Një muze i industrisë shqiptare 8 mijë kilometra larg

Një muze i industrisë shqiptare 8 mijë kilometra larg

Muzeu Industrial i Kinës

Sot në Shqipëri nuk ka asnjë shans të gjesh gjurmë nga Kombinati Metalurgjik i Elbasanit, Uzina e Autraktorëve, NSHRAK-u apo dhjetëra e dhjetëra fabrika, uzina e kombinate të tjera që s’më kujtohen me emër, në çdo cep të Shqipërisë. Brenda pak vitesh ato u përdorën për skrap, pa lënë as nam e as nishan. Të fjetura në kujtesën e atyre mijëra e mijëra njerëzve që e nisën punën dhe dolën në pension me to, gjigandët prej metali zgjohen herë pas here vetëm në filmat e vjetër shqiptarë.

Por i ndodhur diku rreth 8 mijë metra vijë ajrore larg, në kryeqytetin e provincës kineze Liaoning, Shenyang, ku ndodhet Muzeu Industrial i Kinës, u riktheva padashur në kohë, sikurse të isha në Shqipërinë e atyre viteve. Qindra e qindra torno, presa, freza, vegla e makineri, shumica të viteve '60 - '70 të shekullit të kaluar, janë strehuar në atë që dikur kishte qenë shkritorja më e madhe e Azisë, “Anshan Iron and Steel Group” (Kombinati i Hekurit dhe Çelikut) dhe sot muzeu më i madh industrial i Kinës.  

Bukuroshja cicerone që na shoqëron nëpër pavijonet e muzeut as që e ka idenë që vendi i saj i punës ngjan me një copë Shqipëri të para viteve ’90. Ajo s’kishte lindur ende kur gjysma e klasës sime në gjimnazin “Partizani” bënte disa orë në javë punë me metal dhe mësonte që në moshën 14-vjeçare se si punohej me një torno që kishte ardhur nga Kina. Ndërsa më shumë se gjysma e Shqipërisë punonte në industritë e krijuara me ndihmën e Kinës, si çeliku, plehrat kimike, qelqi, bakri, fabrikat e letrës, plastikës, materialet e minierave të qymyrit, naftës, makineritë e industrisë së lehtë, asaj tekstile apo të ndërtimit. Ishte koha kur anijet kineze udhëtonin me flamur shqiptar dhe kur me 100 miliardë juanë ndihmë dhe rreth 10 miliardë të tjera kredi, Shqipëria ishte nga Kina përfituesi më i madh i ndihmës së huaj për banorë në botë. Madje mbi 6 mijë specialistë kinezë erdhën në Shqipëri asaj kohe për vënien në punë të këtyre pajisjeve dhe makinerive industriale.

E ndërsa shëtis nëpër 60 mijë metrat katrorë të muzeut, një tjetër pavijon i tij, më “kthen” në Shqipëri. Por këtë herë më çon në Bllok. Pikërisht në një pjesë të veçantë që i dedikohet historikut të automobilave ndaloj më gjatë kur shikoj automjetin-flamur të Kinës, një seri vip nga “Flamuri i kuq”, njëra prej të cilave në vitet ’60 erdhi në Tiranë si dhuratë për Enver Hoxhën. Ndoshta askush nuk e di, por në Muzeun Industrial të Kinës, ndodhen 2 nga 6 automobilat e përdorura gjatë gjithë jetës prej tij. Sepse përveç “Flamurit” gjendet i ekspozuar edhe një “Gaz 69” 4×4, një prodhim sovjetik me nam dhe që përdorej nga Hoxha për rrugë malore.

Duket paradoksale, por vizita ime në Shenyang nuk ishte planifikuar për torno e freza, por…për robotë. Ndaj vizita në Muzeun e Industrisë së Kinës do të ishte “turbullira” më e lehtë. “Siasun Robot & Automation Co., Ltd” është një nga prodhuesit më të mëdhenj të robotikës në Kinë, por edhe në botë. Para hyrjes në stabilimentin robotik, më treguan se vetëm para pak muajsh Siasun ishte vizituar nga presidenti kinez, Ji Xinping. Shkakun e kuptova sapo hyra në sallën e pritjes ku ishin ekspozuar arritjet kryesore të kompanisë: Siasun ka një ekip kërkim-zhvillimi dhe inovacioni prej më shumë se 4 mijë talentesh; ka përfunduar më shumë se 800 projekte kombëtare të rëndësishme kërkimore-shkencore dhe teknologjike dhe ka më shumë se 1.300 patenta shpikjesh; ka shkruar më shumë se 100 "iniciativa të industrisë" në historinë e zhvillimit të robotëve kinezë; ka filiale dhe qendra rajonale në Korenë e Jugut, Singapor, Tajlandë, Malajzi, Gjermani dhe vende të tjera; eksporton në më shumë se 40 vende e rajone anembanë botës, ofron shërbime të përmirësimit industrial për më shumë se 4 mijë kompani ndërkombëtare; robotët e saj përdoren nga BMW, Nissan, Ford, General Motors, Sandisk etj., etj.

      Megjithatë Siasun-i nga brenda është tjetër gjë. Ne mbërrijmë aty gjatë orarit të pushimit dhe fushat e basketbollit në oborrin e kompanisë janë plot e përplot. Por vetëm pas pak minutash ata lojtarë të shkujdesur do të kthehen në gjeni që shpikin robotët më të zhvilluar të globit. Një kolegu im më thotë se është i çuditur nga modestia e tyre, pa e ditur ndoshta se shkencëtarët nuk janë nga ata që krenohen me shpikjen e një dite më parë dhe se deri në suksesin e ri, quhet se nuk kanë bërë ende asgjë. Unë natyrisht nuk marr vesh nga robotët, sidomos nga ato industrialë. Megjithatë disa prej tyre janë vërtet të mahnitshëm dhe shumë lehtë të kuptueshëm. Njëri prej tyre është “roboti gjarpër”, një kryevepër e mendjes njerëzore. Një pajisje që ecën dhe rrotullohet sikurse trupi i një gjarpri, me “sy”, “gjuhë”, por ky edhe me “duar” të forta, 3 metra i gjatë, e prodhuar për të hyrë dhe punuar në mënyrë të pavarur në mjedise të rrezikshme dhe të pamundura nga njeriu, p.sh. brenda reaktorëve bërthamorë ose në brendësi të rezervuarëve të karburanteve të avionëve, për të zbuluar dhe hequr papastërtitë dhe mbetjet e rrezikshme.  

  Por gjenitë që prodhojnë këto robotë nuk rriten në bahçe. Pak kilometra më larg, po në Shenyang, është ndërtuar Parku Ndërkombëtar i Softuerëve. Në fillim më ngjan me një qendër rezidenciale, me kopshte, lulishte e shatërvanë magjepës, por edhe njësi tregtare, bare, supermarkete e palestra. Drejtori i parkut, një zotëri burrë, më tregon se vetëm në pjesën aktuale të parkut punojnë 40 mijë persona, të gjithë nën moshën 30 vjeç. Ndërkohë që shumë shpejt përfundon edhe pjesa tjetër e parkut, ku do të “strehohen” edhe plot 60 mijë krijues e shkencëtarë të rinj të tjerë. D.m.th plot 100 mijë mendje, në një një mjedis që ngjan me një hotel me 5 yje. Me shaka i them kolegëve të mi, se po të kisha një punë këtu, nuk do kthehesha fare në shtëpi. Dhe në fakt u vonova edhe pa qenë në punë, duke biseduar e duke luajtur pingpong në një palestër si dhomë pritjeje me disa miq të rinj.    

      3.

      Duket sërish paradoksale, por në Shenyang, dikur qendra e industrisë së rëndë kineze, sot shkëlqejnë, jo vetëm shpikja, por edhe prodhimi e përdorimi i robotëve. Pikërisht në kryeqytetin e Liaoningut ndodhet edhe iFactory e BMW -së, të cilin na duhet treçerek ore për ta shëtitur rrethe qark me makinë. Ndërmarrja e përbashkët kino-gjermane mes BMW-së dhe grupit Brilliance sot është një ndër stabilimentet më të mëdha të prodhimit të automjeteve në botë, me rreth 1 milion në vit, një pjesë e mirë e të cilave 100 % elektrike. Përveç nivelit të lartë të digjitalizimit, me mbi 100 aplikacione të inteligjencës artificiale, aty është ndërtuar edhe Lydia Plant, fabrika e parë për prodhimin e baterive "me cikël të mbyllur", ku rikuperohen, ripërdoren përbërësit e baterive të përdorura dhe prodhohen të reja. Edhe energjia vjen 100% nga burime të rinovueshme, pjesërisht nga një impiant fotovoltaik që prodhon aq energji elektrike në vit sa mjaftojnë për 9 mijë shtëpi. Një sipërfaqe tjetër prej 120 mijë metrash katrorë e përdorur si park diellor është në ndërtim e sipër, ku vlera e biodiversitetit kultivohet përmes zonave të gjelbra me kopshte, liqene artificiale, 11 mijë pemë dhe bimë të ujitura nga një sistem i zgjuar i rikuperimit të ujit të shiut. Llogarit të bashkosh çuditë gjermane dhe kineze bashkë…

 Stabilimenti gjigand shërben edhe si atraksion turistik, pasi një pjesë e saj lejohet edhe për vizitorët. Shumë autobusë me turistë mbajnë radhën në hyrje, duke pritur orarin e vizitës së prenotuar ditë më parë. Në pjesën që na u lejua të shikojmë dhe të bëjmë foto, punonin 2.000 punëtorë, por vetëm 100 prej tyre ishin si ne, prej mishi dhe gjaku, sepse të tjerët ishin robotët e prodhuar po në Shenyang. Unë jo se jam ndonjë tifoz i madh makinash, por kjo markë për mua ka një kuptim tjetër. Pikërisht një BMW më kishte shpëtuar jetën duke u gdhirë viti i ri 1998, pas një aksidenti të rëndë të ndodhur në Durrës. Edhe pse u rrotulluam 3-4 herë pas daljes nga rruga për shkak të shiut, unë, por edhe miqtë e mi që ndodheshim në të njëjtën makinë, deputeti i PD-së Edi Paloka, ish-këshilltari i kryeministrave Nano e Meta, Dritan Kaba dhe arbitri ndërkombëtar i futbollit, Albano Janku, shpëtuam pas asnjë gërvishtje. Prandaj bëj një foto vetëm për vetëm me shasinë e mrekullueshme të kësaj makine…

      4.

Shenyang është një destinacion kryesor për turistët vendas dhe të huaj që kërkojnë të eksplorojnë kulturën dhe peizazhin e Kinës Verilindore. Qyteti me mbi 8 milionë banorë mirëpriti 94.13 milionë vizita turistike vendase në vitin pandemik të 2022-it, ndërsa vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, regjistroi 26.61 milionë turistë, duke siguruar 3.82 miliardë dollarë, ose 99 për qind më shumë se një vit më parë.

Banorët e Shenyangut krenohen me historinë e tyre të pasur që përfshin 110 mijë vite aktiviteti njerëzor, 7.200 histori fisnore njerëzore, 2.300 ndërtim qyteti, ndërsa dikur ka qenë edhe kryeqytet kombëtar. Por shumë shpejt ato me siguri do të krenohen me robotët, që tashmë bashkëjetojnë dhe “merren vesh” për bukuri me njerëzit e këtij qyteti. Në metronë e Shenyangut tashmë ka ekrane të mëdha sa një bojë njeriu, të cilat identifikojnë udhëtarin nga fytyra: mjafton vetëm kaq sepse çdo gjë më pas kryehet automatikisht që nga hapja e dyerve deri te pagesa e biletës. Ndërsa në një palestër, pasi më mbështollën me disa mikroçipe me ftuan të bëj disa lëvizje para një ekrani dhe pas pak çastesh, në telefon më erdhën të gjitha “gjynahet” e trupit tim dhe stërvitjet që duhej të bëja për rikuperimin e tyre. Ndërkohë në një lokal të famshëm hot pot-i brenda qendrës tregtare k11, edhe porosia më erdhi me kamerier robot...

U bënë shumë ditë mes robotësh. Ndaj kishte ardhur koha për pak “njerzillëk”. Mora një biçikletë dhe nisa të shëtis në rrugët e brendshme të Olimpic Park, ku nga qyteti vinin vetëm dritat e ndërtesave të qendrës, duke pikturuar me të gjitha ngjyrat sipërfaqen e ujit si det të lumit Hunhe. Dhe u harrova deri vonë, duke menduar se aty edhe vetë robotët do kërkonin të shlodheshin. Ndoshta prandaj kanë zgjedhur dhe ato Shenyangun. /Cri/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Noc Rroku: 09/06/2023 12:58

    Të merren të politikanët, bashkiakët,komunarët, dhe shiksat e viteve 1990-2000, të futen në trenat që transportonte Hitleri të burgosurit dhe të dërgohen në Kinë , aty t'ua jap vendimin gjyqi.

    Përgjigju
  • Iris: 09/06/2023 04:33

    Ajo qe ndodhi ne Shqiperi me industrite e lehta e te renda eshte krim qe nuk ka arsye ne bote qe t'a shpjegoje e t'a justifikoje;ajo qe po ndodh tani eshte akoma me qesharake e patetike-bazimi i ekonomise vetem te turizmi,bujqesia,ndonje punishte e sipermmarrje e vogel dhe te mos harrojme zejet dhe artin qe reklamon min.e arsimit ne vend qe te reklamoje shpikesat e novatoret e ardhshem,pra jemi ne nivelin e te berit varese me makarona! Sa per Kinen,eshte e vertete qe eshte nje nga superfuqite industriale ne bote e po punon fort ne teknologjite e reja si robotet e cipet,etj,por nuk duhen harruar dhe ana tjeter e medaljes kineze si: kostoja shume e lire e punetoreve,gati prej skllavi,materialet e cilesia e prodhimeve /Made.in China/,shpesh e dyshimte,perfolja shpesh e /shkencetareve/ kineze ne spiunazh nderkombetar teknologjie e teknikash,dhe ndotja ambientale e Kines,ne mes problemeve te tjera te /Hopit te madh kinez/ te sotem,per t'a vecuar nga ai i Maos dikur,per te mos folur dhe per te drejtat e njeriut.

    Përgjigju
  • Ledi: 08/06/2023 17:17

    qiitare se ku shkoi pasuria e shqiotareve.Ajo qe ndodhi ne shqiperi ku shkuan oer skrap gjithe industria shqiptarenuk ka ndodh ne asnje vend te lindjes.Ju zente haku i popullit ire qener i i industrise shqiptare ishte platforma me antikombetare e te gjitha qeverive te pas 1992 .Krimi per 30 vjet pasuroi politiqenet e korruptuar shqiptar dhe klanet e tyre kriminale.Ka filluar ndnje proces hermit nga prokuroria sg

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Biden nënshkruan ndihmën prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin

Presidenti Biden nënshkruan ndihmën prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin