Një vit pa Agron Janon

Një vit pa Agron Janon
Në fillim të muajit Tetor të vitit 1972, në sallën e vizatimit të lire, në Korpusin Qëndror të Universitetit të Tiranës, Profesori i nderuar Ibrahim Çezmja, paraqet një vizatim, dhe duke e treguar atë para rreth 40 studentëve të vitit të parë në degën e arkitekturës, tha: ‘E shikoni këtë vizatim? Kam vite që jap këtë lëndë mësimi, por punim të tillë, deri më sot, nuk kam parë.  Po të kishte note më të lartë se dhjetë, kjo punë do e meritonte!’
Vizatimi, që po tregonte profesori, ishte i studentit 18 vjeçar, Agron Jano.  Kjo do të ishte edhe dhjeta e parë për Agronin student, notë që do ta shoqëronte atë gjatë gjithë viteve të shkollës, deri në mbrojtjen e diplomës.

Mund të themi se Agron Jano, ka qenë studenti më i mire në degën e Arkitekturës, që nga krijimi i saj, në vitin 1968, dhe deri në ditët tona.  Tek ai bashkohej vullneti, inteligjenca e talenti.  Ai ishte student i shkëlqyer në të gjitha lëndët.  Medaljen e Artë e kishte sjellë nga shkolla e mesme në qytetin e Fierit, por asnjëherë nuk u mburr për këtë gjë.
I lindur në vitin 1954; në një familje të arsimuar, me vlera shoqërore dhe patriotike, të përbërë nga dy mbiemra të dëgjuar, Jano, nga i ati dhe Kilica, nga e ëma; ishte shumë kurioz që në fëmijëri, i vullnetshëm dhe korrekt, dallohej për pasionin për të vizatuar, në adoloshence ishte shumë i shoqëruar me shokë e miq.  Figura e tij u pasurua, kur fati i jetës e lidhi me familjen tjetër të nderuar të profesor Nasho Jorgaqit.

Asnjëhere nuk na ka shkuar ndërmend që Agron Jano, studenti, pedagogu dhe arkitekti i shkëlqyer, të shkonte me këmbët e veta drejt fundit të jetës. Agroni e donte shumë jetën, kishte sakrifikuar shumë për të arritur majat e saj.  Agroni donte shumë të bukurën, donte familjen, djalin e tij, Marinin, donte shokët, miqtë, kushërinjtë. 
Kontributi i Agronit në fushën e arkitekturës ishte shumë planësh, kontribut si projektues, si pedagog, si organizator i panaireve, si kryetar i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë për shumë vite me rradhë, si artist, si piktor në disa ekspozita me grafika dhe piktura të hapura brenda e jashtë vendit, si teoricien dhe akademik.

Agroni ishte pika jonë e krahasimit dhe referimit. Ai ishte shok e mik i besës, organizator i takimeve që klasa jonë e arkitekturës bënte çdo pesë vjet, gjithë humor, kavalier, plot surpriza. Ai është autor dhe bashkëautor i shumë objekteve të rëndësishme, që do të mbeten në historinë e Arkitekturës Shqiptare, si banesa, studime urbanistike, vila, hotele, interiere, etj.  Ai gëzohej që ishte bashkëautor i projektimit të objektit të Parlamentit të ri Shqiptar, së bashku me dy arkitektë të dëgjuar, Mario Campi dhe Fabio Reinhart, projekt që u vlerësua me çmimin e parë, në konkursin që u zhvillua në vitin 2007.

Sot Agroni do të ishte 60 vjeç.  Ai u nda nga kjo jetë në kulmin e eksperiencës profesionale dhe jetësore.  Por ai ka lënë shumë kujtime tek të gjithë. Katalogu Arkitektura dhe Urbanistika, i botuar në vitin 2005, është rezultat i përpjekjeve dhe këmbënguljes së tij.  Aty janë botuar veprat më të zgjedhura të arkitektëve shqiptarë, pas viteve ’90.
Kohët e fundit Agroni i ishte përkushtuar shumë pikturës së kavaletit, punonte deri natën vonë.  Me punët e tij, ai hapi disa ekspozita në qytete të ndryshme të Shqipërisë, dhe po përgatitej të hapte një tjetër ekspozitë në Tiranë.

Si kryetar i Shoqatës së  Arkitektëve të Shqipërisë, për një periudhë relativisht të gjatë, Agroni tregoi një kujdes të veçantë për vlerësimin e figurave të shquara të arkitekturës shqiptare, si Besim Daja, Enver Faja, Ilia Papanikolla, Sokrat Mosko, Isuf Sukaj, Petraq Kolevica, Robert Kote, Maks Velo, Mauricio Begaj, etj., duke vlerësuar jo vetëm veprën, por edhe jetën e tyre.

Njerëzit nuk harrohen kur largohen nga kjo jetë fizikisht, por njerëzit harrohen kur nuk kujtohen më, prandaj në këtë 1 vjetor ne po kujtojmë mikun, shokun dhe kolegun tonë të dashur, Agron Jano.
Ditët e fundit të jetës së tij ai na telefonoi të gjithëve ne, për të na lajmëruar për një mbledhje, pas zgjedhjeve e reja të Shoqatës së Arkitektëve, ku Agroni ishte rizgjedhur Kryetar.  Na la si kujtim zërin e tij të butë dhe të ëmbël: “Ju lutem mos mungoni në mbledhje”.  Por në këtë mbledhje do të na mungonte vetë Agroni dhe këtë radhë ai do të na mungonte perjetësisht.

I paharruar kujtimi i shokut, mikut, kolegut tonë shumë të dashur, Agron Jano.
 
Arkitekt Arben Meksi
Arkitekte Lida Miraj
 
Shkrimi u publikua sot (09.03.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Sulmet e Metës ndaj SPAK, deputeti i PS: Është në hall të madh, të bëhet burrë e ta çojë deri në fund përballjen me drejtësinë

Sulmet e Metës ndaj SPAK, deputeti i PS: Është në hall të madh, të bëhet burrë e ta çojë deri në fund përballjen me drejtësinë