Një Princ Vid për sistemin
tonë bankar?

Ideja e një Guvernatori të huaj për Bankën e Shqipërisë (në vitin 2014, Fuqitë e Mëdha i caktuan Shqipërisë një princ, një regjent, një guvernator të huaj për gjithë vendin, Princin William of Wied) po fillon të kristalizohet dhe të zerë peshë. Një personalitet i padiskutueshëm i financave ndërkombëtare,me një karrierë të suksesshme në sistemin bankar të ndonjë vendi perëndimor(përse jo Gjermania apo Italia), mundësisht me eksperiencë pune në ndonjë nga bankat qëndrore te zhvilluara të kontinentit tonë, do t’i kthente shpejt besimin bankës sonë qëndrore.

Njëlloj si tekniku italian i kombëtares sonë të futbollit,me profesionalizmin e tij dhe zgjedhjet e gjetura të lojtarëve, po na bën tëëndërrojmë për kampionatin europian të vitit 2016 në Francë.Nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se institucionet që kanë për “qeveri” bankën tonë qëndrore janë në shumicën e tyre filiale të bankave të huaja austriake, italiane, franceze dhe greke. Po ashtu, këto filiale zotërojnë në Shqipëri dhe shumicën e depozitave dhe të portofolit të kredive në sistemin tonë bankar.  Një bankier i huaj në krye të Bankës së Shqipërisë(kuptohet, nën mbikqyrjen e rreptë dhe mirëdashëse të pjesës shqiptare të Këshillit Mbikqyrës), do të përbënte një tjetër garanci për këto filiale që të investonin më shumë kapital në vend. 

Një tjetër ide do të ishte akoma dhe më pozitive, ajo e binjakëzimit të Bankës së Shqipërisë me një nga bankat qëndrore të mëdha dhe të zhvilluara të Evropës. Nga ky binjakëzim, banka jonë qëndrore do të kishte përfitime të mëdha në eksperiencë dhe rifitim përgjegjësish, që aq shumë i kanë munguar deri tani. Ndonëse kjo ide do kohë të piqet dhe të bëhet reale, ajo ia vlen të merret parasysh që me kërkimin e tanishëm për një kandidat të huaj si Guvernator.

Në këtë situatë, puna e Kuvendit, e Komisionit të tij të Ekonomisë dhe Financave dhe ndoshta edhe ndikimi i qeverisë(me ligj, qeveria cakton 3 përfaqësues të saj në Këshillin Mbikqyrës të Bankës, me sytë nga rritja e fitimit të bankës qëndrore, për të shtuar të ardhurat buxhetore)ka përballë një sfidë kohore.Më e mira do të ishte të bëhej një konkurs i hapur ndërkombëtar dhe të kërkoheshin kandidatë për anëtar të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe ndoshta edhe për postin e Guvernatorit.

Edhe pse koha duket se nuk premton dhe në tetor Kuvendi duhet se s’bën t’i japë vendit një Guvernator të ri, ndoshta një garë dy-tre javore, e shpallur që tani, për kandidatë vendas dhe të huaj për në Këshillin Mbikqyrës (me llojin e CV-së që duhet të kenë, specializimet dhe eksperiencën e kërkuar) mund të ndihmonte. Me dorëheqjen e pardjeshme tënjë anëtari të Këshillit Mbikqyrës, duke patur parasysh staturën pozitive të një anëtari tjetër të Këshillit, zonjës Ermelinda Meksi, Kuvendi dhe Komisioni përkatës i tij mund të zgjedhin të mos e shkarkojnë pjesën e mbetur të Këshillit(katër anëtarë), duke lënë më vonë shqyrtimin e përgjegjësive të tyre në vjedhjen-skandal dhe siguruar edhe njëfarë vijimësie në drejtimin e Bankës.

Ata mund të përzgjedhin, me një procedurë që urojmë të jetë tërësisht e hapur dhe jo-politike, katër anëtarët e tjerë që mungojnë, dhe në mes të këtyre nëndë anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës, sipas ligjit, Presidenti do t’i propozojë Kuvendit kandidatin e tij për Guvernator. Nëse gjendet një kandidat i huaj në këto dy-tri javë, ai me siguri do t’i ripërtërinte kujtesës historike të shqiptarëve princin gjerman që erdhi në Shqipëri në mars 2014, si një meteor i botës perëdimore dhe qëndroi vetëm gjashtë muaj, deri në shtator 2014. Në atë kohë, ai solli shpresë,por nuk arriti të bënte asgjë. Një Guvernator i huaj, i aftë dhe me personalitet, për Bankën e Shqipërisë, do të mund të na ndihmonte shumë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)