Tërhiqet Opozita e Bashkuar, thërret nesër Këshillin Politik për ndryshimet kushtetuese, Gjiknuri: Sillni propozimet tuaja, pastaj mbledhja

Tërhiqet Opozita e Bashkuar, thërret nesër Këshillin Politik për ndryshimet kushtetuese, Gjiknuri: Sillni propozimet tuaja, pastaj mbledhja

Opozita jashtëparlamentare vetëm dy orë pas takimit të Këshillit Politik është tërhequr dhe ka kërkuar mbledhjen e tij sërish ditën e nesërme në orën 17:00 për të dikustuar ndryshimet kushtetuese dhe vijuar dialogun, për çdo çështje që lidhet me zgjedhjet, por pa cenuar marrëveshjen e 5 Qershorit.

Ndër të tjera në letër shkruhet dhe se opozita nuk ka refuzuar të diskutojë asnjë çështje, ndryshe nga sa deklaroi Damian Gjiknuri sot para mediave. "Gjiknuri deklaroi se amendamenti kushtetues i njëanshëm që është depozituar në Kuvend nuk ndryshon"  shprehet opozita jashtëparlamentare duke shtuar se nuk e kupton ftesën për dialog për diçka që mazhoranca nuk e ndryshon.

Letra e plotë e Opozitës jashtëparlamentare

Z. Gjiknuri,

Duke ndjekur deklarimin tuaj publik dhe të Kryetarit të Partisë Socialiste, shprehim keqardhjen tonë për dezinformimin e opinionit publik në lidhje me qëndrimin e opozitës në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik. Ne nuk kemi refuzuar të diskutojmë asnjë çështje. Opozita ka kërkuar, që çdo çështje që lidhet me zgjedhjen, të diskutohet dhe shqyrtohet në Këshill.

Sot në mëngjes në Parlament, Kryetari i Partisë Socialiste pohoi se amendamenti kushtetutes i njënanshëm që është depozituar në Kuvend, NUK NDRYSHON, sepse procedura parlamentare nuk e lejon!!! Nëse amendamenti kushtetues i njëanshëm nuk ndryshon, sepse Rregullorja e Kuvendit nuk e lejon, atëherë për çfarë po na ftoni të diskutojmë apo dialogojmë? Për një amendament që nuk ndryshon?

Ky qëndrim dhe qëndrimi juaj zyrtar sot në Këshill, dëshmon se ju nuk jeni të hapur për diskutime, ndërkohë që Opozita kërkon që diskutimi të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës, duke hequr dorë nga FAKTI I KRYER. Teoria e “faktit të kryer” shkon kundër parimeve të dialogut politik, që nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë fasadë.

Kjo është arsye që ne kërkuam që nëse ju keni një çështje që lidhet me zgjedhjet për diskutim, atë duhet ta sillni në Këshillin Politik, për t’u përfshirë të gjithë bashkë në një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, që lejon një produkt të përbashkët dhe konsensual, dhe jo një produkt që është paracaktuar nga ana juaj dhe ku Opozita politike e vendit është e përjashtuar. Nëse produkti është i paracaktuar në mënyrë të njëanshme dhe është i pandryshueshëm siç ju shpreheni, atëherë ju ribëj me dije se po shkelni Marrëveshjen e 14 Janarit dhe 5 Qershorit, sepse po kryeni ndryshime thelbësore në legjislacionin zgjedhor pa pyetur, diskutuar dhe marrë mendimin dhe konsensusin e Opozitës politike të vendit, duke zhbërë produktin e përbashkët të 5 Qershorit.

Gjithsesi, në vijim edhe të deklarimit tuaj të pavërtetë sot në media, kërkojmë mbledhjen e Këshillit Politik nesër, ora 17:00, për të vijuar dialogun, për çdo çështje, por pa cenuar marrëveshjen e 5 Qershorit.

Mbetem në pritje të konfirmimit tuaj!

Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:43
Opozita-PS: Shihemi nesër, diskutojmë në këshill ndryshimet kushtuese pa shtrëngim kohor

Opozita e Bashkuar i ka shkruar sërish Damian Gjiknurit duke i thënë të takohen nesër dhe të mos i bëj ndryshimet kushtetuese fakt të kryer. Ajo shkruan se ndryshimet kushtuese iu vunë në dispozicion vetëm 3 ditë para, por shton se janë të gatshme të diskutojnë për këtë pa asnjë shtrëngim kohor.

Edhe pse PS-opozitë parlamentare vendosën të miratojnë ndryshimet kushtetuese më 30 korrik, opozita e bashkuar shprehet se Kushtetuta nuk mund të trajtohet si rregullore kooperative që shqyrtohet, diskutohet e miratohet për 3 ditë.

Ajo vijon të këmbëngul tek mbledhja e nesërme e Këshillit Politik, ku kërkon që të dëgjojë qëllimin e kësaj iniciative.

Letra e opozitës së bashkuar

Z. Gjiknuri,

Po ju përsërisim se në dialog politik, nuk mund të veprohet me teorinë e faktit të kryer! Është gabim dhe miqësisht vlerësoni mundësinë për të reflektuar për këtë qëndrim të paprecedentë.

Edhe në email tuaj ju e bëni ndryshimin kushtetues fakt të kryer dhe na ftoni të dialogojmë sesi do ta detajojmë në ligjin ekektoral.

Këtë fakt nuk pranoi Opozita në mbledhje dhe nuk mund ta pranojmë, sepse ne i qëndrojmë strikt marrëveshjeve politike që kemi nënshkruar, dhe se ndryshimet kushtetuese për çështjet e zgjedhjeve duhet të bëhen gjithmonë në një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur. Ato nuk mund të na serviren si fakt i kryer, ndërkohë që ne po ju kërkojmë të diskutojmë bashkërisht për çdo çështje që lidhet me zgjedhjet.

Teorinë e faktit të kryer ju e aplikoni edhe në email tuaj të fundit. Po ju citoj:

            1.         “Kryetari i Partisë Socialiste z.Edi Rama ju ftoi të jepni kontributin tuaj në funksion të përshtatjes së ligjit elektoral me nismën për hapjen e listave zgjedhore, nismë tashmë e miratuar”;

            2.         “Z.Rama ju ftoi që dakordësohemi për sa i takon korrektimeve që nevojitet të bëhen në ligjin elektoral për të reflektuar sanksionimin e hapjes së listave zgjedhore.”.

            3.         “shpreheni të gatshëm të jepni kontributin tuaj për reflektimin në ligj elektoral të sanksionimit kushtetues për hapjen e listave.”. [Kjo është e pavërtetë sepse nuk kemi thënë këtë në email tonë]

            4.         “ju kërkoj që të dërgoni paraprakisht propozimet tuaja në funksion të reflektimit në ligjin elektoral të hapjes së listave që sanksionohet nga ndryshimi kushtetues.”

            5.         “në datën 30 Korrik, Kuvendi voton amendamentin kushtetues që hap listat.”.

Ne nuk kemi refuzuar dialogun as dje, as sot dhe as kurrë. Siç ju e dini, kishim konfirmuar që jemi në pamundësi për të qenë në mbledhje dje dhe kërkuam që mbledhja të zhvillohet sot. Por edhe mbledhjen ju e bëtë fakt të kryer.

Unë dhe kolegu Vasili do të jemi nesër në mbledhjen e Këshillit Politik për të diskutuar për çdo çështje që ju mendoni se duhet të trajtohet në kuadër të Reformës Zgjedhore.

Mirëpresim pa asnjë paragjykim të na parashtroni qëllimin e iniciativës së njëanshme që keni ndërmarrë dhe që na e keni vënë në dispozicion vetëm në mbledhjen e datës 20 Korrik, pra vetëm 3 ditë më parë!!! Mbi këtë jemi të gatshëm të diskutojmë pa asnjë shtrëngim kohor, sepse Kushtetuta e Shqipërisë nuk mund të trajtohet si rregullore kooperative që shqyrtohet, diskutohet e miratohet për 3 ditë!!! Aq më tepër ku ajo prek zgjedhjet, ku çdo aktor zgjedhor dhe parti politike duhet të ketë zërin dhe mendimin e tij, në një proces gjithpërfshirës, të sinqertë dhe të hapur.

Shihemi neser! Ju përshëndesim!

Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili

Ora 21:35
Gjiknuri-Opozitës së Bashkuar: Na dërgoni propozimet tuaja për listat e hapura dhe më pas mbledhim këshillin

Damian Gjiknuri ka kërkuar nga opozita parlamentare sjelljen e propozimeve të tyre në lidhje me listat e hapura dhe më pas të caktojnë mbledhjen e këshillit politik. Opozita jashtëparlamentare u tërhoq pak më herët duke thënë se është gati që Këshilli Politik të mblidhet nesër në 17:00 për diskutimin e ndryshimeve kushtetuese, por për Gjiknurin, fillimisht duhet të sillen propozimet dhe më pas të ulen në tryezë.

"Nga emaili juaj i fundit, nënkuptohet se keni reflektuar dhe keni ndryshuar qëndrim ndërsa shpreheni të gatshëm të jepni kontributin tuaj për reflektimin në ligj elektoral të sanksionimit kushtetues për hapjen e listave.  Duke e përshëndetur këtë reflektim tuajin nëse është i tillë, ju kërkoj që të dërgoni paraprakisht propozimet tuaja në funksion të reflektimit në ligjin elektoral të hapjes së listave që sanksionohet nga ndryshimi kushtetues. Duke ju rikujtuar se në datën 30 Korrik, Kuvendi voton amendamentin kushtetues që hap listat, ju shpreh gatishmërinë e mazhorancës për tu ulur në tryezë sapo ju të keni dërguar paraprakisht propozimet që do ti bëni Këshillit për këtë çështje', shkruan Gjiknuri

Damian Gjiknuri gjithashtu i është përgjigjur opozitës se ju nuk pranuat as dje por as sot në të dy mbledhjet e këshillit të diskutonit për listat e hapura.

"Qëndrimi juaj ishte kategorik dhe refuzues për të diskutuar mbi këtë çështje pa u miratuar paraprakisht amendamentet e ligjit elektoral bazuar mbi produktin e marrëveshjes politike të 5 Qershorit. Jo më larg se dje keni refuzuar të vini në Këshillin Politik, pikërisht sepse siç e keni shprehur edhe publikisht nuk donit të diskutonit për temën e ndryshimeve kushtetuese, që sipas jush jo thjesht cenon marrëveshjen por as nuk ekziston si temë", shkruan Gjiknuri.

Gjiknuri shkruan gjithashtu që opozita të tërhiqet nga propaganda politike dhe paralajmërimet kërcënuese sepse e-mailet e punës dhe tryeza e punës së Këshillit nuk janë mjete propagandistike dhe dëmtojnë qëllimin e saj.


Letra e plotë e Damian Gjiknurit

Të nderuar z.Bylykbashi dhe z.Vasili,

E kuptoj nevojën tuaj të motivuar politikisht për të nisur letra pune në formë deklaratash politike për qëllime mediatike. Por unë nuk kam dizinformuar askënd dhe thjesht kam thënë të vërtetën e mbledhjes si gjithmonë. Takime që siç i gjithë opinioni publik e di, bëhen me rekorde dhe nën vëzhgimin nga afër të partnerëve tanë ndërkombëtarë. 

Më lejoni të ju rikujtoj se në mbledhjen e datës 21 Korrik, Kryetari i Partisë Socialiste z.Edi Rama ju ftoi të jepni kontributin tuaj në funksion të përshtatjes së ligjit elektoral me nismën e opozitës parlamentare për hapjen e listave zgjedhore, nismë tashmë e miratuar në Këshillin e Rregullores dhe Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. 

Z.Rama ju ftoi që të shtroni çdo pikëpyetje tuajën, të diskutoni çdo merak dhe të dakordësohemi për sa i takon korrektimeve që nevojitet të bëhen në ligjin elektoral për të reflektuar sanksionimin e hapjes së listave zgjedhore. 

Qëndrimi juaj ishte kategorik dhe refuzues për të diskutuar mbi këtë çështje pa u miratuar paraprakisht amendamentet e ligjit elektoral bazuar mbi produktin e marrëveshjes politike të 5 Qershorit. 

Jo më larg se dje keni refuzuar të vini në Këshillin Politik, pikërisht sepse siç e keni shprehur edhe publikisht nuk donit të diskutonit për temën e ndryshimeve kushtetuese, që sipas jush jo thjesht cenon marrëveshjen por as nuk ekziston si temë. Edhe thënia që në mesazhin tuaj i vini në gojë Kryeministrit, nuk ka aspak kuptimin që ju qëllimisht i vishni në komentin tuaj. Besoj ju e dini se ndryshimet kushtetuese në procedurën parlamentare janë të pandryshueshme si të tilla, çka sidoqoftë nuk kam asnjë problem ta diskutojmë nëse qëndron apo jo qoftë edhe si fakt i shkruar e zeza mbi të bardhë. 

Ditën e sotme, Kuvendi i Shqipërisë miratoi pa asnjë ndryshim projektligjin e amendimeve në ligjin zgjedhor. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik ju kërkova të shpreheni nëse jeni dakord të diskutoni mbi këtë çështje. Ju refuzuat që të diskutoni duke mos njohur dhe injoruar nismën e 28 deputetëve të opozitës parlamentare dhe gjithë procedurat e ndjekura nga një organ plotësisht legjitim si Kuvendi i Shqipërisë. 

Nga emaili juaj i fundit, nënkuptohet se keni reflektuar dhe keni ndryshuar qëndrim ndërsa shpreheni të gatshëm të jepni kontributin tuaj për reflektimin në ligj elektoral të sanksionimit kushtetues për hapjen e listave. 

Duke e përshëndetur këtë reflektim tuajin nëse është i tillë, ju kërkoj që të dërgoni paraprakisht propozimet tuaja në funksion të reflektimit në ligjin elektoral të hapjes së listave që sanksionohet nga ndryshimi kushtetues. 

Duke ju rikujtuar se në datën 30 Korrik, Kuvendi voton amendamentin kushtetues që hap listat, ju shpreh gatishmërinë e mazhorancës për tu ulur në tryezë sapo ju të keni dërguar paraprakisht propozimet që do ti bëni Këshillit për këtë çështje. 

Në fund, do të ju lutesha shumë që t'i lini mënjanë paragjykimet dhe opinionet propagandistike. Vërtetë ju mungon foltorja e Parlamentit prej ku u larguat me vullnetin tuaj të lirë, por e-mailet e punës dhe tryeza e punës së Këshillit nuk janë mjete propagandistike. Gjithashtu, do ju lutesha të hiqni dorë nga paralajmërimet kërcënuese në komunikimet elektronike sepse e bëjnë qesharake tryezën e punës sonë të përbashkët dhe dëmtojnë qëllimin e saj. 

Në funksion të konfirmimit të mbledhjes së radhës së Këshillit, ju lutem edhe njëherë sa më shpejt të na vini në dispozicion paraprakisht propozimet tuaja. 

Faleminderit

Damian Gjiknuri

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Përpjekjet për të justifikuar 'marrëveshjen' që shuajti revolucionin

Mero Baze: Përpjekjet për të justifikuar 'marrëveshjen' që shuajti revolucionin