Opozita kërkon t’i hiqet mandati, Sinaj te Këshilli i Mandateve: Asnjë lekë nga buxheti, kam ndihmuar familjet në nevojë! Bardhi: Ke shpërndarë para për të blerë votat

Këshilli i Mandateve dhe Rregullores u mbledh ditën e sotme për të shqyrtuar kërkesën e opozitës, të cilët kërkojnë heqjen e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj, duke e akuzuar se përmes bizneseve të tij ka përfituar 36 mijë euro nga buxheti i shtetit.

Sinaj në fjalën e tij është ballafaquar me kreun e Grupit të PD-së Gazment Bardhi, të cilin e ka akuzuar se ka thënë të pavërteta.

“Bardhi tha gjëra të pavërteta dhe më duket sikur e ka zakon të gënjejë. Ju thatë që katër persona në kompanitë e mija janë të besuar dhe jo në të tjera. Edhe ju kam me video kur e thonë këtë. (nxjerr videon) Keni një tendencë të gënjeni popullin dhe unë nuk të lejoj për këtë sepse jeni drejtues politik në Fier dhe nuk do të lejoj, se Fieri është përballë fshatit tim dhe ti s’mund të shkosh të gënjesh tek qytetarët”, tha Sinaj.

Deputeti socialist tha se gjatë kohës që ka qenë deputet ka ndihmuar familjet në nevojë, ndërsa përmendi edhe njëherë ndihmën e dhënë për tërmetin.

“Unë zoti Bardhi gjatë ushtrimit të mandatit tim si deputet nuk kam shkuar një ditë në festën e vitit të ri pa u siguruar për shpërndarjet e ndihmave. Gjatë mandateve të mia si deputet s’kam shkuar njëherë në darkë të festoj vitin e ri pa u siguruar që kishin shkuar pakot tek të gjitha familjet në nevojë. Kam trajtuar problemet që kanë qenë në zonën time. Kam ndihmuar edhe blegtorët në malet më të larta të Shqipërisë.

Hyra për tu bërë deputet që t’i shërbej zonës sime dhe vendit tim me dinjitetin, skam përfituar asnjë lek nga buxheti i shtetit. Duke përmend donacionin e tërmetit, por biznesi në të cilin jam me kuota pasive, dhe ai biznes ka financuar buxhetin e shtetit, 100 mln lekë unë të vjetra nga llogaria dhe 200 mijë euro biznesi, nuk është mjaftuar biznesi, ata nuk më pyesin mua”, tha Sinaj.

Një ‘thumb’ e pati edhe për Bardhin, të cilit i kujtoi deklaratën e tij se do largohej nga politika nëse Berisha bëhej kryetar i PD, por sot në fakt është krah tij.

"Bardhi nuk e dorëzoi mandatin e vet kur premtoi se po të vihet Berisha kryetar do tërhiqej nga politika, ka filluar të merret me ne të tjerët. Mbaje fjalën zoti Bardhi."

Deklaratat e Sinajt se ka ndihmuar familjet në nevojë, Bardhi nuk i quajti asgjë tjetër veçse korrupsion zgjedhor. Sipas Bardhit, me ato ‘donacione’ ka blerë votat, ndërsa socialistëve u tha se kanë vendosur ta marrin në mbrojtje Sinën dhe të hedhin në kosh Kushtetutën.

“Ka ardhur për t’i bërë reklamë vetes, jo për të dhënë llogari për përfitimet që ka marrë nga buxheti i shtetit në kundërshtim me kushtetutën. Më quan donacion paratë që shpërndan për të blerë vota. Nuk e di që quhen donacion, janë forma kaliske e korrupsionit në zgjedhje. Është e paarsyeshme që kur kompania dhuron, deputeti i di gjitha dhe merr meritën dhe kur kompania përfiton nga buxheti, deputeti s’di gjë se ka caktuar një person të besuar. Ju keni vendosur ta merrni në mbrojtje, të hidhni në kosh vendimet e kushtetueses dhe kushtetutën. Edhe fjala e deputetit e provon, mungesë totale ndaj kushtetutës”, tha Bardhi.

Mbledhja e Këshillit të Mandateve u pezullua për shkak se ish-deputeti i PD, Gerti Bogdani humbi jetën në moshën 44-vjeçare pas një arresti kardiak. 

14 ligjvënësit opozitarë kërkojnë konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të Sinajt, duke e akuzuar se ka përfituar rreth 36 mijë euro nga fondet publike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:45
Debatet te Këshilli i Mandateve, Sinaj i kthehet Bardhit: Ca ke bërë në jetë për këtë vend? Mbaje fjalën, pse nuk e dorëzove mandatin kur Berisha u bë kryetar i PD

1726657532_bardhi.png

Me debate është zhvilluar mbledhja e Këshillit të Mandateve ku u diskutua kërkesa e opozitës që kërkon papajtueshmërinë e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj.

Ligjvënësi socialist iu kthye Gazment Bardhit me tone të ashpra duke i thënë se nuk ka bërë asgjë për t’i dhënë këtij vendi.

Nga ana tjetër, Bardhi e akuzoi se ka miratuar ligj në konflikt interesi për të ulur taksat dhe tatimet për biznesin e tij.

Vullnet Sinaj: Më ke plasur cipën, skam fol 8 vjet, por kur do të hedhësh blatë mbi mua dhe bizneset, të më thuash ke shkel kushtetutën. Dua ta di ku e kam shkelur. Ka një problem tjetër me nesh, kush më akuzon mua dhe kë akuzoni ju. Nuk e di ca ke bërë ndonjë gjë në jetën tënde për t’i dhënë këtij vendi, ça ke bërë, ti e ke filluar punën si anëtar i bordit të hipotekës, ke vazhduar me ministër, unë kam punuar dhe i kam dhënë taksa këtij shteti, kam mbajtur familje, kam 2500 familje që punojnë në biznes, vitin e kaluar kam paguar 18 mln euro taksa, kurse ti vetëm i ke marrë këtij shteti, s’mund të jesh akuzuesi im në këtë komision në asnjë mënyrë, ti je përfituesi, ka rrezik se dietat e tua mund të jenë më të mëdha se ato që më akuzon mua.

Gazment Bardhi: Të vijë këtu dhe të gënjejë, është i vetmi deputet i përmendur nga Transparency International që ka miratuar ligj në konflikt interesi për të ulur taksat dhe tatimet për biznesin e tij bashkë me oligarkë të tjerë. Zotëria është ai që blerjen e votës e shet si donacion, zotëria është ai që me votën e tij në Kuvend ka përfituar ulje tatimesh, ka qenë biznes në faliment dhe sa ka ardhur deputet ka shkuar me përfitime ku s’dihet se ku përfundojnë.

Gjatë debateve Sinaj i kujtoi Bardhit edhe deklaratën e tij se do tërhiqej nga politika nëse kryetar i PD bëhej Sali Berisha, ndërsa sot i është bashkuar në parti.

"Bardhi nuk e dorëzoi mandatin e vet kur premtoi se po të vihet Berisha kryetar do tërhiqej nga politika, ka filluar të merret me ne të tjerët. Mbaje fjalën zoti Bardhi."

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Moti i keq/ Reshje intensive shiu në Lezhë, probleme nga vërshimi i përrenjve në zonën e Zadrimës

Moti i keq/ Reshje intensive shiu në Lezhë, probleme nga vërshimi i përrenjve në zonën e Zadrimës