Një raport dhe dy të vërteta

Një raport dhe dy të vërteta

Edi Rama dhe Sali Berisha

Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve mbi situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri përbën një radiografi kritike si për politikën dhe median shqiptare ashtu edhe për qeverisjen Rama (shiko raportin e plotë këtu). Kjo e fundit kritikohet si për nivelet e larta të korrupsionit ashtu edhe për goditjen selektive të medias, si dhe për përdorimin e pushteti gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. 

Sipas raportit gjatë vitit 2022 “korrupsioni ishte prezent në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisë, duke përfshirë prokurimin publik dhe partneritetin publik-privat, ndonëse autoritetet bën progress gjatë vitit në luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë” (faqja 20). Sikurse del qartë nga vlerësimi i mësipërm, lufta kundër korrupsionit ka qenë e pamjaftushme përsa kohë ky vazhdon të jetë prezent në të gjitha nivelet dhe aktivitetet e qeverisë. Kemi të bëjmë me një fenomen sistemik, jo sporadik, që karakterizon qeverisjen aktuale Rama. 

Raporti është kritik edhe përsa i përket përdorimit të pushtetit nga Partia Socialiste gjatë zgjedhjeve parlamentare të viti 2021. Ndonëse në raport këto zgjedhje cilësohen si të organizuara mirë aty citohen konkuzionet e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhguesve zgjedhor sipas të cilëve Partia Socialiste “përftoi avantazhe të mëdha nga të qenurit në pushtet, duke përfshirë edhe kontrollin e administratës lokale dhe nga abuzimi me fondet e buxhetit”. (faqja 19).

Së fundmi, raporti ofron një kritikë serioze të situatës mediatike në Shqipëri dhe sidomos të përdorimit të medias për interesa të ngushta të bizneseve që i financojnë ato. Edhe këtu roli i qeverisjes Rama nuk është pozitiv. Sipas raportit, “qeveria, partitë politike, bizneset, dhe grupet kriminale intentuan të influencojnë mediat në mënyra problematike dhe jo transparente” (faqja 12). 

Raporti përmend edhe përdorimin selektiv të ligjit nga ana e qeverisë në sekuestrimin dhe prishjen e ndërtimeve private për motive politike, sic ishte edhe rasti i shembjes së Resortit Prestige në dhjetor të vitit 2022. (faqja 11).  Janë veprime që nxjerrin në pah abuzimin me pushtetin nga qeveria Rama, sidomos kur ndërmerren pa pritur, apo pa respektuar, vendimin e instancave gjygjësore ku zgjidhen konfliktet mes ekzekutivit dhe biznesit privat. 

Kjo është e vërteta e parë the themelore e raportit. Situata politike dhe demokracia shqiptare vazhdojnë të vuajnë nga sindroma të rënda të tranzicionit që nga korrupsioni, nga mungesa e pavarësisë së gjygjësorit dhe nga autoritarizmi i ekzekutivit. Janë sindroma për të cilat qeveria Rama ka përgjegjësinë kryesore, ndonëse jo të vetme. 

E vërteta e dytë e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) është se ky institucion nuk kontrollohet nga Edi Rama. Përndryshe është e vështirë të shpjegosh se përse raporti i DASH e nxin kaq shumë qeverisjen aktuale. Është i njëjti institución që ka shpallur non-grata Berishën dhe që opozita berishiste e akuzon si të kapur apo të manipuluar nga Rama. 

Pra e vërteta e dytë që na zbulon ky raport është se “aleanca” mes qeverisjes Rama dhe SHBA-ve është nga halli dhe jo nga malli. Këta të fundit janë shumë kritikë ndaj qeverisjes aktuale dhe shume shpesh janë përplasur me të edhe publikisht, sidomos përballë përpjekjeve të ekzekutivit Rama për të kapur reformën në drejtësi. Raporti i fundit i DASH është një dëshmi e qartë e kësaj marrdhënie të tendosur mes SHBA-ve dhe qeverisë aktuale.

Problemi është se për sa kohë opozita kryesore e vendit insiston të udhëhiqet nga politikanë që refuzohen nga shumica dërrmuese e elektoratit shqiptar dhe që janë shpallur non-grata nga DASH, Edi Rama mbetet interlokutori i vetëm i SHBA-ve në Shqipëri. Sidomos kur përpjekjet e amerikanëve për të ngritur dhe mbështetur një opozitë alternative deri tani kanë dështuar. Ndaj i vetmi aktor real politik me të cilin ata janë të detyruar të negociojnë dhe bashkëpunojnë është Edi Rama dhe Partia Socialiste.  

Ky është realiteti i hidhur që mbulohet nga konspiracionet halucinante se Rama ka kapur DASH-in, FBI-në, ambasadoren amerikane dhe ambasadorin britanik, duke përdorur Sorosin 90 vjecar që dergjet prej kohësh në shtrat. Sa më dëshpërues realiteti aq më fantastike teoritë konspirative që na ndihmojnë ta injorojmë atë.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Miri: 23/03/2023 10:43

    Eshte nje analize ne pergjithesi e mire. Problemi eshte se duke pare listen e personave qe shpallen non grata nga SHBA, nuk ka nga ata qe kane shume vjet qe kane ikur nga pushteti. Ne listen e majit 2021, kishte persona qe ishin nen hetim per korrupsion, te arrestuar ose jo. Ne rastin e Berishes nuk gjen vend analiza e mesiperme. Eshte rast specifik. Jo se nuk e meriton te shpallej, por duhej bere ne kohen qe ishte ne pushtet, ose sapo e la ate

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Zhgënjen Denver, Golden State dhe Lakers fitore play-offi

Zhgënjen Denver, Golden State dhe Lakers fitore play-offi