Përgjegjësi e shumëfishtë,
gjithëpërfshirëse

Përgjegjësi e shumëfishtë,<br />gjithëpërfshirëse
Raporti i fundit i Komisionit Evropian, që rekomandon dhënien Shqipërisë të statusit të kandidatit për në BE, kësaj here formulohej edhe më i besueshëm se sa më parë për 28 Shtetet Anëtare të këtij organizmi supranacional, duke justifikuar tërësisht dhe plotësisht vendosjen në titullin e vet të termit ‘Progres’. Sidomos, kur në përmbajtjen e tij shprehet bindja, sipas së cilës, Shqipëria është treguar e angazhuar për ndërmarrjen e reformave të domosdoshme, që pa dyshim do t’ia shkurtojnë asaj ndjeshëm në brenda pak vitesh rrugën drejt Brukselit.

Njëherazi, ky Raport rriti edhe brenda vendit tonë shpresat për një të ardhmen më të mirë (që populli shqiptar e ka merituar prej kohësh), duke gjunjëzuar edhe më skeptikët përpara një perspektive pozitive me ritme të shpejta. Por aktualisht, në kushtet e një kthese të fortë të Shqipërisë në rrugëtimin e saj tranzit, vendosmërinë për t’iu qasur me vërtetësi kësaj perspektive e shprehu fare qartë dhe në mënyrën më lakonike të mundshme Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili në Konferencën e djeshme të Shtypit me Komisionerin evropian, Shtefan Fyle, forca e vullnetit dhe mprehtësia e arsyes e shtyunë të deklarojë se, “Raporti i KE është: më shumë punë për qeverinë, më shumë realizëm për opozitën”.

Domethënë, ndonëse arritjet e deritanishme, veçanërisht ato të muajve të fundit të këtij vendi të vogël ballkanik, deri tani janë inkurajuese për Shtetet dhe strukturat institucionale të Unionit Evropian, përpjekjet intensive për aplikimin dhe realizimin e reformave në një spektër të gjerë ndryshimesh pro evropiane, edhe pas akordimit të statusit të shumëdiskutuar dhe të shumëpritur, do të jenë ato që do të  përcaktojnë tek e fundit vektorin e duhur drejt zemrës së kontinentit.          

     Konkretisht, nuk duhet harruar se kriteret bazë për t’u plotësuar nga Shtetet që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian kanë qenë paraparë fillimisht qysh më 1993, në atë që është njohur si Samiti i Kopenhagenit. Madje, përveç drejtimeve themelore për aderim edhe një drejtim i katërt u shtua nga Këshilli Evropian i Madridit (1995), sipas të cilit është kërkuar dhe vazhdon të imponohet që çdo Shtet aspirant apo edhe kandidat duhet të aplikojë pa u zbrapsur rregullat dhe procedurat e BE, përmes përshtatjes së strukturave të tij administrative dhe ligjore. Në këtë kuadër, Unioni ka përcaktuar edhe mekanizmat e ndikimit të vet gjatë nxitjes së ushtrimit në vende të ndryshme të politikave evropiane. Dhe, sikurse është theksuar, kushtëzimi demokratik është strategjia bazë, nëpërmjet së cilës Bashkimi Evropian synon të arrijë përmbushjen e kritereve të mësipërme nga ato shtete.

     Duke u përqendruar konkretisht në rastin tonë, mund të thuhet që Shqipëria nuk mund të bënte përjashtim nga detyrimi për të përqasur legjislacioni e saj me atë të BE, detyrim ky që buron nga Neni 70 i Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit. Gjithashtu, duke marrë parasysh që legjislacioni i Unionit është në zgjerim dhe përsosje të përhershme, adaptimi i kuadrit ligjor shqiptar nuk mund të konsiderohet i përfunduar nga përshtatja e tij me ‘acquis communautaire’, atëhere kur janë bërë disa përshtatje. Kështu, Shqipëria ka jo vetëm detyrimin që të sjellë legjislacionin e saj shtetëror apo kombëtar në përputhje me atë të Unionit, por edhe të sigurojë që ky legjislacion është zbatuar dhe në vazhdimësi do të zbatohet siç duhet. Por, që kjo zhvendosje e ‘acquis...’ të BE të bëhet efektive edhe këtu, sigurisht që kjo nuk përputhet me shpërdorimin dhe zvarritjen e kohës nga qeverisjet e këtyre shteteve, sikurse nuk pajtohet as me moszgjerimin, moszhvillimin dhe mosshfrytëzimin e kapaciteteve institucionale, të cilët marrin në këtë proces vlerën e një prej faktorëve vendimtarë.  

     Nga ky vështrim në shumë drejtime si, për shembull, forcimi i kuadrit ligjor në drejtësi, zgjerimi dhe zbatimi i legjislacionit kundër pastrimit të parave, kundër konfliktit të interesave dhe për kontrollin e deklarimit të pasurive, punësimi në sektorin publik, ushtrimi i profesioneve që konsiderohen të lira, reforma në pensione dhe ndërmarrja e plot reformave të tjera, Shqipëria edhe pas përftimit të statusit të Shtetit kandidat për në BE dhe çeljes sa më të shpejtë të bisedimeve, deri në shpalljen reale të anëtarësimit në Union, e domosdoshme është që jo vetëm të mbajë parasysh nga institucionet e saj ‘acquis communautaire’ në zhvillim, por edhe praktikën gjyqësore evropiane në fushat përkatëse, që u mundëson Shteteve Anëtare të BE, bie fjala, të rezervojnë pozicionet e punës në shërbimin publik për shtetasit e tyre dhe nëse këto pozicione janë të lidhura me veprimtari të veçanta të këtij lloj shërbimi.

     Pa vënë në diskutimin e këtyre rradhëve edhe plot fusha dhe profesione të tjera, për të cilat hapësirat që na ndajnë nga Brukseli aktualisht nuk duken dhe nuk janë fort të ngushta, doemos që është për t’u përshëndetur çdo nismë që i përket përqasjes së legjislacionit shtetëror, deri në njësimin shumë shpejt të disa ligjeve apo dispozitave me ato të Bashkimit Evropian. Është për t’u përshëndetur, sepse përparësia e së drejtës evropiane mbi atë shtetërore, domethënë, se si do të realizohet ajo përparësi në çdo shtet aspirant apo kandidat të veçantë, nuk jepet e gatshme nëpër Traktate.

Por, gjithashtu, nuk mund të thuhet që në këtë fushë ka boshllëk të thellë apo shumë të ndjeshëm. Jo, përparimi i së drejtës evropiane është zhvilluar dhe vazhdon të zhvillohet me ritme të atilla, që garantojnë qëndrueshmëri, në kuadër të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, vendimet e së cilës kanë kontribuuar seriozisht për krijimin e një rendi të ri juridik të së drejtës, për konsolidimin e të cilit Shtetet Anëtare saktifikojnë realisht madje edhe të drejtat sovrane të tyre. Ndërkohë që një sërë vendimesh të kësaj Gjykate në disa fusha, si: lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave, qarkullimi i lirë i shërbimeve, barazia dhe të drejtat sociale, respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si edhe i qytetarisë së Unionit prodhojnë efekte të shumta dhe të drejtpërdrejta për një jetesë më të mirë, më dinjitoze të shtetasve të Shteteve Anëtare.
     
Pra, konkretizimi edhe te ne i nismave të përafrimit është një nga sfidat kryesore të Shqipërisë drejt integrimit, madje edhe përpara se sa të zyrtarizohen fazat më pranë finishit të kësaj rruge. Dhe, sa më shumë kohë që kalon, aq më i madh mbetet detyrimi për adaptimin e legjislacionit tonë shtetëror me atë të Evropës së Bashkuar, që është shtrati i civilizimit gjithnjë e më të admirueshëm dhe i zhvillimit përherë e më të shpejtë të popujve të këtij kontinenti, përkatësisht edhe të atij shqiptar. Ndërkohë, në kushtet tona aktuale, ashtu siç vërehej në Progres – Raportin e Komisionit Evropian “është i rëndësishëm dialogu politik i konsoliduar ndërmjet qeverisë dhe opozitës”.

Sepse, nëse vazhdon klima konfliktuale e dertashme, të gjitha reformat e ndërmarra në mënyrë të njëanshme do të kompromentoheshin rëndë dhe po kaq rëndë do të dëmtohej imazhi i Shqipërisë në sytë e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, të cilëve ajo synon t’u bashkëngjitet në pozita dhe të drejta të barabarta. Edhe tani, vetëm tri javë përpara Takimit të Këshillit të Ministrave të BE, nga ku shpresohet të akordohet statusi që rekomandohet në Progres – Raportin e Komisionit Evropian, ndonëse qeverisja këtu tregon vullnet për të luftuar korrupsionin dhe krimin, politizimi nga opozita i këtyre përpjekjeve nuk i shërben qëllimit.

Veçanërisht në këtë fazë të nisjes së kthesës, por edhe më tej, në çdo fazë të zhvillimit të mëtejshëm të Shqipërisë, shpërfillja madje edhe e konsideratave etike është po aq e dëmshme sa mund t’i hiqet ajri i jetës njeriut në vendin ku ai jeton. Prandaj, e domosdoshme është që të mos vazhdohet më deri në Parlament me gërrmërrima midis segmentëve kryesorë të jetës publike shqiptare, duke shpërdoruar kështu kohën shumë të çmueshme për të arritur që të sundojë politika parësore, e cila shumë shpejt duhet të sundojë mbi pavolitë e përkohshme apo vështirësitë e rastit, për të mos flijuar me lehtësi të padurueshme vazhdimësinë e reformave, sigurinë e shqiptarëve për të ardhmen evropiane.

Megjithatë, nuk mund të kalojë shumë kohë që edhe nga loja e forcave të individualizmit të dalë diçka konkrete, përveç kaosit dhe boshllëkut. Sepse, asnjëherë nuk harrohet ajo që është përkufizuar shumë e shumë kohë më parë: “Historia, ashtu si matematika është e detyruar të pranojë, se eksentricitetet balancojnë pak a shumë njëri – tjetrin, kështu diçka mbetet konstante, më në fund”.

Pra, edhe pse dikush mund të shpresojë te dobia shoqërore dhe një tjetër është thjesht formalist, edhe pse dikush nuk kënaqet me të tashmen dhe një tjetër ka frikë nga ndryshimet, tek e fundit do të konsolidohet diçka apo shumëçka me vlerë më të madhe se sa mendimet dhe veprimet e ndryshme që i kanë prirë. Diçka me të atillë vlerë, për krijimin në vazhdimësi të së cilës përgjegjësia është e shumëfishtë, gjithëpërfshirëse.      

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

2 milionë e 400 mijë tonë naftë prodhoi Shqipëria në vitin 1974! Flet në Esencë eksperti Gjergji Foto

2 milionë e 400 mijë tonë naftë prodhoi Shqipëria në vitin 1974! Flet në Esencë eksperti Gjergji Foto