Një fitore e madhe financiare (por edhe politike)

Një fitore e madhe financiare (por edhe politike)

Skënder Minxhozi

Konferenca e donatorëve dha një sinjal të fortë përkrahjeje për shqiptarët e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Ndërsa parashikimet më entuziaste prisnin diçka mes 300-400 milion eurove në formë ndihmash dhe kredish të buta, totali prej 1 miliard e 150 milion euro i mbledhur në fundit të ditës, tejkalon çdo pritshmëri. Në një kontinent ku kanë rënë edhe pas tërmetit tonë, të tjerë tërmete edhe më të fuqishëm, ky angazhim i 94 shteteve nga e gjithë bota përbën një histori të madhe suksesi.

Suksesi i parë i kësaj konference është se donatorët nga e gjithë kanë siguruar burime mëse të mjaftueshme financiare, për të shëruar plotësisht plagët që la pas 26 nëntori. Mbi 12 mijë banorët e goditur nga tërmeti, kanë sot shumë më tepër arsye për të pasur besim se shtëpitë, bizneset e infrastrukturat në zonat e tyre, do të riparohen dhe se kjo nuk do të do ndodhë pas dhjetë vjetësh.

Kur fatura prej 985 milion eurosh u bë publike, pati jo pak spekticizëm se kjo shumë do të ishte thjesht e paarritshme nga donacionet që do mblidheshin në Bruksel në 17 shkurt. E pra kjo shifër tashmë është tejkaluar, duke lejuar hapjen me sukses të të gjitha kantiereve të rindërtimit, në të gjitha zonat e dëmtuara.

Rezultati final i Konferencës hodhi poshtë të gjitha pretendimet se të tilla formate mbledhin diku mes 20-30% të shumë që nevojitet. Në këtë pikë, apeli për ndihmë i qeverisë shqiptare, institucioneve të tjera të shtetit, partive politike e shoqërisë civile, i ka dhënë formë një suksesi financiar të papritur dhe mëse pozitiv.

Së dyti, Edi Rama ka sot luksin e vogël të shohë në sy të gjtihë kritikët e vet dhe t’u vendosë përpara tabelën e shifrave nga Brukseli. Është një rezultat mbi të cilën sot nuk funksionon as ironia e Presidentit, as akuzat agresive të Berishës, as tonet luftarake false të Bashës. Nëse përdorim gjuhën e personave të mësipërm, sot bota ka financuar qeverinë e drogës, qeverinë e korrupsionit, sot i kanë mbushur xhepat Rilindjes së hajdutëve, të majtës që vjedh vota e shkreton arkën e shtetit. Mbledhja e atyre fondeve sot është një fitore politike, po aq sa edhe financiare. Një fitore e cila të paktën në 48 orët që vijnë, i ve në pozitë të vështirë kritikët e palodhur të qeverisjes aktuale.

Në këtë gjest të fortë përkrahjeje për shqiptarëve, në mesin e shumë donacioneve, bie në sy pozicioni i Francës. Një mesazh i qartë përkrahjeje nga një shtet që vetëm një javë para tërmetit të nëntorit, bllokonte me kokëfortësi dhe duke hyrë në sherr me aleatët brenda BE, hapjen e negocuatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kjo qasje e vendeve më të mëdha perëndimore, si dhe e shteteve të tjera të afërta e të largëta, e bën dimensionin e 1.1 miliard eurove të rëndë dhe plot zhurmë, edhe nga aspekti politik. Një fitore dyfishe nga Brukseli. Në fakt për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për një pjesë të tyre!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Disiplina mbush me gjoba Kategorinë e Parë

Disiplina mbush me gjoba Kategorinë e Parë