Njerëz të punës dhe të mrekullueshëm të Tiranës/ Evis Cerga ju prezanton Emën e Rrugës “Vath Koreshi”

Njerëz të punës dhe të mrekullueshëm të Tiranës/ Evis Cerga ju prezanton Emën e Rrugës “Vath Koreshi”

Në këtë rrugë, cdo ditë është ditë pazari. Nuk dihet përse, apo kur, dihet vetëm se me vendosjen e “demokracisë“, rrugë të ndryshme midis pallateve u shpallën rrugë pazari. Sa herë lexoj emrin e shkrimtarit në fillim të rrugës që mban emrin e tij, vendosur mbi një pllakat në një pallat me tulla të bardha, më vjen ndër mend libri “Dy të shtunat e Suzanës”. Më kujtohet që kur e kam dëgjuar për herë të parë këtë titull më është dukur se brendia e tij duhej të kishte dicka erotike, qoftë nga dita e shtunë, qoftë nga emri Suzana. Suzi. Nuk e hasje shpesh këtë emër, por vajzat me të tillë emër i imagjinoja tepër të emancipuara e të cliruara. Ndonëse, kuptimin e këtyre fjalëve njerëzit e kanë përdorur shpesh në gjendje të lirë, në varësi të nocionit të tyre përkatës mbi to.

Banorët e vjetër të pallateve të vjetra të lagjes ku gjendet edhe Shkolla e “Baletit” janë përgjithësisht të hollë, në vecanti ata që e kanë kaluar moshën e fillimit të pensionit. Edhe pazaret, ata i bëjnë me kujdes. Dy mollë, një banane, pak mashurka, ca speca dhe nja dy domate. Rruga ka lëvizje gjatë gjithë ditës. Në mëngjes, fshatarët e shpallur si të tillë, vendosin përpara tyre ca qeska me pak speca, pak domate, pak tranguj. Ata ia kanë marrë dorën mirë mentalitetit “nga bahcja jote i ke?” dhe pa hapur ende gojën ti për t’I pyetur të përgjigjen: “I kom të baces, nona". Këta shitës, shpesh, janë edhe më të nxehurit, më të mërziturit dhe më me pak durim. Në sytë e tyre ka një mungesë kënaqësie që nuk ndikohet nga niveli i shitjeve. Sa herë u kërkon një tufë majdanoz, të thonë, merr dy. Kur ble mollë, të thonë “pse nuk merr edhe limona”. Gjithmonë të mundur, “fshatarët” që duket sikur rrinë ulur në bisht gjatë gjithë ditës, në cepat e pallateve të vjetër.

Ndërsa marketet, në katet e para të pallateve duken si të përgjumura. Shitësve duket se u mungon vetëm një vrasëse mizash nga ato që dikur prodhonte Plastika e Durrësit. Vetëm njëri prej tyre bën përjashtim. Atje shet Ema. Ajo është vendosur në këtë rrugë, sepse ka shumë lëvizje. Ema është larguar nga qyteti i saj i lindjes, Korca në moshën njëzet vjecare. Shumë vite në emigracion në Greqi ka punuar në një nga rrjetet më të mëdhenj të Supermarkatave atje dhe ka mësuar sesi të punojë. Gjithmonë u drejtohet klientëve duke i parë në sy. E di se cfarë do të marrë secili. “Atje i ke petët”. “Mos harro të marrësh qumështin”. “Gjalpin mos e lër me letër se të myket”. “Nxito se të vjen nipi nga shkolla, dhe ende nuk e ke bërë byrekun.”

Ema buzëqesh. Si kur luan në një film, ku të gjithë banorët e klientët janë personazhe.

“Kam studjuar në Fakultetin e Mjeksisë për laborante, por tani jam këtu. Më pëlqen puna me njerëzit. Të gjithë mbeten të kënaqur.”

Ema, ngjan me zonjën e “Bujtinës” dhe asgjë nuk i shpëton vështrimit të saj, në markatën e vogël, ku dikush ka harruar një lule që mendon se e ka lënë në dyqanin e saj, por e gjen brenda cantës së dorës (Ma mori mendjen nipi).

Në rrugën “Vath Koreshi” mungon Suzana, e megjithatë atje është Ema.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Të dënuarit në Vlorë peticion deputetëve të Kuvendit: Miratoni amnistinë penale

Të dënuarit në Vlorë peticion deputetëve të Kuvendit: Miratoni amnistinë penale