Pas suksesit të Çelësit, Ylli Sula krijon e-learning, kurse online që të përgatisin për punësim

Pas suksesit të Çelësit, Ylli Sula krijon e-learning, kurse online që të përgatisin për punësim

Z. Sula ju porsa keni lançuar platformën e-learning UNIPRO BALKAN ACADEMY? Çfarë ofron ajo?

Në fillim të muajit mars të këtij viti lançuam platformën UNIPRO BALKAN ACADEMY e cila po funksionon aktualisht me 10 kurse me audio dhe video italisht të titruara në shqip. Përpara se të nisnim me hedhjen e kurseve në platformë bëmë një studim, përmes të cilit vlerësuam preferencat për gjuhën e kurseve dhe mënyrën e prezantimit. Na rezultoi që preferohej ta dëgjonin audio në gjuhën italiane dhe titrat në shqip, duke përjashtuar dublimin në gjuhën shqipe apo lektorin shqiptar. Tani do prezantojmë edhe kurset në gjuhën angleze dhe gjermane dhe varianti me titra në shqip është opsioni më i mirë për të gjithë ata që duan të zgjedhin kursin në gjuhën që zotërojnë më mirë. Kurset e para që ofron platforma janë sit ë menaxhosh rrjetet sociale, të zhvillosh aftësitë për Public Speaking, komunikimi dixhital, menaxhimi i eventeve apo shumë shpejt edhe kursi për programin autocad.   

Si lindi UNIPRO BALKAN ACADEMY? 

Njohja me kompaninë italiane ka qene rastësore, por jo momenti. Ajo që na ngacmoi ne ishte fakti se kishim ardhur në një moment të tillë nevoje në raport me zhvillimet tona të mëparshme, përfshi projekte apo produkte që kishim te Çelësi. Fillesa gjithmonë ka qenë gazeta Çelësi, produkti ynë i parë 21 vite më parë. Na rezultoi që ne kishim në gazetë deri 350 oferta pune në javë të botuara nga kompani të vogla, të mesme dhe të mëdha që kërkonin punonjës. Nga leximi i këtyre ofertave të publikuara konstatuam që tregu ishte kaotik, i pastrukturuar sa i përket cilësisë së shkrimit të një njoftimi, kërkesat e vendit të punës, një sërë problemesh që evidentonin mangesi sa i takon qasjes profesionale.

Nga ana tjetër duke qenë që ne vetë ishim një kompani që nga 4 punonjës sot numërojmë 102 punonjës edhe ne vetë ishim pjesë e këtij tregu me kërkesat tona për punonjës. Pamë gjithashtu se personat që përcillnin CV-të e tyre kishin mangësi dhe ishin pa standard. Atëherë doli si domosdoshmëri nevoja e një filtri profesional, një agjenci punësimi. Kësaj iu shtua konstatimi tjetër që në tregun shqiptar agjencitë e punësimit ishin 4 deri në 5 filiale të kompanive ndërkombëtare që kanë mbuluar kërkesat për nivelin e lartë menaxherial të pozicioneve të punës për koorporata apo kompani të huaja. Ndërsa tregu i mesëm që është tregu ku Çelësi ka sot 95, 96% të njoftimeve përgjithësisht ka qeni i pambuluar. Kështu ne lançuam një agjenci punësimi të orientuar drejt këtij tregu, tregut të mesëm – një treg specialitetesh, profesionistësh, që nga horeka më të gjitha zanatet apo pjesa teknike në ndërtim, financë dhe pjesa e profesioneve të reja që i përshtaten zhvillimeve teknologjike, si programues, IT, webmaster, social media developer, etj. Kështu lancuam Agjencinë e Rekrutimit Profesionisti.

Por pamë që problem në Shqipëri është gjetja e personit të duhur, me pregatitjen e nevojshme. Kishte kandidatë që “personal specification” profilin e kishin shumë të mirë, por nuk kishin, ose kishin mangësi sa i takon njohurive teknike e profesionale.

Këtu ishte edhe pika e takimit me kompaninë italiane. Sot flitet gjithmonë e më shumë për e-learning, trajnimi i vazhdueshëm, formimi profesional, koncepte që po gjejnë zbatim edhe ne vendin tonë. Unione Profesionisti dhe UNIPRO ACADEMY ofron kurse për profesionet e rregulluara (trajnimi i vazhdueshëm) dhe kurse që vijnë si domosdoshmëri e evoluimit të profesioneve për shkak të zhvillimeve teknologjike që duhen përditësuar.

Çfarë ofron platforma?

Ajo çka ne po zhvillojmë në fillim është trajnimi për një seri profesionesh apo aftësish profesionale dhe teknike në fusha të caktuara që janë zgjedhje të individit apo kompanisë për punonjësit e vet. Avantazhi i këtij bashkëpunimi mes kompanisë italiane dhe Çelësi është se këto çertifikata njihen edhe në Itali. Risi për platformën është ofrimi i një kursi i cili kërkon liçensim dhe është kursi për administratorët e bashkëpronësisë. Ky nuk është thjesht kurs por është çertifikim i njohur nga Ministria përkatëse.

Hapi tjetër do të shihet pas qartësimit të profesioneve të rregulluara, duke parë edhe çështjen e krediteve nëse do të jetë e hapur edhe për privatin.

Me futjen e UNIPRO BALKAN ACADEMY ne kompletojmë trekëndeshin mes njoftimeve të punës te gazeta Çelësi, punë që ne e bëjmë prej 21 vjetësh tashmë, punën që bën Agjencia e Rekrutimit Profesionisti dhe kurseve për profesionistët që rrisin aftësitë e tyre dhe të jenë gati për tu punësuar.

Kush është kontributi i projektit RisiAlbania në këtë sipërmarrje tuajën?

Me Risinë ne kemi një marrëdhënie afatgjatë bashkëpunimi dhe ajo është pjesë e suksesit tonë në këtë rrugëtim. Në këtë projekt specific, Risi-ja po na ndihmon në 2 aspekte. Së pari ekspertizë sa i takon formimit të stafit që do punojë për ta bërë këtë produkt të menaxhohet në mënyrë profesionale. Së dyti Risi do të bëjë një studim tregu të thelluar për të parë nevojat prioritare të tregut për kurset profesionale. Platforma ofron mbi 250 kurse në italisht dhe pritet të shtohen po kaq në gjermanisht dhe anglisht. Ky studim do të na ndihmojë që në ti ofrojmë tregut kurset në shqip sipas kërkesave të tij.

Pse është e rëndësishme të investosh në soft skills, sikundër ju po bëni me kurset që ofroni në platformë?  

Ne kemi një eksperiencë shumë të gjatë te Çelësi në inisiativa të tilla, ku edhe kemi riskuar. Por unë kam një bindje personale se nuk mund të ndërtosh e lançosh inisiativa biznesi të cilat kanë vetëm qasje materiale, pra orientohen nga fitimi apo suksesi, pasi në fund të fundit nëse nuk zhvillohen edhe aspektet e tjera që kanë të bëjne me një dimension kulturor, moral, profesional, ato të kthehen në bomerang dhe të impaktojnë edhe qasjen materiale. Sepse mund të bëjmë një biznes me norma të larta fitimi si në ndërtim psh, por pa punonjës të kualifikuar të gjitha niveleve me të tilla aftësi askush nga ne që meremi me biznes nuk do të jetë i sukseshëm për një kohë të gjatë pasi do të mungojë qëndrueshmëria në biznes.

Mendoni se zhvillimi i teknologjisë, është pengesë për këtë industri?  

Për disa profesione kjo është e vërtetë, aty ku kërkohet një teknologji shumë e specializuar, por për momentin tregu jonë nuk duket se do të ndikohet, pasi edhe investimet që kërkon kjo industri, kur flasim për robotimin është tejet e lartë dhe ende në nivel testimi. Do ndodhë, po do mari kohën e vetë, dhe njërëzit do të vazhdojnë të kërkojnë punë, do të vzhdojnë të zhvillohen profesionalisht, dhe biznesi do të vazhdojë të kërkojë punonjës të kualifikuar. 

Çfarë ka të veçantë platforma juaj?

Plaftorma ka të gjitha funksionalitetet e një plaftorme e-learning që ka video, audio, titrat, dispensat, grafikat, një seri materialesh dhe monitorim dhe testime të ndërmjetme dhe një testim përfundimtar. Eshtë e testuar në Itali ku ka disa vite që operon dhe ofron një standard profesional. Eshtë e para plaftormë për formim professional online, ku në fund individi pajiset me çertifikatë. Të ofron një prakticitet shumë të madh pasi njerëzit janë në punë dhe kjo është zgjidhja ideale. Pjesëmarrja në klasë të kushtëzon. Ti e zhvillon kursin në mënyrë individuale, në çdo kohë që ti dëshiron. Dhe duke qenë onlinë, kosto e këtyre kurseve është shumë më e ulët se kurset që zhvillohen në klasë.

Platforma ka edhe dy elementë interesantë. Së pari platforma është e programuar në mënyrë të tillë që një koorporatë apo biznes do të trajnojë stafin e vet, biznesi mund të blejë kurset dhe ka një llogari të vetën në platformë ku menaxhon gjithë aksesin duke monitoruar edhe gjithë procesin se si ndiqet dhe zhvillohet nga punonjësit.

Së dyti, platforma ofron mundësi për profesionistët lokalë që të zhvillojnë kursin e tyre. Kursi në pronësinë e personit integrohet në platformë.

Cili është tregu që ju synoni?

Ne nuk e kemi quajtur më kot UNIPRO BALKAN ACADEMY, në marrëveshjen me kompaninë italiane ne kemi marë ekskluzivitetin për Ballkanin, dhe momentalisht synojmë tregun shqipfolës, duke qene se po investojmë që kurset të jenë me titra në shqip.  

A ka kërkesa për kurse?

Ne ende nuk kemi bërë një fushatë marketingu, shumë shpejt do e lancojmë, por jemi të kënaqur se prej pas ditësh që platforma është online kemi patu edhe rregjistrimet e para. Ky është një ogur i mirë.

Suksese!

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Investimi i dhëndrit të Trump në Sazan, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

'Radio France': Shqipëria, destinacioni turistik në trend dhe i lirë

'Radio France': Shqipëria, destinacioni turistik në trend dhe i lirë