'O nënë ku po më çon'/ Familja e mendonte vajzën të vdekur! Dëshmitari: E kemi parë me kunatin, mund të jenë martuar bashkë

TIRANË- Hetimet për zhdukjen e 39-vjeçareje nga Kosova kanë marrë një tjetër rrjedhë gjatë emisionit 'Pa Gjumë' në Report Tv. Luljeta Memqaj, një shqiptare nga Kosova e ardhur në Shqipëri gjatë kohës së luftës u zhduk bashkë me kunatin në vitin 1999 teksa po udhëtonte drejt Italisë ku do të priteshin nga një djalë me të cilin kishte dy vite e fejuar ndonëse nuk e kishte takuar kurrë.  Familja e saj i druhej faktit se ajo mund të ishte trafikuar apo kishte humbur jetën në skaf rrugë për në Itali, por një dëshmi e ardhur Live nga Prizreni ka rrëzuar dyshimet e tyre duke ju ngjallur shpresat se ajo mund të jetë martuar me kunatin e saj.

Dëshmitari Shefqet Jahdautaj ka treguar se e ka parë Luljetën në Itali bashkë me kunatin dhe së bashku me familjen e tij kanë kaluar një natë në një kamp refugjatësh pasi janë ndaluar nga autoritetet italiane duke ngritur dyshime se ajo mund të ketë nisur një jetë me kunatin e saj. Ky dyshim është përforcuar edhe nga disa dëshmi të tjera të ardhura në redaksinë e 'Pa Gjurmë'. 

"Saktë nuk e mbaj mend datën por kemi qenë në Itali dhe kemi ikur prej Shqipërisë me traget. Me Luljetën jemi takuar në Brindisi dhe kemi hyrë nëpër furgonetat e policisë. Kjo ka ndodhur në vitin 1999, në stinën e verës. Kemi qenë në një dhomë. Ajo ka qenë me një kunatin e saj. Unë nuk kam biseduar me të, por një e afërmja ime. Ajo i ka thënë se jemi këtu sa të vijë burri nga Gjermania me na marrë sepse nuk kemi të drejtë të dalim jashtë. Jam 200% i sigurt e kam takuar Luljetën. Kemi fjetur të gjithë në një dhomë.  Në ushtri kemi mbërritur pasdite. Në mëngjes ata kanë dalë jashtë dhe nuk janë kthyer më. Nuk i kam parë më pasi kanë dalë jashtë. Kanë thënë se ka ardhur burri me i marrë për të ikur në Gjermani. Jam i sigurt për këtë. Kam folur edhe më vëllanë e saj në telefon ja kam treguar të gjitha. Unë e kam parë vetë dhe jam i sigurtë", tregoi Shefqet Jahdautaj gjatë emisionit 'Pa Gjurmë'.

Ndërsa Shpëtimi, vëllai i Luljetës është shprehur në lidhje telefonike me gazetaren Odeta Dume se pas asaj kohe nuk kanë pasur kontakte as me familjen e të fejuarit të vajzës.

"Unë tregova edhe dje. Me ata persona ne nuk kemi folur, ata i njohin vetëm familja e djalit. Kam folur me njërin në Itali dhe më ka thënë se është atje. Ne nuk e dimë. Ne nuk i kemi parë ata njerëz dhe nuk i kemi njohur mirë. Ajo e ka kaluar kufirin dhe ka mbërritur në Itali. Kam folur me shumë persona. Njerëzve të djalit nuk iu kemi shkuar dhe nuk na kanë ardhur. Mesazh unë kam vetëm për motrën që të vijë shëndoshë e mirë", u shpreh Shpetim Menqaj.

Me lot në sy ka rrëfyer historinë e trishtë të zhdukjes së Luljetës nëna e saj e cila shpreh pendim pse vendosi të fejonte vajzën me një të panjohur kundër dëshirës së saj.

"O nënë ku po më çon", kujton ajo t'i ketë thënë e bija ndërsa përlotet në studio.

Si ndodhi ngjarja

E vendosur në Lezhë bashkë me familjen e saj, Luljeta u fejua me mblesëri me Enver Jahaj i cili jetonte prej vitesh në Gjermani. Ndonëse nuk e kishte takuar asnjëherë bashkëshortin e saj të ardhshëm, ajo u nis qershorin e vitit 1999 bashkë me kunatin drejt Italisë ku do të priteshin nga Enveri për të shkuar më pas në Gjermani. Luljeta udhëtoi fillimisht drejt Elbasanit ku dhe ishte vendosur familja e të fejuarit të saj, po nga Kosova,

Destinacioni i radhës do të ishte Vlora nga ku qëllimi ishte të nisej me skaf drejt Italisë me destinacion final Gjermaninë. Në kërkimet e tyre familjarët kanë mundur të mësojnë se gjatë dy javëve që vajza e tyre Luljeta ndodhej në Elbasan është shoqëruar nga dy persona. Ata  dyshojnë se në këtë histori është përfshirë edhe një person i tretë nga fshati Atmaq i Prizrenit, i cili bënte rolin e ndërmjetësit që mundësonin kalimin ilegal jashtë territorit shqiptar. Vjehrri i Luljetës, i ka dhënë para njërit prej personave si ndërmjetësues të këtij trafiku ilegal, ky i fundit 1 muaj më vonë i kthen paratë, duke i pohuar se gomonia nuk ishte nisur për në Itali. Nga informacionet e mara vjehrri i Luljetës ka shkuar në Durrës tek një hotel tek i cili ka takuar  pronarin e objektit, personin të cilit i kishte dhënë paratë, së bashku me 2 persona të tjerë shok me njëri-tjetrin. Të gjithë këta persona dyshohen te jenë pjesë e kësaj skeme të trafikimit ilegal dhe zhdukja e Luljetës pa lënë asnjë gjurmë ka ngritur pistat e dyshimit tek familjarët, se vajza nga Kosova mund të ketë rënë pre e trafikimit për qëllime prostitucioni, pistë e cila nuk është verifikuar nga familjarët. Personat e dyshuar nuk kanë dhënë kurrë asnjë shpjegim për çfarë mund të ketë ndodhur me fatin e Luljeta Memqaj, vajzën nga Kosova që kërkohet sot në ’’Pa gjurmë’’.

m.v./r.k./Shqiptarja.com
Komento