ora 18:07
Shahini: Ata që brengosen për gratë ndoshta i ngacmojnë vetë kur u vallëzojnë në emision (VIDEO)

Ministret Ogerta Manastirliu dhe Besa Shahini në fjalën e tyre para Kongresit u ndalën te dhuna dhe ngacmimet e vajzave dhe grave. "Nëse bashkojmë forcat, dhuna ndaj grave do të jetë një kujtim i turpshëm i një të kaluare që nuk do të vijë kurrë më" tha ministrja Ogerta Manastirliu.

Ministrja Besa Shahini e vendosi theksin te denoncimet në media të vajzave dhe grave për ngacmime seksuale. Shahini akuzoi edhe emisione të caktuara në media se 'në vend që t'i trajtojë me ndjeshmëri, i nxjerrin në emisione dhe spekulojnë vetëm për të tërhequr shikueshmëri'. Ministrja sulmoi edhe drejtuesit e emisioneve që pjesë tyre kanë edhe velinat, kur tha se 'gjoja brengosen për ngacmim, ndërsa objektivikojë dhe ndoshta ngacmojnë edhe vetë trupat e grave të reja që vallëzojnë aty në emision'

"Sistemi arsimor nuk është ende emancipues. Media patriarkale promovon imazhin e burrit të fortë duke ndërtuar mes imazheve një pabarazi. Viktimat e sistemit patriarkal janë si vajzat dhe djemtë. Gruaja dhe vajza kanë filluar të kenë kurajon të denoncojnë ngacmimet. Media në vend që t'i trajtojë në ndjeshmëri, i nxjerr në emisione dhe spekulojnë me javë.

Vetëm për të tërhequr shikueshmëri. Nuk janë të vetëdijshëm për hipokrizinë e tyre, që gjoja brengosen për ngacmim, ndërsa objektivikojë dhe ndoshta ngacmojnë edhe vetë trupat e grave të reja që vallëzojnë aty në emision. Hapësira ku denoncohet abuzimi duhet të jetë e sigurt. Edukimi feminist nuk është kundër burrave por mendësisë patriarkale" tha Shahini.

Ora 17:39
Dhuna ndaj grave, Gjermeni kërkesë Ramës: Këtë çështje duhet ta shikoni me prioritet (VIDEO)

Edhe deputetja Eglantina Gjermeni në fjalën e saj para kongresit të socialistëve e vendosi theksin te gjuha agresive në politikë, konkretisht duke dënuar sulmin e Monika Kryemadhit kundër ministres Gjonaj që e cilësoi si 'Halabake rrugësh'.  "Rasti i fundit është sulmi që i bëhet ministres së Drejtësisë, të gjitha ndihemi keq. Të gjithë ne, gra dhe burra duhet të jemi kundër këtij modeli të të bërit politikë. Gjuha agresive e politikës projektohet dhe përbën një model negativ për jetën e përditshme. Agresiviteti përçohet në sjellje e qëndrime agresive. Kemi nevojë për një qasje tjetër. Secili prej nesh duhet të kontribuojë për këtë gjë".

Gjermeni u ndal edhe te dhuna dhe vrasjet e grave, ndërsa kishte edhe një kërkesë për kryeministrin Edi Rama. "Ndihem e tronditur nga rastet e fundit kur merren jetët e grave. Dhuna ndaj grave mbetet një shenjë turpi për shoqërinë. Unë them se cfarë po bëjmë ne për ta parandaluar? Kemi ligje të mira, por duhet të bëjmë më shumë për ti zbatuar. Besoj se me nismën e fundit për largimin e dhunuesit nga banesa për përfshirjen në programe rehabilituese, rritjen e dënimit për dhunuesit do të ndikojë më shumë për parandalimin.

Por vetëm ligjet nuk e ndalojnë dot dhunën. Kemi nevojë për shumë ndërgjegjësim. Na duhet të gjithëve të kontribuojmë. Zoti Kryeministër u kërkoj që kjo cështje të shikohet si prioritare nga institucionet. Të gjithë duhet të kemi një mision të përbashkët. Duhet të jemi bashkë, parlamenti, qeveria, shoqëria, media dhe sektori privat. Në fund dua të falenderoj të gjithë kolegët burra për mbështetjen dhe në mënyrë të veçantë Ramën për besimin ndaj grave, të sektorëve kyçë" tha ajo.

Ora 17:25
Nisma e PS-së 'Edhe Një'/ Lindita Nikolla: E rritëm me 10% numrin e grave në parti (VIDEO)

Deputetja socialiste Lindita Nikolla u shpreh se falë nismës së PS-së 'Edhe Një' numri i vajzave dhe grave në partinë Socialiste është rritur me 10%. Ish-ministrja ka dënuar edhe dhunën verbale të kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi kundër ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj pak ditë më parë.

"Nisma 'Edhe një' e rriti me 10% numrin e grave në parti. Do të kërkoja Partia Socialiste ka besuar dhe investuar te gratë, ndaj edhe unë, pyesim veten, çfarë kam bërë që politika që qeverisja të jetë më e mirë dhe më e hapur. Pse duhet të besojnë njerëzit te gratë. A pret shoqëria nga ne, që të jemi shembull. Iu bashkova PS-së në vitin 2003 si këshilltare. Nuk thashë asnjë fjalë për baltën dhe poshtërsitë që të godasin pa limit.

Nuk flas për baltën sepse frigohem se mos kthehen në barrierën e parë për shumë gra dhe vajza që duan të jenë pjesë e politikës. Përgjigja jonë nuk do të jetë me të njëjtën monedhë. Nuk ka tradhti më të madhe që i bëhet kauzës dhe misionit tonë nga dhuna verbale dhe vulgariteti sikur vjen nga gratë e politikës, si rasti i ditëve të fundit ndaj ministres së Drejtësisë. Do të ngremë zërin për problemet tona. Do të bashkëpunojmë me burrat por edhe do të përballemi me ata" tha ajo.

Ora 17:07
Të buzëqeshur, Rama i shoqëruar nga bashkëshortja Linda mbërrijnë në Kongres (VIDEO)

Kryetari i PS-së, njëherësh kryeministër i vendit, Edi Rama ka mbërritur në kongresin e socialistëve që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama. Në holl ata janë pritur nga sekretari i përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla dhe Blerina Gjylameti.

Ora 17:06
Arrijnë Dako, Gjiknuri dhe Manja, gati nisja e ditës së parë së Kongresit të PS-së (VIDEO)

Pas pak pritet që të fillojë dita e parë e punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste. Report Tv sjell pamjet e momentit kur në Pallatin e Kongreseve futen figura të njohura të PS-s, nga Vangjush Dako, Damian Gjiknuri, Ulsi Manja, etj.

Ora 16:56
PS-ja rrëzon mocionin e kritikëve/ Pëllumbi: Ishin kopje dhe akuza si opozita (VIDEO)

Sekretari Organizativ i PS-së Arben Pëllumbi në një intervistë për Report Tv në u shpreh se përfaqësia e Kongresit të socialistëve pas shqyrtimit vendosi që mocioni i 10 anëtarëve kritikë mes të cilëve Arta Dade, që kërkonin ndryshime në statutin e forcës ku bëjnë pjesë nuk i plotëson kushtet nga ana procedurale, por edhe strukturore. Megjithatë, tha ai, përfaqësia nesër do ia paraqesë Kongresit për vendimmarrje. Deputeti socialist u shpreh se akuzat e këtyre anëtarëve ngjajnë me ato të opozitës.

"Më lejoni që të flas për anën procedurale të mocionit, që nuk kanë munguar asnjëherë, është një ogur i mirë, pasi kemi njerëz që duan të shprehen, edhe pse kanë vite që janë larg strukturave dhe programeve. Përfaqësia e shqyrtoi dhe vendosi që mocioni nuk i plotëson kushtet nga ana procedurale por edhe nga ana strukturore. Përfaqësia e Kongresit nesër do ia paraqesë kongresit për të dalë në një vendimmarrje. Mocioni ka të bëjë me dy shtylla, e para për reformimin e partisë, më duket se janë kopjuar grupet e punës që kanë disa muaj që punojnë dhe ne do i prezantojmë nesër dhe blloku  i dytë është i akuzave që nuk i gjej fort ndryshe nga ato që bën opozita në raport me ne' tha ai.

Por cfarë do të ndodhë sot pasdite, në ditën e parë të Kongresit? Pëllumbi u shpreh se fokusi do të jetë te vajzat dhe gratë socialiste. "Për të çuar më para këtë fushatë dhe fakti që të materializojmë sa më mirë përfaqësimin në qeveri, grup, etj, të shoqeve dhe grave të PS-s, kemi marrë këtë fushatë 'Edhe një'.  Ne kemi vënë re që në pjesën më të madhe votat e PS-së vijnë nga kjo forcë prandaj duam t'u japim të gjithë hapësirën për t'u shprehur dhe përfaqësuar'.

Ndërkohë që nesër punimet e kongresit do të fokusohen te llogaridhënia mbi atë që është bërë deri tani dhe rindërtimi. "Nesër dita e dytë ka të bëjë me funksionimin. Seanca e parë do të jetë llogaridhënia, për atë që kemi bërë, më pas rindërtimi. Në seancën e dytë do u dedikohet strukturave, do të kemi disa ndryshme nga nevojat që kanë lindur. Në atë sens që thoni ju kongresi nuk shprehet, pasi ka qëllim vetëm zgjedhjen e asamblesë që do të ndodhë nesër mbrëma".

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 28/02/2020 21:01

    Nga dita e pare e Kongresit te PS, me ben pershtypke fjala e Linda dhe Ed Rames, ku me duket si debat dhe elozhe familiare se sa fjalim ne kongres.Kongresi eshte llogaridhenie dhe jo mburrje dhe opozite "familjare" Te analizohet cfar u zotuan dhe cfar u mbajten.Te denohet nepotizmi ne administrate dhe protektorati i bisneseve te caktuara . Te analizohen PPP per koston e tyre te larte dhe efektiviteti akonomik si dhe dhjetra probleme te tjera.Lufta kunder njeshit dhe fjala e lire ne parti.PS ka tradite demokratizimin dhe jo unin qe jo pak e ka demtuar PS para votuesve te saj.Te ndryshohet sistemi zgjedhor qe deputetet te zgjidhen direkt nga populli dhe jo nga kryetari ,ndryshe neser mund te shkoni ne opozite .Elektorati kerkon nje PS moderne dhe demokratike

    Përgjigju
  • Kongresi: 28/02/2020 19:06

    Bravo Edi Rama per veten,familjen,femijet tuaj,jeni shembull ne cdo aspekt,te kemi idhull, por nuk e di pse ate L.Nikollen na e ke servirur ne shume variante, sa degjojme eshte marre dhe mbeshtetur per interesa te saj me njerez llum,gollobordas qe per interesin e saj i ka mbeshtetur e favorizuar, e keta lloj llumi e kane perdorur kunder komunitetit ku jetojn,se kemi Linditen e do bejme c'te duam e s'kane cfare na bejne,plehrat

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Himara 2 ‘kryetarë’ në burg, vendi vakant pas dorëheqjes së Jorgo Goros! Këshilli Bashkiak komandon sot kryebashkiakun e ri

Himara 2 ‘kryetarë’ në burg, vendi vakant pas dorëheqjes së Jorgo Goros! Këshilli Bashkiak komandon sot kryebashkiakun e ri