'Një javë para ngjarjes së 18 dhjetorit ‘81, im atë, e parandjeu vrasjen e vëllait, ai dhe më tha…'/ Dëshmitë e rralla të nipit të ish-kryeministrit Mehmet Shehu

'Një javë para ngjarjes së 18 dhjetorit ‘81, im atë, e parandjeu vrasjen e vëllait, ai dhe më tha…'/ Dëshmitë e rralla të nipit të ish-kryeministrit Mehmet Shehu

Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes së ish-kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu, që nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë, kur pas kthimit të tij nga internimi në Francë, ai dhe e gjithë familja e tij u lidhën me Lëvizjen Antifashiste, duke qëndruar maleve deri në mbarimin e Luftës. Ngjarja e llahtarshme e vitit 1944, kur vëllai i Mehmetit, Arshiu, për të mos u zbuluar nga forcat gjermane që po kalonin aty afër me një autokollonë, hodhi në greminë, vajzën e tij gjashtë muajshe, që qante papushim. Të gjitha këto dhe ngjarje të tjera, vijnë ekskluzivisht për Memorie.al nga intervista me Kujtim Shehun, djali i vëllait të ish-kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu, i cili tregon disa nga historitë më të përfolura të familjes së tyre, si: vrasja e oficerit italian që Mehmeti e kishte pasur shok shkolle në Modena dhe kishte qëndruar në shtëpinë e tij dhe trajtimi i gabuar që i ka bërë i biri, Bashkim Shehu asaj ngjarje në librin e tij, “Vjeshta e ankthit”. Raportet e Mehmetit me Koci Xoxen dhe tentativat për ta arrestuar në vitin 1947, kur ai u detyrua të fshihej në fshatin e tij, Çorush, marrëdhëniet e acaruara me Enverin, fejesa e Skënderit me Silva Turdiun dhe si u prit ajo nga vëllezërit e tij?! Si e mësuan ata në Fier lajmin e vdekjes së Mehmetit, ardhja e tyre në Tiranë dhe qëndrimi pranë xhenazes në vilën e xhaxhait në Bllok, që ishte rrethuar me roje me mitroloza! Varrimi i kryeministrit Shehu të nesërmen vetëm me njerzit e familjes nën survejimin e rreptë të njerëzve të Sigurimit të Shtetit, si dhe  trajtimi çnjerzor që u bë më pas ndaj familjes së tyre, që çuan në vëtëvrasjen e kunatit që u hodh nga kati i pestë në Fier, e deri tek eleminimi fizik i vëllait të Mehmetit, Arshiut, babait të Kujtimit, që u gjet i vdekur në Urën e Mbrostarit në Fier, etj.

“Në paraditen e 18 dhjetorit të vitit 1981, si çdo ditë tjetër të zakonëshme, unë ndodhesha në punë pranë Parkut të Automjeteve të Naftës në Fier, ku punoja si inxhiner mekanik dhe nuk dija asnjëgjë se çfarë kishte ndodhur në Tiranë me xhaxhanë tonë, Mehmetin, kryeministrin e Shqipërisë. Aty nga pasdreka e asaj dite, xhaxhai tjetër, Durua, kishte telefonur nga Tirana në shtëpinë tonë dhe i kishte thënë babait tim, Arshiut, që të nisej urgjent për në Tiranë tek shtëpia e vëllait, Mehmetit. Gjatë asaj bisede të shkurtër telefonike, Durua, nuk i kishte treguar fare babait se çfarë kishte ndodhur me vëllanë e tyre, por e kishte mbyllur telefonatën, duke i thënë se: atë urdhër për të shkuar urgjent në Tiranë, e kishte dhënë vetë Enver Hoxha. Pas kësaj, babai më mori mua në telefon dhe të dy dolëm e shkuam tek Kryetari i Komitetit, Ligor Çifligu, i cili u tregua shumë i gatshëm, duke na dhënë autoveturën e tij për të ardhur në Tiranë. Kur erdhëm në kryeqytet, aty nga ora gjashtë e mbrëmjes, nuk shkuam direkt tek vila e xhaxhait në Bllok, por tek shtëpia e motrës sime, Shqiponjës, e cila ishte rritur dhe kishte dalë nuse nga shtëpia e Mehmetit. Aty ne mësuam rreth  asaj që kishte ngjarë, pasi kunati ynë, Pirro Stefani, që punonte si Drejtor Drejtorie në Ministrinë e Jashtëme, na tha se i kishin mbledhur në një mbledhje urgjente në Ministri dhe u kishin komunikuar lajmin, duke u thënë se: Mehmet Shehu kishte vrarë veten dhe me atë xhest ai ishte një armik i Partisë. Pak minuta më vonë, atë gjë ne e dëgjuam edhe në njoftimin zyrtar të Komitetit Qëndror që u transmetua nga Radio-Televizioni Shqiptar, në edicionin e lajmeve të orës 20, pas së cilës u dha një emision me muzikë popullore! Pas atij lajmi zyrtar, unë me babanë, Arshiun, u nisëm për në drejtim të vilës së Mehmetit në Bllok, dhe gjatë gjithë rrugës që nga “21 Dhjetori” e deri tek postoblloku në hyrje të Komitetit Qëndror, na ndiqnin nga pas disa oficerë të Sigurimit të veshur civilë, të cilët unë i njihja si fytyra. Aty tek Blloku, ishin shtuar masat e sigurisë si rrallë ndonjëherë dhe përveç oficerëve të shumtë, ishin dubluar dhe ushtarët që mbanin në krahë mitroloza të lehtë. Tek postoblloku, pa na vonuar shumë, na lanë të hynim, pasi unë i thashë oficerit se isha i nipi i Mehmetit dhe babai im, ishte i vëllai i tij”.

Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë ekskluzivisht për Memorie.al, është Kujtim Shehu, nipi i ish-kryeministrit shqiptar Mehmet Shehu, i cili rrëfen rreth të gjithë historinë e panjohur të familjes së xhaxhait të tij dhe mardhëniet që ata kishin me Enver Hoxhën. Një nga dëshmitë më të bujshme dhe të rralla, që djali i vëllait të ish-kryeministrit më jetëgjatë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i bënë publike për herë të parë, është ajo që ngjau në vilën e familjes Shehu dhe rrotull saj, nga mbrëmja e 18 dhjetorit 1981, e deri të nesërmen që u krye varrimi i Mehmetit, në varrezat publike të Sharrës. Nga përshkrimi i të gjitha atyre momenteve të ndodhura minutë pas minute aty në vilën ku ndodhej trupi i pajetë i ish-kryeministrit, nipi i tij, Kujtim Shehu, hedh dritë e zbardh shumë nga enigmat e misteret që e kanë mbuluar atë ngjarje të pazakontë të ndodhur atë natë të largët dimri në “Bllokun” ku jetonin krerët më të lartë të udhëheqjes komuniste të shtetit shqiptar. Po cila ishte familja Shehu, çfarë mardhëniesh kishte ndërtuar Mehmeti me prindërit, vëllezërit dhe njerëzit e afërt të familjes së tij dhe si rrodhën e u zhvilluan ato, që nga periudha e Luftës e deri ditën e fundit të jetës së tij? Cili ishte takimi i parë i Enver Hoxhës me familjen Shehu dhe përse Mehmeti bëri debat të ashpër me babanë e tij, Sheh Ismailin, për fjalët që ai i kishte thënë “Usta Hasanit” siç njihej me pseudonym Enveri në atë kohë? Si shpëtoi pa u eleminuar fizikisht Mehmeti në vitin 1947, kur u shkarkua nga funksioni i Shefit të Shtatmadhorisë dhe kush ishin personi që e mbrojti për dy muaj me rradhë, duke i qëndruar me automatik në dorë në shtëpinë e tij në Çorush? Çfarë ndodhi në familjen Shehu pas fejesës së djalit të dytë, Skënderit dhe si u prit ajo fejesë nga vëllezërit e Mehmetit? Cilat janë versionet që jep nipi i ish-kryeministrit shqiptar me dëshmitë e tij, në lidhje me vdekjen e xhaxhait, Mehmetit, babait, Arshiut dhe Vladimirit, ç’farë faktesh të reja sjell ai dhe përse insiston që ata të tre nuk kanë bërë vetëvrasje, por janë eleminuar nga Sigurimi I Shtetit me porosi nga lart? Lidhur me këto mistere e shumë fakte e ngjarje të tjera të panjohura deri më sot nga historia e familjes Shehu, na njeh intervista ekskluzive e Kujtim Shehut për Memorie.al, duke filluar nga numri i sotëm.

Zoti Kujtim, si fillim na thoni diçka shkurtimisht për veten tuaj dhe lidhjet me familjen e Mehmet Shehut?

Unë kam lindur më 6 qershor të vitit 1954 në qytetin e Fierit dhe jam djali i vetëm i Arshi Shehut, i cili ka qenë vëllai i dytë i Mehmet Shehut.

Sa vëllezër ka pasur Mehmet Shehu dhe nga sa vetë përbëhej familja e tyre?

Babai i Mehmetit dhe njëkohësisht gjyshi im, quhej Ismail dhe ai gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, ka shëbyer si Sheh i Teqesë së fshatit Çorush të Mallakastrës, prej nga është dhe origjina e familjes sonë. Ndërsa nëna e Mehmetit dhe njëkohësisht gjyshja ime, është quajtur Sulltana dhe ajo ka qenë me origjinë nga familja Alikaj e fshatit Shkozë të Sevasterit të Vlorës, fshat i cili ndodhet jo shumë larg Çorushit. Sheh Ismaili dhe Sulltana, kanë pasur katër djem, ku më i madhi i tyre ishte Mehmeti, i cili ka lindur në vitin 1913, pas tij ka qenë babai im, Arshiu (1918) i treti është Duro dhe i katërti, Nexhipi. Deri në vitin 1942 që u kthye Mehmeti nga Franca, famlja e Sheh Ismailit ka banuar në fshatin Çorush, duke qenë një familja e madhe patriarkale që përbëhej prej më shumë se 30 e sa frymësh. Siç më ka pas treguar babai, përveç Sheh Ismailit, edhe Sulltana ka pasur një ndikim shumë të madh tek katër djemtë e saj. Ajo ka qenë një grua shumë e mënçur që lexonte shumë dhe në kohën e Turqisë, Teqja e Çorushit, është bastisur dy herë nga autoritetet turke, se ajo mbante aty libra dhe abetare shqipe.

Me se merrej ajo familje dhe si e siguronin jetesën gjithë ato frymë?

Familja e Sheh Ismailit që ishte një familje me prejardhje shehlerësh, ishte në një gjëndje të mirë ekonomike, në saj të pronave dhe pasurive që kishte të trashëguara nga të parët e saj.

Deri në ç’periudhë kohe ka jetuar familja Shehu në fshatin Çorush?

Aty nga vjeshta e vitit 1942, kur Mehmeti u angazhua tërsisht me Levizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, familja Shehu u detyrua që të lëvizte që andej, pasi ishte vazhdimisht në ndjekje nga forcat e Xhandarmërisë dhe autoritetet pushtuese italiane. Kështu që nga ajo kohë e deri në mbarimin e Luftës, familja e Sheh Ismailit ka qenë vazhdimisht nëpër male, duke lëvizur në Zonën e Parë Operative: Vlorë-Gjirokastër-Përmet-Tepelenë e Mallakastër. Në të gjitha ato lëvizje, për të siguruar familjen, ka qenë i ngarkuar babai im, Arshiu, pasi Mehmeti ishte i angazhuar me Luftën.

Një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Mehmetit, na ka dëshmuar, se gjatë Luftës, njëri nga vëllezërit e Mehmetit, ka hedhur fëmijën e tij të gjallë, në greminë?!

Po kjo gjë fatëkeqësisht është më se e vërtetë dhe ai ka qenë babai im, Arshiu. Ajo gjë ka ndodhur diku aty nga vera e vitit 1944, kur gjermanët kishin ndërmarrë Operacionin e Qershorit, ndaj forcave partizane. Në atë kohë e gjithë familja Shehu ndodhej e strehuar në një shpellë në malin e Golikut, ku ishte dhe një spital partizan. Në atë kohë babai im, Arshiu dhe nëna, Semini, kishin me vete vajzën e tyre, gjashtë muajshe (motrën time), e cila e kishte emrin, Liri. Ajo qante papushim dhe nga të qarat e saj, ishte në rrezik që të diktohej shpella ku ishte spitali partizan, pasi poshtë e sipër saj, ishte duke kaluar një autokolonë gjermane, që ishin në kërkim të forcave partizane. Arshiu kishte porosi të prerë nga Mehmeti, që: familja e tyre nuk duhet të binte kurrë e gjallë në duart e armikut dhe në çastet e fundit, ai duhet të vriste të gjithë me dorën e vetë dhe në fund, edhe veten. Për të shpëtuar të gjithë partizanët e plagosur dhe gjithashtu familjen Shehu, babai im, Arshiu e hodhi në greminë motrën time gjashtë muajshe, që ishte dhe fëmija e parë.

Si e perjetoi atë moment, ç’dini ju më tepër rreth kësaj ngjarje të padëgjuar ndonjëherë?!

Vërtetë është ngjarje e tmerrshme, por ja që ky është realiteti që ka ndodhur atëhere në familjen tonë. Në ato momente, babanë e zuri koka dhe menjeherë rrëmbeu një automatik dhe tentoi të vriste veten, por në çastin e fundit, atë i’a hoqi nga dora Sheh Ismaili.

Bashkim Shehu, djali i xhaxhait tuaj, në librin e tij “Vjeshta e ankthit”, ka trajtuar një nga ngjarjet e periudhës së Luftës, ku i ati, Mehmeti, ekzekutoi një rob italian, të cilin e kishte pasur shok dhe kishte qëndruar në shtëpinë e tij në Itali, kur të dy vazhdonin shkollën ushtarake. Këtë gjë dua ta lidh me ngjarjen e humbjes së jetës së motrës suaj të vogël që sapo na treguat. Pra, a mos ka qenë në gen, ashpërsia te vëllezërit e familjes Shehu?!

Ajo ngjarje nuk është ashtu siç e ka përshkruar Bashkimi në librin e tij dhe për atë gjë unë kam bërë debat me të.

Po si qëndrin e vërteta rreth asaj ngjarje…?

Mehmeti jo vetëm që nuk ka urdhëruar për ekzekutimin e oficerit italian që e kishte pasur shok shkolle në Itali, por përkundrazi, ai i’a la amanet babait të tij, Sheh Ismailit, duke i thënë prerë se: “Po i ndodhi gjë italianit, ai (Sheh Ismaili), do përgjigje me kokë” Mirpo, kur erdhi Mehmeti dhe e gjeti italianin të vrarë, nga urdhëri që kishte dhënë tjetër njeri, ai nga që nuk vinte dot dorë mbi të atin, nga nervat, i ra murit me kokë dhe ajo plagë i pati mbetur për shumë kohë e hapur.

Nga e dini ju këtë ngjarje?

Këtë unë e di nga babai im, Arshiu, por për atë mund t’ju dëshmojnë fare mirë edhe dy xhaxhallarët e mi, Duro dhe Nexhipi, pasi ata kanë qenë prezent kur ka ndodhur ajo ngjarje.

Mehmet Shehu është akuzuar edhe për ngjarjen e pushkatimit të 67 robërve ballistë, në vitin 1943 në një fshat të Myzeqesë?

Edhe ajo akuzë është bërë nga Enver Hoxha vetëm pas eliminimit fizik të Mehmetit. Ekzekutimi i robërve ballistë është bërë me urdhër të Dushan Mugoshës dhe Mehmeti, ka bërë debat të ashpër me të deri në orët e vona të natës. Prezent në atë debat ka qenë dhe një nga ish-kuadrot drejtuese të Brigadës së Parë Sulmuese, që më pas u bë gjeneral-major dhe ka jetuar deri vonë në Tiranë. Ai duhet të kishte pasur kurajon civile dhe ta bënte publike atë ngjarje, ashtu siç ka ndodhur në relaitet dhe jo të heshtëte, ashtu siç bëri pas viteve ’90-të, duke mbyllur gojën. Mehmeti, vërtet mund të kishte qenë i ashpër si natyrë, por ai s’mund ta bënte kurrë atë gjë që ndodhi, pra ekzekutimin e 67 robërve ballistë, pasi është fakt, se vetëm dy ditë më pare, ai kapi rob një çetë tjetër balliste dhe i la ata të lirë të iknin në shtëpitë e tyre, pasi i çarmatosi. Për këtë që po u them ka akoma dëshmitarë të gjallë dhe dokumente arkivore gjithashtu.

Ku e gjeti familjen Shehu mbarimi i Luftës?

Menjëherë pas mbarimit të Luftës e gjithë familja Shehu u vendos në Tiranë, duke banuar më duket në vilën e ish-kryeministrit, Koço Kota. Në atë kohë Mehmeti i mori të gjithë vëllezërit e tij aty, ndërsa Duron me Nexhipin, i rregulloi dhe i nisi me studime në Bashkimin Sovjetik.

Çfarë dini rreth goditjes që pësoi Mehmeti në vitin 1947, kur ai u shkarkua nga posti i Shefit të Shtatmadhorisë së Ushtrisë?

Sipas asaj që më ka treguar babai im, Arshiu, në atë kohë Mehmeti e thirri atë dhe i tha që të shkonte në Çorush dhe të hapte shtëpinë, pasi ai rrezikonte të eliminohej fizikisht.

Nga kush rrezikohej Mehmeti?

Kuptohet nga Enver Hoxha, askush tjetër në atë kohë dhe më pas nuk mund të urdhëronte eliminimin e Mehmetit. Kjo gjë dihet mirë dhe është pranuar edhe nga Koci Xoxe në procesin e tij gjyqsor, që ai, pra Koci, çdo gjë e kishte bërë me urdhërin e Komandantit, siç thërritej Enveri.

Ç’ndodhi me Mehmetin në atë kohë, a shkoi ai në Çorush?

Pak ditë më vonë, edhe Mehmeti iku nga Tirana dhe shkoi në Çorush ku ai qëndroi afro dy muaj aty i mbyllur në shtëpi. Gjatë asaj kohe, babai im, Arshiu, i qëndronte pranë, duke e ruajtur me automatik në dorë, se mos vinte njeri për t’a arrestuar. Pasi nga sinjalizimet që kishte nga njerzit e tij besnik, aty rrotull përgjonin disa oficerë të Sigurimit që ishin dërguar nga Tirana për ta mbikqyrur Mehmetin dhe gjithë shtëpinë e tij se kush hynte dhe kush dilte nga aty. Po kështu, edhe Mehmeti kishte dhe disa njerëz besnik të tij, që ruanin rreth e rreth shtëpisë në një perimetër të largët, duke e sinjalizuar për çdo njeri që mund t’i afrohej shtëpisë. Siç më ka treguar babai, njëherë ata oficerët e Sigurimit, u afruan aq afër shtëpisë, sa kur i treguan Mehmetit, atij i hipi gjaku në kokë dhe doli jashtë duke i kërcënuar ata që: nëse nuk largoheshin menjëherë që aty, do t’u hidhte trutë në erë. Pas atij rasti ata u larguan, por pa e hequr survejimin nga shtëpia, vetëm se u larguan disi më larg.

Ç’ndodhi më pas?

Dy muaj pas asaj ngjarje, babanë tim, Arshiun, e mobilizuan ushtar në Gjirokastër, gjë e cila bëhej me qëllim që ai të mos ishte pranë të vëllait, pasi ligjërisht, babait nuk i takonte të shkonte ushtar, sepse ishte në moshë të madhe dhe ai kishte qenë edhe në radhët partizane. Ato ditë që ai ishte ushtar në Gjirokastër, pranë komandës së asaj njësi ushtarake, mbërriti një radiogram nga Tirana, ku kërkohej ekzekutimi i tij, por radisti e njoftoi atë që të largohej urgjent para se ai ta dorzonte radiogramin eprorëve të tij. Kështu babai iku nga Gjirokastra, duke udhëtuar në këmbë maleve, deri sa mbërriti në fshatin Çorush.

Sa vazhduan ato konflikte në mes Mehmetit me udhëheqjen e lartë në Tiranë, pra me Enver Hoxhën?

Ato mbledhje vazhduan disa kohë, ku Enveri me Mehmetin u përplasën disa herë në mbledhjet e Byrosë Politike, aq sa ndërhyri ambasadori sovjetik për t’i sheshuar ato mosmarrëveshje, gjëra të cilat tashmë janë të njohura edhe nga mjaft dokumente arkivore.

Kur u kthye Mehmeti përsëri në Tiranë?

Pas një qëndrimi prej dy-tre muajsh në fshatin Çorush, ku ai ishte vazhdimisht në survejimin e rreptë të Sigurimit, Mehmeti u largua që andej dhe erdhi përsëri në Tiranë, ku më pas edhe u rehabilitua politikisht.

Po babai juaj me familjen a erdhi në Tiranë?

Pas ardhjes së Mehmetit në Tiranë, babai im, Arshiu, vazhdoi të qëndronte në fshatin Çorush, bashkë më nënën dhe motrat e mija që lindën më pas. Pak kohë më vonë, ai u vendos familjarisht në Fermën “Çlirim” në periferi të Fierit, ku punoi si mekanik, pasi mbaroi një kurs për traktorist. Në vitin 1951, babai u shpërngul që andej dhe erdhi në Fier, duke u vendosur si qeraxhi në një shtëpi private, ku qëndruam familjarisht deri në vitin 1968 dhe vetëm në atë kohë kemi hyrë në pallat. Edhe në qytetin e Fierit, babai punoi si mekanik deri aty nga viti 1965 dhe duke qenë se ishte i sëmurë me migrenë, pas atij viti, punoi si magazinier në Ndërrmarjen Komunale të Fierit, deri sa doli në pension në vitin 1978.

A ndjehej keq babai juaj duke punuar si mekanik e magazinier, në një kohë që e kishte vëllanë kryeministër dhe mund ta ndihmonte për një punë më të mirë?

Është e vërtetë se ka pasur shumë raste kur edhe njerëz të ndryshëm, i thonin babait se: përse punonte si mekanik, kur e kishte vëllanë kryeministër dhe ai u përgjigjej se: i vëllai ishte kryeministër i gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm i tij. Arshiu, jo vetëm që nuk e kishte fare problem atë punë, por i refuzoi disa herë ofertat që i’u bënë për ta futur si drejtor ndërrmarje, duke u thënë se kishte kuadro të tjerë të rinj dhe më të aftë që mund të shkonin në ato vënde. Babai ka qenë një njeri shumë i ndershëm, me karakter të fortë dhe nuk pranonte asnjë lloj privilegji që mund t’i bëhej nga pozicioni që kishte i vëllai, Mehmeti. Pa e tepruar dhe duke lënë mënjanë modestinë, për hir të së vërtetës, dua të them se me atë frymë ai na ka rritur dhe edukuar edhe ne gjashtë fëmijët. Pikërisht për këtë gjë, Mehmeti e vlerësonte akoma edhe më shumë Arshiun, me të cilin kur vinte në shtëpinë tonë në Fier, konsultohej, duke e pyetur për probleme të ndryshme që kishte fshati dhe qyteti, sepse e dinte se Arshiu i thoshte vetëm të vërtetën, sido që të ishte ajo.

A vinte shpesh Mehmeti tek familja juaj në Fier?

Duke qenë se ai ishte shumë i zënë me punë, vinte shumë rrallë, mund të them një herë në tre-katër vjet. Por sa herë që ai kishte raste festash apo përvjetorët e ditëlindjes, dërgonte makinën e tij në Fier për të marrë Arshiun.

Po dy vëllezërit e tjerë të Mehmetit, Durua dhe Nexhipi, me çfarë punësh u morën?

Durua, pasi studjoi në shkolla ushtarake në Bashkimin Sovjetik, u kthye në vitin 1959 dhe shërbeu si oficer në Shkollën e Bashkuar dhe më pas në Komandën e Aviacionit Luftarak, ku dhe u arrestua në vitin 1982. Edhe Nexhipi pasi mbaroi një shkollë ushtarake në Bashkimin Sovjetik, shërbeu disa kohë në bazën e Pashalimanit e Kuçovë, e pasi u lirua nga ushtria, punoi në Elbasan, si nëndrejtor në një ndërrmarje tregtare. Më pas punoi në Degën e Shfrytëzimit të Automjeteve në Durrës dhe në vitin 1981, pas ngjarjes së Mehmetit, atë e dërguan në Kavajë ku dhe doli në pension.

Po me dajot e tij, çfarë mardhëniesh ka pasur Mehmeti?

Mehmeti ka pasur shumë dobësi për familjen e dajove të tij, Alikajve, të cilët ishin me prejardhje bejlerësh, e kishin toka e prona në Vlorë e Myzeqe. Ai u detyrohej shumë atyre, pasi që kur ishte fare i vogël, mbante lidhje të vazhdueshme me ta, duke shkuar shpesh në shtëpinë e tyre, që kishte një bibliotekë shumë të pasur, gjë e cila ndikoi shumë në formimin e tij të mëvonshëm. Mehmeti gjente mundësi dhe shkonte në fshat për ta takuar Ganiun, sepse të tjerët vdiqën herët. Pas ngritjes së kooperativave, Ganiun e shpallën kulak dhe e lanë edhe pa triskë Fronti. Pasi mbeti shumë keq nga gjendja ekonomike, ai i shkroi një letër Mehmetit, duke i thënë se po vuante deri për bukën e gojës. Pas kësaj, Mehmeti shkoi në fshat dhe u tha drejtuesëve të kooperativës: “Si ore, e keni lënë dajon e kryeministrit në këtë gjendje, sa të mos ketë edhe bukë për t’u ushqyer. Nuk mund ta çonit në punë t’i binte çangës së kooperativës”?! Pas kësaj, ai e tërhoqi Ganiun në Tiranë, duke e futur në punë si hotelxhi. Po kështu, Mehmeti u kujdes edhe për shkollimin e fëmijëve të Ganiut.

Po mallakastriotët e tjerë që nuk kishin lidhje gjaku apo miqësie me Mehmetin, a shkonin tek ai për problemet që kishin?

Duke qenë se Mehmeti ishte tepër i zënë me punë, mallakastriotët apo edhe njerzit e afërt të fisit tonë, për ndonjë problem që kishin, shkonin tek gjyshja jonë, Sulltana. Ajo ishte një grua me karakter të fortë dhe e vetmja që kishte një ndikim apsolut tek i biri i saj, Mehmeti. Kur vdiq ajo në vitin 1972, Mehmeti dha porosi që të hapeshin dyert për këdo që dëshironte të vinte për ngushëllim dhe të mos pengohej asnjë njeri, kushdo që të ishte. Me atë rast erdhën shumë vetë për ngushëllim, e deri njerëz që sapo kishin dalë nga burgu politik. Në varrimin e saj, mori pjesë edhe Enver Hoxha dhe e gjithë Byroja Politike. Pas vdekjes së Sulltanës, vëndin e saj si nënëmadhe, e zuri Fiqretja, së cilës ne i drejtoheshim, sa herë që kishim halle dhe probleme. Ajo e mori vetë përsipër atë gjë dhe bënte shumë jo vetëm për fisin tonë por dhe për mallakastriotët e tjerë. Ne vazhdimisht të gjitha shpresat i kishim tek Fiqretja.

Kur u bë fejesa e Skënderit në vjeshtën e vitit 1981, a shkuat ju si familje për ta uruar?

Fejesën e Skënderit ne e morëm vesh nga Mehmeti, që i telefonoi babait, Arshiut dhe ai e uroi po në telefon, por edhe nga motra jonë, Shqiponja, e cila ishte rritur dhe kishte dalë nuse nga shtëpia e Mehmetit në Tiranë. Në atë kohë Arshiu ishte i sëmurë me migrenë dhe nuk mund të vinte dot në Tiranë për urim, por erdha unë me të fejuarën time, pasi unë isha fejuar pak kohë para Nelit, e sipas zakonit, çova nusen për ta prezantuar me familjen e xhaxhait, e gjithashtu urova fejesën e Nelit. Kur shkuam ne aty, si Mehmeti ashtu dhe Fiqretja, ishin shumë të lumtur e të gëzuar për atë fejesë, sepse ata e kishin pikë të dobët Nelin. Mehmeti atë ditë m’u duk sikur ishte i rinuar.

Kur shkuat ju për urim, a gjetët ndonjë nga udhëheqja e lartë aty?

Kur shkuam ne dhe sa kohë qëndruam aty, nuk erdhi njeri, por kur ishim duke dalë bashkë me Fiqretin që po na përcillte, u takuam me Ramiz Alinë dhe bashkëshorten e tij, që po vinin aty për urim.

Si e mësuat ju prishjen e fejesës dhe a dinit gjë rreth kontraditave apo ftohjes që kishte filluar në mes Enverit dhe Mehmetit?

Prishjen e fejesës ne e mësuam nëpërmjet informacioneve që kishim nga njerzit tanë të afërt që kishim në Tiranë, por gjithashtu edhe nga fjalët që filluan të përhapeshin kudo.

Nuk i tha gjë Mehmeti, babait tuaj, Arshiut?

Jo, nuk i tha gjë, nuk mund të bëheshin ato muhabete në telefon. Por megjithatë, babai e ndjente se diçka e madhe po ndodhte me vëllanë e tij dhe ai vazhdimisht ishte në tension e stres të vazhdueshëm. Një javë para vdekjes së Mehmetit, aty nga data 11 dhjetor 1981, ai u ngrit natën nga gjumi dhe erdhi në dhomën time, ku pasi hapi dritën, më prekte nga trupi se mos kisha gjë. Atë moment unë e qetësova dhe ai ra e fjeti përsëri, por të nesërmen, më tregoi se kishte parë një ëndërr, sikur mua më kishin masakruar me thika dhe i tmerruar erdhi për të më parë në se kisha gjak në trup. Ajo gjë i vinte pasi ai vazhdimisht e kishte mëndjen tek Mehmeti, pasi i kishte marrë vesh konfliktet që ishin hapur me Enverin.

Si e mësuat vdekjen e Mehmetit dhe kush iu njoftoi për atë gjë?

Në paraditen e 18 dhjetorit të vitit 1981, si çdo ditë tjetër të zakonëshme, unë ndodhesha në punë pranë Parkut të Automjeteve të Naftës në Fier, ku punoja si inxhiner mekanik dhe nuk dija asnjë gjë se çfarë kishte ndodhur në Tiranë me xhaxhanë tonë, Kryeministrin e Shqipërisë. Aty nga pasdreka e asaj dite, xhaxhai tjetër, Durua, kishte telefonur nga Tirana në shtëpinë tonë dhe i kishte thënë babait tim, Arshiut, që të nisej urgjent për në Tiranë tek shtëpia e vëllait, Mehmetit. Gjatë asaj bisede të shkurtër telefonike, Durua, nuk i kishte treguar fare babait se çfarë kishte ndodhur me vëllanë e tyre, por e kishte mbyllur fjalën e tij, duke i thënë se atë urdhër për të shkuar urgjent në Tiranë, e kishte dhënë vetë Enver Hoxha. Pas kësaj babai më mori mua në telefon dhe të dy dolëm e shkuam tek Kryetari i Komitetit, Ligor Çifligu, i cili u tregua shumë i gatshëm duke na dhënë autoveturën e tij për të ardhur në Tiranë.

Kur erdhët në Tiranë dhe ku shkuat fillimisht?

Në Tiranë erdhëm aty nga ora gjashtë e mbrëmjes dhe shkuam direkt tek shtëpia e motrës sonë, Shqiponjës, Aty ne mësuam rreth asaj që kishte ngjarë, pasi kunati ynë, Pirro Stefani, që punonte si drejtor drejtorie në Ministrinë e Jashtëme, na tha se i kishin mbledhur urgjente në Ministri dhe u kishin komunikuar lajmin duke u thënë se: “Mehmet Shehu kishte vrarë veten dhe me atë xhest, ai ishte një armik i Partisë”. Pak minuta më vonë, ne dëgjuam edhe njoftimin zyrtar të Komitetit Qëndror që u transmetua nga Radio-Televizioni Shqiptar në edicionin e lajmeve të orës 20, pas së cilës u dha një emision muzikor.

A shkuat atë natë tek vila e Mehmetit?

Pas asaj që na tha kunati ynë dhe lajmit zyrtar, unë me babanë, Arshiun, dolëm menjeherë jashtë dhe u nisëm për në drejtim të vilës së Mehmetit në Bllok. Ato momente binte një shi i rrëmbyer dhe gjatë gjithë rrugës që nga “21 Dhjetori” e deri tek postoblloku në hyrje të Komitetit Qëndror, na ndiqnin nga pas disa oficerë të Sigurimit të veshur civilë, të cilët unë i njihja mirë si fytyra.

Çfarë vutë re kur shkuat aty, si ishte situata rreth Bllok-ut?

Aty tek Blloku ishin shtuar masat e sigurisë si rrallë ndonjëherë tjetër dhe përveç oficerëve të shumtë që shiheshin kudo, ishin dubluar dhe ushtarët që mbanin në krahë mitroloza të lehtë. Tek postoblloku, pa na vonuar shumë, na lanë të hynim pasi unë i thashë oficerit se isha i nipi i Mehmetit dhe babai im, ishte i vëllai i tij./Memorie.al

 Vijon nesër...

B.K./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arben: 08/07/2020 21:14

    Nuk ishte e drejte te penalizoheshin kusherinjte e pare e farefisi i nje tradhtari siç i quante enveri e PPSH viktimat e tij. Ama sa per Mehmet Shehun e Feqor Shehun te cilet me veprime direkte e indirekte perreth 30 vjet u bene alterego dhe shpata e frikshme e enverit, nuk e di çfar opinioni te mire duhet te japesh per to, dy figura mjaft te perfolura dhe akuzuara drejtperdrejt per masakra,dhune,intriga,perçmime,perdhunime,imorale,denigrime e shpifje ndaj popullsise shqiptare dhe ne veçanti ndaj kundershtareve te rregjimit, qe per hir te se vertetes edhe ne momentet e fundit te jetes Mehmeti i betohej enverit per besnikeri. Te vrasesh,masakrosh,denigrosh dhe perçmosh njeriun, nuk ka se si te te kthehet ndryshe maja e thikes ne zemer siç ju kthye mehmetit. Mbase edhe Kujtimi nuk e ka njohur mire xhaxhain e tij Mehmet,por populli shqiptar,perveç familjareve te tij apo ndonje krahinori te tij,kane ndjenjen e nje personi te frikshem kur permendet emri i ketij personazhi.Flitet se ka qene trim ne lufte, por sa naive ka qe jane te gatshem te shkojne ne lufte per nje kauz qe nuk e di se ku e çon mushka. Mehmeti mund te kete patur ane te mira,por komunizmi megjithese e mbajti kryeminister perreth 30 vjet dhe realiteti tragjik e bejne ate nje figure te urryer per popullin shqiptar.

    Përgjigju
  • LORA: 28/06/2020 19:22

    Faleminderit Kujtim Shehu per kete rrefim te vertete. Kam qene qysh ate 18 dhjetor 1981 e bindur qe Kryeminstrin Mehmet Shehu e vrane ,,,e pas tij erdhi uria dhe fukaralleku i tmerrshem per shqipyaret,i programuar per gjunjezimin dhe shkelymjen e Shqiperise. Deri me sot,nuk njoh kryeminister me te talentuar ,ne historine 108-vjecare te shtetit shqiptar.

    Përgjigju
  • Mondi Hida: 28/06/2020 13:15

    Me ka thene nje plak qe ka qene pas Mehmet Shehut partizan qe Mehmeti ne lufte gjithmone luftonte ne kembe dhe plumb qe shtinte nuk shkonte kot.Bilez me thoshte se edhe kur qellonte personat qe e kanosnin nga prapa i qellonte ne shenje vetem pas zerit pa u kthyer fare.Po kjo sa e vertete eshte.

    Përgjigju
  • Everteta: 28/06/2020 10:49

    Per mehmetin respekte trim mbi trimat.. per kujtim cte shkruaj aman e rreh gruaja tre her ne dit..

    Përgjigju
  • L.S: 26/06/2020 18:21

    E mor Kujtim..,ke tedrejte per c ka shkruan, por kujt ja merte mendja si do shkonin ato pune... Fisniku fisnik mbetet gjithsesi. Te pershendes

    Përgjigju
  • Taku: 26/06/2020 15:16

    Eh o mehmet shehu historiku nuk harrohet trim mbi trima , po enverit i kishte zen syt pushteti , po harroj se do vdiste po ti i shpetove jeten ne rusi , bir te pati mallakastra dhe gjithmon do te kujtojm si kreativ si besnik si strateg si atdhetar etc

    Përgjigju
  • leli.: 26/06/2020 14:36

    E kush nuk e pagoj nga enveri e pisat e tij

    Përgjigju
  • Tir: 26/06/2020 13:49

    I besoj shuuuume fjalet e Kujtimit , pasi kam patur shoqe motren e tij, Meriten dhe kete historine e hedhjes se foshnjes ne gremine e kam degjuar nga goja e saj.Merita ka qene studente e shkelqyer ne mesime, e bukur, e sjellshme, e vecante si vajze. Viti ‘81 ishte nje tronditje e madhe per te...

    Përgjigju
  • Santa Quaranta: 26/06/2020 11:06

    Njerez te forte!!

    Përgjigju
    • Thimjo Papajani: 28/06/2020 19:32

      Eh,Kujtim ! Miku im i dashur ! E lexova me vemendje gjithecka qe pershkruan ne ato vite kaq te veshtira per ty e familjen tende ! Kujtimin miqte e mi e kam pasur shok klase ne gjimnazin e famshem " Janaq Kilica" qe nxorri kaq nxenes e kuadro te afte ! I tille ishte Kujtimi dhe motra e tij e bukur e simpatizante Metita ! Nxenes te shkelqyer dhe femije te edukuar e pa llafe ! Kurre nuk mund ti kuptoje se ishin niper te kryeministrit se jeta e tyre ishte e thjeshte dhe e shkrire brenda shoqerise sone ! Kujtimi vec qe ishte nxenes i shkelqyer ,ashtu si edhe Merita ,ishte dhe basketbollist i talentuar ! Rruget tona u " ndane " kur shkuan ne universitet ,une per mesuesi e Kujtimi per inxhijeri ! Kujtim dhe Merita e dashur ! Kudo qe te jemi ju uroje te jeni mire me shendet e lumturi familjare !

    • Thimjo Papajani: 28/06/2020 19:11

      Eh!Kujtim Shehun e kam pasur shoke klase ne gjimnazin " Janaq Kilica " Fier ! Nje djale dhe nje nxenes i shkelqyer ,ashtu si dhe e bukura dhe simpatke motra e tij Merita ! Njerez te respektuar dhe qe kurre nuk e treguan apo e shfrytezuan pozicionin e tyre shoqeror si niper te kryeministrit ! Te thjeshte e te shoqerueshem Kujtimi dhe Merita ishin shembull ne shoqerine tone ,kurse Kujtimi ishte dhe i talentuar ne basket ! U uroj me gjthe shpirt te jene mire e te lumtur kudo qe gjenden se kam kujtimet me te mira rinore per ta !

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

S’ka treg, fermerët hedhin kastravecët në kanal: Shteti të kontrollojë pikat e grumbullimit! Report Tv vëzhgim në serat e Lushnjës, Dimalit e Beratit

S’ka treg, fermerët hedhin kastravecët në kanal: Shteti të kontrollojë pikat e grumbullimit! Report Tv vëzhgim në serat e Lushnjës, Dimalit e Beratit