Nuk ka shtyrje, përfundon sot afati i bizneseve për dorëzimin e deklaratës së Tatimit mbi Fitimin për vitin 2019

Sot përfundon afati për dorëzimin e deklaratës vjetore për tatimin mbi fitimin për vitin fiskal 2019 nga të gjitha kategoritë e biznesit. Ashtu siç është parashikuar në ligj, pavarësisht situatës së krijuar nga përhapja e COVID-19 në vendin tonë, nuk do të ketë shtyrje të këtij afati. Brenda ditës së sotme bizneset që nuk e kanë dorëzuar deklaratën, kanë mundësinë ta bëjnë atë në  formatin elektronik në e-filing, në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Ky afat vlen për të gjitha kategoritë e bizneseve, fakt ky, i konfirmuar edhe nga Drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj, 2 ditë më parë për Report TV.

Edhe pse biznesi ka kërkuar shtyrjen e afateve për një moment të dytë, kjo nuk është parashikuar në paketën e masave në ndihmë të ndërmarrjeve, që është miratuar tashmë nga Ekzekutivi. Sipas Tatimeve, situata e krijuar nuk ndryshon afatet e deklarimit dhe bizneset janë të detyruara të dorëzojnë deklaratën e tatim-fitimit brenda datës 31 mars, siç është parashikuar në ligj. Por është pranuar një shtyrje për pagesat e këstit për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë në vit.

Tatimi mbi fitimin paguhet çdo tremujor ose çdo muaj në formë paradhënieje gjatë vitit, bazuar në këste mujore. Në bazë të deklaratës së fitimit të tatueshëm të vitit paraardhës, llogariten edhe këstet mujore të paradhënieve të tatimit mbi fitimin për periudhën Prill –Dhjetor të vitit vijues dhe për periudhën Janar –Mars të vitit të ardhshëm.

Pas mbylljes së deklarimit, njoftojnë Tatimet, do të vijojë më pas analizimi i listave të dorëzuara nga bizneset me emrat e punonjësve dhe llogarive të tyre bankare, që kanë mbetur të papunë si pasojë e mbylljes së shumë aktiviteteve ekonomike për të mos lejuar përhapjen e koronavirusit.

Janë rreth 60,421 individë të punësuar dhe të vetëpunësuar në biznesin e vogël me xhiro deri 14 milionë lekë, që do të përfitojnë nga buxheti i shtetit pagën mujore prej 26 mijë lekësh çdo muaj në llogarinë e tyre bankare. Shpërndarja e pagave për qytetarët që kanë mbetur të papunë do të fillojë brenda 10 ditëshit të parë të muajit prill, pas verifikimit të të gjitha listave të dorëzuara nga bizneset.

Ndërkohë për të gjithë tatimpaguesit, bilanci kontabël, së bashku me anekset e tij, si dhe çdo e dhënë tjetër e përcaktuar në udhëzimin e Ministrit të Financave nr.5 datë 30.01.2006, "Për tatimin mbi të ardhurat", i ndryshuar, në zbatim të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 "Për tatimin mbi të ardhurat", i ndryshuar, dorëzohet brenda datës 31 Korrik 2020.

https://www.tatime.gov.al/d/8/45/45/1286/njoftim-mbi-dorezimin-e-deklarates-se-tatim-mbi-fitimin-dhe-pasqyrave-financiare-per-vitin-2019-si-dhe-pagesen-e-tatimit-mbi-fitimin-dhe-tatimit-te-thjeshtuar-mbi-fitimi-per-vitet-2019-dhe-2020

Ne.k./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kryemadhi: Kam raport të ngrirë bashkëshortor me Ilir Metën

Kryemadhi: Kam raport të ngrirë bashkëshortor me Ilir Metën