OTE konfirmon shitjen e ‘Telekom Albania’ tek grupi i shqiptaro-bullgarëve për 50 milionë euro

Pas disa muajsh negociatash është finalizuar transaksioni për shitjen e Telekom Albania, operatorit të dytë të telefonisë celulare në vend.

Grupi grek OTE- i cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit, Deutsche Telecom – dhe zotëron 99.79% të aksioneve të Telekom Albania- njoftoi zyrtarisht se “OTE ka hyrë në një marrëveshje për të shitur kuotën e saj të plotë në Telekom Albania Sh.A. (Telekom Albania) tek kompania bullgare Albania Telecom Invest AD për një shumë totale prej 50 milionë eurosh. Albania Telecom Invest AD kontrollohet nga Spas Roussev, aksioner kryesor i operatorit të telefonisë bullgare Vivacom, dhe nga Elvin Guri, një investitor bullgaro shqiptar”.

Transaksioni i nënshtrohet procedurave normale të përfundimit, duke përfshirë miratimin nga autoritetet kompetente dhe financimin, dhe pritet të përfundojë në gjysmën e parë 2019.

Blerësit

Spas Roussev është një sipërmarrës bullgar, i cili në vitin 2016 ishte në krye të konsorciumit që mori kontrollin e operatorit kryesor bullgar të telefonisë celulare Vivacom (të regjistruar si Kompania Bullgare e Telekomunikacionit, BTC) nga VTB Capital (krahu i bankingut investues i ruses VTB).

Elvin Guri është një sipërmarrës shqiptar që ka një përvojë 20 vjeçare në sipërmarrje jashtë Shqipërisë, por deri tani nuk ka pasur asnjë biznes në Shqipëri (emri i tij nuk figuron si aksioner në Qendrën Kombëtare të Biznesit). Sipas një artikulli të publikuar nga Universiteti Amerikan i Bullgarisë, ku ai përfundoi studimet në viin 1996, Guri ka përvojë si analist financiar në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Londër. Në vitin 2001, së bashku me një partner krijoi “JetFinance.”

Në vitin 2015 ai mori një EMBA nga University of Oxford – Said Business School. Sipas profilit në Bloomberg, ai është investitor dhe sipërmarrës me një histori të suksesshme në shërbimet financiare. Si këshilltar dhe investitor, ai ka qenë i përfshirë në marrëveshje në sektorin e institucioneve financiare (Republika Çeke, Ukraina, Polonia, Rumania, Serbia, Shqipëria, Maqedonia), në fondet e sipërmarrjeve të teknologjisë dhe bioteknologjisë (Zvicër, Bullgari) në pasuritë e paluajtshme (SHBA).

Negociatat për shitje

Grupi OTE, pranoi në fund të shtatorit se ishte në negociata me disa palë për shitjen e Telecom Albania. Ofertues ishin Telekomi i Serbisë, bullgarja Vivacom, grupi çek PPF, Albtelecom në Shqipëri dhe sipërmarrësi grek Vardis Vardinogiannis, me interesa në naftë dhe transporte. Telekom Srbija, bëri një ofertë të lartë, në momentin e fundit, për Telekom Albania, duke i zënë në befasi konkurrentët e tjerë dhe duke hapur një debat të gjerë politik, duke detyruar dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama, të mos shprehet në favor të këtij transaksioni.

Si u zhvlerësua Telekom Albania

OTE shpenzoi 80 milionë euro kur në vitin 2000 bleu 85% të aksioneve të Telekom Albania, që në atë kohë quhej AMC. Investimi rezultoi mjaft i leverdisshëm dhe u kthye në një kohë rekord, teksa AMC ishte ndër kompanitë më fitimprurëse në vend.

Deri në vitin 2009, kur në tregun celular kishte vetëm dy operatorë, Telekom Albania (në atë kohë AMC) kishte fitime mjaft të larta. Rekordi është arritur në vitin 2008, me fitime para taksave që ishin rreth 110 milionë euro, teksa norma EBITDA (fitimet para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) arrinte deri në 80%. Pas 2008 fitimet ranë gradualisht për të arritur në 30 mln euro në vitin 2013 dhe 17 mln euro në 2014, për të kaluar më pas me humbje të larta në 2017, sipas të dhënave historike të analizuara nga Monitor.

Telecom Albania, që kishte të ardhura prej 9.1 miliardë lekësh në 2017-n, raportoi humbje tepër të larta prej 4.8 miliardë lekësh (mëse gjysma e të ardhurave) në 2017-n, apo rreth 36 milionë euro humbje, pas fitimeve minimale prej 155 milionë lekësh në 2016-n, sipas bilancit zyrtar.

Mësohet se gjatë procesit të due diligence asetet u rivlerësuan në ulje, çka së bashku me humbjet e mëdha bëri që t’i ulej vlera kompanisë./monitor 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ 120 minuta dhe 10 penallti, Real Madrid kalon Man. Cityn dhe gjen Bayern Munich në gjysmëfinalet e Champions! Bavarezët i falen Kimmich duke larguar Arsenalin

GOLAT/ 120 minuta dhe 10 penallti, Real Madrid kalon Man. Cityn dhe gjen Bayern Munich në gjysmëfinalet e Champions! Bavarezët i falen Kimmich duke larguar Arsenalin