Meta nuk ndalet në 'luftën' e dekreteve, kthen në Kuvend 3 ligje në 24 orë

Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk po ndal revanshin e sulmeve ndaj mazhorancës duke kthyer njëri pas tjetrit disa ligje të rëndësishme. Pas atij për blerjen e arit apo për materialet e rezevave të shtetit, mëngjesin e të martës presidenca njofotoi edhe kthimin e dy ligjeve të tjera. I pari është “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve” dhe i dyti ai “Për vetëqeverisjen vendore”. 

Presidenti për kthimin e ligjit për privatizimin e pronave shtetëore projektligji ka për qëllim zgjerimin e konceptit të privatizimit të parashikuar në aktin normativ, që krahas formës së privatizimit me mënyrën e tenderit, të parashikojë edhe formën e privatizimit me metodën e “tjetërsimit” në funksion të disa sipërfaqeve toke shtetërore që preken nga planet e përgjithshme vendore. Tjetërsimi thotë presidenti në argumentet e tij do të bëhet nëpërmjet kontratave të tjetërsimit ku pronësia mbi pasurinë kalon në çastin e lidhjes se kontratës së tjetërsimit të kësaj pasurie. Blerësi apo përfituesi i kësaj pasurie bëhet pronar i ligjshëm i saj që në momentin e nënshkrimit të kontratës, duke fituar të gjitha të drejtat dhe detyrimet që lidhen me qenien e tij si pronar mbi këtë pasuri”. Dhe për këtë ligji autorizon Këshillin e Ministrave, për të përcaktuar kushtet që duhet të plotësojnë kërkuesit e tjetërsimit me kontratë të pronës shtetërore. Ky delegim thotë presidenti është I ndaluar nga ligji I 2001 i cili kërkon që pronat e paluajtshme publike apo pronat e paluajtshme të shtetit tjetërsohen, ose jepen në përdorim sipas mënyrave dhe kufijve të përcaktuar me ligj, dhe jo me vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo do të krijonte një konflikt institucional shtetëror thuhet në arguementa. 
 
Në rrjedhim të kësaj, Presidenti ka kthyer edhe ligjin ‘Për vetëqeverisjen vendore’, kryesisht nenet që kanë të bëjnë me tjetërsimin e pronës. Ndryshimet ligjore në nenin 54-55 të ligjit nr. 139/2015 ai i quan të pajustifikuara pasi mënyra e re që propozohet për kuorumin e nevojshëm në vendimmarrjet e Këshillave Bashkiake nuk garanton mbrojtjen e interesit publik në procedurat e tjetërsimit të aseteve publike në pronësi të pushtetit vendor. Presidenti i Republikës, vlerëson se ligj nr. 38/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””, i duhet kthyer Kuvendit, me qëllim rishikimin e neneve 3 dhe 4 të këtij ligji.

Dekreti i Presidentit Ilir Meta

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 38/2019 për vetëqeverisjen vendore

 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””

Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 20 qershor 2019, ka miratuar ndër të tjera dhe ligjin nr. 38/2019, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””.

Me shkresën nr.2596 prot., datë 26.06.2019 të Kuvendit, ky ligj është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje, praktikë kjo e administruar me nr. 2003 prot., datë 26.06.2019.

Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare mbi propozimin, shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji rezulton se ligji i miratuar në Kuvend “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””, ka si qëllim kryesor që nëpërmjet ndryshimeve të propozuara sipas nenit 1 të tij, ai synon të nxisë dhe fuqizojë bashkëpunimin në të gjitha fushat me shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe shtetet ku ata banojnë, si dhe të mbrojë interesat e shtetit brenda fushave të përgjegjësisë.

Gjatë zbatimit të ligjit nr.139/2015, është evidentuar nevoja për implementimin e plotë të dispozitave kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve, si edhe nevoja për krijimin e mekanizmave ligjorë në nivel vendor sa i takon zhvillimit të raporteve me diasporën.

Pikërisht realizimi i këtij qëllimi është parashikuar me miratimin e nenit 1 dhe nenit 2 të ligjit nr. 38/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””.

Një tjetër ndryshim i propozuar me ligjin nr.38/2019, është edhe ndarja e kompetencave të Këshillit Bashkiak në rastet e tjetërsimit të pronës me të drejtën për dhënien në përdorim. Njëkohësisht me këto ndryshime është zgjeruar koncepti i tjetërsimit të pronës publike duke shtuar brenda tij dhe të drejtën e zhvillimit të pronës nga organet e pushtetit vendor.

Konkretisht nëpërmjet ligjit nr.38/2019, synohet të ndryshohen nenet 54 dhe 55 të ligjit nr.139/2015 “Për vetqeverisjen vendore”, që parashikojnë detyrat dhe kompetencat e Këshillave Bashkiakë, mënyrën e vendimarrjes dhe kuorumin e nevojshëm për çdo lloj vendimmarrje të këtyre organeve përfshi këtu dhe vendimmarrjet për tjetërsimin e pronës publike.

Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare, rezulton se ndryshimet e propozara në nenet 54-55 të ligjit nr. 139/2015, nuk janë propozuar nga Këshilli i Ministrave, por ato janë propozime të paraqitura nga relatori i projektligjit në Komisionin e Çështjeve Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë dhe të mbështetura nga anëtarët e Komisionit.

Ky projektligj është shqyrtuar në dy komisione në Kuvendin e Shqipërisë, konkretisht në Komisionin për Politikën e Jashtme që kanë lidhje me ndërhyrjet të realizuara me nenin 1 të ligjit nr. 38/2019, si dhe në Komisionin e Çështjeve Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut përsa i takon pjesës tjetër të ligjit të miratuar.

Presidenti i Republikës shqyrtoi ligjin nr. 38/2019, duke ju referuar përmbajtjes së aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim dhe legjislacionit ekzistues.

Presidenti i Republikës vlerësoi përputhshmërinë e këtij ligji, duke bërë një analizë të përmbajtjes së aktit të miratuar në raport me interesin publik.

Në përfundim të këtij shqyrtimi, Presidenti i Republikës vlerëson të evidentojë se dispozitat e nenit 1 të ligjit nr. 38/2019, janë një hap shumë pozitiv i Kuvendit të Shqipërisë në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve.

Nëpërmjet dispozitave të nenit 1 të ligjit nr. 38/2019, shteti shqiptar bën një hap të rëndësishëm drejt procesit të implementimit të reformës ligjore dhe institucionale për ndërtimin e marrëdhënieve të natyrshme të atdheut me shtetasit e vet, nëpërmjet dhënies së shërbimeve për diasporën dhe migracionin.

Nisur nga këto qëllime shumë positive Presidenti i Republikës, shpreh dakordësinë e tij për realizimin e shtesave në ligjin ekzistues nr. 139/2015, që bëhen të mundura nëpërmjet dispozitave të nenit 1 të ligjit nr. 38/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””.

Nga ana tjetër, referuar përmbajtjes së nenit 3 dhe nenit 4 të ligjit nr. 38/2019, objekt i këtij shqyrtimi Presidenti i Republikës, ka arritur në përfundimin se propozimi i relatorit për realizimin e ndryshimeve ligjore në nenin 54-55 të ligjit nr. 139/2015, cenon procesin vendimmarrës së Këshillave Bashkiake në lidhje me tjetërsimin e pronave të tyre. Këto ndryshime janë të pajustifikuara, pasi mënyra e re që propozohet për kuorumin e nevojshëm në vendimmarrjet e Këshillave Bashkiake nuk garanton mbrojtjen e interesit publik në procedurat e tjetërsimit të aseteve publike në pronësi të pushtetit vendor.

Bazuar mbi këtë arsyetim, të shpjeguar si më poshtë vijon, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës, vlerëson se ligj nr. 38/2019“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””, i duhet kthyer Kuvendit, me qëllim rishikimin e neneve 3 dhe 4 të këtij ligji.

Konkretisht;

Në nenin 54/e të ligjit aktual nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, parashikohet shprehimisht se:

Neni 54

Detyrat dhe kompetencat e këshillit bashkiak

Këshilli bashkiak ka këto detyra dhe kompetenca:

e) miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve;

Ndërkohë që  në nenin 55, pikat, 3 dhe 4, parashikohet se:

Neni 55

Votimi

3. Vendimet merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të këshillit për rastet e parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “d”, “dh”, “f”, “g”, “gj”, “i” dhe “j”, të nenit 54, të këtij ligji.

4. Vendimet merren me jo më pak se tre të pestat e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit për rastin e parashikuar në shkronjën “e”, të nenit 54, të këtij ligji.

Pra siç duket qartë, sipas dispozitave të mësipërme ligjore, është parashikuar shprehimisht në ligj se Këshilli Bashkiak, për të gjitha vendimet ku do të trajtohen vendimmarrje të tjetërsimit ose dhënies në përdorim të pronave në favor të të tretëve, këto vendime duhet të merren dhe të miratohen me një shumicë të cilësuar të votave të këtij organi me jo më pak se 3/5 (tre të pestat) e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit.

Nëpërmjet këtyre dispozitave të ligjit nr.139/2015, ligjvënësi ka parashikuar se vendimmarrja për tjetërsimin e pronës publike, që është në pronësi të pushtetit vendor, konsiderohet me shumë rëndësi dhe jetike për autonominë e pushtetit vendor dhe vendimmarrja mbi këto çështje duhet të realizohet nëpërmjet një shumice të cilësuar votash, duke diktuar kështu një mekanizëm monitorues dhe shprehës të vullnetit të qytetarëve mbi veprimtarinë e pushtetit vendor. 

Ligjvënësi ka qenë i kujdesshëm që për këto çështje, kontrolli dhe balanca brenda funksionimit të vet organeve të qeverisjes së pushtetit vendor të parashikohet me ligj dhe për këtë, funksionimi dhe zbatimi i ligjit me objektivitet do të rrisë transparencën në vendimmarrje të kësaj natyre.

Por ndryshe nga kjo frymë që paraqet ligji ekzistues, rezulton se gjatë punës në Komisionin e Çështjeve Ligjore, Administratën Publikd dhe të Drejtat e Njeriut, është bërë një propozim i cili e prish këtë regjim të vendosur nga ligji ekzistues. Komisioni ka marrë në shqyrtim dhe ka pranuar propozimin e paraqitur nga relatori për ndërhyrje në dispozitat e mësipërme që trajtojnë kompetencat e Këshillit Bashkiak dhe vendimmarrjen e tij, në kuadër të ushtrimit të të drejtës së pronësisë të bashkive.

Konkretisht sipas dispozitave të nenit 3 dhe 4 të ligjit nr. 38/2019, të miratuar, objekt i këtij shqyrtimi, në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjes vendore”, janë miratuar këto ndryshime:

Neni 3

Në nenin 54 bëhet ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

1. Shkronja “e” ndryshohet si më poshtë:

“e) miraton tjetërsimin e pronave të tretëve”.

2. Pas shkronjës “e” shtohet shkronja “e/1” me këtë përmbajtje:

“e/1) miraton dhënien në përdorim të pronave të tretëve ose dhënien për zhvillim të pronës nëpërmjet bashkëpunimit me subjekte private”.

Neni 4

Në nenin 55, pika 3, pas referencës në shkronjën “d” shtohet referenca në shkronjën “e/1”.

Siç rezulton qartësisht nga kjo ndërhyrje që propozohet të realizohet, në ligjin nr. 139/2015, ky ndryshim në ligj në thelb krijon një kompetencë të re për Këshillat Bashkiak, që është e drejta e këtyre të fundit për të hyrë në marrëdhënie juridike me persona të tretë për zhvillimin e pronës publike. Kjo kompetencë nuk ka qënë parashikuar më parë në ligj.

Sipas raportit të Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë, kjo ndërhyrje bëhet e nevojshme për shkak të dinamikës së zhvillimit infrastrukturor dhe urban të qyteteve, veçanërisht në dhjetëvjeçarin e fundit.

Parashikimi i një kompetence të re për Këshillat Bashkiak, është në vlerësim të Kuvendit të Shqipërisë, i cili nëpërmjet këtij ndryshimi ligjor synon të delegojë më shumë pushtet vendimmarrës në drejtim të organeve të qeverisjes vendore, por e rëndësishme është që kjo kompetencë e re të ushtrohet bazuar në parashikime të qarta ligjore që rregullojnë mënyrën se si kjo komptencë do të ushtrohet, në mënyrë që të respektohen parimet kushtetuese të nismës së lirë dhe konkurencës.

Presidenti i Republikës, konstaton se Kuvendi i Shqipërisë, me ndryshimet që ka vendosur të realizojë nëpërmjet nenit 3 dhe 4 të ligjit nr. 38/2019, po krijon një kompetencë të re për autoritetet vendore, por nuk ka parashikuar asnjë dispozitë mbi mënyrën ligjore se si këto autoritete (Këshillat Bashkiakë) do të formojnë vullnetin e tyre për të përzgjedhur subjektin me të cilin do të hyjnë në marrëdhënie për të zhvilluar pasuritë e paluajtshme në pronësi të tyre.

Kjo gjendje paqartësie, krijon shteg për abuzim dhe mundësi që në praktikë kjo kompetencë e re të keqpërdoret me pasoja të pariparushme për pronën publike dhe interesin publik. 

Gjithashtu, e drejta për zhvillim e pronës në pronësi të pushtetit lokal është drejtpëdrejtë një mënyrë tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme.

Pasuria e paluajtshme pronë publike në pronësi të organeve të qeverisjes vendore kur vendoset në dispozicion të zhvillimit të projekteve të përbashkëta me pronarë apo subjekte të tjerë privatë, humbet funksionin fillestar të saj, pasi përfshirja në projekte të përbashkëta zhvillimi bën të mundur krijimin e regjimeve të reja të të drejtave të pronësisë apo bashkëpronësisë dhe mënyrës së përdorimit të pasusisë së re që do të përftohet nga ky zhvillim.

Në këtë mënyrë përfshirja e pasurisë pronë shtetërore apo publike në një marrëdhënie zhvillimi me persona të tretë përbën në thelb tjetërsim të saj, pasi nga ky proces ndryshohet marrëdhënia e drejtpëdrejtë e pronarit (Këshillit Bashkiak) me pronën e vënë në dispozicion, ashtu sikundër ndryshojnë dhe raportet e pronësisë mbi pasurinë, për shkak se ajo transformohet në një pasuri tjetër të re ku marrin pjesë edhe persona të tjerë me të drejta pronësie të lidhura apo të shkrira ndërmjet tyre.

Në këtë mënyrë arsyetimi i bërë nga Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë se e drejta e tjetërsimit të pronës nuk përfshin të drejtën për dhënien për zhvillim të pronës të tretëve, nuk qëndron dhe është tërësisht i pabazuar.

Në këto kushte edhe ndryshimet e realizuara në nenin 4 të ligjit nr. 38/2019, nëpërmjet të cilave bëhet e mundur që vendimet e Këshillit Bashkiak për miratimin e dhënies për zhvillim të pronës nëpërmjet bashkëpunimit me subjekte private, të përfshihen në ato vendime për të cilat nevojitet një kuorum vendimmarrës i thjeshtë me shumicën e anëtarëve të Këshillit, siç parashikon neni  55, pika 3, e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, është një vlerësim i gabuar dhe aspak objektiv.

Nëse Kuvendi i Shqipërisë, vlerëson ti japë autoriteteve vendore një kompetencë të re ligjore, që përfshin të drejtën për të bashkëpunuar me subjekte apo personave privatë për zhvillimin e pronës në pronësi të autoriteteve vendore, atëherë kjo e drejtë për të zhvilluar pronën, e cila përbën një nga mënyrat e tjetërsimit të pronës, duhet të përfshihet në ato raste ku vendimi për këtë çështje duhet të merret me një shumicë të cilësuar në Këshillin Bashkiak, pra me 3/5 e të gjithë anëtarëve të këshillit, siç parashikon sot neni 54, germa “e” dhe pika 3 e nenit 55 të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Ndryshimet e propozuara dhe të miratuara në nenin 54 dhe 55 të ligjit nr. 139/2015, cënojnë kuorumin e nevojshëm të vendimmarrjes së Këshillave Bashkiake për çështje të tjetërsimit dhe zhvillimit të pronës në pronësi të pushtetit vendor, janë të pajustifikuara dhe nuk garantojnë mbrojtjen e interesit publik.

Nëpërmjet këtyre ndryshimeve që realizohen nëpërmjet nenit 3 dhe 4 të ligjit nr. 38/2019, ulet niveli vendimmarrës i kontrollit të organit kolegjial të Këshillit Bashkiak ndaj propozimeve dhe veprimtarisë të organit ekzekutiv të Kryetarit të Bashkisë, ç’ka krijon mundësi që zhvillimi i pronave të shtetit në bashkëpunim me persona të tretë të realizohet përkundrejt përfitimeve për shtetin që nuk përkojnë me kërkesat e ligjit, me realitetin dhe me kushtet që ofron tregu.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Për arsyet e parashtruara më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1, të nenit 85 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 38/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””, me qëllimin që Kuvendi i Shqipërisë të rishikojë nenet 3 dhe 4 të këtij ligji.

 Ilir Meta

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • BSJG rexhep leka Kasap [ kepi ]: 16/07/2019 14:32

    EDit hajduti ilir fëlliqsir meta ja bën mir se hajduti sdi gjë tjetër vetëm mjegull do ujku. E ilir floriri është mësuar vetëm me të vjedhur prandaj ja bën mir Ed Pallës.

    Përgjigju
  • Populli: 16/07/2019 11:07

    Na hapi barkun ky kryehajdut president,ky sharlatan qe here me breke e here me qen e mace i neveritshem sa nuk thuhet,largojeni kerrmen nga ai post qe mban pa asnje merite e moral,ky vemje duhet te shkoje pas hekurave bashke me Berishe kriminelin,jane nje prerje.

    Përgjigju
  • ERP: 16/07/2019 10:45

    Kryetari opozites i kthen ligjet maxhorances. Ky e ka humbur te drejten per te qene president dhe as e ka pasur ndonjehere

    Përgjigju
  • Cubi: 16/07/2019 10:28

    Dihet ajo pun nuk funksionon me ajo zyre . Sa me shpejt shkarkimi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Në 2 muaj, bizneset dhe qytetarët morën 516 mln euro kredi, u dha 166 mln € më shumë se vjet

Në 2 muaj, bizneset dhe qytetarët morën 516 mln euro kredi, u dha 166 mln € më shumë se vjet